Kryefaqja / HISTORI / KRIMET GREKE / Si bashkëpunuan priftërinjtë grekë në krimet e Çamërisë

Si bashkëpunuan priftërinjtë grekë në krimet e Çamërisë

Nga Hyqmet ZANE 

 Pjesëmarrja e katër klerikëve shqiptarë në Paris, që u bënë prezentë në promocionin e Charlie Hebdo i dhanë një leksion tolerance dhe mirëkuptimi Francës dhe Europës sepse i treguan botës mbarë se shqiptarët janë ai popull që bashkëjetesën fetare e ka të trashëguar dhe se janë dakord që të protestohet ndaj atyre akteve terroriste. 

Po gjithnjë ka vend për refleksione që vijnë nga thellësia e historisë. Në mënyrë investiguese dhe me ndihmën e një historiani të guximshëm dhe një shqiptari të devotshëm për çështjen kombëtare siç njihet Arben Llalla, kam unë dhe ndoshta edhe të tjerë në arshivën e tyre foto të disa klerikëve grekë të kohës së Luftës II Botërore që u bënë palë me bandat e andartëve grekë ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Nuk kam dashur të besoj dhe nuk di se nga buron kjo ndjesi e disa klerikë ortodoksë grekë në masakrat greke të Napoleon Zervës, që shteti grek e ka zyrtarizuar me një monument nderimi si për të thënë “të lumtë dora o kriminel i shqiptarëve”. 
Nejse, le të vijmë tek fakti. Me ndihmën e mikut tim Arben Llalla sjell në kujtesë të opinionit publik ato momente kur disa klerikë të Greqisë bashkëkohës edhe të Anastas Janullatosit, ishin bashkëshoqëruesit e kriminelëve të shqiptarëve të Çamërisë në masakrat e atij 27 qershori 1944. Në fotot e nxjerra nga arkivi shihen qartë se si krimineli Napoleon Zerva shoqërohet në misionin e tij vrastar nga Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, si për të bekuar krimet e tij dhe për të ligjëruar atë të drejtë që kemi thënë se krimet në Çamëri ishin të frymëzuara nga kisha greke e kohës. Nëse pranojmë se kisha greke është e pandarë nga shteti, atëherë me plot gojën themi se shteti ishte ekzekutori i vrasjeve makabre të ndodhura ndaj popullsisë së pafajshme dhe të pambrojtur shqiptare në Çamëri. Çdo insinuatë nga ato që thonë herë pas here presidentë, kryeministra, ministra të Jashtëm apo zyrtarë të tjerë grekë është një abuzim me të vërtetën, që nuk ka se si të jetë ndryshe nga ato që pasqyrohen në fotot e gjetura në arkivat greke si dëshmi të një genocidi antinjerëzor ndaj shqiptarëve.
Por, nëse 1944-a ishte epilogu i masakrave në kuadrin e të ashtuquajturës “zgjidhja përfundimtare” e planit të Mega-idesë, duhet thënë se prologu i këtij realiteti kishte nisur fill pasi Shqipëria u shkëput me anë të Pavarësisë nga Perandoria turke. Të ardhur nga Azia e vogël si hakmarrës me ide të qarta dhe me sjellje fillimisht miqësore, por me thikë në brez, priftërinjtë grekë kishin të qarta qëllimet e tyre të frymëzuara nga Patriarkana e Athinës për “spastrimin etnik” të Çamërisë nga shqiptarët muslimanë. Fotoja përkatëse e dëshmon një fakt të tillë që më 1913, në Filati të Çamërisë, shfaqen bashkë Mitropoliti i Paramithisë me Myftitë dhe ushtarët grekë, në qendër drejtuesit lokalë të ardhur nga Azia e Vogël, Theodhoros Theodhoridhis. Fill pas kësaj do të dëshmohej me vepra kjo që unë e thashë me fjalë, përmes një fotoje që vërteton pjesëmarrjen në krime të klerikëve grekë të ortodoksisë në shkurt të vitit 1913, në foton përkatëse që jepet me rreth është Kryepeshkopi i Greqisë, Spiridon Vllehu, me ushtrinë greke që kreu masakra në Prevezë, Janinë e tërë Çamërinë. Po kështu, një vit më pas, më 1914, Kryepeshkopi i Greqisë, Spiridon Vllehu, me ushtrinë greke që kreu masakra në jugun e Shqipërisë.
Kur vijnë zyrtarët e lartë të Greqisë në Shqipëri dhe pohojnë abuzivisht se çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të pushtuesve, ndjehem keq kur shoh se si zyrtarë të Ministrisë së Jashtme dhe drejtues të lartë të shtetit heshtin dhe bëjnë shurdhin para akuzave false dhe nuk merr kush kurajon t’u thotë se anëtarë komunitetit çam u internuan në kampet famëkëqinj të shfarosjes në masë, si dëshmi autentike e pjesëmarrjes antifashiste të çamëve në atë luftë barbare.
Jo vetëm dëshmia e batalioneve shqiptare në këtë luftë, por edhe dëshmorët e saj nga Çamëria e faktojnë një gjë të tillë ku bën pjesë edhe im atë Nuri Emin Zane që tashmë është i dekoruar nga Presidenti Alfred Moisiu më 2005 me Medaljen e Artë të Shqiponjës ashtu si edhe Hajri Fetahu në Vlorë. Mospërgjigjet ndaj zyrtarëve grekë që shpifin në mes të Tiranës sa herë u vjen për mbarë, duket se as edhe ndonjë akademik shqiptar nuk merr kurajon të shprehet se si të katër kryeministrat grekë ishin bashkëpunëtorët e nazistëve dhe të vetë Hitlerit siç thuhet në dëshmitë edhe me fotografi. 
Janë të njohura faktet që kryeministrat grekë kanë bashkëpunuar me pushtuesit italianë e gjermanë, kanë qenë kryeministri grek Joani Metaksas,1936-1941, i cili kishte miqësi me Hitlerin, Jorgo Çolakoglu, (1941-1942), Konstandinos Logothetopulos, (1942-1943), Joanis Rallis 1943-1944, në kohën kur edhe u krye masakra e bandave zerviste në Çamëri. Më shumë flet fotoja kur kryeministri grek Ralis nderohet siç nderonin Hitlerin me dorën lart. Kjo jepet në fotot e publikuara. Ndërsa në një foto tjetër çuditërisht, si për inat të shqiptarëve apo për ndonjë arsye të pashpjegueshme edhe vetë kreu i kishës ortodokse Auroqefale Shqiptare, Anastas Janullatos del i fotografuar në një takim me mikun e tij të vjetër Nikolao Joani Merco me origjinë nga Nimfea – Neveska e Follorinës, djali i bashkëpunëtorit të italianëve dhe gjermanëve nazistë të viteve 1941-1944, Joani Merco që ka spiunuar me qindra hebrenj grek gjatë Luftës së II Botërore. Kur je kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, kam bindjen se nuk mund t’i lejosh vetes të tilla qëndrime dhe pozime publike kompromentuese.
Është kjo e vërtetë që na bën të themi se ata që bashkëpunuan me italo-gjermanët ishin vetë grekët dhe zyrtarët e lartë të shtetit si dhe priftërinjtë e njohur të patriarkanës së Athinës. Ndoshta këto fakte historike do të duhej ti kishte në mendje edhe kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë kur takohen me zyrtarët e lartë grekë dhe t’ua thonë në sy të vërtetën historike, nëse ata hapin gojë të thonë ndonjë fjalë ndaj çamëve dhe shqiptarëve.
Historia e marrëdhënieve shqiptaro-greke jo vetëm sot, por edhe përpara 100 vjetëve e në vazhdim janë një det i tërë i mbushur me gjakun e masakrave që grekët u kanë bërë shqiptarëve edhe pse shqiptarët kanë kontribuar në pavarësinë e Greqisë dhe në ringritjen e shtetit helen. Kjo armiqësi e tipit terrorist që manifestohet edhe sot e kësaj dite është shprehje jo e miqësisë, por e dashakeqësisë që ka si orientues kishën greke, që për fatin e keq ka të shtrirë dorën e saj edhe në Shqipëri përmes Janulltusit. Shpesh përdoret një shprehje: “Ka një Zot që merr hak dhe jep drejtësi edhe për shqiptarët e Çamërisë”.

Rreth Shqipëria e Bashkuar.AL

Check Also

Napoleon Zerva, gjenerali famëkeq që masakroi qindra shqiptarë (Video)

Ky ishte amaneti i shovinistit përbindësh ndaj shqiptarëve, gjeneralit kolaboracionist Napoleon Zervës. Në pragvdekjen e …