Kryefaqja / OPINION / Smajl Martini Ivezaj dhe qëndresa heroike për mbrojtjen e tokave shqiptare

Smajl Martini Ivezaj dhe qëndresa heroike për mbrojtjen e tokave shqiptare

Smajl Martini Ivezaj, bajraktari i Grudës së njohur, është një ndër shqiptarët më patriot, për të cilin deri më sot fare pak është bërë për nderimin e tij në rangun kombëtar. A e meritonte Smajl Martini një nderim të tillë, e sidomos në përvjetorin historik të 100 vjetorit të Pavarësisë? Për këtë le të pyetët historiografia shqiptare, le të shfletohen arshivat dhe bibliotekat, edhe pse për personalitete të tilla ka pas shumë rezerva për t’ua vënë në dukje trimëritë dhe aktivitetin e tyre.


Smajl Martini është pa dyshim njëri ndër luftëtarët më të mëdhenj që pati Malësia, e për më shumë, gjithë Veriu i Shqipërisë. Ai, qysh në moshën 18 vjeçare u dallua si një prijës trim dhe i vendosur në luftën kundër okupimit turk, duke marrë pjesë në shumë lufta çlirimtare. Nuk mund të kalohen luftërat e njohura në Shkodër, Vraninë e Shipshanik, në Deçiq e Bukovik, në Plavë e Guci, në Pejë si dhe në betejën (Kryengritjen) e përgjakshme në tokat e Maqedonisë kundër Sadri Agë Pashës etj., duke qenë në ballë të kryengritjeve liridashëse kudo në trojet shqiptare të okupuara padrejtësisht prej pushtuesve historik, që tashmë njihen.

Smajl Martini, jo vetëm që vinte nga një familje me tradita patriotike dhe shumë e njohur në Malësi e më gjerë, siç ishin atdhetarët Preç dhe Bacë Vuksani të njohur për luftërat e viteve 1780, të thirrur “Princat e Grudës”, që u vunë në mbrojtje të Kalasë së Rozafatit në qytetin historik të Shkodrës, por edhe vetë Smajli, në vitin 1835 i vuri gjoksin e me heroizëm shembullor mbrojtën këtë Kala dhe Kishën rrëzë saj, të quajtur “Zoja e Shkodrës”.

Janë historianë të njohur, të cilët kanë shkruar për këtë prijës e luftëtar të pamposhtur. Një ndër to ishte historianja e njohur Gradizhinia, që në vitin 1837 do t’i përshkruante këto beteja dhe Smajl Martinin si një hero për mbrojtjen e çështjes shqiptare.

Perandoria turke e ndoqi hap mbas hapi veprimtarinë e Smajl Martinit, duke e dënuar në vitin 1883 në një izolim të përkohshëm për t’iu rikthyer dënimit të përjetshëm në vitin 1886, ku gjyqi ushtarak i Sulltanit do të dënojë bashkë me Smajl Martinin Ivezaj edhe një numër të madh malësorësh të Grudës, bashkëluftëtaret më të ngushtë të tij: Dedë Ula (Lulgjuraj), Ujk Dushi (Kalaj ), Shabë Smaku (Berishaj), Gic Gila (Grimaj Ivezaj), Prëk Gjetja (Ivezaj), Lulash Deda (Ivezaj) dhe Lucë Preka (Ivezaj).

Internimi i këtij luftëtari në Diari-Bekir të Turqisë, bëri që ai, pas më shumë së dhjetë vjetësh të vdes në internim dhe, sot e kësaj dite, të mos i gjendet as varri.

Vite më parë ai do të merrte pjesë bashkë me Baca Kurtin e Dedë Gjo Lulin në Lidhjen Historike të Prizrenit, në Qershor të vitit 1878.

Për të gjitha këto e të tjera, që saktësisht i kanë shpëtuar kohës dhe mundësisë për t’u dokumentuar, ekzistojnë shkrime deri në Ipeshkvinë e Venecias, ku Ipeshkvi i njohur edhe në fushën e historisë, Toni Assagazino do të shkruante për qëndresën liridashëse të Malësisë në vitin 1780, historianët Pjetër e Arben Teodori ( ACC.PO, fq 117) në vitin 1856 do të shkruajnë për rolin e këtyre bajraktarëve për të mbetur Malësia e pandarë nën territorin shqiptar, e jo ashtu siç ndodhi në të vërtetë. Njihet thënia e Smajl Martinit në shenjë proteste, kur mësoi se Malësia po copëtohej: “Nuk kam qenë dhe s’do të jem kurrë për copëtimin e trojeve tona të shtrenjta të lëna trashëgim nga të parët tanë.”

Po kështu, sipas Andrija Joviçeviqit, Smajl Martini ka luftuar vazhdimisht edhe kundër sundimit malazias në tokat shqiptare të Malësisë, me të njëjtin intensitet që ka luftuar kundër pushtuesve turq, duke bërë që luftërat dhe qëndresa e kësaj familje të njihen deri në Amerikën e largët. Për këtë është shkruar me datat 9 dhe 21 Maj të vitit 1911 në gazetën e njohur “The New York Times”.

Për të gjitha këto e të tjera veprimtari të këtij heroi popullor, folklori shqiptar njeh me qindra vargje në dhjetra këngë të shkruara e kënduara për të.

Smajl Martini edhe pse mbeti jetim në moshën 17 vjeçare dhe e dinte ç’do të thoshte lufta, i dha dy djem luftërave kundër Malit te Zi, Gjonin dhe Pjetrin, i dha nipin Martin dhe për më tepër i dha historisë tonë Tringë Smajlin e njohur. Pra, Smajl Martini Ivezaj duhet vënë në piedestalin që e meriton.

Rreth Shqipëria e Bashkuar

Check Also

Xhevat BISLIMI : KËRCËNIM PËR LIRINË DHE SIGURINË E KOSOVËS PËRBËN SERBIA!

  Deputeti Xhevat BISLIMI (aktualisht kandidat për Kuvendin e Kosovës në listën e VETËVENDOSJËS- 43) …