Kryefaqja / INTERVISTA / Intervistë e Tahir Veliut, kryetar i LSHB dhënë gazetës greke “Parapolitika”

Intervistë e Tahir Veliut, kryetar i LSHB dhënë gazetës greke “Parapolitika”


Intervistuar nga Anthi VOULGARI

Cili është kuptimi i “Shqipërisë së Madhe” për ju?

Veliu: E vërteta është se shqiptarët nuk kanë pasur kurrë një plan të “Shqipërisë së Madhe”. Përkundrazi, Greqia kishte një plan për Greqinë e Madhe “Megali Idea”, e cila ishte, dhe ende është, një koncept irredentist i nacionalizmit dhe ekspansionizmit grek përmes të cilit Greqia ka kryer shumë krime, madje dhe gjenocid ndaj shqiptarëve në Çamëri. Termi “Shqipëria e Madhe” është përdorur nga pushtuesit e trojeve shqiptare, për të paraqitur shqiptarët si popull me pretendime territoriale ndaj fqinjëve të tyre, edhe pse shqiptarët janë i vetmi komb që nuk ka shpallur kurrë në historinë e vet luftëra pushtuese, por në të kundërtën, ka zhvilluar luftëra vetëm për çlirim dhe vetëmbrojtje.

Shtetet fqinje (pushtuesit e trojeve shqiptare) shumë shpesh tentojnë dhe përpiqen të barazojnë termin “Shqipëria e Bashkuar” me termin “Shqipëria e Madhe”, e cila nuk përmban ose nënkupton të njëjtin kuptim. Termi “Shqipëria e Bashkuar” do të thotë, as më shumë dhe as më pak, territoret e banuara historikisht nga shqiptarët autoktonë. “Shqipëria e Bashkuar” nënkupton territoret shqiptare shpallura të pavarura nga akti ligjor i 28 nëntor 1912; (Shqipëria Administrative, Kosova, Ilirida nën IRJM, Malësia e Madhe nën Mal të Zi, Kosova Lindore nën Serbi, dhe Çamëria nën Greqi).

Termi “Shqipëria e Madhe”, u shpik në kuzhinat greko-serbo-sllave, dhe sugjeron një zgjerim territorial të Shqipërisë ndaj vendeve fqinje dhe trojet e tyre të pushtuara padrejtësisht. Termi anti-shqiptar “Shqipëria e Madhe” sugjeron një territor pesë-herë më të madh se territoret aktuale të banuara me shqiptarë, nga lumi Danub deri në Peloponez dhe në Egje. Ky term “akademik” i fabrikuar nga qarqet anti-shqiptare u shpik për të krijuar pengesa për shqiptarët në arritjen e bashkimit kombëtar, – që është “Shqipëria e Bashkuar”.

“Shqipëria e Madhe” është një sajesë e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve me seli në Beograd, dhe degët e saj: Akademia sllavomaqedonase e Shkencave dhe Arteve (në Shkup), Akademia Malazeze e Shkencave dhe Arteve (në Podgoricë), etj.

Një Shqipëri e lirë dhe e bashkuar nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje, për këtë arsye ajo nuk mund të quhet “Shqipëria e Madhe”.

A është e vërtetë se disa ditë më parë ju shkatërruat flamurin grek?

Veliu: Më 4 dhjetor të vitit 2016, Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar hoqi flamurin grek nga hyrja e kalasë së vjetër shqiptare të Himarës, i cili ishte ngritur 24 orë përpara për të provokuar shqiptarët. Fakti që flamuri grek është ngritur në Kalanë e vjetër të Himarës bëri bujë në shumë media shqiptare, për këtë arsye LSHB u përgjigj me mjete demokratike duke e hequr atë.

Qeveria e Greqisë vazhdon të përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë duke ngritur pretendime ekspansioniste ndaj territoreve sovrane të Shqipërisë në arenat e saj politike dhe në sistemin e saj arsimor të cilat janë të financuara pjesërisht nga paratë e taksapaguesve europianë. Pretendimet e përsëritura për aneksimin territorial dhe detar të pjesës jugore të Republikës së Shqipërisë dhe kërcënimeve të luftës ndaj Republikës së Shqipërisë, janë bërë publike nga zyrtarët e shtetit grek. Rasti më i fundit, është ai i ministrit grek të Mbrojtjes Pano Kammenos, i cili më 2 dhjetor të 2016 kërcënoi publikisht Shqipërinë me luftë; ky është një kërcënim që vjen nga jugu, si dhe thirrja shoviniste nga pala parlamentare greke Agimi i Artë e cila zyrtarisht kërkoi që Shqipëria e jugut t’i aneksohet Greqisë. Le të mos harrojmë se Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë janë ligjërisht në gjendje lufte e cila është shpallur nga Greqia në vitin 1940 në bazë të Ligjit 2636/1940. Pas një dekreti që u lëshua në vitin 1987 për të shfuqizuar këtë ligj, parlamenti grek ende nuk e ka ratifikuar atë.

A besoni se populli grek duhet të largohen nga shtëpitë e tyre?

Veliu: Himara ka një kulturë të lashtë shqiptare dhe një popullsi autoktone shqiptare. Himara, si dhe të gjithë shqiptarët janë të njohur për mikpritjen e tyre unike, dhe ne mirëpresim njerëz nga e gjithë bota. Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, popullsia e përgjithshme e Shqipërisë ishte 2.821.977. Statistikat zyrtare tregojnë se Republika e Shqipërisë është një nga vendet më homogjene në rajon, me një shumicë më shumë se 97 përqind shqiptar. Minoriteti grek në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me rezultatet e regjistrimit të popullsisë të 2011 është vetëm 24.243. Pakica e vogël grek në Republikën e Shqipërisë gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare

Por, i ashtuquajturi problemi i minoritetit grek nuk është asgjë më shumë se propagandë nxitur nga shteti grek, i cili vazhdon të paguajë “pensionet” speciale mbi 300 euro në muaj për mijëra qytetarë shqiptarë me kusht që ata në mënyrë artificiale të deklarohen si grekë etnikë –le të mos harrojmë se këto pagesa mundësohen nga fondet e huazuara nga taksapaguesit evropianë të BE.

Gjatë vizitave të mia të shumta në Çamëri, unë nuk kam parë asnjë shenjë rrugore në gjuhën shqipe, asnjë flamur shqiptar në një zonë publike ose private. Unë sigurisht kam takuar shumë shqiptarë në Çamëri, por ata ishin të frikësuar për të folur gjuhën e tyre. Kudo që kam udhëtuar atje, njerëzit kishin frikë për të dalë fotografi dhe vazhdimisht fshehin identitetin e tyre. Gjatë vizitës sime në Artë, Prevezë, Janinë, Pargë, Gumenicë dhe qytete e fshatra të tjera të Shqipërisë nën pushtimin grek, unë u ndjeva sikur u ktheva në kohë, para luftës së Kosovës, nën pushtimin dhe terrorin serb.

A është e vërtetë se ju nuk jeni i lejuar për të vizituar Greqinë?

Veliu: Më 13 gusht të vitit 2016, Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar kishte planifikuar një veprimtari promovuese në Janinë, gjatë së cilës kishim vendosur që të kryenim një promovim të librit tim “Platforma për Shqipëri të Bashkuar”, si pjesë e turneut rajonal të prezantimeve dhe promovimeve të librit që Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar kishte planifikuar, pas takimit themelues zyrtar që u mbajt në Prishtinë më 16 korrik të vitit 2016 ku u zhvillua promovimi i parë i librit.

Më 13 gusht të vitit 2016 unë u arrestova nga autoritetet e paligjshme greke në pikën kufitare të Kakavijës, dhe pas marrjes në pyetje nga policia dhe arrestimin tim të paligjshëm, u shpalla persona non grata, e me sa duket gjoja u konsiderova si një kërcënim për sigurinë kombëtare të Greqisë. Por e vërteta është se kjo ishte një ndjekje penale politike, duke pasur parasysh se më parë, kam vizituar shumë pjesë të Çamërisë në shumë raste dhe nuk kisha pasur problem me hyrjen në kufirin paligjshëm midis Shqipërisë dhe Greqisë. Pasi u zgjodha kryetar i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, e i cila synon bashkimin fizik të të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm të bashkuar shqiptar, automatikisht, papritur isha etiketuar si një kërcënim sigurie për Greqinë dhe emri im me sa duket ka hyrë në Regjistrin Shtetëror greke.

Siç e dini në Greqi ka shumë shqiptarë. A nuk beson se Greqia dhe Shqipëria mund të bashkëpunojnë në disa fusha?

Veliu: Greqia dhe Shqipëria sigurisht mund të bashkëpunojnë në disa fusha, por absolutisht jo vazhdimisht në kurriz të integritetit tone kombëtar, sovranitetit dhe shkeljeve të të drejtave themelore të shqiptarëve në Greqi. Midis çështjeve të tjera, çështja më e rëndësishme e pazgjidhur ndërmjet dy vendeve është çështja e Çamërisë, e cila duhet të trajtohet urgjentisht, për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Çamëria duhet të trajtohet me një status të veçantë, neutral ndaj Greqisë, dhe protektorat ndërkombëtar (3 deri në 5 vjet maksimum), përmes të cilit do të jenë të garantuara të gjitha të drejtat e patjetërsueshme të shqiptarëve autoktonë, si kthimin e popullsisë shqiptare në Çamëri, njohjen e gjenocidit ndaj çamëve, njohjen e shtetësisë së dyfishtë, kthimi i pronave, kompensimi për shfrytëzimin e pronës, organizimi i pushtetit dhe administratës në gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Çamërisë, duke hapur shkolla, dhe financimin e arsimit në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet dhe përgatitja për statusin përfundimtar, duke u bazuar në parimet e së drejtës së vetëvendosjes dhe dekolonizimit.

Aktualisht ku janë kufijtë shqiptarë sipas jush? E kam fjalën, në përputhje me idenë e “Shqipërisë së Madhe”?

Veliu: Kufijtë e Shqipërisë së Bashkuar fillojnë në Tre Gurët e Zinj në Prevezë, ngjiten në veri tek Molla e Kuqe afër Nishit në Toplicë, dhe përfundojnë tek Guri i Kuq në Malësinë e Madhe në veriperëndim. Kjo Shqipëri, me këto territore dhe me këta kufij kombëtarë, u shpall shtet i pavarur dhe sovran nga Kuvendi Mbarëkombëtar, me Ismail Qemalin në krye, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.Shqipëria e Bashkuar ka një sipërfaqe toke prej rreth 88.000 km2.

Sot, Shqipëria e Bashkuar është e ndarë në gjashtë shtete “moderne”, katër nga të cilat sot e kësaj dite ende përdorin në mënyrë sistematike mjete dhe metoda represive për t’u mohuar shqiptarëve autoktonë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me të drejtën ndërkombëtare:

1. Republika e Shqipërisë (Shqipëria Qendrore) – 28.748 km2

2. Republika e Kosovës (Shqipëria Veriore) – 10.908 km2

3. Shqipëria Lindore nën IRJM – 15.039 km2

4. Shqipëria Verilindore nën Serbi – 6.645 km2

5. Shqipëria Veriperëndimore nën Mal të Zi dhe Serbi – 10.986 km2

6. Shqipëria Jugore nën Greqi – 15.674 km2

A e ëndërroni Shqipërinë në Bashkimin Europian?

Veliu: Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar i parashikon shqiptarët në kuadër të integrimit të tyre së bashku me popujt e lirë të Evropës: një Shqipëri e Bashkuar në një Europë të Bashkuar. Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar e kundërshton fuqishëm idenë e bashkimit (integrimit) të shqiptarëve në Bashkimin Europian, para formimit të shtetit kombëtar të shqiptarëve – Shqipërinë e Bashkuar. Integrimi i shqiptarëve, të ndarë si jemi sot, paraqet një rrezik për Bashkimin Europian, ndërsa integrimi i shqiptarëve të bashkuar në një shtet – Shqipëria e Bashkuar kontribuon në paqen afatgjatë rajonale dhe stabilitetin dhe i jep kuptim integrimit europian. Ideja e integrimit në Bashkimin Europian është një tjetër përpjekje për vulosur gabimet e 1913 dhe i mban ata si zyrtare.

Cili është mendimi juaj në lidhje me marrëdhëniet e popullit grek dhe shqiptar?

Veliu: Në mënyrë që Shqipëria të ketë marrëdhënie normale me popullin grek dhe shtetin grek, të gjitha të drejtat dhe detyrimet themelore nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut duhen të zbatohen plotësisht dhe të garantohen nga Greqia për shqiptarët autokton në Greqi. Greqia është i vetmi vend në botë nuk njeh pakicat etnike brenda kufijve të saj, dhe për këtë, në mënyrë sistematike shkel të drejtat e tyre themelore të njeriut. Greqia duhet të ndalojë politikën shtetërore që i detyron qytetarët e saj dhe të ardhurit të ndryshojnë identitetin e tyre, në mënyrë që të arrijnë shtetësinë greke, si dhe të ndalojë politikën shtetërore të asimilimit ndaj arvanitasve shqiptarë dhe emigrantëve shqiptarë. Ata, si të gjithë të tjerët, meritojnë të gjitha të drejtat dhe liritë në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare. Kjo është absolutisht një çmenduri që në vitin 2017, në Greqi dikush duhet të ndryshojë emrin lindjes, fenë dhe identitetin e plotë, duke u helenizuar plotësisht për të arritur të drejtat e njeriut. Mjerisht, kjo është Greqia, një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe i NATO-s.

Cili është mendimi juaj në lidhje me shtatë rekrutët e ushtrisë greke me origjinë shqiptare, të cilët formuan figurën e shqiponjës me duart e tyre, e cila simbolizon flamurin shqiptar dhe pastaj e postuan foton në mediat sociale?

Veliu: Në lidhje me këtë çështje, Lëvizja për Shqipërinë e Bashkuar sot ka bërë një deklaratë politike në të cilën ndër të tjera, ne kemi deklaruar se i ashtëquajturi “incident” nga shtatë rekrutët e ushtrisë greke me origjinë shqiptare që formuan figurën e shqiponjës shqiptare me duart e tyre është vetëm një pretendim për çështjen aktuale të terrorit të organizuar shekullor të shtetit grek dhe genocidit kundër shqiptarëve autoktonë. Është e papranueshme që në vitin 2017 shteti grek, një shtet anëtar i Bashkimit Europian, një shtet anëtar i NATO-s, në mënyrë të hapur shkel të drejtat themelore të njeriut që i përkasin të gjitha qenieve njerëzore, siç përcaktohet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut (UDHR) e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 në Paris.

Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar i bën thirrje Komunitetit Ndërkombëtar dhe Republikës së Shqipërisë për të vendosur presion të mëtejshëm mbi qeverinë greke që kjo e fundit t’i përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Është çmenduri absolute që në vitin 2017, Greqia është ende e mbërthyer në vitet e mesjetës, por ajo mashtron duke e reklamuar veten si djepi i demokracisë.

Cili është mendimi juaj në lidhje me deklaratën e fundit nga ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos e se “Kushdo që nuk ndjehet grek, duhet të kthehen në vendin e tyre”?

Veliu: Deklarata e fundit nga ministri grek i Mbrojtjes së Panos Kamenos, se “Kushdo që nuk ndjehet grek, duhet të kthehen në vendin e tyre”, është një shembull i përsosur i trajtimit të padrejtë të shqiptarëve në Greqi si shenjë e terrorit sistematik shtetëror për asimilimit me force mbi ta. Deklarata e Kamenos përputhet me gjeneralin famëkeq grek Napoleon Zervas i cili ka kryer krime lufte dhe gjenocid në Çamëri. Gjakatari Zerva i shkruan një bashkëpuntori të tijë gjatë krimeve, Jani Danit më 1953, duke miratuar:” Ne duhet të ndjehemi krenarë për atë që bëmë, pastruam Çamërinë nga Shqiptarët që për mbi 500 vjetë kishin hipur në qafë të helenizmit, duke u krijuar mundësi malësorëve tanë të zbresin në fushat pjellore…”

Check Also

Veliu: Tërheqja e njohjes nga Surinami është jolegjitime, që shpërfill të drejtën ndërkombëtare

Në të drejtën ndërkombëtare njohja e një shteti është një akt politik; nuk ka asnjë …

Leave a Reply