Kryefaqja / HISTORI / ISA BOLETINI – SULLTANIT ABDUL HAMID (1903) : « UN S’KUPTOJ HALDUPISHTE ! » DHE NJË MESAZH PËR RUSËT

ISA BOLETINI – SULLTANIT ABDUL HAMID (1903) : « UN S’KUPTOJ HALDUPISHTE ! » DHE NJË MESAZH PËR RUSËT

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Mars 2017

Shkrim në vijim, i 15 prillit 1903, botuar në gjuhën frënge nga gazeta armene, « Pro Armenia », ilustron bisedën mes patriotit shqiptar, Isa Boletini, dhe, sulltanit turk, Abdul Hamid.
Ky shkëmbim është marrë asokohe në gazetën shqiptare, « L’Albanie », me vendodhje në Gjenevë (Zvicërr). Kjo e fundit e ka siguruar atë nëpërmjet korrespondentit të saj në Turqi.
Biseda vë në dukje atdhedashurinë e Isa Boletinit, si dhe vizionin e tij ndaj influencës ruse në Ballkan. Edhe sot e kësaj dite, fjalët e patriotit shqiptar për rusët janë mëse aktuale.
Ja biseda në vijim :
Abdul Hamid : Mirësevini Isa Beu.
Isa Beu : Unë s’kuptoj haldupishte ! (Unë s’kuptoj turqisht).
Abdul Hamid (i drejtohet eunukut të tij) : Sill Tahir pashën (ky është një shqiptar shumë injorant, besnik i tiranit, drejtues i garnizonit shqiptar në pallat).
Tahir pasha hyn.
Abdul Hamid : Tahir pasha, uroni Isa beut mirëseardhjen nga ana ime.
Tahir pasha : Isa beu, Lart Madhnia e Tij thotë mirëserdhe.
Abdul Hamid : Tahir pasha pyesni Isa beun përse ai është kundra kaurëve (shprehje me të cilin turqit quanin me përbuzje ata që nuk ishin të fesë myslimane, pra një fyerje e Sulltanit ndaj të krishterëve).
Isa Beu : Tahir pasha, i thoni Madhërisë së Tij se nuk e kuptoj fare këtë fjalë « kaur » ; unë kuptoj fjalët mysliman dhe katolik.
Abdul Hamid : Kaur do të thotë armik i fesë sonë ; të gjithë të krishterët janë armiqtë tanë.
Isa Beu : Ne, ne jemi shqiptarët, ne kemi një atdhe ku populli shqiptar përbëhet nga tri fe. Pra, si mundet që shqiptarët katolikë të jenë armiqtë tanë ? Gjatë luftës dhe pas luftës ruso – turke, shqiptarët, pa dallim feje, morën armët kundra armiqve. Ne kemi luftuar së bashku me njëri – tjetrin kundër të gjithëve.
Abdul Hamid : Le ta mbyllim këtë diskutim të pavlerë. Përse Isa bej nuk e dëshiron konsullin rus të vendoset në Mitrovicë ?
Isa Beu : Çështja e konsullit rus është një çështje tërësisht politike. Ne, shqiptarët, nuk duam të kemi në zemër të atdheut shqiptar një fole sllave, aty ku nuk ekziston qoftë edhe një rus. Vendosja e konsullatës ruse në Shqipërinë veriore, si në rastin e Mitrovicës do të shkaktojë me kalimin e kohës trazira të mëdha mes shqiptarëve të krishterë dhe myslimanë. Rusia dëshiron të shkaktojë gjithmonë trazira në Ballkan, dhe jo të kontribuojë për paqen. Në qoftë se Madhëria e Tij dëshiron të na trembë me kozakët e rusisë, të cilët thuhet së do të vijnë me konsullin në Mitrovicë, shqiptarët do t’i shporrin me qëllim për të mbrojtur të drejtat e tyre kombëtare.
Abdul Hamid : Kjo nuk është e vërtetë. Ju lutem, Isa bej, të paktën, lëreni konsullin të vijë i vetëm, që të mos kemi probleme me moskovitët (term ofendues në turqisht ndaj rusëve).
Isa Beu : Ne e pranojmë konsullin me qëllim për të përmbushur dëshirën e sovranit tonë (komunikim diplomatik) ; por ne nuk duam të shohim tek ne kozakët ; rojet e konsullatës do të jenë bashkatdhetarët tanë.
Abdul Hamid : Shumë mirë, shumë mirë, shumë mirë ! Ne do t’i shkruajmë menjëherë ambasadorit rus. Unë jam shumë i kënaqur prej jush. A dëshironi që të ju bëj pasha në pallatin tim, pranë meje ? Do të keni të holla, shërbëtorë, etj.
Isa Beu : Jo Madhëri. Unë preferoj të qëndroj pranë fëmijëve, prindërve dhe bashkombasve të mi, duke punuar me ndërshmëri në vendin tim për të siguruar jetesën e familjes sime. Ju falenderoj për bujarinë ndaj shërbëtorit tuaj (Dihet shkëmbim diplomatik).
Abdul Hamid : Ju lutem edhe një herë, Isa Beu, mos krijoni trazira dhe demostrata kundër rusëve. Udhë e mbarë, Isa Beu. Përshëndetni nga ana ime të gjithë shqiptarët e mi që i dua shumë ?!!!
Isa Beu, pas një nderimi mjaft urryes, largohet nga pallati.
 

Nga Aurenc Bebja, Francë

 © Dars (Klos), Mat – Albania

Burimi: https://www.darsiani.com/la-gazette/isa-boletini-sulltanit-abdul-hamid-1903-un-s-kuptoj-haldupishte-dhe-nje-mesazh-per-ruset/

Rreth Shqipëria e Bashkuar.AL

Check Also

Në 93 vjetorin e Epopesë së Arbërisë së Vogël

                              …