Kryefaqja / OPINION / GJILANASI VRAU KONSULLIN RUS NË MITROVICË MË 1903

GJILANASI VRAU KONSULLIN RUS NË MITROVICË MË 1903

Në fillim të shek. XX qeveria osmane, e shtyrë edhe nga Fuqitë e Mëdha, filloi përpjekjet për zbatimin e reformave në viset e banuara nga shqiptarët. Reformat përfshinin riorganizimin e xhandarmërisë, ndryshime administrative e juridike, reforma në sistemin fiskal, sidomos të dhjetën, etj. Këto reforma paralajmëronin copëtimin e territoreve shqiptare dhe rrezikonin drejtpërdrejtë edhe territorin e rrethit të Gjilanit. Prandaj, menjëherë u kundërshtuan nga shqiptarët me forcën e armëve. Për rrjedhojë, kah mesi i muajit mars të vitit 1903, u aktivizua një lëvizje e përgjithshme e shqiptarëve jo vetëm kundër zbatimit të reformave, por edhe kundër hapjes së konsullatës ruse në Mitrovicë. Vendosja e konsullatës ruse në këtë qytet, nga shqiptarët nuk konsiderohej vetëm si një vatër konflikti, por edhe si një vatër prosllave e orientuar kundër shqiptare. Në ato ditë të marsit të vitit 1903, kryengritësit shqiptarë në mënyrë të organizuar rrethuan Mitrovicën, por hasën në qëndresë të ashpër të forcave të mëdha ushtarake osmane, të cilat përdorën edhe artilerinë e rëndë. Pranë oficerëve osmanë ishte edhe konsulli rus Grigorie Stepanoviq Shqerbin, i cili udhëzonte artilerinë për gjuajtje precize në masën e kryengritësve shqiptarë. Gjatë kalimit të lumit Sitnica, ushtria osmane nën udhëzimet e konsullit rus, shtiu me armë drejt shqiptarëve, ku vranë dhe u plagosën më shumë se 200 shqiptarë.

Ky veprim i konsullit rus në Mitrovicë i irritoi nizamët shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane e veçmas rreshterin Ibrahim Halit Popovcin nga fshati Sukë afër Llashticës në kazanë e Gjilanit. Duke qenë i vetëdijshëm se shkaktar i gjakderdhjes ishte konsulli rus, ai shtiu ndaj tij dhe e vrau. Kurse sipas dëshmisë së një qytetari nga Mitrovica, konsulli u vra nga një shqiptar me emrin Ibrahim Halit Popovci nga Gumnishta, po ashtu fshat nga kazaja e Gjilanit.

Pas këtij atentati Ibrahim Popovci, edhe pse i plagosur, tentoi të kalonte te kryengritësit shqiptarë, por ushtarët osmanë e zunë dhe më pas u dënua me burg të përjetshëm, por pas një viti Ibrahim Popovci vdiq nga torturat në burgun e Shkupit.

 Për vrasjen e konsullit rus në Mitrovicë shkruante edhe gazeta ruse “Moskovcski Vjedemosti”, më 20 mars 1903, e cila vlerësonte se konsulli rus kishte hyrë në llogoret e ushtrisë osmane dhe jepte instruksione se si të luftohej kundër shqiptarëve.

Prandaj shqiptarët qenë gjithmonë të gatshëm të mbrojnë territorin e tyre me armë në dorë nga çdo rrezik që vinte si nga Perandoria Osmane ashtu edhe nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga Rusia, që gjithnjë impononte të realizonte planet pansllave në Ballkan.

Naim Musliu – doktorant në fushën e Historisë në Universitetin e Tiranës

Rreth Shqipëria e Bashkuar

Check Also

TENDENCA E PËRQARJES, NË MES GRUPIT TË KUMANOVËS…

Nga ata që i Tradhëtuan, duke i ndar shqipëtaret, nëpër krahina. Po bëhen afërsisht dy …

Një koment

  1. Lindita R. Macuku

    Diplomacia nuk vritet Kush vret diplomacine eshte magjup racist qe nuk ka trasheguar asnje lloj feje, kulture apo ligji ne te kaluaren