Kryefaqja / INTERVISTA / Pjesë e shkëputur nga intervista e kryetarit të LSHB-së Tahir Veliu për Tribuna Shqiptare

Pjesë e shkëputur nga intervista e kryetarit të LSHB-së Tahir Veliu për Tribuna Shqiptare

Bisedë me Tahir Veliun, kryetar i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar

Bisedoi Ajet Nuro, Tribuna Shqiptare

Në vend të hyrjes

Me Tahir Veliun jam njohur fillimisht si me shumë shqiptarë të tjerë nëpërmjet rrjeteve sociale. Një kontakt më shumë në atdheun tonë të dytë, në Kanada. Por, me kalimin e kohës, ky kontakt të bënë t’a shikosh jo si kontakt por një shqiptar që në çdo veprim të tijin përcjell shqiptari dhe atdhedashuri. Shqiptarët e duan shumë Kanadanë por rrallë shohim shqiptarët si komunitet më vehte, që dalin rrugëve të Kanadasë në datën 1 korrik, dita e lindjes së këtij vendi, por edhe kur dalin nuk u shkon në mendje që krahas flamurit kanadez të valvitet edhe ai shqiptar. E pra, Tahir Veliu e ka bërë për shumë vite atje në Grande Prairie duke e bërë të njohur flamurin shqiptar mes komuniteteve të tjera atje. Por, nuk mund të anashkalosh postimet e tij me ngjyra kombëtare. Nuk ka një festë ku ai të marr pjesë ku të mëdhenjë dhe të vegjël mos të kenë simbole kombëtare. Dhe për atë, nuk ka kosovar apo lab por thjesht shqiptarë. Majde ai ndihet keq po t’i thonë “kosovar”. Do të shkruaja gjatë për këtë personazh me të cilin duhet të krenohen jo vetëm shqiptarët e Kanadasë por gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Këtë vit qëlloi që edhe ai edhe unë të vizitojmë vendlindjen në të njëjtën kohë por me plane të ndryshme. Ai për të promovuar Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar dhe librin që hedh në letër idenë e Bashkimit të shqiptarëve në një shtet kombëtar “Platforma për Shqipëri të Bashkuar”. Kur ai ndodhej në Tiranë, unë isha në Mal të Zi. Në kthim nga Mali i Zi e marr në telefon dhe vendosim të takohemi të nesërmen. Por i zënë me punë në Shkup nuk mundi. Ndaj vendosi të vij enkas në Tiranë. Nga afër e kupton edhe më shumë se nuk ke të bësh me një shqiptar dosido por me një shqiptar me zemër të madhe, zemër që rreh veç për Shqipërinë. Mund të shkruaja një artikull të plotë me këtë temë por ngaqë dua t’a paraqes edhe tek të tjerët po preferoj ti drejtoj disa pyetje pikërisht Tahir Veliut, emëri i cili është bërë i përditëshëm këto ditë në mediat greke, serbe dhe malazeze por jo dhe aq në mediat shqiptare që si duket kanë hallet e botës mbi supe dhe nuk gjejnë vend për ato çfarë bëhet në hapsirat shqiptare.

Ajet Nuro dhe Tahir Veliu në Tiranë, korrik 2016

Tribuna Shqiptare: Ne kemi qenë të dy të një mendje që nuk ka kosovar dhe shqiptar po veç shqiptar. Por, Ju duke qenë nga Shqipëria e Veriut siç e quani Ju, ju jeni edhe më kategorik, si e gjykoni ju këtë ndarje shqiptar-kosovar që duan të bëjnë disa?

Tahir Veliu: Përpjekjet dhe lufta e shqiptarëve në Kosovë për çlirim dhe ribashkim me Shqipërinë, ishte përpjekje dhe aspiratë për konsolidimin e shtetit-komb të shqiptarëve të shpallur më 28 nëntor 1912, dhe kurrsesi përpjekje për krijimin e një kombi “kosovar” apo gjuhë “kosovare”. Në këtë aspekt, shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, si fazë e përkohshme është në shërbim të synimit përfundimtar për konsolidimin e shtetit kombëtar të shqiptarëve – Shqipërisë së Bashkuar. Tendenca e jugonostalgjikëve pansllavist për shpikjen e kombit “kosovar”, “gjuhës kosovare”, “flamurit kosovar” etj etj janë vazhdimësi e projektit pansllavist për ndarjen përfundimtare të kombit shqiptar dhe si të tilla, ashtu si edhe më herët edhe tash duhet të hidhen poshtë nga shqiptarët që jetojnë në Kosovë. Tendenca e krijimit të kombit “kosovar” është tendencë për tjetërsimin e shqiptarëve dhe mbi këtë bazë është devijim i aspiratës shekullore për bashkim kombëtar të shqiptarëve.

Tribuna Shqiptare: Ju jeni nismëtari i një lëvizje me emrin Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar. N’a flisni pak për të.

Tahir Veliu: Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar është zyrtarizuar më 16 Korrik të këtij viti, në Prishtinë. LSHB është lëvizje mbarëkombëtare politike dhe demokratike, e cila angazhohet për bashkimin fizik të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar – Shqipëri të Bashkuar. LSHB-ja vlerëson se kufijtë e tanishëm që ndajnë shqiptarët janë kufijë kolonial dhe në kuadër të shtrirjes dhe krijimit të strukturave të saj LSHB nuk i njeh këta kufijë të dhunshëm, prandaj ngjajshëm sikurse Lidhja Shqiptare e Prizrenit edhe LSHB do të formojmë Qendrat në çdo cep të kufirit tonë juridik dhe do ti organizojmë shqiptarët për të realizuar Platformën dhe Programin tonë Politik.


Libri “Platforma për Shqipëri të Bashkuar”

Tribuna Shqiptare: Ju nuk jeni të vetmit që kanë nisur një rrugë të tillë. Disa nga këto nisma kanë përfunduar si fluskë sapuni ndonëse pritja ka qenë e madhe. A ju shqetëson ky fakt që të tjerët mund t’u marrin për demagog dhe njerëz që vetëm flasin?

Tahir Veliu: Ne jemi të vetëdijshëm edhe për këtë që e ceki ti, por LSHB është një lëvizje më ndryshe. Ne duhet të mësojmë nga gabimet dhe dështimet e të tjerëve, prandaj ne nuk guxojmë të ecim në hapat e tyre dhe të presim një rezultatë më ndryshe. Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar është e hapur për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, ideje, krahine, pikëpamje politike dhe shtrese shoqërore, të cilët i bashkon aspirata kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Tribuna Shqiptare: Si është pritur libri Juaj “Platforma për Shqipëri të Bashkuar”?

Tahir Veliu: Libri im “Platforma për Shqipëri të Bashkuar” argumenton idenë së Shqipëria e Bashkuar nuk është vetëm dëshirë dhe aspiratë, por është një proces i pashmangshëm, që mbështetet në vullnetin e popullit shqiptar autokton për të jetuar i lirë, i pavarur, sovran, dhe i bashkuar brenda kufijve të vet natyror dhe juridik. Libri është promovuar bashkarisht me Lëvizjen për Shqipëri të Bashkuar dhe është pritur jashtëzakonisht mirë. Është një libër që është botuar me vetëfinancim dhe është dhuruar falas në gjitha trojet shqiptare.

Pamje nga zyrtarizimi i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar dhe promovimit të librit “Platforma për Shqipëri të Bashkuar”, Prishtinë 15 korrik 2016

Tribuna Shqiptare: Më flisni pak ju lutem për takimet e LSHB-së në qytete të ndryshme shqiptare.

Tahir Veliu: Siç thash edhe më herët, Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar është zyrtarizuar më 16 Korrik në Prishtinë, ndërsa takime promovuese kemi mbajtur edhe në kryeqendra të tjera të Shqipërisë, si në Tiranë, Shkup, Preshevë, Janinë dhe Tuz. LSHB nuk njeh autoritetin e shteteve fqinje që kanë troje shqiptare nën sundimin e tyre, prandaj për takimet tona ne kemi kërkuar leje nga Policia e Shtetit në Tiranë, dhe kurrsesi në Shkup, Beograd, Athinë apo Podgoricë. Tubimet e Prishtinës dhe Tiranës ishim pothuajse mjaftë të lehta për ti organizuar, por edhe këtu ka pasur tendenca nga dy qeveritë shqiptare për të minimalizuar takimet tona, duke na vërë cenzura në media dhe pengesa tjera. Takimi në Shkup ka qenë i sukseshëm, aty u bë shpalosja e Programit Politik të LSHB-së dhe promovimi i librit “Platforma për Shqipëri të Bashkuar”. Takimi i Preshevës për fat të keq u pengua nga policia dhe xhandarmeria serbe, e cila në kufi më ndaloj dhe më shpalli person të padëshirueshëm në shtetin serb. Ndalesa ishte vetëm për mua, si kryetar i sapozgjedhur i LSHB-së, ndërsa anëtarët dhe zyrtarët e tjerë të LSHB-së u lejuan të vazhdojnë për në Preshevë. Por, në Preshevë policia serbe dhe ushtria kishin rrethuar vendin ku ishte paralajmëruar takimi ynë. Anëtarët dhe zyrtarët e LSHB-së u nisen me libra në dorë, kurse Serbia shoviniste i priti me armë, kjo është Serbia e vitit 2016 e cila pretendon të anëtarësohet në BE dhe NATO. Lajmi për shpalljen non grata nga autoritetet serbe, bëri jehonë në disa media shqiptare por më shumë në ato serbe, malazeze dhe greke.

Tribuna Shqiptare: Z. Veliu, po në Janinë si kaloi tubimi i LSHB-së?

Tahir Veliu: Në orët e hershme të mengjesit të 13 Gushtit, pikërisht në përvjetorin e vrasjës së arkitektit të Shqipërisë Etnike Hasan Prishtinës, policia greke më ndaloj në pikën kufitare shqiptaro-shqiptare të Kakavijës dhe më mbajti nën arrest për mbi 3 orë. Në momentin që vetura ime i’u afrua pikës kufitare filloj alarmi dhe u mbyll kufiri, që do të thotë se ata ishin në dijeni se kush jemi. Më kërkuan dokumentat dhe pas prezantimit tim mi lidhën duartë dhe filluan ta kontrollonin makinën. Aty kishte libra, flamuj shqiptar dhe simbole të LSHB-së. Gjatë mbajtjes sime nën arrest policia greke vazhdontë të bënte pyetje të ndryshme provokative, por përgjigja ime e vetme për ta ishte, se une nuk njoh autoritetin e Greqisë në trojet shqiptare. Greqia është shtet pushtues në Janinë dhe Çamëri dhe se i vetmi autoritet legal në këto troje është Republika e Shqipërisë. Njejtë, si Serbia ashtu edhe Greqia më shpalli person të padëshirushëm, me arsyetim se emri im figuronte në regjistrin kombëtar grek, si person i rrëzikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendshme. Vendimi i tyre ishte thjesht vendim me prapavijë politike, meqense 3 ditë para zyrtarizimit të LSHB-së, pra me 13 Korrik kam vizituar Gumenicën, Artën, Prevezën, Pargën dhe qytete tjera të Shqipërisë jugore, që aktualisht janë të pushtuara nga Greqia.

Tribuna Shqiptare: Çfarë reagimesh u ka rezervuar media shqiptare?

Tahir Veliu: Fatkeqsisht, ne nuk kemi media cilësore. Fakti që me disa media kemi pasur marrëveshje për reklamamin e aktiviteteve tona dhe se një kryeministër mund ti anuloj të gjitha ato me një telefonatë, tregon qartë për gjendjen e mediave shqiptare. Mediat tona mund ti quajm me lloj lloj prapashtesa por kurrsesi me prapashtesën shqiptare, sepse çdo gjë që i shërbehet publikut në to, është anti-shqiptare. Mediat publike “shqiptare” punojnë me porosi, janë nën ndikimin e pushtetit dhe në shërbim të tyre.

Tribuna Shqiptare: Po politika shqiptare si reagoj?

Tahir Veliu: Klasa politike shqiptare ka heshtur, me përjashtim të kryetarit të Listës për Shqipëri Natyrale z. Koço Danaj dhe kryetarit të Aleancës Kuq e Zi z. Kreshnik Spahiu. Me javë të tëra, gjitha mediat rajonale vazhdonin të shkruanin për këtë ngjarje, ndërsa dy shtetet shqiptare ende nuk kanë reaguar ndaj arrestimit të padrejtë nga Greqia, si dhe për shpalljen person non grata.

Tribuna Shqiptare: Reagimet e njerëzve të thjesht pra reagimet e shqiptarëve?

 Tahir Veliu: Shqiptarët kudo në trojet shqiptare dhe në diasporë e kanë mirëpritur daljen në skenë të Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar. LSHB ka anëtar në çdo fshat e qytet të Shqipërisë së Bashkuar dhe në diasporë. Ne çdo ditë kemi kërkesa për anëtarësim nga gjitha trevat shqiptare.

Gazetë malazeze me artikull me titull ” Tuzi eshte territor shqiptar i pushtuar nga Mali i Zi”

Tribuna Shqiptare: Unë nuk di asnjë fjalë sllave por kam parë shumë reagime nga mediat serbe dhe malazeze. Mund të n’a bëni një përmbledhje të asaj se çfarë shkruhet në to?

Tahir Veliu: Mediat serbe dhe malazeze por edhe disa sllavomaqedonase në kordinim të plotë me politikën shtetërore të shteteve përkatëse shpërthyen me tituj bombastik, disa prej këtyre titujve ishin: “Veliu të arrestohet”, “Kreu i LSHB-së i padëshirueshëm në Serbi”, “Pas Serbisë edhe Greqia shpall non grata Tahir Veliun, kryetarin e LSHB-së”, “Veliu shpallet person non grata në Serbi dhe Greqi”, “Greqia ndalon hyrjen e udhëheqësit të Shqipërisë së Madhe”, “Policia greke i ka ndaluar hyrjen një politikan i cili promovon Shqipëri të Madhe”, “Veliu: Tuzi është territor shqiptar i pushtuar nga Mali i Zi”, “Skandaloze: Në Mal të Zi promovohet Shqipëria e Madhe”, “Ideologu i Shqipërisë së Madhe ndalohet në Greqi”, “Shqipëria e Madhe zbarkon në Mal të Zi”, “Veliu cenoj integritetin e Malit të Zi”, “Promovuesi i Shqipërisë së Madhe: Në Tuz do të ndihem si në shtëpi time”, “Veliu deklaron se është në Tuz, Shqipëri” etj.

Tribuna Shqiptare: Do të thotë se edhe në Tuz u promovua LSHB dhe Platforma për Shqipëri të Bashkuar?

Tahir Veliu: Përkundër vështirësive të mëdha që u krijuan pas lajmeve ditore në mediat sllave dhe greke, trysnisë së madhe për mos realizimin e takimit të Tuzit, ne arritëm të promovojmë Lëvizjen për Shqipëri të Bashkuar dhe librin “Platforma për Shqipëri të Bashkuar në Tuz. Gjatë gjithë qendrimit tonë në trojet shqiptare nën Mal të Zi kemi qenë nën përcjellje nga shërbimi sekret malazez, këtu vlenë të përmendet edhe disa kërcenime për likuadim fizik që janë bërë në adresë time dhe të anëtarëve tjerë.

Tribuna Shqiptare: Pse mediat sllavo-greke përdorin termin “Shqipëri e Madhe”, ndërsa ju e quani “Shqipëri e Bashkuar”?

Tahir Veliu: Termi “Shqipëri e Madhe”, është një term i shpikur në kuzhinat serbo-sllavo-greko-madhe që nënkupton zgjerimin territorial të Shqipërisë ndaj fqinjëve dhe territoreve të tyre pa të drejtë. Termi Shqipëri e Bashkuar, nënkupton asgjë më shumë apo më pak se sa territoret e banuara historikisht me shqiptarë autoktonë. Shqipëria e Bashkuar nënkupton trojet shqiptare të aktit juridik të 28 nëntorit 1912; (Shqipëri administrative, Kosovë, Iliridë nën IRJM, Malësi e Madhe nën Mal të Zi, Kosovë Lindore nën Serbi dhe Çamëri nën Greqi).

Tribuna Shqiptare: Po pastaj, pra planet tuaja për të ardhmen.

Tahir Veliu: Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar do të vazhdoj me aktivitete tjera në gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë. Tashmë, kemi filluar me caktimin e kordinatorëve për çdo Bashki të Shqipërisë së Bashkuar dhe po pregaditemi për hapjen e qendrave. Njëherit, Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar dhe Platforma për Shqipëri të Bashkuar do të promovohen në Toronto, New York dhe kryeqendra tjera në Ameriken Veriore, pse jo edhe në Montreal ndoshta, pastaj për të vazhduar me promovimet edhe në Europë.

Tribuna Shqiptare: Dikur kemi folur bashkë dhe më keni shprehur një dëshirë: Do të donit t’a shikonit heroin kombëtar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun në kal në metropolin kanadez, në Toronto. E keni ende një ëndërr të tillë?

Tahir Veliu: Kjo nuk është vetëm dëshirë e imja, por besoj që është dëshirë e çdo shqiptari që jeton në Kanada, e veçanerisht e atyre që jetojnë në provincën e Ontarios. Siç e din ti, por edhe për të rikujtuar lexuesit e Tribunës Shqiptare më 24 nëntor 2012, në Montreal, Kanada, u zbulua shtatorja e Nënë Terezës prandaj edhe vendosja e shtatorës së kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit në Toronto do të ishte një dhuratë e bukur e komunitetit shqiptar për Toronton dhe Kanadanë në shenjë falenderimi për mikëpritjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit, por edhe për përkrahjen e vazhdueshme që shteti kanadez ka bërë për ne si komb. Është koha, që këtë ide ta hedhim në letër dhe në bashkëpunim me komunitetin shqiptar në Kanada ta realizojmë.

Tribuna Shqiptare: Ju më folët për përpjekjet e tua për t’u bërë shtetas shqiptar dhe vështirësitë e shumta që të kanë nxjerr burokratët e Kosovës. N’a jepni ndonjë detaj dhe ku keni shkuar me përpjekjet për t’u bërë shtetas shqiptar?

Tahir Veliu: Para një javë i kam dërguar letër kryetarit të Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani përmes së cilës kërkoj përfitimin e shtetësisë shqiptare me procedurë të shpejtë, njëherit i kam plotësuar gjitha dokumentet që në bazë të ligjit aktual të filloj procedurën, por burokratët në Kosovë, nuk lëshojnë asnjë dokument që e tregon përkatësinë kombëtare, aty shkruhet vetëm shtetësia “kosovare”, prandaj kjo e vështirëson proceduren.

Tribuna Shqiptare: Si u duket e ardhmja e shqiptarëve?

Tahir Veliu: E ardhmja e shqiptarëve padyshim e ka emrin Shqipëri e Bashkuar, me kufijet e vet natyror dhe juridik – një Shqipëri e lirë dhe e bashkuar. Shqipëri e Bashkuar e cila garanton paqe të përhershme në Gadishullin Ilirik.

Tribuna Shqiptare: Tahir Veliu faleminderit shumë dhe të priftë e mbara në gjithë ndërmarrjet e tua dhe gjithë atyre që të mbështesin. Faleminderit!

Burimi: Tribuna Shqiptare

Rreth Shqipëria e Bashkuar