Kryefaqja / PERSONALITETE / Dy dëshmorët e Shqipërisë etnike: Harun Aliu dhe Shaban Zenuni, të rënë në Radushë të Shkupit më 12 maj 2010

Dy dëshmorët e Shqipërisë etnike: Harun Aliu dhe Shaban Zenuni, të rënë në Radushë të Shkupit më 12 maj 2010

HARUN ALIU


( 20. 5. 1971 – 12.5. 2010)
Pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në qershor të vitit 1999 dhe hyrjen në vendin tonë të forcave të KFOR-it dhe të UNMIK-ut, shumë luftëtarë dhe eprorë nga viset shqiptare të Iliridës dhe të Kosovës Lindore, që kishin luftuar në radhët e UÇK-së, filluan aktivitetet luftarake për vazhdimin e çlirimit të trojeve të robëruar të Shqipërisë. Për dallim nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila në kushte dhe rrethana të ndihmës që mori nga Aleanca ushtarake Veriatlantike, u kurorëzua me sukses, UÇPMB-ja dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare u detyruan ta stopojnë aktivitetin nën një presion të madh të politikave zyrtare, vasale të Tiranës e Prishtinës, por edhe të shteteve që kishin përkrahur luftën e Kosovës. Në kushte dhe rrethana të tilla, u nënshkrua marrëveshja kapitulluese e Konçulit më 13. 2. 2001. si dhe Marrëveshja e Ohrit e gushtit të vitit 2001, marrëveshje këto që nuk u përfillën as u realizuan nga Beogradi dhe Shkupi zyrtar. Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua në kohë kur Ushtria Çlirimtare Kombëtare kishte krijuar epërsi në terren kundër ushtrisë sllaveomaqedonase, pikërisht në kohën kur luftëtarët shqiptarë po përgatiteshin të hynin në Shkup dhe kur admirali i NATO-s, Xhonson, i kishte thënë publikisht kreut të Shkupit se duhej ta nënshkruan marrëveshjen, meqë nuk e fitonin dot luftën kundër shqiptarëve. Një pjesë militante e luftëtarëve të lirisë nuk u pajtua me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, në gusht të vitit 2001, e cila nuk realizua as po realizohet dot. Njëri prej eprorëve të Ushtrisë Çlirimtarëve Kombëtare, i cili nuk u pajtua me dhurimin e fitores që iu dha shtetit antishqiptar sllavo-maqedon, ishte edhe militanti i lirisë, Harun Aliu, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi kombit dhe çlirimit të viseve të robëruar të Shqipërisë.
Harun Aliu, lindi më 20 maj të vitit 1971 në lagjen Hasanbeg të Shkupit, një lagje tradicionale shqiptare, e cila e kishte ruajtur kompaktësinë etnike edhe pas masakrave të ushtrive sllave, qysh prej vitit 1912, kur këto vise shqiptare u dogjën dhe u shkatërruan nga Aleanca e shenjtë sllave në krye me Rusinë Cariste dhe militarizmin e shteteve të sapo krijuara sllave në Ballkan.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në kohën kur shqiptarët në Maqedoni nuk gëzonin as të drejtat elementare kombëtare. Duke mos parë perspektivë të vazhdimit të shkollimit në gjuhën shqipe, Haruni i ri mësynë shtetet arabe dhe vendoset në Damask të Sirisë, ku kryen shkollën e mesme. Pas mbarimit të shkollimit, në Siri, kthehet në Shkup dhe duke qenë i etur për arsimim kombëtar regjistrohet në Fakultetin e Historisë, në Universitetin e Tetovës, i cili ishte Universiteti i vetëm shqiptar në Iliridë, që nuk i nënshtrohej Qeverisë diskriminuese të Shkupit dhe vetëfinancohej nga donatorët vullnetmirë dhe arsimdashës.
Haruni i kreu me sukses studimet, por gjendja e rëndë e popullit shqiptar nën robëri nuk e linte të qetë. I besonte lirisë dhe ishte nisur në rrugën, të cilës i besonte, ashtu sikur i besonte Hyjit krijues, por edhe drejtësisë dhe domosdosë së fitores së dritës kundër errësirës.
Në moshën 24-vjeçare, tashmë burrë i kalitur në rravëgimet e jetës, ai i bashkohet Lëvizjes Popullore të Kosovës, të vetmes opozitë reale të forcave të shëndosha kombëtare shqiptare në trojet e robëruara. Kishte ndihmuar Lëvizjen ne të gjitha segmentet ndërsa në vitin1998, Harun Ali bashkë me Beqir Limanin, Qemal Shaqirin dhe bashkëveprimtarë të tjerë, themeluan celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Maqedoni, në Zonën e Dytë Operative. Prej vitit 1995 deri më vitin 1998 ai ka bërë furnizimin me armë të anëtarëve të LPK-së, por në vitin 1998 grupi zbulohet nga shërbimet shtetërore të Maqedonisë.
Në atë aksion, që kishte ndërmarrë policia sllavomaqedonase, burgosen disa nga bashkëveprimtarët e tij, me ç’ rast policia e vret para shtëpisë së tij, Beqir Limanin nga Kërçova. Asokohe, Harun Aliu ndodhej në Shqipëri. Duke qenë se e merrte me mend se aktiviteti i tij ishte dekonspiruar, Haruni vendos të mos kthehet në Maqedoni për një kohë. Aktivitetin e tij e vazhdoi në Shqipëri, në kontakt me kreun e LPK-së, e cila tashmë kishte aktivizuar sektrorin e luftës së armatosur, me qëllim për të dhënë kontribut në luftën e Kosovës.
Pas mbarimit të luftës së UÇK-së, në Kosovë, Harun Aliu e fokuson aktivitetin në formimin e formacionit të ri ushtarak, të cilin bashkë me shokët e tij e titulloi “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”. Gjatë kësaj kohe, i është takuar me bashkëluftëtarët në Shqipëri dhe në Kosovë, ku çdo herë u ka rrëfyer për qëllimet dhe vendosmërinë e tij për avancimin e pozitës së shqiptarëve në ish-RJ të Maqedonisë.
Në mars të vitit 2001, Harun Aliu ndodhet në fshatin e quajtur Sellcë të rrethinës së Tetovës, ku asokohe ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila tashmë kishte filluar aksionet e para kundër forcave policore dhe ushtarake sllavo-maqedonase. Në emër të anëtarit të shtabit, ai u paraqit në mediet e vendit dhe të huaja me nofkën “Arben Ali”. Me këtë rast para medieve ai shpalosi qëllimet e luftës çlirimtare, e cila kishte filluar edhe në këto anë të robëruara të Shqipërisë etnike.
Më 5 shtator të vitit 2001, derisa ndodhej në Kosovë Haruni është arrestuar e më pas është burgosur nga policia ndërkombëtare e UNMIK-ut me ç’rast i shqiptohet dënimi me 4 vjet burg. Përnjëherë dërgohet në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës, ku ka mbajtur rreth katër vite burg.
Pas lirimit nga burgu, pas gjashtë vjet mungese, Harun Aliu shkon në familjen e tij, në lagjen Hasanbeg të Shkupit, ku kishte munguar për gjashtë vjet rresht, dy vjet në luftë e katër vjet në burg.
Pasi është kthyer në shtëpi, Haruni, në bisedë me bashkëluftëtarët kishte filluar të interesohet për rezultatin e sakrificës së tij, dhe për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai, me kohë e kishte vërejtur se nga kjo marrëveshje kompromisi ishte degraduar dhe më keq pozita e shqiptarëve në Maqedoni. Ajo jo vetëm që nuk ishte përmirësuar por në disa segmente edhe ishte përkeqësuar. Ishte dëshpëruar shumë kur kishte kuptuar se është ndryshuar preambula e Kushtetutës, në dëm të shqiptarëve I pakënaqur me gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe mosrealizimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila edhe po të realizohej në tërësi nuk ishte ndonjë fitore për të qenë, Harun Aliu në vitin 2006, themeloi “Alternativën Kombëtare”, që ishte një alternativë karshi programit të forcave kryesore politike rë shqiptare në Maqedoni.
Në shenj hakmarrjeje kundër vrasjes së shqiptarëve në Brodec nga ushtria dhe policia sllavomaqedone në nëntor të vitit 2007 ishte goditur një veturë e policisë me ç’ rast ishte vrarë një polic sllavomaqedon dhe ishin plagosur rëndë katër të tjerë. Duke qenë se jetonte ilegalisht, regjimi i Shkupit e akuzon për këtë vrasje dhe e dënon me burg të përjetshëm, në mungesë.
Haruni nuk ishte i gatshëm t’i dorëzohej policisë, për të dëshmuar fajësinë apo pafajësinë e tij, por vazhdon aktivitetin e tij kombëtar në përpjekje për riorganizimin e luftës së armatosur.
U detyrua sërish të largohet nga vendi dhe nga familja, e cila nuk dinte gjë për rrugëtimet e tij. Rruga, ideali dhe veprimtaria e tij atdhetare përfundoi më 12 maj të vitit 1010, kur në afërsitë Radushës, së bashku me tre bashkëveprimtarë të tij, kishin qenë të goditur për vdekje. Ai ka lënë pas djalin e tij 1- vjeçar, Fisnikun.
Në aksionin policisë së Shkupit në afërsi të Radushës, natën vonë policia kishte zënë pritë dhe pa asnjë paralajmërim kishte filluar të godasë furgonin ku ndodheshin katër veteranët e luftërave çlirimtare, në mesin e tyre edhe Harun Aliu. Së bashku më të janë vrarë mizorisht, në pritë, Shaban Zenuni nga Merova e Tetovës, Kemal Mustafa nga Gërçeci i Shkupit dhe Xhafer Shala nga Dukagjini i Kosovës. Harun Ali ka lënë pas djalin e tij, Fisnikun, i cili ka lindur në vitin 2009.
Harun Aliu është shpallur dëshmor i kombit, më 19 maj të vitit 2010 nga Shoqata e Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës së UÇK-së, “KALAJA”. Në mbledhjen e kryesisë qendrore ishte vlerësuar kontributi i palodhshëm i tij në favor të çështjes Kombëtare. “Duke analizuar punën e tij që nga periudha e ilegalitetit e deri në luftërat e fundit të popullit shqiptar të zhvilluara në ish-Jugosllavi unanimisht morëm vendim që njeriun e celulave të para të lëvizjeve kombëtare Harun Aliu, i njohur me nofkën “Komandant Kushtrimi” ta shpallim Dëshmor të Kombit. Po ashtu në këtë mbledhje u vendos që edhe Shaban Zenuni, “Komandant Hoxha” i Merovës të shpallet Dëshmor i Kombit për kontributin e dhënë gjatë luftës së 2001 si dhe për besnikërinë që tregoi për Komandant Kushtrimin deri në ditën e vrasjes së tyre makabre nga pushteti sllavo-maqedonas në bashkëpunim me vasalët e tyre”. (Ahmet Qeriqi )
SHABAN ZENUNI


(5.8.1974 – 12. 5. 2010)
Pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në qershor të vitit 1999 dhe hyrjen në vendin tonë të forcave të KFOR-it dhe të UNMIK-ut, shumë luftëtarë dhe eprorë nga viset shqiptare të “Iliridës” dhe të Kosovës Lindore, që kishin luftuar në radhët e UÇK-së, filluan aktivitetet luftarake për vazhdimin e çlirimit të trojeve të robëruar të Shqipërisë. Për dallim nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila në kushte dhe rrethana të ndihmës që mori nga Aleanca ushtarake Veriatlantike, u kurorëzua me sukses, UÇPMB-ja dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare u detyruan ta stopojnë aktivitetin nën një presion të madh të politikave zyrtare, vasale të Tiranës e Prishtinës, por edhe të shteteve që kishin përkrahur luftën e Kosovës. Në kushte dhe rrethana të tilla, u nënshkrua marrëveshja kapitulluese e Konçulit të shkurtit 2001 si dhe Marrëveshja e Ohrit e gushtit të vitit 2001, marrëveshje këto që nuk u përfillën as u realizuan nga Beogradi dhe Shkupi zyrtar. Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua në kohë kur Ushtria Çlirimtare Kombëtare kishte krijuar epërsi në terren kundër ushtrisë sllavo-maqedonase, pikërisht në kohën kur luftëtarët shqiptarë po përgatiteshin të hynin në Shkup dhe kur admirali i NATO-s, Xhonson, i kishte thënë publikisht kreut të Shkupit se duhej ta nënshkruan marrëveshjen, meqë nuk e fitonin dot luftën kundër shqiptarëve. Një pjesë militante e luftëtarëve të lirisë nuk u pajtua me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, në gusht të vitit 2001, e cila nuk realizua as po realizohet dot. Njëri prej eprorëve të Ushtrisë Çlirimtarëve Kombëtare, i cili nuk u pajtua me dhurimin e fitores që iu dha shtetit antishqiptar sllavo-maqedon, ishte edhe militanti i lirisë, Shaban Zenuni luftëtar i njohur i çlirimit të viseve të robëruara të Shqipërisë.
Shaban Zenuni lindi më 5 gusht të vitit 1974 në fshatin Merovë, Komuna e Zhelinës, në Tetovë. Në moshë të re i vdiq babai, ndërkohë që Shabani kaloi një fëmijëri të rëndë në skamje dhe pa kujdesin e babait. I ati i tij _______kishte qenë imam i fshatit, në xhaminë e fshatit Merovë dhe një njeri i mrekullueshëm dhe me shumë autoritet në të gjithë zonën e fshatrave të Malit të Thatë dhe më gjerë.
Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, Shaban Zenuni ashtu sikur edhe disa bashkëmoshatarë të tij, shkoi në Arabi dhe vazhdoi shkollën e mesme, në Damask te Sirisë. Atje me sukses meritor mbaroi institutin 6 vjeçar në mësimet fetare islame. Meqë ishte pjesëtar i një familjeje të varfër, ai nuk i vazhdoi studimet e larta, ndërkohë që kthehet në vendlindje dhe fillon punën duke shërbyer imam në xhaminë e fshatit, Merovë, aty ku kishte shërbyer edhe babai i tij. Më 1998, për shkak të mospërballimit të kushteve të rënda ekonomike Shaban Zenun, detyrohet të marrë rrugën e mundimshme të vështirë dhe të paparashikueshme të kurbetit. Vendoset në Itali ku edhe punon disa vite deri në kohën kur, në “Iliridë” kishte filluar lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në vitin 2001 si shumë atdhetarë të tjerë iu bashkua radhëve të UCK-së.
Duke parë shkathtësitë dhe vendosmërinë e Shaban Zenunit, Shtabi i Përgjithshëm e kishte caktuar Komandant i Batalionit të Katërt të Brigadës 112 “Mujdin Aliu”.
Gjatë luftës së vitit 2001, Shaban Zenuni kishte treguar aftësi të jashtëzakonshme ushtarake. Ishte dalluar si epror meritor. Për aktivitetin e jashtëzakonshëm luftarak, Batalionin, të cilin e udhëhiqte Shaban Zenuni, i njohur me nofkën “Komandant Hoxha” ishte shpallur batalioni më i suksesshëm në nivel të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Pas përfundimit të luftës dhe fillimit të konsultimeve për tranfsormimin e UÇK – së në subjekt politik, në takim me eprorët e UÇK – së bashkë me Ali Ahmetin e të tjerë Shaban Zenuni kishte ngritur çështjen kyçe, ekzistenciale. Ai kishte pyetur dhe në të njëjtën kohë kishte konstatuar se “ne po i dorëzojmë armët por ju e dini se shkau nuk ka besë e nëse nuk realizohet Marrëveshja e Ohrit, ju lutem shokë a jeni në gjendje që të vazhdojmë luftën”? Shumica kishin heshtur, Shabani e kishte përgjigjen me vete bashkë me Harun Aliun – Kushtrimin.

Të ashtuquajturit komandant të frikësuar se mos do të dalin para gjyqeve kishin harruar të gjitha idealet. Në një rast Shaban Zenuni iu kishte thënë: “O burra edhe pse nuk kam bërë kurrë krime, nëse mendoni se janë realizuar idealet tona unë vullnetarisht shkoj edhe në Hagë”.
I pakënaqur me zhvillimet e pasluftës, në mungesë të amnistisë dhe i akuzuar për vepra penale, që nuk i kishte kryer, detyrohet që përsëri të marrë rrugën e kurbetit. Nuk mund të kthehej lirshëm në shtëpinë e tij, ku kishte nënën plakë e të sëmurë, bashkëshorten dhe tre bijtë, pastaj farefisin dhe shokët.
Shabani, në kushte dhe rrethana të ilegalitetit kontakton me Harun Aliun dhe bashkëluftëtarë të tjerë të UÇK-së, duke kaluar kohën ilegalisht dhe duke bërë plane për vazhdimin e luftës, meqë Marrëveshja e Ohrit nuk po realizohej dhe shqiptarët vazhdonin të diskriminoheshin e të vriteshin nëpër prita, ashtu sikur ishin vrarë dhjetëra ish luftëtarë. në Brodec të Tetovës, në nëntor të vitit 2007.
Më 12 maj të vitit 2010, natën vonë, Shaban Zenuni ndodhej në furgon së bashku me Harun Aliun dhe dy bashkëluftëtarë të tjerë. Ai bie në pritë të forcave policore sllavomaqedonte në afërsi të Radushës. Policët e Shkupit atë natë maji granatuan me armë të rënda zjarri Furgonin me ç’ rast ranë duke fituar përjetësinë: Shaban Zenunin nga Merova e Tetovës, Harun Aliu nga Shkupi Kemal Mustafa nga Gërçeci i Shkupit dhe Xhafer Shala nga Dukagjini i Kosovës.

Shaban Zenuni është shpallur dëshmor me vendimin e Shoqatës së veteranëve dhe Invalidëve të Luftës së UÇK-së, “KALAJA”, në mbledhjen e kryesisë qendrore të mbajtur 19. 05. 2010. Në një vendim të publikuar nga kryesia e shoqatës thuhet: “Pasi vlerësuam kontributin e palodhshëm të Harun Aliut në favor të çështjes Kombëtare, duke analizuar punën e tij që nga periudha e ilegalitetit e deri në luftërat e fundit të popullit shqiptar të zhvilluara në ish-Jugosllavi unanimisht morëm vendim që njeriun e celulave të para të lëvizjeve kombëtare, Harun Aliu i njohur me nofkën Komandant Kushtrimi ta shpallim Dëshmor të Kombit. Po ashtu në këtë mbledhje u vendos që edhe Shaban Zenuni, Komandant Hoxha i Merovës të shpallet Dëshmor i Kombit për kontributin e dhënë gjatë luftës së 2001 si dhe për besnikërinë që tregoi për Komandant Kushtrimin deri në ditën e vrasjes së tyre makabre nga pushteti sllavo-maqedonas në bashkëpunim me vasalët e tyre. Shaban Zenuni ka lënë tre bij, bashkëshorten dhe nënën e sëmurë. Familja jeton në një shtëpi të vjetër, në oborr të Xhamisë së fshatit, në mungesë të kushteve minimale për ekzistencë. (A.Q.) – Radio Kosova e Lirë

Check Also

Ilir Mazllom Soba (28.4.1971 – 18.10.1998)

Menjëherë pas krismave të para të lirisë në Prekaz e Gllogjan në mars të vitit …

Leave a Reply