Kryefaqja / PERSONALITETE / Kujtime të Hasan Prishtinës për kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912

Kujtime të Hasan Prishtinës për kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912

Kujtime të Hasan Prishtinës për kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912
Nga: «Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912» (Shkruar prej Hasan Prishtinës) Shkodër 1921, f. 5-29.

PARATHANË
Tue lanë botimin e nji libri ma të plotë për atë herë kur kam me pasë në dorë dokumentat q’i përkasin kryengritjes shqyptare të vjetit 1912, të cilat më gjinden në Stambollë e Kosovë, tesh për tesh, po e shoh të nevojshme vetëm me qitë ket broshurë me qëllim për me ndritsue pjesërisht mendimin e përgjithshëm e me forcue pa-vjetsin e disa çpifjeve pa-logjikë qi përfliten për punë të kësaj kryengritje.

Fitimin qi ka me u nxjerrë prej kësaj broshure, kam m’e kushtue për sigurim t’arësimit të femivet jetima të Kosovës, Dibrës e të Çamërisë qi gjinden në Shqypni.
Hasan Prishtina
NJI DITË HISTORIKE NË PARLAMENT OTHOMAN
Nji mizori pa farë frëni mbretnonte në Shqypni fill prej asaj dite qi operacioni i Turgut Pashës (1910) mori fund me fitim të plotë të Turkis.
… Kah fundi i vjetit 1911, tue u frymëzue nga idhnimet e mizoria tyrke, partija kundërshtare bani nji pyetje mbi gjendjen e Shqipnis dhe e ngushtoi Haki Pashën me dhanë hesape mbi ket pikë përpara Parlamentit.

Shumica e deputetëvet të Shqypnis më patën ngarkue me i ba ball shpiegimevet të Vezirit turk, tue iu mbështetë dokumentave qi kishim mbledhun përmbi këto mizorina.

Biseda u hap e qysh në fillesë shkoi tue u ashprue. Çashtia kishte nji landë të pa kufizueme. Na ishim të fortë në lamë të logjikës e me prova të gjalla në dorë. Mora pra edhe unë fjalën. Kritikova ashprisht politikën e turpshme qi po ndiqej në Shqypni. I derdha arësyenat qi më shtyjshin në ket kritikë kaq të rreptë e ma në fund tue përmbledhë krejt energjin t’eme ia lidha kryet me ket frasë:
«Në kjoftë se Qeveria nuk ndrron politikë e administrim në Shqypni, në kjoftë se shqiptarët nuk i gëzojnë të drejtat e tyne politike, asht për t’u vu oroë qi kanë me shpërthye nji varg ndodhinash të përgjakëshme t’idhta.»
Nji deputet arab m’a priti:

«Ç’kuptoni me fialën ndodhina të përgjakshme e t’idhta?»

Iu përgjegja:
«Po due me thanë qi në kioftë se «Jeunes turcs»1 vijojnë në zbatim të këtij sistemi mizuer në lamë të politikës së përmbrendshme, kam me kenë njëni, e ndoshta i pari i atyne, qi kam për t’a ngreh flamurin e kryengritjes».
Ky deklarim përpara ma se dy qind deputetëve, kabinetit tyrk e mija ndigjuesave u bani efektin e njij bombe.
Haki Pasha u çue në kambë e tha:

«Hasan begu t’a kishte përdorur kët fjalë për dobi të vendit pat me krye nji shërbim të madh. Por, Hasan begu me këto fjalë ka për qëllim me ia shti zjarmin krejt Perandorisë.»

Ia prita:

«Pashë, Pashë, nuk po flas veç se nji të vërtetë. Në kjoftë se nji ditë themelohet në ket vend nji liri e vërtetë, vendi i yt e i shokëvet t’uej nuk ka për të kenë këtu, por në Gjygj të Naltë (divan alij)».

Kur duelem nga Parlamenti, deputetët e Shqypnis e shqyptarët e Stambollit rrëfyen një gëzim të pa kufizuem e më përshëndeten me nji sympathi krejt të posatshme.
Ismail Kemal begu më përgëzoj nxehtësisht e më propozoi me u gjetë në darkë në shpi t’eme për me pasë shteg me bisedue pak ma gjatë mbi situation të ri.
Kështu mbaroi kjo ditë historike qi nuk pat lanë shteg pajtimi në mes të Shqypnis e të Komitetit «Jeunes-turcs»

VENDIMI

Ismail Kemal begu, sikur m’a pat dhanë fjalën, u gjet në shpi t’eme për darkë dhe e kaluem natën së bashku. Gjanë e gjatë biseduem mbi fatin e Shqypnis e ma në fund venduem me i dhanë mbarim mizorivet tyrke me nji kryengritje. Biseda u mbyll me këto fjalë:
Ismail Kemal begu: «Hasan beg, i besoi fetarisht karakterit të Zotnis s’ate. Ky besim më ka shty me i shkrue në zemër t’eme ato fjalë qi i përdorove sot në Parlament tue thanë: kam me kenë njeni e ndoshta i pari i atyne qi kam për t’a ngrehë flamurin e kryengritjes»!..
I përgjegja:

«Ismail beg, para se me folë nji fjalë mbatem shum e mbasandej flas; por, mundem me Ju sigurue qi zakoni i em asht me mbajtë nji fjalë qi më del nga goja. Pra mbasi edhe Zotnija e Juej po e ndin nevojën e nji kryengritje, ndoshta vetëm vendimi i ynë nuk mund të mjaftojë për me qitë në krye kët qëllim, po më duket qi do të na duhet me u bashkue edhe me katër, pesë veta rreth këtij vendimi.»
Ismail Kemal begu më përgjegji: — «Po, dhe unë jam në mendim të Zotnis sate.»

Mbasandej më propozoi me u gjetë n’e nesre në Hotel «Pera Palace» e me vijue bisedën aty mbi ket pikë.
NË HOTEL «PERA PALACE»
Të nesërmen kuvendi në mes të Ismail Kemalit e meje zgjati ma se tre sahat, e në fund … venduem me ba një mbledhje … në Taksim.
KOMPLOTI I TAKSIMIT
Mbledhja u mbajtë nën kryetari t’Ismail Kemalit.

Tue marrë parasysh randësin e çashtjes qi kishim për të bisedue propozova me u betue të gjithë para se të fillojshin kuvendin.Ky propozim u pranue dhe betimi u ba tue dhanë fjalën e nderes seicili prej nesh mos me i kallxue kurrkuj shka do t’u flitte e t’u vendote n’at mbledhje.Mbas betimit filloi kuvendi.U numruen e u përmendën dhe nji herë krejt mizorit e «Jeunes-turcs» në Shqypni e politika e tyne në çashtje të shkollave e të shkronjave qi pat shkue gjithnji tue u rreptësue.Sa për ndonji privilegj politik e administruer jo me u marrë vesh, por nuk ish punë as me hy në bisedë me ta.

Pra kuvendi nuk zgjati shum e te gjith shokët u bashkuen mbi ket pikë:

«Për me i dhanë fund politikës tyrke në çashtje të kulturës kombëtare e për me sigurue disa privilegje politike për Shqypni nuk ka tjetër mjet veçse me fitue më nji kryengritje të përgjithshme.»
Kështu pra u vendue qi t’u organizonte kryengritja e biseda nisi me rrjedhë mbi ket pikë të dytë: Qysh do t’u organizonte kjo lëvizje e kur kishin me fillue veprimet?

Në ket mes rolin ma të çmueshëm kishte për t’a luejtë Kosova.

Për ket arësye u vendue me gjetë e me i futë nga Mal i Zi në Kosovë pesë-mbëdhetë mijë pushkë «mauzer» e me mbajtë n’urdhën t’em, posë këtyne, edhe dhetë mijë napoleona ari.

Zbatimin e këtij vendimi e mori mbi veti Ismail Kemal begu qi pat çfaqë nji uzdajë2 të fortë me sigurue ket punë ndëpër Europë.
I sigurova shokët se kisha për t’a organizue kryengritjen ndëpër të gjitha krahinat e Kosovës e kjo kryengritje kishte për të plasë kur armët e të hollat do ‘t’i kishte në disposition t’em. Me gjithë këtë, për me fitue ma mirë e ma shpejt, menduem se nuk kishte me mjaftue nji lëvizje e kufizueme vetëm në Kosovë. Pra, shtova, se kishte me i u dashtë si Toskënis ashtu edhe Shqypnis së mesme me marrë pjesë në kryengritje disa dit mbas Kosovës. Ismail Kemali u detyronte me mbetë n’Europë e me na ndihmue me armë e me të holla tue sjellë në të mirë të lëvizjes s’onë mendimin e përgjithshëm t’Europës.

Tue iu përdrejtue shokvet u thaçë!

. . . po ju deklaroj edhe nji herë qi, ku të dalë le të’dalë, unë kam për të kenë në mal kur ka me tingllue çasi i kryengritjes. Për këtë kam vu peng pak përpara fjalën t’eme të nderes. Ju lutem pra mos me më lanë vetëm, pse jeni betue edhe ju.

M’u përgjegjen të gjith me nji herë:

«Mundeni me kenë të sigurt se edhe na kemi për t’a krye detyrën t’onë».
Kështu mori fund kuvendi e u mbyll komploti i Taksimit.
NJI PRITJE PREJ ANËS SË SULLTANIT (AUDIENCË)
Nuk ishin vetëm shqyptarët qi i kundërshtoheshin sundimit të «Jeunes-turcs», por krejt elementat e perandoris, edhe nji pjesë e popullit tyrk, punë këto qi na i lehtësonte në nji mënyrë të posatshme veprimet në lamë të përgatimevet e na siguronte simpathin e krejt elementave të Shtetit të Turkis nder minuta të para të kryengritjes.

Pra, për me i dhanë nji shkas pak ma të gjallë lëvizjes anti «Jeunes-turcs», me inisiativë të grupit shqyptar u formue nji deputation prej pesë deputentësh (shqyptarë, arabë, tyrk, qyrd, armen) për me ia paraqitë Sulltanit ankimet e partis kundërshtare3.

Mora pjesë në ket deputation edhe unë.

Nafi Pasha, përfaqësuesi i grupit arab, kritikoi me ashprim politikën e partis «Jeunes-turcs» dhe shtoi se kjo politikë heret a vonë kishte për t’i tronditë themelet e Perandoris.

Kur Nafi Pasha i mbaroi fialët e veta, mora fialën unë tue i thanë Sulltanit:

«. . . Në kioftë se nuk i nepet fund nji orë e ma parë politikës së shtrembët qi po ndiekë partija «Jeunes-turcs» ndëpër të gjitha krahinat e Perandoris, vendi ka për t’u ba lama e shumë ndollinavet të përgjakëshme dhe do të heci me vrap kah njij rrënim i plotë. I vetmi shpëtim për t’a pritë ket rrezik asht të largumunit e partis së «Jeunes-turcs» nga fuqija».

. .. Audienca muer fund mirë, por, fitimi mbeti fieshtë moral, pse Sulltani nuk e kishte at fuqi sa me shkatrrue sundimin «Jeunes-turcs». Këtë, muejtëm me e kuptue të nesërmen kur «Tanini», organi i partis «Jeunes-turcs», botoi nji artikull të rreptë kundra mejet me ket titull:
«Hassan begu nga Vulçiterni, deputeti i Prishtinës, filloi me na u kërcnue (tehdidë) përpara Mbretit.»
TË SHPËRNDAMIT E PARLAMENTIT OTOMAN
Partija kundërshtare ishte tue fitue dita me ditë, antagonismi pat mërrijtë më nji shkallë aq t’ashpër sa partis «Jeunes-turcs» nuk i pat mbetë tjetër armë për veç se me shpërda parlamentin, mjet që mund të quhet fysheku i dishprimit qi i takon me provue ose me kërkue me provue çdo partije politike në të bjerrun të davas.

. .. u shpërnda pra parlamenti tue lanë mbrapa nji pezma tim të pashoq nder rrethe t’oppositionit.

… Me kët rasë u thashë deputetëvet arabë e kurdë qi Xhemietxhit4 kanë për të kërkue të fitojnë ndepër zgjedhjet e reja tue përdorun mënyra të paligjshme e ndoshta edhe mjetet e terrorismit e kështu nuk ka me na mbetë ne veç se me i rrokë armët për me i dalë zot të drejtavet t’ona politike.

Qëllimi i em me ket propagandë ishte, me iu dhanë guxim e me i shty edhe ata kah udha e kryengritjes.
KOMITETI BULLGAR I MAKEDONIS E KRYENGRITJAE 1912-ës
Mbassi u shpërnda parlamenti othoman, Ismail Kemal begu u nis për Europë e un për Kosovë, tue vendue me përmbajtë korrespondencë ndermjet të Konsulatës Britanike të Shkupit.

Kur arrita në Shkup puna e parë qi m’u desht me krye kje me qitë nji hap të njimendëshëm për nji të marrëmvesh Shqiptar-Makedonas.

E kërkova dhe u poqa me Z. Pavlof, ish-deputetin e Shkupit në kohë të Turkis dhe ambasadorin e Bullgaris pranë Mbret Vidit më 1914.

Këtu po shkurtoi proponimin qi i bana:

«Tyrqit, mbas konstitutionit të 1908, kanë ba e po bajnë mjaft mizori në Shqypni e në Makedoni».

«Nuk i kanë nderue kurrqysh të drejtat e shqyptarëvet e të bullgarvet».

«Terrorismi i tyne po shkon gjithnji tue u ashprue e po ndiekin nji politikë fieshtë panturkiste. Pra, më duket se ka arrijtë koha me pështue prej kësaj zgjedhe mizore ndëpërmjet të nji kryengritje të përbashkët. . . »

«Më duket shumë e nevojshme qi mos t’a bjerrim [humbim] ket rasë e unë jam aq sigurët qi kemi për të fitue tue kenë se po pranoni të mermi pjesë në kryengritje, vetëm atëherë kur keni për të pa se shqyptarët po fitojnë».

Z. Pavlof m’u përgjegj.

«Propozimi i zotnis së Juej ka nji randësi aq të madhe sa nuk mundem me ju përgjegj pa dërgue nji njeri të posatshëm në Sofje e pa marrë urdhra prej qendres së përgjithshme të Komitetit t’ynë. Qandra e Shkupit nuk ka kompetencë me vendue mbi nji çashtje kaq të randësishme. Ju lutem pra me më dhanë leje deri sa të më kthehet njeriu.»
TË PËRPJEKUNAT ME KONSULIN E ANGLIS TË SHKUPIT
Tue pritë përgjegjen e Z. Pavlofi u përdrejtova Konsulit Britanik të Shkupit dhe i bana ket deklaration me gojë:

«Na shqiptarët, për me i dhanë fund mizoris tyrke në Shqypni si edhe pengimevet qi po na bahen në çështje t’alfabetit e kulturës s’onë kombëtare, kemi zgjedhë si të vetmin mjet shpëtimi me ba nji lëvizje t’armatosun kundra sundimit tyrk.

Me ket rasë të rezikëshme kemi nevojë të madhe për përkrahjen e Anglis.

Ju lutem pra të lajmoni Ministrin t’Uej të Punëvet të Jashtme mbi ket deklaration.»

Konsuli ish një zotni shumë liberal. Më përgjegji tue më thanë se kishte për t’ia komunikue me nji herë ket deklaration qeveris së vet e cila sigurisht nuk kishte për ta kursye nji përkrahje të gjallë në të mirë të nji Shqypnije qi rrokë armët për liri.

«Me gjith këtë, shtoi Konsulli Britanik, kam me muejtë me ju dhanë nji përgjigje të këputme mbasi të marr përgjegjen e Londrës.»
TË PARËT E KOSOVËS
Në Kosovë mbretnonte nji pezmatim shumë i ashpër kundra Xhemijetit. Pra, kujdo qi ia hapa nevojën e njij lëvizje me armë m’u përgjegj pozitivisht.

Kuvendova me shumë Zotninj nga Parija mbi zhvillimin e nji kryengritje, por damas e me reservë të madhe. Çashtja ish shumë e randë e sbërthimi i saj kërkonte nji mshehtësi e mjeshtri sa as nji punë tjetër. Pra, ata qi ua merrshe fialën nuk muejshin me njoftë shoqi-shoqin e të gjithë ishin lidhë në mue.

Tue kenë se nji pjesë e këtyne zotnive rrnon edhe sot në Kosovë, ku po mbretnon mizorija sllave, nuk kam se si me përmendë këtu veç se emnat e atyre qi kanë deke, ose qi nuk mund të kenë ndonji dam prej sundimit barbar të Serbis. . .

Kryengritja kishte për të fillue at ditë qi unë kishe me i mbathë opingat e me dalë në Drenicë (Malci e Vuçiternit e të Mitrovicës). Mbas mejet kishin me i marrë malet krejt ata qi më patën dhanë besën.
KRYENGRITJA DRENICË-JYNIK
Me 5 maj 1912 ishe në Drenicë bashkë me Zeinullah begun, burrë në shej për besniki, nationalisëm e bujari.

Nga Drenica shkrova dy letra, nji për nënpreketurën e Vulçiternit e nji për Nexhib beg Dragën në Mitrovicë.

Letra e parë përmblidhte me pak fialë këtë:

«Tue u b’indë qi politika «Jeunes-tyrcs» po vijon mizorisht në Shqipni, ashtu si pata deklarue në Parlament, po e ngrehi sot flamurin e ngritjes kundra sundimit të Turkis.»

Letra e dytë shkurtohet si vijon:

«Krejt Kosovasit e unë ngrehem flamurin e kryengritjes kundra tyrqve të rinj. Në kjoftë se nuk dishroni me u da prej popullit të Kosovës, ky njeri ka për detyrë me ju pri deri në vend ku gjindem unë e shokët e mij».

Këto fialë u ndrruen në mes të Nexhib beg Dragës e Ahmed Prekazit, dërguesit të letrës.

— Ku asht Hasan begu?

– Nuk dij. Nuk kam kohë per me folë shumë e me ndigjue shumë. Në patshit menden me ardhë, jam i gatshëm me ju pri.

— Jam i smuet. Nuk mundem me ardhë — ia ka kthye Nexhib Begu.

Ket letër ia çova Nexhip begut, për mos me muejtë nji ditë me më kritikue e për mos me i mbetë shteg fjalës s,ë tij të thotë ndo’i herë se Hasan Begu nuk më ka lajmue e prandaj s’kam marrë pjesë në kryengritje.

Natën e parë ’bujtëm në Balincë e të nesërmen, me dyqind pushkë, ram në Prekaz, te Ahmet Delija ku i mblodhën krenët e Drenicës dhe kërkuem qi t’a përsëritshim besën e dhanme.

Besa u lidh me këto fjalë:

«Bajmë be e japim besën e burravet, se kemi me ba çfardo flije e në kjoftë nevoja kemi me i ba kurban me duer t’ona robët e fëmit t’onë.»

Kur arrijtmë në Gjyrxhevik (krahin’e Pejës) te Sadik Rama u përsërit besa, dhe në kët krahinë e prej këndej ram në Pozhar, krahin’e Gjakovës.

Fuqija e jonë shkonte gjithnji tue u shtue e aty për aty ishim të zotët me çue në kambë nji ushtri të madhe fort kryengritës.

Kështu erdhëm në Junik, vendi historik ku gjithmonë ba- shkoheshin e lidhshin besë Peja e Gjakova për me i ra Turkis.
LIDHJA E JYNIKUT
Populli i Jynikut na priti shumë mirë. Me t’arrijtun këtu ia përdrejtova Riza beg Gjakovës nji letër qi mund të shkurtohet në këto fjalë!

«Arritja në Junik bashkë me shokë për me realisue qëllimin.

Këtu po ju pres, ju e parin e Gjakovës.

Të nesërmen Riza begu u gjet në Jynik. Ahmed begu i biri i Myrteza Pashës, pat mërrijtë në Jynik bashkë me ne. Pak mbrapa mërijti edhe Hasan Feri me pari të Plavës e të Gucis.

Nder këto dit Malcija e Gjakovës, tue nxjerrë për preteks

çashtien e zgjedhjevet e me të shtymë t’Ahmed begut pat fillue me u turbullue e me iu kërcnue Gjakovës. Malcorët patën nisë e kërkue qi të mësohet gjuha komtare ndër shkollat e Shtetit.

Zeqir Halili, nji prej krenvet ma në shej të Krasniqes, i pat pri kësaj lëvizje. — Zeqir Halili, në kryengritje të 1912-ës i ka krye pikë për pikë instruksionet qi ka marrë dhe ka m’bushë plotësisht detyrën e vet kombëtare.

Në Jynik u bashkuan për pak ditë shumica e atyne qi muejshin me përfaqësue popullin e Kosovës.

Në ket mes arrijti dhe Bajram beg Curri…

— Bajram beg, na kësaj pune i kemi hy. Jemi të shtrënguem me dalë me nderë e me i sigurue Shqypnis disa privilege. Në kjoftë se kësi shtegu nuk mundemi me realisue qëllimin, kemi për të ra n’at gjendje qi gjinden tyrqit e fushës «Hajmana»6 e kështu kanë për t’u vërtetue fjalët e Talat begut, kryetarit të «Jeunes – tyrcs».

Bajram Begu nuk vonoi me kuptue randësin e gjendjes e biseda në mes t’onë vijoi:

Për me luftue me nji Perandori e me fitue kundra saj duhet me pasë shumë sende e sidomos armë, municion e të holla — tha Bajram Begu.. .

— Unë u përgjegja.

Mos muejshim sot me ngrehë krye pse nuk kemi pushkë e të holla do të baheme razi me jetue si tyrqit e Hajmanës e kurrgja kurrkujt. . .

— Poh, tha Bajram begu, keni të drejtë. Asht nji detyrë e shejtë për ne me luftue kundra çdo armiku dhe mos me pasë as pak pushkë. Lufta u ka ba detyrë. Pra, duhet t’i dalim zot të drejtave t’ona e të pështojmë prej robnis.

Në Jynik ishin të mbledhun shumica e paris së Kosovës. Paris së Pejës nuk i besojshim mjaft e pra edhe ket pari e ftuem në Junik.

Zejnel begu, Sejfeddin begu e Jashar Pasha erdhën e iu diftuem pse po u bante mbledhja.

Këta zotnij, jo vetëm nuk diftuen nji vullndesë të mirë, por filluen tinzisht me ba nji propagandë për me paralysue qëllimin. Deri diku ia patën këthye mendjen dhe Riza beg Gjakovës. Na, muejshim me i hy punës dhe pa pasë fort nevojë për parin e Pejës; por dishrojshim m’u dukë fare të bashkuem për me fitue ma lehtas e ma mirë.

Na duhet pra me ba nji hap guximtar e me i lanë të parët e Pejës e Riza beg Gjakovën përpara nji «fait accompli»7.

U mora vesh me Ahmed begun e Myrteza Pashës qi iu dha urdhën çetave të Berishës me ia fillue pushkën ushtris tyrke nder rrethe të Pejës.

Të nesërmen herët, para se me u zbardhë dita, pushka krisi me tyrqit tue mos i lanë shteg kurrkujt me u marrë ma me diplomati.

Riza begut ia çuem nji njeri qi u shti sikur me pasë ardhë prej Gjakove at ditë për me i kallzue se tyrqit e kishin dënue për dekë, e në kjoftë se do të kthehente në Gjakovë, kishin për t’a xanë e gri.

Kuvendi nuk kishte se si shtyhej ma. Të ndeshunat u zhvilluen rreptësisht e krejt parija ram në Strellcë, katund afër Peje ku u ngre qendra e kryengritjes.

Populli nisi me u mbështjellë rreth kësaj qandre.
RRETHIMI I PEJËS
Kryengritja u zhvillue shpejt e me nji energji t’egërsueshme rreth Pejës, katundet rreth qytetit u pushtuen e, qarku i rrethimit u ngushtue e mësymet kundra kodravet të forcueme me topa shkuen tue u ashprue pa pra.

Xhafer Tajari, komandanti i këtij vendi, bani mrekulli qindrese për mot me na i lëshue kodrat e Jarinës e të Karagaçit.

Furija e kryengritsvet kishte marrë nji fytyrë aq të tmerrshme sa u bind dhe Xhafer Tajari se qindresa për të duhej t’ishte nji qindresë dishprimi.

Nji natë të ndeshunat u shtrin deri më skaj të qytetit kah fusha e Begut e Kapeshnica.

Tri dit e tri net nuk pushoi as nji minutë gjimimi i topave e fishkullimi i plumbavet.

Numri i kryengritsvet ishte shumë ma i madh se ai i ushtris, por shqyptarët kishin nji pushkë për ma se dhetë vetë, me fort pak munition e ushtrija turke ish ngujue nder llogore. e pika strategjike me krejt veglat rrënuese të teknikës së shekullit XX.

Asht për t’u shënue qi në këto të ndeshuna të rrepta takoi m’u pa pesë trima të vriten njeni mbas tjetrit tue përdorue vetëm nji pushkë.

Lufta u ashprue gjithnji e kur fortesat ishin tue ba qindresën e mbramë, regimenti 21 tyrk i Gjakovës, bashkë me regimentin e parë të Stambollit shpërthyen tue na ra kahë shpina e na shtrënguen me iu veshë malevet qi shtrihen kahë Rugova e Plava.

Kështu hovi i parë i kryengritjes u thye mjaft keqas përpara Pejës, por morali i shqyptarvet nuk u prish fare e mënija e shpagimit (intikamit) u shtue edhe ma tepër ndër zemra të tyne.
NJI ÇPALLJE
Mu nder këto minuta kritike të lëvizjes, kur nuk muejshirn me dijtë kush ka për t’a fitue davan, a Shqyptarët apo Turkija, u pa si e arrësyeshme me i lëshue popullit othoman nji thirrje për t’i dhanë shkas kryengritjes e për me fitue sympatinë e krejt elementëvet të Perandoris në të mirë t’onë.

. . . Këjo çpallje u shtyp ndeper të gjitha gazetat dhe mund të shkurtohet si vijon:

«Qëllimi i të ngrehunit të flamurit të kryengritjes asht për me i dhanë fund sundimit barbar të «Jeunes-turcs», qi nën fytyrë të liris janë tue përkrye të gjith llojet e mizorinavet në vendin t’onë. . .

Ata qi duen atdhen e nderin, i përkrahën landsisht e moralisht trupin t’onë kryengritës, qi ka dalë në fushë me këtë qëllim të shejtë. .. të mblidhen nën flamurin t’onë kryengritës. Atdheu pret prej nesh bashkimin. Dita asht sod e minutat janë afrue për me pështue prej të këqijavet të «Jeunes-turcs». A pështim a vdekje!»
LUFT’A E QAFËS SË PRUSHIT
. . . Këtu Bajram Curri përmbledhi fisin e vet Krasniqen e mësyni qafën e Prushit (Has).

Në Has Turkija kishte lanë nji garnizon prej katër bataljonesh.

Nji luftë e përgjakshme qi zgjati ashprisht nën komandë të Bajram Currit, tue marrë pjesë Hasi, Gashi e Bityçi nder rrethe të Qafës së Prushit me të mësyme e kundra të mësyme i shpërndau këta katër batalione. Tyrqit u thyen keqas tue na lanë në dorë shumë munitione, armë, mitraloza e topa, me qindra të dekun, të plaguem e robë lufte.

Ngallnimi i ynë ishte aq i plotë sa i dha shpirt e zemër krejt popullit.

Robët e luftës shka ishin ushtarë, u liruen mbasi i çarmatosën e mbasi i thanë se kryengritja nuk kishte tjetër qëllim veç se me pështue katundarin shqiptar e anadollak prej nji sundimi mizuer. Këta të mierët me habi të madhe e përbijshin kët propagandë e kur u këthyen në Gjakovë demoralizuen gadi krejt ushtarët e garnizonit t’atij qyteti.
NJI LIDHNI ME USHTRIN OTHOMANE TË GJAKOVËS
Fitimi i njij lufte mjaft me randësi, demoralizoi deri diku ushtrin e Gjakovës dhe i dha dorë atyne oficerëvet të partis kundërshtare me shfaqë pakënaqësin e tyne ndaj regimin «Jeunes-turcs» tue sympatisue çiltas kryengritjen shqyptare.

Këjo ndodhi fort pak e pritme na dha dorë mos me bjerrë kohë përpara Gjakovës e fuqija e jonë komtare heci guximisht mbi fushën e Kosovës.
PUSHTIMI I PRISHTINËS
Për pak ditë ma se 12000 kryengritës u dukën përpara Prishtinës tue u betue të gjith me pushtue qytetin me luftë ose paqsisht. Në ket mes kryengritsit e krahinavet të Gilanit, të Kaçanikut, të Prizxenit e të Tetovës i patën xanë grykat e Kaçanikut e të Cernalevës e shqyptarët e rrethit të Prishtinës, me Isë Boletin e Xhemal Beg Prishtinën e Beqir agë Vulçiternën në ball, i patën thy tyrqit në Llap e në Gollak e ata të Drenicës, nën komand të Zejnullah Begut, pushtuan Vulçiternin.

Komandanti i garnizonit të Prishtinës deshti me ba si Xhafer Tajari përpara Pejës dhe morri të gjitha masat ushtarake për me mburue qytetin kundra çdo mësymje.

Por disa prishtinas trima e ndaluen rrezikun e njij lufte mizore tue ia vu kuburen në gojë komandantit të vendit mbrënda në zyrë të telegrafit e tue e ngushtue këtë me nënshkrue nji urdhën qi ndalonte ushtrin ndër llagore me ba çdo kundërshtim në kjoftë se kryengritësit dishirojnë me pushtue qytetin.

Populli i këtij qyteti na priti me nji enthusiazëm të pa shoq në kronologji të lëvizjevet komtare e i madh e i vogël u bashkuen me ne.

Tash qandra e kryengritjes ish Prishtina e numri i kryengritësvet pat arrijtë me 30.000.

Në ket mes korrespondentat e shtypit të huej si të «Times», «Neu Freu Presse», «Novoje Vremia» etj., u çuditshin sidomos mbi këto dy pika:
a) Si muejtën me fitue shyqptarët kundra nji ushtrije tyrke prej ma se 60.000 vetësh.

b) Disiplina e madhe qi mbretnonte në mes të kryengritsvet.

Këtu po shkurtoj nji intervistë qi bapi me mue në Prishtinë redaktori i fletores së Petresburgut «Novoje Vremija».
— Shka asht natura e fuqis qi po siguron dishiplinën në mes të këtij populli kryengritës. Pse edhe nji ushtri e rregullshme në kohë të luftës nuk kishte me muejtë me mbajtë nji dishiplinë kaq të madhe.

—Poh, i thashë unë, shqiptarët kanë nji inteligencë qi i dan në shej ndër sa e sa popuj. Shqyptarët në kohë të luftës mund të sillen si sot, porsi nji ushtri e dishiplinueme, në kjoftë se prisat dijnë me përfitue nga psykologia e tyne.

— Me të vërtetë, m’a priti korrespondenti rus, jam i bindun sot qi shqiptarët përbajnë popullin ma të zgjuem të Balkanit. Munden me meritue nji t’ardhme të shkëlxyeshme.
RRËXIMI I KABINETIT JEUNES-TURCS
Pushtimi i Prishtinës na lëshonte në dorë krejt vilajetin e Kosovës. Në Stamboll filloi me mbretnue nji frigë aq e madhe sa shkaktoi dorhjekjen e Said Pashës, ministri i parë i kabinetit «Jeunes-turcs». Në vend të tij formoi kabinetin e Tyrkis Qemal Pasha i njoftun si ma i madhi anmik i Xhemietit:

Qernal Pasha lajmoi telegrafisht se kishte vendosë me çue në Prishtinë nji mision zyrtar nën kryesi t’Ibrahim Pashës, ish qeveritar e komandant i Tarabullusit, me Ali Danish Prishtinën, ministri i Punëve të Mbrendshme e me Syleiman Pashë Kolonjën, senator.

Ky mision kishte për detyrë me u marrë vesh me shqiptarët e me i dhanë fund kryengritjes. Qëllimi i im u përmblidhte në këto pika kryesore:
a) të njifen zyrtarisht kufijt e Shqypnis.

b) Autoritetet civile e ushtarake të ken komsin Shqyptare.

c) Ushtrija shqyptare të shërbejë në Shqypni e të jet komanda prej oficiervet shqyptarë.

ç) Veprimet zyrtare në Shqypni të bahen në gjuhë shqype.

Ibrahim Pasha këto pika i gjykoi si shumë të randa e si hapi i parë qi qitet për me u nda nga Perandorija othomane. Pra, kërkoi prej meje qi t’i lehtësojshe këto pika e më tha qi nuk kishte me i pasë hije Shqypnis me kërkue kësi pikash pse populli asht muhamedan.
— Pashë i a prita; feja nuk ka shka të bajë me komsi, Zotnija e Juej jeni nga Manastiri, pra shqyptar si unë. Këto pika lypet t’i gjeni tepër të lehta për me lanë kështu nji emën të mirë në histori të Shqypnis.

Pritëshe prej Zotnis së Juej qi të më këshilloni me kërkue dishka ma me randësi. Pse jeni ma shumë të vaditun se unë për kësi punësh. Sido qi të jet, vijova, nuk pranoi kurrfarë përgjigjsije në kjoftë se këto pika nuk pëlqehen e na mund të heqim kështu deri më Stambolli e aty mund të mirremi vesh me Turkin. Besojmë se kjo punë nuk është aqë vështirë për ne.

Ibrahim Pasha kërkoi prap me fjalë t’ambla me më kallxue se sjellja e ime ishte kundra myslimanismit e nuk u dam mirë me të …

Kur shkuem prej Prishtine në Ferizaj ishte nevoja me shkrue privilegjet qi do t’i kërkojshim prej qeveries dhe me ia kumtue asaj në nji mënyrë kategorike. Ma në fund, me vështirësina e mbas shumë fjalimeve i u ba kërkesa Ibrahim Pashës qi përmbante 14 pika, e cila kje pranue prej Qeverisë së Qamil Pashës. Në këtë rasë, me të vërtetë, asht për t’u përmendë mundi e zelli i Bajram Beg Currit. (Kur ishim në Ferizaj krejt parsija e Shqypnis jugore, për secilën punë, më kishte ba përfaqësues të vetin edhe më kishte dhanë nji autorixim të plotë. Në librin qi kam me shkrue ma gjansisht për kryengritjen e vjetit 1912, kam me përshkrue ndollinat e rrjedhuna në Shqypnin e Jugut e të Mesmen).
Pikat janë këta:

1) Me përdorue në Shqypni nëpunës të praktikuem qi dijnë gjuhën e zakonet e vendit.

2) Me ba shërbimin ushtarak vetëm në Shqypni e Makedoni, për jashta kohës së luftës.

3) Me ba e me vu në zbatim ligjë tue u bazue në ligjen e maleve (xhibal) për disa krahina në të cilat asht forcue me fakte se nuk mund të xirret kurrnji fryt prej organizimit të drejtsis.

4) Me i dhanë shqyptarve armët e nevojshme e moderne, mënyra e të damit të cilavet do t’i përkiste Qeveris. (Do t’u bajshin ndër vende të randësishëm deposita armësh, të cilat, në rasë të nevojës, do të mund t’i merrshin shqyptarët).

5) Me themelue e me hapë shkollë reale në të gjitha Pre- fekturat e qandrave të Kosovës, të Manastirit, të Shkodrës e të Janinës qi numrojnë ka nji popullsi ma se 300.000 frymësh; me hapë edhe shkolla bujqësie si të Selanikut, mbasi vendi me krejt kuptimin asht nji vend bujqësie, si edhe me shti në pro- gram të mësimeve gjuhën e vendit.

6) Me hapë shkolla theologjike moderne ndër vende ku asht nevoja.

7) Me kenë i lirëshëm në Shqypni të hapunit e të themeluemit e shkollave private.

8) Me u mësue gjuha e vendit në shkollat fillestare, qy- tetse e në gjymnaze.

9) Me i dhanë randsi të posaçme tregtis, bujqsis e punve botore si edhe me plotsue e me përhapë udhët e hekurit.

10) Me vu në veprim organizimin e krahinave8.

11) Me u kujdesue me ruejtë ma fort se përpara zakonet e tradicjonet kombtare.

12) Me çpallë aministin (faljen e përgjithshme), pa vështrue klasë e racë, për të gjith othomanët qi kanë marrë pjesë në kryengritje, për komandantat, oficjerat, nëpunësit e ushtarët qi kanë lanë ushtrit e vendet e veta si edhe për ,të liruemit e t’ikunit prej burgut në kohën e kryengritjes;

13) Me u dhanë çdamim, mbas çmimit të vërtetë, prej Qeveris Turke për të gjitha ata shpija qi u prishen ma para e nuk u kje dhanë të zotve çdamimi si edhe për ata qi u prishën e ta rrënuen kësaj here.

14) Me i marr në gjyq të naltë pjestarët e kabinetit të Haki e të Seit Pashës.
Hasan Prishtina, përmbledhje dokumentesh, Tiranë 1983.
1) Xhonturqit. 2) Shpresë. 3) Partia kundërshtare «Liri e marrëveshje» (Hyriet dhe Itilaf) u krijua në nëntor 1911 nga kundërshtarët e xhonturqve. Kjo parti ishte trashgimtare politike e partisë «Ahrar» që u shpërnda pas kundërrvolucionit të prillit 1909. 4) Anëtarë të komitetit xhonturk «Bashkim dhe përparim». 5) Mbas disa ditësh Konsulli Britanik më ftoi për çajë me anën e dragomanit të tij z. Haxhi Havadis e më tha se. Qeverija e tij i kishte përgjigjun mbi deklarationin t’em tue thanë se Anglia nuk ka interes ndër çashtje Ballkanike, prandaj s’ishte as kundra as antare nji kryengritje së shqyptarvet(shën. Hasan Prishtinës). 6) Turqit e Hajmanës përbëjnë at pjesë të popullit tyrk qi janë shtupë ma së forti nga Turkija (shën. Hasan Prishtinës). 7) Fakt i kryer. 8) Këto janë propozime për me diftue kufijt e Shqypnis heshtimisht (tacitement). Me folë kjartë për caktimin e kufive të Shqypnis u donte të vrahemi me Riza Begun. Këto kërkesa kjenë ba me qëllim për me përhapë ma shpejt e ma themelisht organizimin e propagandës. Sidomos dobija e organizimit të krahinave, n’administratë, nuk mund të mohohet (shën. Hasan Prishtina).

Rreth Shqipëria e Bashkuar.AL

Check Also

Çeliku i Shqiperise Etnike

Çelik Loku u lind me 13mars 1983 ne Lumbardh – ish Kotlinë te Kaçanikut ne …