Kryefaqja / PERSONALITETE / Monumenti, dëshmi e trungut gjeologjik të Hasan Prishtinës

Monumenti, dëshmi e trungut gjeologjik të Hasan Prishtinës

Atdhetari dhe patrioti i madh, Hasan Prishtina, i është kthyer trungut të tij në Polac të Skenderajt, aty ku kanë jetuar babai dhe gjyshi i tij, Ahmet Berisha, përkatësisht Ali Berisha.

Monumenti i Hasan Prishtinës në Polac, që në fakt është një Qendër Memoriale, është ngritur nga banorët e lagjes “Veliu” për të treguar lidhjen e gjakut të tyre me Hasan Prishtinën.
Në këtë mënyrë, Hasani është “kthyer” në Polac për të “jetuar” përgjithmonë me njerëzit e fisit dhe të gjakut.
Hakan Berisha, familjari më i afërt i Hasan Prishtinës
Shumë është folur për Hasan Prishtinën, për prejardhjen e tij, janë shkruar shumë libra të historisë që kanë qartësuar gjithçka dhe me anë të të cilave është dëshmuar se Hasan Prishtina e ka trungun në lagjen “Veliu” të Polacit, ku kishin jetuar të parët e tij, gjyshi Aliu dhe babai Ahmeti.
Hakan Ismet Berisha nga Mitrovica, i cili ende nuk e ka një vit që ka ndërruar jetë, ishte familjari më i afërt i Hasan Prishtinës. Ai kishte shpjeguar se familja kishte jetuar në Vushtrri dhe prej kohësh ishte shpërngulur në Mitrovicë.
Sipas tij, në Vushtrri kjo familje kishte jetuar në vitin 1933 – 1934. Atëherë, shtëpinë e tyre me më shumë se 30 ari truall e kishin marrë serbët dhe e kishin shfrytëzuar për punë të Gjykatës Komunale.
“Zejnullah begu dhe Hasan bej Prishtina kanë qenë djemtë e dy vëllezërve. Zejnullahu ka qenë i Abdullahut, kurse Hasani i Ahmetit, e Abdullahu dhe Ahmeti kanë qenë të Aliut. Zejnullah begu kishte vetëm një motër, e cila ishte martuar në Turqi, kurse Hasani kishte vetëm një vëlla, Ymerin. Zejnullah beu, gjyshi im, kishte katër djem, Qemalin, Ismetin, Abdullahun dhe Besimin, si dhe dy vajza, Shukrijen dhe Naziren. Hasan Prishtina nuk kishte fëmijë. Ndër më të afërmit e tij ka qenë Elma, vajza e vëllait të tij, Ymerit. Unë jam i Ismetit, ndërsa kam dy djem, Afrimin dhe Agronin dhe një motër, e cila jeton në Prishtinë dhe e cila ka një djalë dhe një vajzë, që të gjithë me pasardhës”, kishte shpjeguar Hakan Berisha trungun e familjes së Hasan Prishtinës.
Çmallja me njerëzit e fisit e të gjakut
Hakani pati thënë se kishte qenë në Polac, në lagjen “Veliu”, për të cilët kishte thënë se janë më të afërmit e Hasan Prishtinës.
“Kam qenë në truallin e të parëve të mi, aty ku i pari i ynë Abdullah Veliqi (Berisha) e ka varrin. Aty jam njohur me djalin e Rexhep Veliqit, me Zeqirin, babanë e të cilit gjithmonë e kam respektuar për kushëri tim. Jam takuar dhe jam çmallur edhe me shumë të afërm e kushërinj, që realisht janë të afërm të Hasan Prishtinës”, pati thënë Hakani, pak para se të ndërronte jetë. Hakani tregoni një fotografi të vjetër në të cilën shiheshin Zejnullah begu dhe Rexhep Veliqi, por kishte edhe fotografi të tjera, si dhe shumë dokumente që dëshmonin se Hasan Prishtina dhe Zejnullah begu trungun familjar e kanë nga lagjja “Veliqi” e Polacit.
Historianët që ishin marrë me Hasan Prishtinën në të gjitha arkivat shtetërore të Jugosllavisë, të Vjenës, të Tiranës e të Shkodrës, si dhe kishin shënuar kujtesën historike në Drenicë e në të gjitha viset e Kosovës, kishin gjetur se Hasan Prishtina rrjedh nga “vëllazëria stërgjyshore ‘Veliqi’ të Polacit të Drenicës”.
Nëna e Hasan Prishtinës, gruaja e Ahmet Haxhi Ali Veliqit – Berishës, ishte vushtrriase. Sipas historianëve, Muhamet Pirraku, por edhe Hakif Bajrami, duke iu referuar burimeve arkivale, Haxhi Ali Veliqi kishte pasur tre trashëgimtarë.
Bijtë e Haxhi Ali Veliqit kishin miqësi dhe krushqi me mulla Haxhi Zekën (Pejë), me Ali Pashë Dragën (Mitrovicë), me Zija Pashë Gjinollin (Prishtinë), me Sylejman Pashë Berishën (Prishtinë), me të bijtë e Emin Agës. Të parët e Hasan Prishtinës, nga lagjja “Veliqi” fillimisht ishin shpërngulur në Mikushnicë, e pastaj në Vushtrri, ku ishte lindur Hasan Prishtina.
Kulla e Zejnullah begut në Balincë të Vushtrrisë
Kulla e Zejnullah begut në Balincë të Vushtrrisë, djalit të xhaxhait të Hasan Prishtinës, tanimë vetëm sa nuk është rrënuar. Ky monument i trashëgimisë kulturore për afro një shekull histori ka pasur aq shumë funksione. 
Kullën në fshatin Balincë të Vushtrrisë e ndërtoi Zejnullah Begu, që fillimisht i shërbeu atij dhe familjes së tij. Por gjatë periudhave të ndryshme të kohës ajo kishte ndërruar disa herë funksionet dhe në këtë mënyrë ishin bërë edhe ndryshime të brendshme të kullës.
Në mesin e shekullit të 20-të, kulla kishte shërbyer si shkollë, jo vetëm për fëmijët e fshatit ku ndodhej, por edhe të atyre të fshatrave përreth. Një kohë ajo do të shndërrohej në stacion policie, në të cilën torturoheshin shqiptarët, por më vonë sërish ishte shndërruar në shkollë, ndërkaq në vitet ’80-ta, kulla e Zejnullah begut, djalit të xhaxhit të Hasan Prishtinës do të shndërrohej në shtëpi kulture.
Në këtë kullë më vonë ishin strehuar familje të varfra, ndërsa në luftën e fundit në Kosovë, në vitet 1998/99, kulla u dogj dhe vetëm se nuk e shemb. Gjurmët e granatave në muret e kullës shiheshin qartë deri në vitin 2014, kur në këtë objekt të të trashëgimisë kulturore Ministria e Kulturës mori masa emergjente dhe investoi për ta rinovuar dhe në këtë mënyrë për ta shpëtuar nga rrënimi.
Kati i sipërm i kullës tashmë është rinovuar dhe është e gatshme për vizitorët. Përmendet, se kulla do të shndërrohet në bibliotekë, por ka edhe ide të tjera. Deri atëherë ajo mbetet e zbrazët, ndonëse jo pak vizitorë shkojnë për ta parë kullën që e ngriti familjari i patriotit shqiptar me nam, Hasan Prishtina, ndonëse emër në histori bëri edhe vetë Zejnullah begu. Kur ishte ndërtuar kulla e Zenullah begut, ajo kishte hiç më pas se 199 hektarë tokë.
Profesori Ismet Veliqi, tani thotë se një kullë do të ndërtohet edhe në këtë lagje, në truallin ku e kishin shtëpinë të parët e Hasan Prishtinës.
“Pas monumentit të Hasan Prishtinës tani do ta ndërtojmë edhe kullën e Hasan Prishtinës, në vendin ku ka qenë shtëpia e të parëve të tij”, ka thënë ai.
E ndërkaq Fadil Nura, nënkryetar i Skenderajt, thotë se monumenti i ngritur në Polac është më së i merituar, jo pse nuk janë ngritur lapidare të tjera dhe shtatore të Hasan Prishtinës, por sepse ky lapidar është ndërtuar në vendin e lindjes së të parëve të Hasan Prishtinës.
“Hasan Prishtina, ky patriot i pakrahasueshëm dhe i paepur, në çdo ditë që kalon çmohet më shumë jo vetëm si patriot e atdhetar, por edhe si diplomat i guximshëm që ishte i gatshëm të vdiste për të mirën e kombit shqiptar, kurdo që e kërkonte nevoja”, është shprehur Nura. /ZËRI/ 

Check Also

Atdhetari i pavdekshëm shqiptar Abdyl Frashëri: Epiri është dhe do të mbetet gjithmonë shqiptar

Atdhetari dhe Diplomati i Shquar I pavdekshem i popullit shqiptar Abdyl Frashëri, i drejton redaksisë …

Leave a Reply