Kryefaqja / TË NDRYSHME / Historia tronditëse: Fëmija i mbytur në Drin, i pangrënë, i rrahur nga i ati dhe njerka

Historia tronditëse: Fëmija i mbytur në Drin, i pangrënë, i rrahur nga i ati dhe njerka

Fëmija 10 vjeç nga fshati Mazhic i Bulqizës që u gjet paraditen e djeshme në afërsi të fshatit Katund i Ri të Dibrës, ka një histori tronditëse.
Ai ka vdekur i pangrënë për shkak të varfërisë së skajshme të familjes së tij dhe pasi është rrahur nga i ati dhe njerka.
Kjo pohohet nga “GSH”.
Vetë të afërmit e të miturit dhe banorët e fshatit Mazhic, me rrëfimet e dëshmitë e tyre pohuan dje për “Gazeta Shqiptare” se babai i fëmijës që u mbyt në lumë është kafshë dhe jo njeri.
Ata pohuan se djali i rritur pa nënë mund të mos jetë mbytur duke u larë në lumë, por mund t’i ketë dhënë fund jetës për shkak të traumës dhe depresionit.
Se vetëm tri ditë para ngjarjes, ai ishte rrahur në mënyrë çnjerëzore nga i ati i tij, Shpëtim Xholeshi.
50- vjeçari e ka shtrirë përtokë djalin që kishte me gruan e parë dhe ia ka shkelur kokën me këmbë.
Ky fakt është bërë me dije nga gjyshja 80-vjeçare e të miturit.
Por edhe nga njerka, e cila u shpreh se fëmijët e thjeshtrës i rrihte më pak se i ati i tyre.
I mituri u gjet pas shumë orë kërkimesh nga banorët e tri fshatrave, të cilët po e qajnë pa gjetur ngushëllim.
Dhe jo vetëm atë, por edhe 7 motrat dhe vëllezërit e tij, të cilët, nëse nuk do të ndërhyjë urgjentisht shteti, rrezikojnë të kenë të njëjtin fat.
Dëshmia e gjyshes
Mëngjesin e së hënës, unë dhe nipi im 10 vjeç shkuam në pyll për dru. Morëm me vete edhe dy kuajt. Rreth orës 10:30 i thashë djalit të djalit të më sillte njërin nga kuajt për ta ngarkuar. Por, ai iku deri tek ura pa më thënë gjë se ku do të shkonte. E kërkova gjithandej, por nuk e gjeta. Mendova se mos ishte fshehur gjëkundi prej frike. U ktheva në shtëpi, ndërsa ai nuk u kthye. Të gjithë dolëm për ta kërkuar.
Banorët e fshatit tonë dhe të Katundit të Ri (i përket rrethit të Dibrës) dolën një për një prej shtëpie dhe bashkë me ne kërkuan deri mëngjesin e sotëm (djeshëm). E gdhimë në bregun e lumit Drin, pasi aty gjetëm dy kuajt, të cilët i kishte marrë nipi”,- thotë Hëne Xholeshi.
Ndërkaq, e moshuara tregoi se djali i saj, Shpëtimi (babai i viktimës) ishte martuar dy herë dhe se me gruan e parë, të cilën e kishte ndarë, ka 4 fëmijë dhe po 4 fëmijë ka edhe me të dytën. Gjithashtu, 80-vjeçarja u shpreh se familja e saj prej 11 anëtarësh mbahej me pensionin e saj dhe pensionin e dy fëmijëve invalidë të të birit. E moshuara qante për humbjen e nipit, ndërsa krah saj dëneste mbesa e saj më e madhe, motra e 10-vjeçarit.
Dëshmia e njerkës
Dje ajo qante. Njerka e 10- vjeçarit tha: “Unë jam nusja e dytë e Shpëtim Xholeshit, por ai plehra më bërtet edhe mua. Më thotë ik tek nëna jote. Më shan dhe rreh fëmijët. Me të kam 4 fëmijë. Ai na torturon mua dhe fëmijët”.
E pyetur nëse i rrihte 4 fëmijët e tjerë që burri kishte me gruan e parë, ajo u shpreh: “Unë nuk i torturoj. Unë i dua, por ai (burri) i torturon më shumë. Kur i them unë mos i prek fëmijët, Shpëtimi më thotë: ‘Se nuk të pyes ty. Unë i ruaj me bukë. Ti nuk ke punë me fëmijët e mi’. Ai i rreh përditë fëmijët. Pi nëpër lokale dhe bëhet tapë. Para tri ditësh, erdhi vjehrra e më tha: ‘Oj nuse, yt shoq e mbyti djalin krejt. Ia ka shtypur kokën me këmbë dhe mezi ia kam nxjerrë nga duart’”.
Ndërsa, banorët e fshatit ku ndodhi ngjarja pohuan se 50- vjeçari Shpëtim Xholeshi është baba diktator dhe i pamëshirshëm, pasi në vijimësi ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike mbi fëmijët e tij, të cilët duhet të merren urgjentisht në mbrojtje nga shteti.
Gjithashtu, banorët thanë se i kanë ndihmuar me bukë, vaj e sheqer dhe me çfarë kanë mundur familjen e varfër Xholeshi.

Rreth Shqipëria e Bashkuar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *