Kryefaqja / OPINION / Donika Kastrioti – Nuk guxon të harrohet

Donika Kastrioti – Nuk guxon të harrohet


Donika Kastrioti  
                                    
Ishte gruaja e Skënderbeut dhe fatin e ka patur te njëjtë me shumë bashkëshorte të tjera njerëzish shumë te famshëm: është lënë në hije prej lavdisë se tyre. Është mbajtur ne hije. Është terruar. Ka mpakur dhe zvogëluar dimensionet historike te saj. Bashke me to edhe vlerat qe ka mbartur. Madje një nga pasuritë qe mund t’u rikthehet shqiptareve kudo ku janë është personaliteti i Donika Kastriotit dhe cilësitë qe ka mishëruar. Gjergj Kastriotit kemi afro gjashtë shekuj qe i kthehemi dhe i rikthehemi, përherë duke zbuluar prej tij mesazhe të reja. Edhe gjashtë shekuj apo gjashtëdhjetë nuk do t’i mungoje kjo përkujdesje. Por ajo padrejtësisht i ka munguar shoqes se tij te jetës, Donikës.

Në pemën gjenealogjike të Kastriotëve masivisht e dhjetrafish është ruajtur ciklikisht emri Xhorxho (Gjergji) dhe Alesandro (Aleksandër, pra Skënderbe, sepse turqisht Skënder do të thotë Aleksandër).

Kështu edhe familja Kastrioti në Itali ka bërë pothuaj të njëjtën gjë si edhe ne, shqiptarët këtej, në trojet tona. Kemi mbetur borxh me të. I kemi hyrë padrejtësisht në hak. Donika Kastrioti mes shqiptarëve në të gjitha trojet e veta apo atje ku emigrojnë, po ashtu edhe brenda shtetit të tyre, është përpjekur të përjetësohet në kujtimin e saj me ndonjë emër rruge. Ka disa qytete tek ne që e kanë një rrugë me emrin Donika Kastrioti. Mund të ketë edhe ndonjë shkollë, nëse të tillë ka, sepse edhe në pastë nuk është ndonjë e dëgjuar. Sigurisht në Muzeun Kombëtar apo në atë të Krujës ajo citohet dhe paraqitet me pamjen e saj të vetme që ka. Portretin e saj dhe ndonjë rradhë e gjen edhe në disa libra shkollorë. Veç vetëm kaq, ç’ka është tepër pak për shumë arsye. Mbi të gjitha sepse ajo nuk ka qenë një grua e rëndomtë, thjesht një bashkëshorte apo një nënë. Ose thjesht një princeshë. Donika para se të ishte një Kastriote ishte një Komnenë. Ajo ishte bija e princit të famshëm Gjergj Arianiti, njërit prej prijësve më të mëdhenj të luftës kundër pushtimit osman. Hipotezat ndonjëherë janë fare pa vend, siç ky që po bëjmë tani: në rast se nuk do të kishte ekzistuar dhe vepruar në histori Gjergj Kastriot Skënderbeu, njeriu të cilin do ta bënim model e monument të rezistencës së madhe në shekullin e pesëmbëdhjetë ky do të ishte Gjergj Arianiti, i jati i saj.

Fakte të reja mbi Kastriotët; publikohet fakti se Donika Kastrioti ka vdekur në Valencia të Spanjës, ku dhe është varrosur. Në një libër historik, “Periudha pas Skënderbeut”, botuar në gjuhën shqipe në Leçe të Italisë nga projekti italo-shqiptar i quajtur “Promoalba”, studiuesi i njohur i historisë, profesori i Universitetit të Salentos, Giancarlo Vallone, tregon për integrimin e familjes Kastrioti dhe të shqiptarëve të tjerë të emigruar në Itali pas vdekjes së Skënderbeut në institucionet e mbretërisë së Napolit në shekujt XV-XVII

Aty, autori pohon se e veja e Skënderbeut, e quajtur në gjuhën vendase si “Scannalibeca”, ka jetuar në mërgim me krenari dhe mençuri aq të shquar, duke u krenuar per emrin e madh të shoqit dhe duke e lartësuar atë. Andronika, e cila në historinë e Shqipërisë njihet me emrin Donika, mbërriti në Itali më 23 maj të vitit 1468.
Me sa duket në vitin 1501 kur mbërriti në Spanjë zonja Donika Kastrioti tashmë ishte 73 vjeçe dhe nuk do të ketë pasur mundësinë të kthehet më në Napoli. Ajo duhet të ketë vdekur sipas autorit në harkun kohor midis marsit të vitit 1505 dhe shtatorit 1506. Ky fakt dëshmohet nga testamenti i Giovanna-s së III, në të cilin pohohet se Andronika është varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës. Këtë fakt autori e vërteton edhe nga një burim tjetër. Burimi të cilit i referohet është libri i autorit G. A. Summote, i titulluar në italisht “Del Istoria della citta e Regno di Napoli IV”, botuar në Napoli në vitin 1675, ku në faqen 17 të tij pohohet se “gruaja e Skënderbeut ishte varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia në vitin 1506”.
Ky fakt i ri që për shumë historianë ka qenë i panjohur, duhet të merret tashmë në konsideratë pasi na plotëson një boshllëk të historisë sonë. Tashmë na del si detyrim moral që të hulumtojnë në Valencia se ku ndodhet kisha e Shën Trinisë së shenjtë dhe se a gjendet pranë saj ende në një varrezë të vjetër emri i bashkëshortes së Heroit tonë Kombëtar. Le të shpresojmë në dëshirën tonë.

 

Sipas Barletit “Skënderbeu nuk e kishte mendjen për martesë, por atë nuk e linin rehat princërit farefis me të, të cilat e nxisnin që ai të vendoste për martesë. Pra për “Filizin” që duhej ti zinte vendin”. Edhe Gjergj Arianiti e mirëpriti këtë martesë, por edhe Skënderbeu ishte dakort për këtë fakt, sepse Gjergj Arianiti Komneni ishte i dëgjuar si askush tjetër, për mbretërinë e tij të madhe dhe për fisnikërinë e lashtë të fisit të tij. Gjithashtu Donika ishte bërë e njohur që me kohë dhe mbahej në gojë për atë bukuri fort të rrallë. Paja iu la në dorë Gjergj Arianitit, i cili nga prika që i dha së bijës i kënaqi të gjitha palët (Historia e Skënderbeut. Tiranë 1983.fq.382-384). Për nevoja të luftës çlirimtare dhe për të forcuar pozitat e tij, Skënderbeu vendosi të martohej me Donika Arianitin, vajzën e madhe të Gjergjit. Kjo krushqi iu shkonte për shtat të dyja familjeve, për nga pozita që ato posedonin. Si mbles Skënderbeu dërgoi Gjin Muzakën kunatin e Arianitit. Martesa ishte tërësisht politike ku nuk luanin rol mosha dhe dëshirat.
Ajo që na intereson është fakti se kurorëzimi i çiftit, midis Gjergjit 46 vjeçar dhe Donikës 23 vjeçare, u bë në kishën e vjetër të Manastirit të Ardenicës , i cili ndodhet 10 km në veri të Fierit. Këtë tezë e ka argumentuar qysh në vitin 1930 studiuesi italian Lorenconi, i cili kur vizitoi këtë vit manastirin e të shkruar këtë fakt në një nga kodikët që ruheshin në bibliotekën e tij. Një burim tjetër për këtë fakt është edhe dëshmia e peshkopit Irene Banushi, i cili vitet e fundit të jetës i kaloi në manastirin e Ardenicës. Në shënimet e tij për manastirin të botuara nga K. Beduli në librin monografik Imzot Irene Banushi, ai citon faktin se kur mbërri në Ardenicë gjeti te murgjit e manastirit të dhënat gojore se këtu ishte kurorëzuar Skënderbeu.

 

Andronika Gjergj Arianiti lindi rreth vitit 1428 (po të llogarisim se kur u martua me 1451 ishte 23 vjeç). Ajo ishte një ndër tetë vajzat që Gjergj Arianiti kishte me gruan e tij të parë Marie Muzakën (Dh.Shuteriqi, Arianitët. Studime për epokën e Skënderbeut, II. Tirane 1989.fq.37-83). Ashtu siç e thotë edhe Barleti ajo ishte një ndër vajzat më të bukura të dyerve bujare të Shqipërisë së shekullit të XV. Ajo i përkiste një ndër familjeve më të fuqishme dhe më fisnike, duke qenë e bija e Gjergj Arianitit, njërit prej njerëzve më të shquar të fisnikërisë feudale Shqiptare. Tre vjet pas martesës me Skënderbeun, Donika e gëzoi heroin me lindjen e djalit të vetëm të tyre, Gjonin e ri, i cili sipas traditës mori emrin e gjyshit. Në gravurat e kohës ajo del si një femër simpatike, me tipare të spikatura të një zonje. Nuk dihet me saktësi roli që luajti ajo gjatë jetës bashkëshortore pranë Skënderbeut (1451-1468).
Pas vdekjes së tij në 17 Janar 1468 Donika u shpall regjenti i të birit Gjonit, trashëgimtarit legjitim të Skënderbeut. E ndodhur në kushte të tilla në të cilat ajo nuk mund të ushtronte funksionin e saj, kur turqit kërcënonin në mënyrë më serioze shtetin shqiptar, Donika u largua së bashku me të birin në Itali. Në vitin 1468 Suita e saj u vendos në Itali në dy feudet që Ferdinandi i Aragonës, mbret i Napolit i kishte dhuruar Skënderbeut në vitin 1463, si kompensim i ndihmës së çmuar që heroi i dha atij.

 Pas vdekjes së të atit Gjoni 13 vjeçar dhe e ëma Donika që siç e quan Gjon Muzaka zonja Skënderbega (Gj.Muzaka, Memorie. Fq.31) u larguan për në Napoli, duke shkuar tek Mbreti Ferdinand i Aragonës. Atje Gjon Kastrioti u integrua në radhët e fisnikëve feudale vendase, duke administruar pronat e veta dhe titullin e Dukës së Shën Pjetrit të Galantinës, dhuruar nga mbreti Ferdinand. Gjoni u martua me Dukeshën Erina Paleologa duke lënë pesë fëmijë si: Gjergjin (e ri), Kostandinin, Peshkop i Izernias, Ferrantin, Federikon, vdekur në Valencie të Spanjës dhe Marien (Akademia e shkencave. Historia e Popullit Shqiptar. Tirane 2002, fq.475). Nga kjo martesë rrjedhin

Kastriotët e Italisë, pasardhës të drejtpërdrejtë të heroit tonë kombëtar që jetojnë edhe sot në tokën Italiane.

 

Referencat
http://shqiptarja.com/m/home/martesa-e-skenderbeut-deshmite-e-rralla-te-marin-barletit-172264.html;https://www.voal.ch/periudha-pas-skenderbeut-dalin-ne-drite-fakte-te-reja-per-donika-kastriotin/ ;http://www.zeriyt.net/t128-donika-kastriotihttp:/http://yllipolovina.com/index.php?page=news&news=116 ;www.tiranaobserver.al/fakte-te-panjohura-per-donika-kastriotin

Fahri Xharra,12.01.17

Gjakovë


Kisha ku është varrosur Andronika Kastrioti në Valencia në vitin 1506”.

Check Also

Grekët “shqetësohen” nga krijimi i linjës ajrore shqiptare: Është degë e turqve, frikësohen dhe italianët

Krijimi i linjës ajrore “Air Albania”, ka shkaktuar reagime të ndryshme tek vendet fqinje. Mediat …

Leave a Reply