Kryefaqja / PERSONALITETE / Avdyl Lahu (1944 – 1997)

Avdyl Lahu (1944 – 1997)

Shkruan: Ramadan Pllana

 Avdyl Lahu, i lindur më 1 tetor 1944 në Gllamnik nga një familje me tradita patriotike. Ka kryer fakultetin filozofik grupi i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Familja Lahu e ka nip Bacën Adem Demaçi, Simbolin e Rezistencës sonë kombëtare.

Adem Demaçi së bashku me Fazli Grajçevcin, Zeçir Gërvallën, Avdyl Lahun, Azem Beqirin, Selman Berishën, Rexhep Elmazin, Ahmet Haxhiun, Hilmi Rakovicën e shumë atdhetarë të tjerë themelojnë LRBSH-në më 1963. Programi i kësaj organizate patriotike ka qenë bashkimi i Kosovës dhe viseve tjera shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia me Nanën Shqipëri.  

– Ka qenë i dënuar dy herë, herën e parë më 1964, 10 vite burg të rëndë me grupin e LRBSH-së dhe herën e dytë 4 vite me grupin e LNÇKVSHJ-së, me burg të rëndë.

     ******************************************************************************************************

Fragmente nga kujtimet e mia nga burgu, në Mitrovicën e Sremit, ku ishim bashkë me Avdyl Lahun
– – Në korridorin e hyrjes së burgut të Prishtinës arritëm pas orës gjashtë të mëngjesit. Aty, ishin edhe këta shokë : Avdyl Lahu, Skënder Jashari, Emrush Xhemajli, Hajdin Abazi, Rrahman Llugaxhiu, Asllan Loshi, Sulejman Qyqalla dhe Ibrahim Shala. Afërsisht, kah ora shtatë na urdhëruan të hipnim në një furgon burgu dhe pasi na lidhën me pranga në duar njëri për tjetrin, mua me Hajdin Abazin, na nisën në një drejtim të panjohur. Gardianët nuk ishin të Prishtinës, kurse komandën e udhëtimit e kishte një serb, ish-drejtori i Burgut të Qarkut të Gjilanit. Udhëtimi ishte i gjatë dhe i lodhshëm. Megjithë vërejtjet për qetësi, ne ndërronim herë-herë nga një fjalë. Kah ora trembëdhjetë e së njëjtës ditë, d.m.th. të datës 1 prill 1981 arritëm përballë hyrjes së Burgut të Mitrovicës së Sremit, një ndër kazamatët më famëkëqija të Jugosllavisë. 

Gardianët shqiptarë të Kosovës duke na dorëzuar tek organet e atij burgu, vetëm sa nuk qanin me lot, sepse, zemrat u digjeshin për ne; -kjo shihej nga zymtësia e fytyrave të tyre të nxira. Madje, njëri na u drejtua me një zë si nëpër dhëmbë: “Mos u mërzitni, bre vëllazën! Dhe, të tjerët na këshillonin: -ruajuni, të kini kujdes se këtu nuk jeni në Kosovë…na nuk mundemi me ba kurgja….nuk mundemi me ju ndihmue, veç ju ndihmoftë zoti !… Djema, mos u mërzitni! Kalofshi mirë!”-Thanë ata të shqetësuar. Ata, e kishin të qartë se neve na lanë në gojë të ujqërve; por nuk kishin fuqi aspak të na ndihmonin. Me t’u larguar gardianët e Kosovës, komandën e morën gjarprinjt e Serbisë dhe pa e bërë asnjë dialog; rreptë, na u drejtua një komandant me uniformë të kaltër të mbyllët:”UZA ZID!” (me fytyrë kah muri), duke u ngrysur për t´ na frikësuar dhe për të shfaqur haptazi urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve. 
– Syla, si me humor na u drejtua me një zë të ulët:”U nis!”, -që donte të thoshte: « u nis terrori!«. 

– Ishte një praktikë e përhershme e regjimit jugosllav që e zbatonte ndaj të burgosurve shqiptarë, një dhunë për t’i dëmtuar fizikisht e psiqikisht në mënyrë që të mbetnin të paaftë për jetë. Pas një kontrollimi të rreptë në gjithë trupin, sikur ne të ishim të zënë rob lufte, na urdhëruan që të shkonim pas tyre duke i çjerrë gurmazet me sa fuqi kishin. Na dërguan në karantinë, aty na i qethën flokët deri në rrënjë edhe pse i kishim të qethura, na i dhanë rrobat e burgut dhe na futën nëpër qeli tre nga tre. Mua, më futën në një qeli me Emrush Xhemajlin dhe me Ibrahim Shalën, në qelinë afër neve ishin Hajdin Abazi, Asllan Loshi dhe Rrahman Llugaxhiu, kurse në qelinë fqinje me këta të fundit ishin Abdyl Lahu, Skënder Jashari dhe Sulejman Qyqalla. Trajtoheshim me sjellje e me kushte të vështira, ashtu sikur të ishim kriminelë. Në qeli kishim një qyp, « kibëll », për nevoja fiziologjike, brenda 24 orëve. Ushqimin na e binin kuzhinierët e burgut. Dilnim nga një gjysmë ore shëtitje në një shëtitore të madhe. Pas një jave, derën na e hapi një gardian shqiptar, i cili pas ankesës së Sylës se ishim në kushte shumë të vështirë për higjienë, ai na mundësoi që të shkonim të gjithë në pastrim duke thënë: « Edhe nevojtoren ua ndalojnë, dilni jashtë të gjithë e pastrohuni, he nënën këtyre ! »…Gardiani quhej Nazmi, ishte nga Izbica e Skenderajt. Në karantinë na mbajtën një muaj. Përkundër kushteve të rënda, ne e kalonim kohën për mrekulli. Gati çdo dhomë kishte programin e vet të ditës, temat zgjedheshin sipas vullnetit, kryesisht kishim ligjërata për historinë kombëtare, shpjegonim romane, drama, recitonim poezi etj. Pasdite bënim kuiz diturie nga lëmi të ndryshme. Edhe në shëtitje bisedonim për tema të ndryshme. Kishim krijuar marrëdhënie shumë vëllazërore, edhe kur kishim ndonjë mospërputhje në mendime e në koncepte politike a shkencore, ato na shtynin për debate e analiza shumë konstruktive. Nuk ngjante që të hidhëroheshim me njëri-tjetrin, për mospërputhje të mendimeve apo të mospajtimeve ideologjike !…Secili, ishte më i dashur se tjetri. 

Hajdin Abazi, një djalosh njëzetedyvjeçar, nga Ferizaj, student i Universitetit të Prishtinës, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare, i dënuar 4 vite, ishte i dashur e energjik, si fizikisht ashtu edhe në biseda, kur bisedonte i qeshej fytyra nga ngazëllimi, djalosh i çiltër. – Shoku Dan, më thoshte nganjëherë; – sot dëshiroj të bisedojmë për një temë letrare ?! » Shtronte tema politike, historike, diplomatike, kishte lexuar shumë e recitonte bukur poezi patriotike… 

Sylejman Qyqalla, njëzetepesëvjeçar, nga Bardhi i Madh, tornitor në fabrikën e Amortizatorëve në Prishtinë dhe student i Shkollës së Lartë Pedagogjike, degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, djalosh i qetë dhe dëgjonte me vëmendje çdonjërin, merrej edhe me poezi. Kishte lexuar shumë, sidomos revista e gazeta nga Shqipëria dhe me kënaqësi i shpjegonte ato shkrime që i kishin lënë mbresa të thella. Kishte ëndje të madhe për lexim… 

Emrush Xhemajli, njëzetedyvjeçar, nga fshati Komogllavë, Ferizaj, student i Universitetit të Prishtinës, dega e Artit Figurativ, pikturonte lloj-lloj figure, i dënuar 3 vjet e gjysmë, ishte një talent i madh. E kishte pikturuar figurën e Enver Hoxhës për mrekulli pa pasur asnjë model fotografie, këtë pikturë ma dhuroi mua në shenjë respekti. Me kërkesën time që ta bëjë një punim me temën « Plaku në vetmin e tij »; – e vizatoi një plak me tespi në dorë i mbështetur në një zgavër të një lisi të kalbur, doli një pikturë shumë e bukur. Edhe ky kishte lexuar shumë dhe për moshën që kishte të lente përshtypjen e një djaloshi të pjekur… 

Asllan Loshi, tridhjetëvjeçar, nga Deçani, shofer me profesion, i dënuar 4 vite për bartje të materialeve « armiqësore » nga Gjermania, ishte hokatar, na tregonte mesele nga të cilat nuk ndaleshim së qeshuri. Më tepër kishte dëshirë të bisedonte për histori e tregime popullore, lexonte më pak… 

Ibrahim Shala, njëzetvjeçar, ishte më i riu nga të gjithë ne, nga fshati Mushtisht i Therandës, i dënuar 5 vite, maturant i shkollës së mesme, shumë i zgjuar dhe i zellshëm në lexime, kishte lexuar shumë, ishte i dashur dhe i qeshur gjithnjë me shokë. I pëlqenin romanet dhe literatura filozofike… 

Rrahman Llugaxhiu, njëzetepesëvjeçar, nga fshati Vraniq i Therandës, i dënuar 4 vite, me shkollë të mesme, ishte pak i ndruajtur në biseda dhe nuk kishte iniciativë për të hapur debate; mu për ketë, për mos ta lënë të izoluar, e merrja nganjëherë në shëtitje dhe e nxitja për komunikim më të afërm… 

Skënder Jashari, njëzeteshtatëvjeçar, me shkollë të mesme, ishte nga Prishtina, me një kulturë të përgjithshme, i sjellshëm dhe i dashur me të gjithë. Vuante nga timpani i njërit vesh. Është djali i motrës së Adem Demaçit, -i motrës Ajshe. Kishte lexuar mjaft libra, histori e letërsi, ishte shumë i qetë gjatë bisedave me shokë. Kishte dëshirë që të shëtitshim dy nga dy… 

Avdyl Lahu, tridhjeteshtatëvjeçar, nga Gllamniku i Besianës, referent në Shkollën e Lartë Pedagogjike, kishte kryer Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare. Është djali i dajës së Adem Demaçit. Ka qenë i dënuar edhe më 1964, si anëtar i LRBSH-së, me 10 vite burg të rëndë, të cilat i ka mbajtur në burgun famëkeq të Goli Otokit, është liruar, nga një amnisti e përgjithshme pas rënies të kriminelit, Rankoviq. Vuante nga gastriti kronik, si pasojë e vuajtjeve të mëdha në kazamatet serbo-sllave. Kishte lexuar shumë libra, literaturë kombëtare e botërore, lexonte edhe serbokroatisht. Ishte i pajisur mjaft edhe me filozofinë e përgjithshme, i njihte filozofët antikë, modernë dhe të kohës së re. Kishte lexuar shumë dhe gjithnjë hapte biseda e debate të ndryshme. 

Ishte shumë i hapur me mua dhe shpesh më nxiste në biseda duke më «provokuar» edhe për sistemin socialist të Shqipërisë. Fillonte me kritika ndaj Marksit e Leninit duke ua kundërvënë teoritë e Bernshtajnit e të Trockit, pastaj bënte kritika ndaj Shqipërisë dhe Enver Hoxhës, -sikur unë të isha një anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së. Pas përgjigjeve të mia, se: “izolimi i shtetit amë është si pasojë e qëndrimeve armiqësore të fqinjëve dhe të Fuqive të Mëdha” – më shtronte shpesh këtë pyetje : « – E, çka thua ti nëse SHBA-të i propozojnë bashkëpunim politik, ekonomik e ushtarak?! ». – Unë do t’i thosha xhaxhit Enver; që t’ia epte në përdorim Pasha Limanin, SHBA-ve, me një kontratë sekrete, vetëm e vetëm që ta ndihmonte për një armatim superior me të cilin kishte për t’i bashkuar të gjitha trojet e pushtuara shqiptare nga Jugosllavia e nga Greqia, etj… »- Qe besa mirë e ki», ma kthente » dhe shtonte duke qeshur se ishte i padisiplinuar në politikë dhe po t’ishte në Shqipëri do të dënohej për pikëpamjet e tij anarkiste, porse do të shpëtonte sepse e «kishte» shokun Dan në «Komitet Qendror»… 

– Pas një muaji na larguan nga karantina, na dërguan në pavijonin e të izoluarve, të atyre që nuk punonin, pleqve e të burgosurve nga vendet e huaja që kishin bërë vepra kundërligjore në territorin e shtetit jugosllav, neve na trajtonin si të burgosur më të rrezikshëm nga të gjithë të tjerët. Në këtë pavijon na ndanë në dy grupe: mua, Abdylin, Asllanin, Sylën, Rrahmanin dhe Skënderin na vendosën në katin përdhes, kurse Hajdinin, Emrushin e Ibrahimin në katin e parë. Dyert i kishim të hapura, kishim një sallë të përbashkët leximi e një televizor. 

Gazetat, (shtypi jugosllav), na vinte çdo ditë, bile vinte edhe « Rilindja » – por me vonesë dhe shpesh na i censuronin disa artikuj, duke i hequr faqet ose nuk na i binin fare disa numra, megjithatë u informonim për shumë ngjarje nga shtypi jugosllav e nga lajmet televizive. Të dënuarit tjerë ishin pleq, serbë, kroatë, hungarezë, rumunë, etj, komunikonin ngapak edhe me ne; çdonjëri na thoshte që të ruhemi nga të tjerët; sepse janë spiunë. Ishte edhe «Grupi Marksist-Leninist i Vojvodinës» me të cilët bisedonim dhe shkëmbenim literaturë të ndryshme, por që ishim të matur dhe nuk lëshoheshim në shumë çështje politike. Na dërgonin një herë në muaj në bibliotekë, ku kishte edhe libra në gjuhën shqipe dhe mund të merrnim nga disa tekste përnjëherë. Edhe vizitat familjare na lejoheshin një herë në muaj. Gjatë vizitave na mbikëqyrte nga një gardian shqiptar. Në shëtitje dilnim çdo ditë nga një orë, bisedonim duke u shëtitur, nganjëherë luanim volejboll. Emrushi, Hajdini e Ibrahimi luanin shumë bukur. Tani, na dërgonin edhe në mensën e burgut, e cila ishte shumë e madhe. 

Më kujtohet, kur shkuam për herë të parë, grupi ynë i veçuar, u habitëm se si iknin nga ne të burgosurit tjerë jugosllavë, të cilët shërbenin në kuzhinë, sikur ne të ishim «përbindësha» e jo njerëz të zakonshëm. Burgu ishte i madh dhe kishte shumë pavijone. 

– Në burg gjithashtu, kishte një fabrikë që prodhonte rimorkio traktorësh, jashtë kishte pronë bujqësore, me një fjalë ishte një ndërmarrje e madhe fitimprurëse sepse krahun e punës e kishte falas…Gardianët që na përcillnin në mensë ishin të vrazhdë dhe provokues, sidomos njëri që kishte një gradë më të lart se të tjerët. «Kapa» (Kapela), çirrej sa kishte fuqi, kur ndonjëri nga ne nuk e kishim vënë kapelën në kokë. Po, edhe ne, për inat, nuk i venim me qëllim për ta ngacmuar e egërsuar dhe me tallje e pagëzuam «Kapa», si një fashist italian i kohës së LDB. 

«Qysh nuk ju vjen marre që t’ia qitni qentë me tenxhere në bisht, në pritje të stafetës së shokut Tito?!» – bërtiste, sikur një bishë e çartur… 

«Edhe fotot e tij i keni vënë në bisht të gomarit, «sramota bre» (marre bre)…- (me nder lexuesve), “ Brefshë m…” – i thoshim disa nga ne, me zë të vogël e shpotitës…Qeshnim, kur ktheheshim, duke e imituar, me fjalë e me gjeste…-«Peder është he nënën…» shfryhej Asllani, i cili fliste më rrallë, por shpotitë e tij na bënin të qeshnim…Një ditë kur po shëtisnim në kopshtin e pavijonit tonë na ndali për të biseduar një plak i burgosur malazez nga Vojvodina duke e përkëdhelur Rrahmanin me dashamirësi, tha: «Kaq i ri për politikë e për «kundërrevolucion», turp për një shtet që e burgos lulen e rinisë, e ardhmja është e atij populli që e ka rininë me vete, ju, herët apo vonë keni për të fituar.» 

– Plaku kishte fituar simpatinë tonë nga sjelljet, veprimet dhe respektin që kishim në mes nesh… 

…………………………………………………………………………….

– Në një qeli, m’u në fund të korridorit të anës së majtë, afër banjës së përgjithshme, kishim vërejtur se ishte një i burgosur i vetmuar. Ushqimin ia binin të burgosurit tjerë, nuk dilte kurrë në shëtitje, as në sallë të leximit e të TV-së, nuk vinte. U informuam nga një i burgosur malazez se aty ishte një i burgosur nga ana e Gjakovës për një vrasje, i cili ishte transferuar nga burgu i Nishit, sepse kishte marrë pjesë në barrikadat e Nishit më 1974. 

Gjatë një mëngjesi, vendosa të shkoja në qelinë e tij për t’i thënë që të vinte me ne në shëtitje. Hyra, pasi i trokita në derë, – por ai nuk më fliste fare… Ishte një burrë i ri, afër tridhjetepesëvjeçar, i gjatë dhe me një trup prej atleti. I shpjegova se ishim edhe nëntë shqiptarë në pavijonin e izolimit, por çile guri gojën… 

Më vonë, erdhi edhe Avdyli, të cilit i kisha treguar se ku isha, dhe pas orvatjes për të komunikuar me të u larguam nga qelia e tij. Nuk e kuptuam a ishte dëmtuar nga torturat; ngurronte të vinte, sepse druante nga spiunët e kishte humbur besimin tek njerëzit; dhe nuk kishte kurrfarë dëshire të bisedonte, as me ne… apo e kishte humbur të folurit. 

– Enigmë e madhe, e rëndë dhe e çuditshme !… 
Po, për mua, ky ishte një hero i gjallë, sepse kishte luftuar bashkë me shokë kundër çetnikëve të Nishit, krah për krah me dëshmorin e këtyre barrikadave Bejtush Pecin- Zhazhën, nga Mitrovica. 
A mund të na flisni diçka rreth historikut të barrikadës së Nishit të vitit 1974? 
– Po, për faktin se kam qëndruar në atë burg famëkeq, kam mjaft informacione nga të burgosurit shqiptarë, si filluan dhe si përfunduan ngjarjet atje! 
– Të dënuarit shqiptarë, të burgosurit e të gjitha kategorive, që dërgoheshin nëpër të gjitha kazamatet serbo-jugosllave, trajtoheshin si rob lufte, i detyronin të bënin punë të vështira, spiunoheshin dhe provokoheshin nga të burgosurit kriminelë serbë, keqtrajtoheshin e rriheshin nga gardianët me një albanofobi të tmerrshme. Burgjet më të zëshme për trajtimet mizore ndaj shqiptarëve ishin këto: Burgu i Nishit, i Goli Otokut, i Pozharevcit, i Beogradit, i Idrizovës, i Shpuzit, i Stara Gradishkës, i Zenicës, i Gospiqit, i Lepogllavës, etj. Nga kushtet e tilla të egra e të padurueshme, të burgosurve shqiptarë nuk u mbetej tjetër pos të bënin grevë urie dhe të mbroheshin me çka kishin… 
– Një nga ngjarjet më të njohura, kur të burgosurit shqiptarë ishin organizuar kundër terrorit të ushtruar nga gardianët dhe nga të burgosurit serbë, duhet veçuar barrikadat; – aty, u zhvillua një luftë e vërtetë për jetë a vdekje, që duhet shënuar në kronikat e historisë shqiptare, ngjarje ku ranë edhe dëshmorë, në një luftë të pabarabartë, ishin përleshjet në Burgun e Nishit më 1974 dhe 1977, dhe në Burgun e Pozharevcit më 1977, ku ishte qenë edhe krimineli Arkan si i dënuar për krime. Meqë kam qenë më mirë i informuar për barrikadën e Nishit, sepse i njoh disa miq e shokë, pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje, Ilmi Muzaqin nga fshati Bruznik i Vushtrrisë dhe Shefqet Dibranin nga fshati Dumnicë e Vushtrisë, për një ndriçim historik dhe për kureshtjen tuaj dhe të lexuesve po e përshkruaj pak këtë histori. 

– Grupi organizator, i përbërë nga Ilmi Muzaqi, Shefqet Dibrani, Zenel Meha, nga Prekazi heroik, Asllan Gashi, nga Mramori i Prishtinës, Xhavit e Bejtush Peci, nga fshati Zhazhë i Mitrovicës, Nuhi Hajrizi; -kujtoj, ishte nga fshati, Kotorr i Drenicës, Hysen Shala, nga fshati Leçinë e Skenderajt i cili ishte i dënuar për tre serbë të vrarë me sëpatë sepse, ishte në vetëmbrojtje, Tafil Hoxha, Ahmet Shala, etj., afërsisht ishin 15 vetë, që nuk mundem t’i shënoj të gjithë. Këta i kishin rrëmbyer mjetet për sulm e për mbrojtje, thika, sëpata, tërfurq, çekanë, kosa, shufra metali, kishin siguruar edhe eksploziv etj. Të gjitha këto mjete i kishin siguruar nga Mark Rapaj, i cili punonte në depon e burgut. 

Shi, këto armë iu kishin lejuar të burgosurve serbë për t’i sulmuar e masakruar të burgosurit shqiptarë. 

– Për pesë orë luftë me të burgosurit serbë kishin arritur që t’i lidhnin 17 kriminelë serbë si dhe t’i merrnin peng komandantin e burgut si dhe zëvendësin e tij. Për 50 orë burgu i Nishit ishte në duart e shqiptarëve. Ishte një luftë e vërtetë. Shqiptarët, kishin përsëritur trimëritë e Oso Kukës, Mic Sokolit, Azem Bejtës etj, duke e bërë vdekjen si me le!… 

– Në ndihmë të personelit të burgut, kishin ardhur policia që i gjuanin me armë e me gazsjellës, – madje, edhe aeroplanë e helikopterë ushtarakë fluturonin mbi qiellin e burgut të Nishit. Komandanti i zënë peng, jepte urdhër me altoparlant që mos të sulmohej burg, se do të kallej i tëri!… 

Qytetarët e Nishit kishin menduar se, e sulmoi Bullgaria Serbinë… 

Policia kishte ardhur deri te dyert e hyrjes, duke i parë shqiptarët të armatosur e të vendosur për luftë, ishin kthyer mbrapsht duke shtirë me armë ndaj shqiptarëve që mund të ishin deri në 600 vetë. Në këtë rast, qëllohet i riu Bejtush Peci, i lindur më 1948 në Zhazhë të Mitrovicës. Bejtushi, i kishte urrejtur me shpirt të zitë, si vigan i kishte sulmuar policët, me një tërfurk, -ata, e kishin plagosur për vdekje dhe pas pak vdes në spitalin e Nishit. Kishte qenë i dënuar pesë vjet burg, sepse i kishte rrahur disa policë në Mitrovicë. 

Për ta qetësuar gjendjen, kishin ardhur edhe udhëheqës “ të lartë” të asaj kohe nga KSAK; Xhevdet Hamza, sekretar i Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme, Azem Azemi, kryetar i Kuvendit të KSA të Kosovës, Ramadan Vraniqi, kryetar i Gjykatës Supreme të KSA të Kosovës dhe suita e tyre, dhe pas shumë e shumë përpjekjeve për ta qetësuar këtë gjendje lufte, më në fund ishin marrë vesh që të ndalej përleshja, me kusht që organizatorët të largoheshin nga burgu i Nishit. Marrëveshja ishte bërë në mes organeve të burgut, Ministrisë së Drejtësisë të Serbisë, Gjykatës së Nishit, organeve tjera shtetërore të RSFJ-së, dhe udhëheqësve nga Kosova në njërën anë, si dhe përfaqësuesve të të burgosurve kryengritës, të përbërë nga Xhemajl Haqki dhe Muhamet Xhema, të cilëve ua kishin dhënë mandatin për Marrëveshje, grupi organizator. Në atë rast Ramadan Vraniqi, përfaqësues juridik i Kosovës, iu kishte thënë të burgosurve shqiptarë «A po e shihni more djema, sa dëm na bëtë, na e prishët, «vllaznim-bashkimin»… 

– Organizatorët ishin kthyer në Kosovë me një autobus, armët i kishin marrë me vete, sepse i druheshin tradhtisë serbe, – madje, edhe eksplozivin e kishte marrë me vete Ilmi Muzaqi, të cilin e dorëzon në Burgun e Qarkut të Mitrovicës, ku edhe e dorëzojnë bashkë me shokë… 
A të kujtohet sa qëndrove në Mitrovicë të Sremit dhe kur të transferuan në burgun e Zajeçarit? 
– Po, po ua rrëfejë ato që më kujtohen: 

– Afërisht, kah fundi i gushtit në mesditë, datën nuk e mbaj mend. Erdhi një epror burgu dhe më urdhëroi që të përgatitem se më transferonin në burgun e Zajeçarit. Shokët e dhomës, Avdyli e Skënderi, u mërzitën shumë për largimin tim. Avdyli më përqafoi përmallshëm dhe i dolën lotët. – “Të gjithëve po na lë keq, u mësuam me ty, sidomos unë nuk do të mundem pat ty, të tjerët nuk po më kuptojnë si ti”!…Skënderi i urtë dhe i qetë nuk fliste, më përqafonte dhe më thoshte – “Të kam vëlla, të dua si dajën Adem, të kesh kujdes e mos u lësho me gjthëkend pa i njohur mirë se të marrin në qafë”!… Syla, nuk fliste fare, ishte shumë i shqetësuar për largimin tim…Ashtu edhe Rrahmani shfaqte drojën për largimin tim. Asllani, me humorin e tij popullor, pasi më përqafoi më tha: “Hiç mos ta ndien, ti gjen shokë kudo që të shkosh, he… krejt çetnikëve të Serbisë që nuk na lënë bashkë as në burg”!… 

– Shpejt, shpejt, më urdhëroi eprori i burgut…Ne, u përqafuam edhe një herë me një përshëndetje – Mirupafshim në Kosovën e lirë!… 

– Shokëve të katit të parë, Hajdinit, Emrushit e Ibrahimit, iu çova të fala vëllazërore, sepse nuk munda të përshëndetesha me ta. Ishte një ndarje fizike nga këta shokë, po shpirtërisht ishte një bashkim vëllazëror që nuk do harrohej kurrë në jetë!… 

Në hyrjen e pavijonit më priste një automobil policie me dy policë. Eprori i burgut iu tha duke ua bërë me gisht nga unë, se ”Ky është i dënuari Pllana, tani mund ta merrni”! Ata, pa një, pa dy, m’i lidhën duart me pranga dhe më urdhëruan që të hyja në automobilin e tyre. Automobili ishte një «Zastavë» me katër ndenjëse, dy përpara e dy mbrapa, dritaret e prapme ishin të errëta, nuk shihej asgjë anash, vetëm nga dritaret e përparme mund të shihja ngapak drejtimin se kah po e ngiste veturën shoferi i veshur me tesha policie. Pasi dolëm nga dyert e mëdha të burgut e ndalën, polici shofer, më tha: 

– Dëgjo Pllana! – Ne, jemi «Sluzba drzavne bezbednosti» (Shërbimi i Sigurimit Shtetëror) nga Beogradi. Kemi urdhëresë me shkrim që të të dërgojmë e të dorëzojmë në Burgun e Qarkut të Zajeçarit…Edhe për më të voglën orvatje për ikje të pret plumbi! «Jasno!» (E qartë!)…dhe filloi ta ngiste veturën, tjetri polic ishte ulur pranë meje, në anën e majtë dhe më vëzhgonte pa nda. Që të dy kishin nga një revole në brez. Duart i kisha shumë të shtrënguara nga prangat dhe nuk bëhesha rehat, mundohesha që t´i çliroja pak duart, por prangat edhe më shumë m’u nguliteshin në mishin e duarve të mia… »Ne mrdaj…shiptarsku majku! » (Mos lëviz… nënën shqiptare!), gërvallej polici që ishte pranë meje. – Unë, nuk jam kriminel, pse më trajton si të tillë dhe mos ma shajë nënën shqiptare !…, ia ktheva me nervozizëm…Ishim afër Beogradit dhe pas pyetjes së shoferit se çfarë problemi kishte, i tregova se nuk mundja të rrija qetë nga dhembja e duarve që më shkaktonin prangat… Polici shofer, si dukej edhe ishte kryesues për transferimin tim, e ndaloi veturën dhe pasi m’i shikoi duart, tashmë edhe të përgjakura, e urdhëron tjetrin që t’m´i lidhte duart përpara. M’u liruan pak duart dhe dhembja më pakësohej… 

– Mbaju Ramadan Pllana; i thosha vetes! Bacën Adem, e kanë transferuar të mbyllur në një arkivol deri në Pozharevc!…

Check Also

MUJA DHE HALILI I DITËVE TONA…Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj-NATO

Pushteti nga ana shqiptare,në shtetin sllavo-maqedon, përbëhej nga partia e BDI-së e cila në gjirin …

Leave a Reply