Kryefaqja / PERSONALITETE / Një përkujtim për mikun tim dhe artistin e madh të kombit Hytbi Tarellin

Një përkujtim për mikun tim dhe artistin e madh të kombit Hytbi Tarellin

Më kujtohet si sot, hera e parë që të takova në aeroportin e Torontos. Në fakt, ishe ti që erdhe me nguti në aeroport, vetëm për të më takuar. Kjo ishte madhështia e mikut tim Hytbiut, i cili edhe pse në krahasimme mua ishte më i vjetër në moshë, prapë zemra e tij, si një artist me vlera të mëdha ishte e re, nuk thuhet kotë se zemra e artistin nuk plakët. 
Pinim kafe bashkë dhe biseduam gjatë, ai më fliste për vendlindjen e tij Devollin, ndërsa une i flisja për Drenicën e Adem Jasharit e të Hasan Prishtinës.

Më tregoj për projektin tij në përfundim e sipër, për një skulpturë rreth një metër e lartë, një dhuratë kushtuar pasardhësve të familjes Jashari, në nderim të veprës së Komandantit Legjendar Adem Jasharit, këtij heroi me përmasa të jashtëzakonëshme për Shqipërinë e kombin shqiptar, që me ndihmen e kryetarit të shoqatës “Iliria”, njëkohësisht kryetar i “Aleanca e Bizneseve Shqiptaro – Kanadeze” z. Naser Berisha dhe vëllaut të tij z. Nexhip Berisha, drejtor i qendrës shëndetësore të Prizrenit, dëshironte që këtë vepër madhështore ta dërgoj në Prekaz te familja Jashari. Dhe, kështu vazhdoj biseda dhe u pajtuam që une t’i prisja në Drenicë, dhe këtë amanet që e kishte nga babai, ta qonte në vend. 
Ishte pikërisht data 26 korrik e vitit 2014, pasi bëmë nderime pranë varrezave të Dëshmorëve në Prekaz dhe vëmë kurora lulesh tek varri i komandantit Legjendar Adem Jashari, së bashku me Hytbiun, z. Kadri Tarelli, z. Naser Berisha, Prof. Dr. Nusret Pllana, Dr. Nexhip Berisha, z. Milaim Dulla, z. Valmir Hylenaj, z. Endrit Thaqi dhe z. Arsim Sejdini i’u drejtuam kullës së familjes Jashari për t’i nderuar dhe dërguar bustin e Adem Jasharit, të cilen e solli Hytbiu nga Toronto në Prekaz. 

Është e vështirë ta përshkruaj gëzimin e Hytbiut, që pas shumë mundi e sakrifice e solli bustin e Ademit aty ku edhe e kishte vendin, në Kullën Legjendare të familjes Jashari. 

Pas Prekazit, vizita e Hytbiut dhe miqve të tjerë vazhdoj në Skënderaj, ku une i prita si mysafirëtë mij, meqe jam me prejardhje nga ky qytet. Në nderim të miqve ftova edhe kusheririn tim Dr. Osman Veliu, me të cilin vazhdimisht u kujdesem që mysafirët tanë të kalojnë sa më mirë dhe përjetsisht ta kujtojnë mikëpritjen drenicake. Dhe krejt në fund në kujtim të kësaj vizite miqve u’a dhurova nga një libër “Hasan Prishtina, vlerë sublime e kombit”, të historianit Muhamet Pirraku, e cila hedh dritë mbi trungun e vërtetë familjar të Hasan Prishtinës.


Pas disa muajsh, cingërroi telefoni dhe ja ishte Hytbi Tarelli. Bisedat tona ishin të shpeshta, por kjo ishte shumë e veçantë, disi e ndjeja gëzimin e Hytbiut, i cili mezi nuk priste të më tregonte, që së shpejti do të fillonte projektin e ri, me sygjerimin e bashkëshortës së tij Teutës, e cila i kishte thënë qe tash meqe përfundove vepren për Adem Jasharin, patjetër duhet ta bësh një vepër për arkitektin e Shqipërisë Etnike Hasan Prishtinën. 

Projekti i tij, për Hasan Prishtinën është një vepër madhështore, ashtu siç ishte figura e ndritur e pashëmbulltë e Hasan Prishtinës, por edhe më madhështore ishte përjetësimi nga dora e artë e Hytbiut. 


Për të më nderuar, ashtu siç dinte të nderonte Hytbiu, më tha që ti Tahir duhet ta përzgjedhësh një thënie të Hasan Prishtinës dhe une do ta vëjë në punimin tim. Une zgjodha thënien më të preferuar të Hasan Prishtinës, që për mua është betim e amanet: “Luftën dhe kundërshtimin ndaj coptimit do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im.”

Ashtu, siç më premtoj, kopjen e parë ma dërgoj mua, une edhe kështu kam që të gjitha veprat e tij në shtëpinë time, por kjo padyshim është më e veçanta sepse Hytbiu e kishte punuar enkas për mua.

Për hërë të fundit, Hytbiun e takova më 8 maj të vitit 2016, në Mississauga të Kanadasë, pikërisht me rastin e promovimit të dy dokumentarëve të Prof. Nusret Pllanes dhe regjisorit të mirënjohur Luan Kryeziu, atë për Shoqatën “Nëna Terezë” dhe i dyti për masakrën e marsit të vitit 1999, ndër masakrat më të mëdha në Kosovë, atë të Krushës së Madhe, promovim i cili u realizua fal kontributit të një ndër figurave më të mëdha të shqiptarëve në Kanada, Presidentes së Nderit të Shoqates së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze, Dr.Ruki Kondaj dhe Presidentit të saj z.Ramazan Këllezi. 
Në këtë takim, isha i ftuar si ideator i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, dhe me mua ishte z.Ilir Ademi përfaqësues i Organizatës Shqiptaro-Amerikane Çamëria. 


Për sa kohë që ishim në Mississauga, Hytbi Tarelli, Dr. Ruki Kondaj, Ramazan Këllezi dhe miqtë e tyre të tjerë na ofruan një mikëpritje të jashtëzakonshme për çka edhe i falenderoj shumë.

Hytbiu, ishte i dashuruar dy herë, ai e thotë këtë edhe në dokumentarin “Mbresa”, një ishte dashuria e tij për bashkëshorten e tij Teuten, ndërsa tjetra ishte dashuria e tij për artin, por une arrita ta zbuloj edhe një dashuri tjetër që e kishte Hytbiu, dhe veprat e tij me karakter kombëtar e dëshmojnë më së miri, ishte dashuria e tij për gjitha trojet e Shqipërisë. Gjithmonë, më thoshte se Shqipëria e Bashkuar do të bëhet, dhe liria do të fitohet për të gjitha trojet e Shqipërisë. Padyshim, kjo ishte edhe ëndërra e tij, që nuk arriti ta shijoj por e dij, që thellë në shpirt e ndjente se jemi në rrugën e drejt të jetësimit të saj.

Këtë shkrim përkujtimor për mikun tim Hytbi Tarellin, dëshiroj ta përmbylli me një citat të madhit Faik Konica, i cili në prozën “Malli i Atdheut”, shkruante: 
“Ah, malli i Shqipërisë,
malli i atdheut të dashur,
i shenjtë mall e dashuri e shenjtë,
kush është ai shqiptar
që s’e ka pasur në dhe të huaj!
Duhet të jesh jashtë Shqipërisë
e të jesh larg për të kuptuar
se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël
ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri!”. 
Dhe me fjalët e vetë Hytbiut i cili shprehej se: “S’besoj se jam unë i vetmi që, duke qënë në dhe të huaj, më rrëmben frymëzimi për t’iu kushtuar figurave kombëtare. Është një ndjenjë e çuditëshme që mban ndezur zjarrin e atdhedashurisë. Ndaj më ngacmon tematika kombëtare, sidomos e personaliteteve dhe heronjëve që kanë bërë historinë.”

Qoftë i paharruar kujtimi për Hytbiun dhe e përjetshme vepra e tij kombëtare!
Tahir Veliu


7 nëntor 2016

Check Also

Edmond Hysni Hoxha (10.10.1975 – 31.1.1997)

Edmond Hoxha ka lindur më 10 tetor 1975 në Junik të komunës së Deçanit. Familja …

Leave a Reply