Kryefaqja / OPINION / “Bardhësitë e atdheut” e ndriçojnë edhe diellin, sepse luftën e drejton Adem Demaçi

“Bardhësitë e atdheut” e ndriçojnë edhe diellin, sepse luftën e drejton Adem Demaçi

Prof. Dr. Hakif Bajrami
Të shohim sot më larg se nesër, sepse e sotmja nesër pakthyeshëm bëhet dje, e bëhet vonë
Nuk ka në kohën e luftës çlirimtare as: “krah të luftës, as krah të paqes”, të gjithë do të duhej të ishim në një kah, në krahun e luftës së drejtë. Dhe ndarja e këtillë që po flitet në stilin “Ne dhe ata”, edhe tani po vret dhe helmon kombin, luftën tonë të drejtë. Ky fakt vetvetiu dëshmon se nuk kemi qenë në një front të përbashkët, që ta bëjmë luftën e dëlirë dhe fitimtare. Kthen kujtimin vetëm në Demonstratat e 1 tetorit 1997 që ishin kulmi i kthesave dhe i rreshtimit vizionar për liri, sepse për herë të parë në Historinë e njerëzimit Rektori me arsimtarët e tij trima dhe studentët patriotë e vënë gjoksin para tytave të mitralozave dhe tankeve, pa iu dridh as qerpiku i syrit. Pra, nëse kemi qenë të ndarë në “krah” atëherë dhe tash dikush paska qenë jashtë rrjedhave të historisë.
Të gjykojmë pra drejtë dhe me argumente. “Bardhësitë e atdheut” të Afrim Mustafës, këtë temë e zbardhin deri në pikën e duhur për kohën. Gjithmonë në shoqëri ballafaqohen ekstremisht të paktën vetëm dy forca: robëria dhe liria. Në shumë etapa historike nuk dihet cila prej këtyre dy forcave do të jetë në përparësi për të rrugëtuar më tej në ardhmëri, se cila forcë do të triumfojë. Ky pozicion e vë në luftë mendimi mundësinë e triumfit te të shtypurit ndaj shtypësit. I shtypuri permanent kërkon liri, qoftë hovshëm me luftë, qoftë “paqësisht”, me urrejtje që në shumë etapa historike e maskon, që të mos persekutohet keq nga shtypësi, që jeton vetëm për gjakderdhje për të jetuar në pushtetin robërues. Më tej i shtypuri të paktën jeton kryelartë, në rrethin ekscentrik të shtypësit, virtuozë në pastërtinë e tij shpirtërore dhe njerëzore, sepse donë liri. Madje ajo liri në shumë raste vërtetohet si ankesë dhe si “lutje”. Ideologjia kur vjen koha e luftës duhet të pushojë e thekson në Programin e tij vizionar Adem Demaçi qysh më 1963: “Nuk ka rëndësi a do të na ndihmojë Lindja apo Perëndimi. Me rëndësi është që lufta jonë të jetë e drejtë”. E vërteta: shtypësi jo që nuk lejon liri brenda rrathëve të vet, llojit të vet, por aty, në rrathë ai është diktues, burgosës, vrasës, masakrues dhe oponent i dhunës shfarosëse, vetëm mos me qenë (shtypësi) i barabartë, të paktën. Çfarë pavarësie ka këtu në rrugën “paqësore”, te të shtypurit kur ndahen ujërrjedhat dhe nuk ka as fotamorganë lirie gjëkundi, çështja vjen e bëhet më e komplikuar dhe e parrugëdalje. Në këtë rreth-rrotullim shoqëror fillojnë gjithmonë të lindin embrionet e revolucioneve, në luftë shumë të ashpër për ndryshim të pozitave në shoqëri. Në vargonjtë e jetës që u shprehen më lartë, disi rreshtohen prapë dy mendime që flasin dhe veprojnë, kur historia duhet t’i ndryshojë rrjedhat e “lumenjve”. Me një anë rreshtohet në dinamikën e këtyre rrjedhave optimizmi dhe vargonjtë e gjakut për liri, në anën tjetër stallagmitohet pesimizmi dhe kënaqësia për mundësi mbijetese, luftë kjo “intelektuale”, që jeton me hëngër, me brejt diçka në gardhiqet e fantazisë boshe të përrallave pompoze: “Lidhe atin aty ku të thotë zotëria”. Në këtë kërkesë që robi të mbetet gjithmonë rob, del një gjeneratë dhe në evolucion shpërthen si vullkan (Vargoj gjaku) lirie duke eruptuar: “Jo ma nuk do ta lidhi atin aty ku do zotëria, por ku dua unë. Do të bëj luftë të drejtë me zërin e ndërgjegjes për liri dhe sovranitet, për ta diplomuar bardhësinë e atdheut dhe gjakun e kombit, në vargimin “gaudeamus igitur”. Do të luftoj dhe nuk dua ma të jam i shtypur. Kështu mund të pikturohet nga këndi i filozofisë së historisë, vepra e Afrim Mustafës, “Bardhësitë e atdheut”.
Vepra e Afrim Mustafës, “Bardhësitë e atdheut”, është plot e përplot pyetje: si, çka dhe pse ka ngjarë robëria. Dhe nuk ka në këtë pyetje poliedrike asgjë prepotente se i robëruari do të sillet miqësisht me robëruesin-gjakësorin, pa mbarim. Ka këtu lidhje se si në çdo komb rrugët e lirisë janë heterogjene. Dikush nga robëruesi gjithmonë pretendon t’ia pijë trurin të shtypurit, ndërsa bardhësive me premtime amorfe një ditë fare lehtë dihet se u del boja, premtimet shndërrohen në “mall” skadues. Dikush e copëton zërin me gjak, në puset e të cilit gjak kurrë nuk ngihet. Të gjithë të shtypurit (në realitet për shtypësit, H. B.) janë fajtorë, sepse ia helmojnë veti gjakun duke u ndarë në dhjeta tarafe politike dhe assesi t’u pret sharra në një vend. Kështu llafazanëve të revolucioneve “paqësore” u skadon afati. Ky fakt, u tha për mësim dhe pësim që kemi pasur si komb deri dje, dhe jemi kah jetojmë ne te edhe sot si të segmentarizuar me dhe pa fajin tonë që kemi bërë luftëra të pafundme lokale, pa komandë qendrore shumë herë gjatë historisë. Paqësorja ende po na mbanë për hunde edhe pse kemi luftuar. Assesi të shkëputemi prej asaj nomenklature që ka sabotuar luftën ashiqare. Ky konceptim në shoqërinë tonë ka marrë turr furishëm kudo dhe kah do për ta dytësuar luftën e drejtë. Këtë dytësim disi po e favorizojnë edhe të gjithë guvernatorët që kanë sunduar këtu në Kosovë si nga koha e UNMIK-ut ashtu po vijon edhe në kohën e EULEX-it. Planet për t’u mykur këtu si “gospodar” po ua prishë të dy taborëve vetëm fama e UÇK-së. Ajo po luftohet nga çdo anë. Dhe nuk është lënë gur pa u lëvizë deri me sot, që viktima (shqiptarët) dhe xhelati (serbët), të i ndërrojnë pozicionet, të paktën në komentime, qofshin ato edhe rrena, por nga rrena dhe shpifjet diçka mbetet, do të thoshte Gebellsi. Ky neofashizëm është eklatant prezent në shoqërinë e Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo vepër për UÇK-në, etj., po u prish pozicionet planifikuesve “paqësorë” ta zbërthejnë ende filozofinë e tyre historike – “shpëtimtare”. Kështu, vërehet në tekstin dhe fotografitë e veprës së Afrim Mustafpës “Bardhësitë…” se shtypësi sot në Kosovë nuk ballafaqohet me tërë masën e forcës se të shtypurve, por konfrontohet me grimca, me thermi dhe shtypësi me lehtësi ato të paktën po i destabilizon më tej, një nga një, jo përnjëherë por në etapa. Assesi të ndalet kështu i shtypuri i grimcuar në luftë kundër gjakësorit, i cili madje hapur thotë se do ta bëjë gjakun lum dhe s’ka forcë që më ndalë edhe më tutje, “sepse jam popull qiellor”, ardhacak që kam ardhur enkas për shpëtim si shpëtimtar”. Në këtë nyje, me këtë tolerim politik të pandëshkuar me asgjë, pa paguar asnjë dëm, pa kërkuar pajtim, se për falje ai nuk qanë kokën dhe nuk ka kërcënim në këtë botë që e tërheq shtypësin nga tirania. Vetëm forca e bashkimit të të shtypurve mbetet shans ku tregohen muskujt e dobët por të bashkuar, të cilët bëjnë që arma e tyre e luftës së drejtë, shumë larg të ndihet, sepse (armët politike) janë të bashkuara. I shtypuri ia fillon ma në fund luftës, gjithmonë të drejtë dhe nuk frikësohet nga vërejtjet që i bëhen nga të gjitha anët, madje duke u kërcënuar dhe duke e fyer ndërgjegjen e të shtypurit, nga “vendimmarrësit”. Në këtë nyje kritike psikologjiko-strategjike mendore në filozofinë e “turmës” gjithmonë prodhohet ndërgjegje e re. I shtypuri del por si vullkani nga trualli i tij i lashtë, ditiramb duke lëshuar kushtrim: “Ne askujt nuk i kemi hak; do të luftojmë, do të bëjmë luftë të drejtë, deri sa ta shkrijmë borën me gjak”. Në këtë kulm nuk ka ma kthim prapa. Dhe, kryeheroi si Adem Jashari i prinë “valles” me armë në dorë sikur të ishte instrument muzikor e jo armë mbrojtëse por vrasëse, sepse gjakësori, okupatori ndryshe nuk shporret dot nga vatrat e robëruara. Por, këtu nuk është i nevojshëm vetëm heroi, por është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm kryeheroi. Në dramën tonë barot lirie, ne i kishim të dy kryeheronj, mjaftueshëm për t’i treguar botës qytetëruar se jemi seriozë në luftën tonë edhe pse kemi pengesa të brendshme shumë më tepër se ato të jashtmet. I kishim dy Adema: Demaçin dhe Jasharin. Mjaft sa për ta bindur NATO-n për luftën tonë të drejtë.
Duke lexuar këtë libër “Bardhësitë a Atdheut”, të punëtorit të vyer si bleta, më duhet të konstatoj se: Nuk di çfarë duhet mësuar më tepër për UÇK-në, dhe, nuk di çka duhet të shtoj sepse çdo gjë është skalitë me modesti dhe me përkushtim nga zemra plotë brenga për gjakun e heronjve, por plot krenari për epopenë e tyre të neo-luftës. Do të shtoja, libër i veçantë me bardhësi të veçanta, me fjalë dhe fotografi argumentuese. E vërteta: libri i Afrim Mustafës, “Bardhësitë e atdheut”, i përngjanë ligjeve gjeniale të zbuluara nga Johan Kepleri se: Planetët sillen në rrugë ekliptike dhe në qendër të tyre gjendet Dielli”. Afrimi me këtë libër voluminoz, fjalë dhe fotografi, zbulon se heronjtë e UÇK-UÇPMB-UÇK-së luftojnë në nivel ekliptik dhe në qendër të tyre është sovran Adem Demaçi. Autori në këtë libër hyn në shumë errësira, por ato i le pa dritë në shumë raste, jo që dëshiron autori, por nuk arritën ta kryejnë detyrën e të bashkohen të gjitha viset shqiptare si e kishin synim. Do të them prapë vendosën të huajt, e jo arma jonë dhe sabotuesit tanë eklatantë, sepse janë disa personalitete që kanë qenë jashtë rrjedhave të UÇK-së dhe Luftës së saj si neo-luftë, që vërtetë ishin antipod i luftës, sidomos pas 1 tetorit 1997 e duke vazhduar me sabotime deri më 12.VI.1999, kanë mbet si plangtonë për sabotime çuditërisht edhe sot. E vërteta: këtu flitet vetëm për luftë të drejtë, por ajo nuk mund të objektivizohet pa e sheshuar optimizmin kombëtar, se robëria mund të shporret vetëm kur luftohet në shkallë kolektive si i shtypur. Por gazetari me përvojë, Afrim Mustafa nuk e kthen luftën e drejtë në: “negociata” me askënd. Luftës i mbetet besnik dhe këtu librit – luftës i jepet haku që e meriton, pra edhe lufta edhe autori.
Afrim Mustafa nuk ndalet se në nektarin e luftës provoi ta autorizojë “vulën e saj” një kastë që ishte kundër luftës (shiko vetëm sabotimet më 1 tetor 1997, atëherë kur duhej të shkëputshin EOKAT-HB), edhe pse me disa foto përpiqet ta amortizojë ‘dridhjen tektonike’, që ishte realitet i pashëm dhe i perceptuar nga afërsia që e kishim atëbotë me realitetin. Nuk vihet në dilemë, se është bërë një luftë dhe ishte krijuar një koncept që operon edhe sot mjerisht me nocione “krahu i luftës” dhe “krahu i paqes”, duo-fakt që okupatori e dëshironte aq shumë dhe gëzueshëm për të na shfarosë më lehtë. E vërteta: po të ishin të dy krahët në një vend si provohet sot, okupatori as që do të provonte me aq gjakësi kriminale të na luftonte sepse humbjet do t’i kishte shumëfish më të mëdha, dhe gjaku i tij pastaj, dihet se ishte – është gjak i humbur dhe i mykur në pleh të historisë, sepse okupatori ka bërë luftë me qëllime gjenocidale, shfarosëse. (Lexo Programin P. SS se: shqiptarët, romët, turqit dhe boshnjakët duhet të mbesin në 49 %, ndërsa serbët pa malazezë 51 %, lexo mbi Një milion shqiptarë të deportuar jashtë trojeve të tyre në të gjitha anët e botës). Ja me kënd kemi pas punë, lexo se me çfarë neofashizmi jemi përballuar, lexo me çfarë filozofie “gandiste” kemi mundur të çlirohemi “paqësisht”.
Metafora e këtij libri peshon në piedestalin hulumtues, se dikush mëson duke lexuar tekste faktike, e dikush mëson dhe dëfrehet si “amator” me fotografitë e shumta që janë renditur me modesti dhe përkushtim aktiv nga qendra e zemrës dhe epiqendra e trurit. Monografia “Bardhësitë…” është e begatshme për ata që e lexojnë dhe ata që nuk lexojnë fare, sepse fotografitë flasin vet. Të parët kanë tekste mjaft, të dytët kanë fotografi edhe disa herë të përsëritura, por natyrshëm të nevojshme. Kompozicioni i veprës dhe kriteri historik, është peshuar me forcën e informatave që disponon autori. Diku ka idealizime, por kurrë fjalë të pavend dhe të nivelit të tautologjisë. E vërteta, niveli i valorizimit nuk është objektivizim shkencor për prezantim pozitivist, “çka ka ndodhë”, por është një orientim heuristik (zbulim faktesh-dokumentesh) që hermeneutika historike pastaj, do t’i zbulojë: çka mendojnë, çka flasin dhe çka veprojnë personalitetet e prezantuara në kohë dhe në veprim.
Tani mund të konkludoj se kjo vepër është një organogram i Luftës Nacionalçlirimtare që i dëshmoi tri etapa, të cilat synojnë një dramë që ka autor popullin, që ka skenar idealistët, që ka regjisor patriotët, që ka montazhues bardhësinë dhe forcën e argumenteve vargonjtë e gjakut tokat e skuqura me gjak arbëror, gjithnjë në trojet e veta, pa e shkelë asnjë trohë të dheut të huaj. Në këtë vepër lexuesi dhe studiuesi nuk lodhet se si të gjejë fjalë adekuate se sa ato të janë të zgjedhura, prapë se prapë fjalët vijnë vet, sepse materiali është fillim e mbarim famëlartë, i çmueshëm dhe që rreshtojnë edukativisht në emancipimin e lexuesit, në krenarinë e kombit për luftën e pastër me norma ndërkombëtare, se çka ka pas detyrë dhe nuk e ka bërë, se çka e ka pas detyrë dhe e ka bërë UÇK…
Për ta ndarë historinë nga neo-historia duhet ende studime eksplikative dhe dubioze, sepse heronjtë e Adem Demaçit nuk bëjnë në asnjë etapë, në asnjë pjesë të atdheut luftë të pistë si bën okupatori, por lufta e tyre i mahnitë edhe armatat më të arsimuara të botës. E këtillë ishte ushtria e Adem Jasharit Zahir Pajazitit, Fehmi Lladrovcit, Shkëlzen Haradinajt, Tahir Sinanit, së cilës Afrim Mustafa ia ka kushtuar këtë monument me përshkrim realist me fjalë dhe fotografi shumë domethënëse për historinë dhe jo vetëm të shqiptarëve. Faktet flasin vet, nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, sado të vëmendshëm të jemi ndaj saj. Por ardhmëria zbardhet nëse mësojmë shumë, madje pakrahasueshëm shumë, nëse bardhësitë e atdheut i nderojmë ashtu si e meritojnë. Po të ishim në luftën tonë të drejtë pa sabotues dhe dezertues, kuptohet nga radhët tona; po të ishim i gjithë kombi : Tahir Kosova, Tahir Presheva, Tahir Tetova dhe Tahir Shqipëria, sot do të ishim të lirë dhe sovran, pa tutelë të huaj që ende na dikton “liri të mbikëqyrur”, nuk do të ishim shteti më i izoluar në Evropë! Këtu jemi, dhe, duhet të mësojmë dhe punojmë shumë, për ta kompensuar kohën e humbur nëpër shekuj. Afrim Mustafa, të paktën, na ka afruar në një libër me germa dhe fotografi, fatlumësisht.
Por, brengos fakti se tani nuk ka mbetur zonë e luftës së UÇK-së në Kosovë, sidomos Drenica e Adem Jasharit, e që nuk janë paditë dhe gjykuar drejtuesit e saj. Në këtë fushatë tani, janë krijuar rrethanat që me çdo kusht të dënohen çlirimtarët, që të kriminalizohet lufta e drejtë. Në këtë “kriminalizim” prokurorë është shndërruar qe 17 vjet “Krahu paqësor” i realitetit në Kosovën e para dhe pas neo-luftës. Gjykatësit e saj dihen: UNMIK- EULEX, që koketojnë me masonerinë ruso-serbe, e ku dirigjent është publikisht njëfarë Dik Martinoviq (shiko: Raportin e dërguar në Hagë nga Kosova qysh më 1999) e në të cilin bëjnë pjesë edhe “martinoviqët” tanë.
Si përfundim, libri i Afrim Mustafës, “Bardhësitë e atdheut” është një dëshmi me fjalë dhe me fotografi, se kush ishte në Kosovë… viktima, e cila nuk përfillet tani nga BE-ja sidomos, në luftën e saj të drejtë deri më 12 VI 1999. Çka ka ngjarë pas kësaj date, është histori krejt tjetër e luftës së egër për pushtet, e cila zhvillohet sot kudo prapë pa drejtësi në dëm të lirisë dhe begative të saj, por që do të duhej të ishte në dobi te të gjithë qytetarëve të Kosovës së pasur, të Kosovës varfër, të Kosovës së dobët dhe Kosovës së fuqishme, sepse i fuqishëm është prapë populli dhe krenaria e tij, për Luftën e drejtë për liri, te të gjithëve që jetojnë në trevat shqiptare.
(Autori është këshilltar politik i Adem Demaçit që nga viti 1995 e, po ashtu, edhe major rezervë i ish-TMK-së)

Check Also

LE TEMPS (MAJ, 1939) : APELI I MBRETIT ZOG DREJTUAR SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË LIDHJES SË KOMBEVE

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Nëntor 2017 Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar të enjten …

Leave a Reply