Kryefaqja / KULTURË / Malli i atdheut…

Malli i atdheut…

Faik Konica (1875-1942)
nga Faik Konica
Pakkush e ka dashur Shqipërinë si Faik Konica. 

Pakkush e ka derdhur dashurinë, vlerësimin, dhimbjen, zemërimin dhe dufin si Ai mbi shqiptarë… 

Ai e ka pranuar të gjitha mbi vete: edhe heshtjen, edhe shpërfilljen, edhe urrejtjen, në të gjallë e në të vdekur, po kurrë nuk rreshti së qeni kritik, i vërtetë e i ashpër më atë çka edhe sot po rëndon mbi shqiptarët…

Faik Konica mbetet nji gisht i drejtuar mbi ne, për sa kohë ne mos ta lexojmë veten në ato përmasa që ai ëndërronte të mos i kishim!!! Kjo prozë, e paraqitur në kët formë mbetet nji dëshmi… j.r.
Kur vete njeriu,

i lirë e i vetëm,

larg atdheut,

viset e reja,

ndryshimi i zakoneve,

ëmbëlsia e udhëtimit

e njëmijë gjëra që vihen re

ndër popuj të huaj,

të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën

e të bëjnë jo të harrosh Shqipërinë,

por të mos të vejë tek ajo aq dendur mendja.

Më tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime,

gazi shuhet pak nga pak.

S’di ç’të mungon, s’di se ç’të duhet.

Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën e,

pikë së pari herë-herë,

pastaj më dendur

e më në fund shpesh

e pothuaj kurdo e kudo,

kujtimi i prindërve,

i miqve e shokëve,

kujtimi i dheut ku u lindëm e u rritëm,

ku qamë foshnja

e ku lozëm djelm,

kujtimi i atyre maleve larg të cilëve

nuk rron dot mirë një shqiptar,

kujtimi i kombit që,

me gjithë ca të liga që ka,

është kombi ynë,

e më tepër kujtimi e dëshira

e etja e gjuhës sonë

ta shtrëngojnë e ta dërrmojnë

me të vërtetë zemrën.

Ah, malli i Shqipërisë,

malli i atdheut të dashur,

i shenjtë mall e dashuri e shenjtë,

kush është ai shqiptar

që s’e ka pasur në dhe të huaj!

Duhet të jesh jashtë Shqipërisë

e të jesh larg për të kuptuar

se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël

ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri!

Ajo më e zbrazura letër,

ajo fjala më e vogël,

na sjell, kur vjen nga Shqipëria,

një gaz të parrëfyeshëm,

se na sjell si një copë të atdheut…

Rreth Shqipëria e Bashkuar

Check Also

Akademiku francez: Shqiptarët, një prej kombeve më të vjetra të botës

Shqiptarët, një prej kombeve më të vjetër të botës. Në këtë përfundim ka dalë akademiku …