Kryefaqja / OPINION / Në Greqi jetojnë 3-4 milionë arvanitas të pa asimiluar

Në Greqi jetojnë 3-4 milionë arvanitas të pa asimiluar

ROLAND QAFOKUKemi shumë për të diskutuar edhe falë disa zbulimeve shumë të rëndësishme që keni bërë në lidhje me figurën e Ali Pashës. A e keni mbyllur këtë kapitull tashmë me zbulimet që keni bërë?

Irakli Koçollari: Jo vetëm që nuk kam mbaruar, por me atë që kam parë ndër vite, unë besoj do të ketë edhe shumë të tjerë që do të zbulojnë gjëra me shumë interes për historinë e tij dhe atë kombëtare në veçanti.

Nga i gjithë aktiviteti që ju keni dhe keni pasur në jetën tuaj, kë veçoni si më të rëndësishmin?

Shumë ngjarje kanë emocione të veçanta dhe asnjë nuk i ngjan tjetrës. Nga puna krijuese mund të veçoj gjetjen e dokumentave në arkivat e huaja, një pjesë e tyre ende të pazbuluara, më shkaktojnë një emocion shumë të veçantë.

Ju i keni shërbyer shtetit shqiptar z.Koçollari, në shërbimin sekret në detyra shumë të larta. Aty ku i keni shërbyer shtetit, a nuk kanë vlerë sa kanë studimet historike?

Ju më pyetët për emocionet dhe jo për vlerat, ndaj unë thashë që kjo më shkakton më shumë emocion dhe është e vërtetë. Ndërsa biografia e secilit për kontributet për këtë vend nuk besoj se mbetet t’a them unë. Ato bëhen në një kohë tjetër dhe janë produkte që lë njeriu dhe që vlerësohen më pas. Kur flasim për emocionet, mund të them sinqerisht se janë dokumentet e gjetura që besoj se do të lënë gjurmë në historinë e vendit tim.

Libri i parë i juaji i 1998 “Spiunazhi ndër shekuj” ka bërë shumë bujë, sot ju shkon ndërmend t’i riktheheni?

Çdo libri i mbetet gjithmonë diçka për të plotësuar, aq më tepër kur është fjala me karakter historik apo që trajtohen çështje që kanë dilema dhe lidhen me dokumentacione të njohura apo të panjohura dhe kur ky dokumentacion është në vendin tënd, por edhe në vendin tuaj. Ka shumë dokumente dhe ka shumë që flasin, por duhet patur kujdes me rëndësinë dhe vërtetësinë e tyre. Tek ai libër ka shumë gjëra, si p.sh. fare vonë Tony Blair deklaroi se, operacionet angleze ndaj Shqipërisë dështuan.

Nëse kujtojmë një ligjëratë të drejtë ish-kryeministri Blair ka thënë “Dy dështimet më të të mëdha të shërbimit sekret anglez kanë qenë, ai në Irak dhe ai në Shqipëri në vitet 50-60”. Ju e keni prekur këtë temë. Vijoni të keni njejtën bindje si në libër që Kim Filbi nuk spiunonte në Rusi për llogari të Shqipërisë, por ishte zbulimi i shërbimit sekret shqiptar ai që e bëri”?

Kjo është një histori për të cilën në shekullin e 20-të është shkruar më shumë dhe veçanërisht për Kim Filbin. Unë kam botimet amerikane, italiane, autorë anglezë që kanë shkruar për Kim Filbin dhe kur vjen fjala për Shqipërinë, thuhet se Kim Filbi ishte njeriu që iu dha informacione rusëve dhe rusët ua dhanë shqiptarëve dhe më pas realizuan dështimin e këtyre operacioneve. Unë besoj se nuk jam i vetmi që nuk jam dakord me cilësimin se është meritë e Kim Filbit.

E kujt ishte merita?

Ishte merita e personave që kanë punuar në atë kohë.

Ç’ishin këta heronj?

Ata nuk ishin heronj dhe unë nuk dua t’i mitizoj gjërat, operacionet i drejtuan disa njerëz që ishin të palës amerikane që ishin të një moshe 20-vjeçare. Ashtu si edhe këtu, ata njerëz që punuan ishin po të kësaj moshe. E nëse tek ata kishte edhe me shkollë të mesme, këtu kishte edhe me shkollë të lartë. E nuk ishte ai mendimi se “hë nuk ka nivel ai se është shqiptar dhe po të jetë i huaj ai, është i mençur, le të jetë dhe pa shkollë”. Kjo nuk është e vërtetë aspak, sepse ka pasur edhe këtu njerëz shumë të mençur dhe nuk po flas këtu për bindje politike. Amerikanët kuptuan se nga operacionet e tyre rridhte informacion dhe nga të gjitha analizat që ata bënë, kuptuan se informacioni shfrynte nga britanikët dhe e ngushtuan edhe më tej rrethin dhe e vunë gishtin tek Guy Burges dhe Kim Filbi, dhe duke përforcuar këtë ide, ata kërkuan përjashtimin e tyre nga bashkëpunimi. Në ‘49 Kim Filbi iku nga shërbimi sekret, mirëpo operacionet tek ne filluan në vitet ‘50 dhe ç’mund të jepte Kim Filbi kur ai nuk ishte më pjesë e shërbimeve sekrete angleze?!

Megjiathatë, ka shumë të tjerë që e hedhin poshtë teorinë tuaj z.Koçollari?

Sigurisht që do ketë, sepse edhe në Perëndim ka që e mbështesin këtë teori dhe një pjesë që mendojnë ndryshe.

Ndërkohë për tre operacionet e famshme, a mund të na thoni diçka më shumë?

Për këtë çështje duhen parë jo vetëm dokumentet vendase, por edhe ato amerikane e britanike. Deri tani nuk është bërë një studim i tyre i plotë, sepse kërkohen shumë burime.

Ju keni arrituar deri në majë të shërbimit sekret shqiptar, përse në atë vit që Shqipëria ndërroi sistemin dhe ne kishim një shërbim të ri sekret shqiptar, përse pati një tronditje aq të madhe, ata njërëz i shërbyen kauzës ideologjike, apo i shërbyen edhe shtetit dhe nuk ishte nevoja që të damkoseshin?

Për mua personalisht shumë gjëra nuk lidhen vetëm me një fushë të së njejtës, por me shumë të tjera; lidhet me kulturën apo ekonominë që kishim ne në raport me vendet e tjera të Lindjes. Padyshim që tek ne nuk do të kishte të njëjtat zhvillime që kishte në vendet e tjera, dhe këtu flas për çdo fushë. Një institucion nuk përcakton se përse ndodhin këto gjëra.

Si një gazetar që është marrë për shumë kohë me çështjen e sigurisë kombëtare, nuk mendoj asnjëherë që janë zhdukur dosje, mund të ketë pasur tentativa si për grisje fletësh apo diçka tjetër, kopjet e të cilave mund të gjendeshin në një vend tjetër. Akuza më e rëndë që është ngritur ndaj jush, është pikërisht zhdukja e këtyre dosjeve. A mund të na tregoni si qëndron e vërteta?

Jo nuk mund të them, sepse këtë e ka thënë drejtësia, por mund të them diçka tjetër, se të gjitha janë aty. Sepse nuk ka vetëm shërbim sekret shqiptar, por ka edhe të huaj që i dinë mirë këto gjëra. Edhe të duash, nuk mund t’i zhdukësh,pasi ajo dihet që ato janë në katër kopje dhe të mikrofilmuara. Një profesionist e di mirë këtë gjë, ndaj nuk bëhët fjalë…

Dilaver Bengasi në vitin 1991 ka shkruar se ultranacionalisti serb Sheshel i ka kërkuar llogari në Parlament Milosheviçit: Ku shkuan 20 milionë dollarë për destabilizimin e Shqipërisë? – Në atë kohë ju keni qenë Kryetar i Shërbimit Informativ, a është e vërtetë kjo thënie?

Jo nuk e di këtë, janë fjalë që i kam dëgjuar nga shtypi. Është tjetër të thuhet dhe të propagandohet dhe është tjetër të ketë dokument të saktë. Unë nuk marr përsipër dot të them diçka pa pasur burime të besueshme dhe se pse e thotë njëri këtë, nuk do të thotë që është e vertëtë.

Zoti Koçollari nga 1980 deri në 1990, ju keni punuar në Ambasadën tonë në Greqi. Atje ka nisur interesi juaj për studimet që janë bërë të njohura tani?

Hitorinë e kam pasur shumë pasion, por gjatë viteve që shkova atje, rashë në kontakt me dokumenta me vlerë historikë. P.sh, në ’84 mësoj rastësisht për një poemë të panjohur kushtuar Skënderbeut, e cila ishte poemë kombëtare për Filipinet. Autori kombëtar i tyre, Franckeso Balgdas i cili kishte një poemë të madhe me titull “Floerti dhe Laura” të cilët ishin Skëndërbeu dhe Donika. E gjithë poema e cila ishte rreth 200 faqe, i kushtohej atij dhe rezistencës kundër Perandorisë Osmane. Gjithçka lidhej me çështjen kombëtare, dhe shtrohej çështja që a mundej një popull i vogël si filipinet, të vepronte si ne që me edhe pse një popull i vogël me në krye Skënderbeun mundëm të mposhtim Perandorinë Osmane e të kthejnë lirinë. Kështu pra, Greqia kishte thesare të mëdha në lidhje me dokumenta të ndryshme me Shqipërinë.

E thesari më i madh është ai i numrit të arvanitasve që jetojnë atje. Sa është ky numër?

Unë e kam thënë dhe e kam edhe të shkruar. Janë një sërë autorësh që kanë shkruar për këtë dhe jo vetëm në dokumente, por ai është një realitet, sepse ka fshatra të tërë me këtë popullsi. Një gazetar i njohur grek thotë se në Greqinë e sotme, këto fshatra mbulojnë një popullsi prej mbi 3 milionë banorë.

Intervistë e bërë në shkurt 2013

Rreth Shqipëria e Bashkuar

Check Also

SHQIPTARËT E REKËS MË 1911: JEMI SHQIPTARË, NUK E NJOHIM KLERIN GREK

Pas shpalljes së Kushtetutës dhe rënies së regjimit të Abdyl Hamitit, në vilajetet shqiptare fryu …

Një koment

  1. Arvanitasit e kane ruajtur me fanatizem origjinen dhe kulturen shqiptare Kenget, vallet, larmia e kostumeve popullore jane ato qe te bejne per vehte U lumte!