Kryefaqja / OPINION / Vetëm një qeveri gjithëpërfshirës mund të realizojë ndryshimet kushtetuese në Maqedoni!

Vetëm një qeveri gjithëpërfshirës mund të realizojë ndryshimet kushtetuese në Maqedoni!

Deklarata e përbashkët e « Bashkimi Demokratik për Integrim », « Koalicioni Rilindje me Besë » dhe « Aleanca për Shqiptarët » e datë 7 janar 2017 ishte ngjarja më e rëndësishme pozitive e këtij viti për shqiptarët në Maqedoni. Përmbajtja e kësaj deklarate u përshëndet me entuziazëm nga bartësit e institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe nga personalitete me peshë politike dhe kulturore mbarëshqiptare.

Përcaktimi i një strategjie të përbashkët për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet që deri tani ka aplikuar diskriminimin racial kundër shqiptarëve ishte lajmi më shpresëdhënës për popullin më të shtypur dhe më të diskriminuar të Evropës.

Por, nuk shkuan as dy ditë të plota dhe mesazhe që bien ndesh me frymën e kësaj deklarate vërshuan mediet në Maqedoni. Një numër funksionarësh me peshë në partitë nënshkruese të deklaratës së partive politike shqiptare në Maqedoni u deklaruan haptazi se nuk do të bëjnë koalicion qeveritar me këtë apo atë parti politike. Duke dashur të shmang polemikat me cilindo qoftë rreth kësaj çështje nuk po ua përmend emrin askujt. Kërkohet maturi nga secili në këtë situatë, sidomos tani kur lindën shkëndijat e shpresës se mund të dilet me qëndrime të përbashkëta.

Realizimi i objektivave të përcaktuara në strategjinë e përbashkët që nënshkruan tri partitë politike nuk mund të bëhet përmes ligjeve të veçanta, të cilat mund të jenë rezultat i kompromiseve për krijimin e qeverisë. Përvoja me ligjin e përdorimit të flamujve që u abrogua si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë duhet të shërbejë si vërejtje permanente se vetëm me ndryshimin e kushtetutës mund të garantohen të drejtat e shqiptarëve. 

Ndryshimet e kushtetutës nuk mund të bëhen vetëm me njërën parti politike të palës maqedonase. Raporti aktual i forcave në Kuvendin e Maqedonisë imponon edhe konsensusin e dy partive politike maqedonase. Vetëm një koalicion qeveritar gjithëpërfshirës i partive politike që kanë marrë mandate për të përfaqësuar popullin mund të garantojë votat e domosdoshme për ndryshimet kushtetuese lidhur me emrin e shtetit, gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, flamurin, himnin, stemën dhe shumë çështje tjera që janë përfshirë në përcaktimet strategjike që u bënë publike përmes deklaratës së 7 janarit 2017.

Prandaj, realizimi i objektivave të përfshira në deklaratën e lartpërmendur kërkon që të lihen anash qëndrimet që kemi pasur për këtë apo atë parti politike maqedonase dhe të tregohemi më diplomat në qasjen tonë. Ndryshimet kushtetuese janë edhe në interes të palës maqedonase prandaj u takon partive politike që kanë marrë mandat nga maqedonasit që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për realizimin e çështjeve që janë parësore në këtë kontekst historik. Fundi i fundit, realizimi i qëllimeve që u shtruar në deklaratën e përbashkët duhet të peshojë më shumë se mendimet që kemi për cilëndo parti politike të veçantë. 

Bardhyl Mahmuti

Rreth Shqipëria e Bashkuar

Check Also

Cili ishte emri i vërtet i lumit Vardar në kohën e Ilirëve?

Lumi Vardar apo, në shqip, lumi Bardhar. Emri i vërtetë i lumit është “bardhar” , …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *