Kryefaqja / OPINION / Kristofor Kisi, ky Kryepeshkop i harruar dhe misteri i vdekjes së kimistit të shquar.

Kristofor Kisi, ky Kryepeshkop i harruar dhe misteri i vdekjes së kimistit të shquar.

Nga Ylli Pata
Një ditë jo të zakontë qershori, një person i dërguar në Tiranë nga Fan Noli(është ende mister mbi identitetin e tij) ndodhej në hotel “Dajti”. Kishte lënë orar në pasdite për të takuar ish-Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Kristofor Kisin. Në Kishën e Shën Prokopit, pranë Universitetit të Tiranës më vonë, ku ndodhej dhe laboratori i Kimisë i ndërtuar me paratë e Atë Kisit, një shkencëtar nga më të mirët në këtë fushë.
Ishte viti 1958. i dërguari, nuk dihet pse shkoi vonë, shumë vonë.
Imzot Kisi u gjet i vdekur buzë muzgut në rrethana të çuditshme. Siç duket ishte sajuar një grabitje dhe kishte humbur skeptri dhe nishanet e tjera liturgjike që natyrisht kishin vlerë monetare. Por Kristofor Kisi, shkon në spital ende gjallë. Dhe një njeri shumë i afërt i tij, ka dëshmuar më pas se ai është lënë duke vdekur. Një vaskë e madhe e laboratorit kishte shenja acidi dhe lëndësh toksike. Kurrë nuk u hodh dritë mbi shkakun e vdekjes dhe pasardhësit e Kristofor Kisit e kanë ngulitur në mëndje prej vitesh që njeriu i tyre u vra nga regjimi. Shkaku? Ndoshta nuk është një. Por flitet për një letërkëmbim mes Atë Kisit dhe Fan Nolit, të cilit jo një herë iu bë thirrje nga regjimi komunist që të rikthehej në atdhe. Ka shumë të dhëna se ka pasur një letërkëmbim mes dy miqve të ngushtë. “Atë Kristofor, çfarë të bëj të vij?”, mësohet se i shkruante Noli, Kisit dhe ka marrë përgjigjen: “Bëj atë që ke bërë deri tani”. Kjo fjali ka qenë fatale siç duket për shkencëtarin që drejtonte Kishën Ortodokse Shqiptare. Njeriun që autoqefalinë e kishte jo vetëm projekt(ishte kryepeshkopi që mori dekretin e Patriakanës për Autoqefalinë), por edhe synim për të cilin loboi punoi dhe në fund dha jetën e tij.
Hirësia e tij, Kristofor Kisi, bëri edhe tratativa me Vatikanin për të krijuar një presion balancues ndaj shtysës që vinte nga Patriakana që të pastronte Kishën Ortodokse Shqiptare nga rryma e Fan Nolit dhe Visarion Xhuvanit.
Kisi, edhe pse erdhi në krye si një kompromis, kurrë nuk i ndau kontaktet me dy paraardhësit e tij që i kishte jo vetëm miq, por edhe këshilltarë të ngushtë.
Në kohën që Italia pushtoi Shqipërinë, Atë Kisi, loboi të bënte fakt të kryer atë që ndodh edhe sot me arbëreshët e Kalabrisë dhe Siçilisë, pra një rit bizantin ortodoks i riteve fetare, por një lidhje vertikale me Vatikanin, çka konsiderohej si më mirë se me Patriakanën.
Ndoshta e kishte mirë, ndoshta e kishte gabim. Por pas këtij veprimi, shkencëtari nga Berati u sulmua nga pushtetet më okulte që e rrethonin. Që në fund pati një vdekje të tmerrshme dhe një persekutim për të gjithë pasardhësit e tij. Por ama, përveç historisë së tij, ai la një trashëgimi të paçmuar, laboratorin dhe biblotekën e tij super të pasur që u bënë dhe themeli i Fakultetit të Shkencave të Natyrës së Universitetit të Tiranës. Por kjo kurrë nuk u tha, as edhe një sallë nuk e mori emrin e profesor Kristofor Kisit.
Ndërkohë, askush, në radhë të parë Kisha Ortodokse e Shqipërisë nuk e kujton këtë drejtues të saj. Më pas historiografia shqiptare, që nuk ka hedhur fare dritë mbi hijen e madhe që rëndon mbi këtë figurë jo vetëm të fesë, por edhe të shkencës dhe kulturës shqiptare.
Kryehirësia e tij, Imzot Kristofor Kisi, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, lindi në vitin 1890 në lagjen Kala të Beratit. i prirë për jetën shpirtërore, iu kushtua studimeve fetare. Ato i kurorëzoi me mbarimin e shkollës së lartë Theologjike të Halkit (Hejbeli) të Stambollit, më 1908.
Pas mbarimit të studimeve u emërua profesor në gjimnazin e Jovan Bangës, në qytetin e Korçës. Para Luftës Ballkanike, Kryepiskop Kissi u kthye në Stamboll dhe në vitin 1916 u hirotonis episkop dhe u emërua në selinë episkopale të Makriqojt të Konstandinopojës, duke qëndruar aty deri në vitin 1923. Atë vit u dërgua në Stamboll një komision i posaçëm nga qeveria shqiptare, me autorizimin që të zhvillonte negociata me Patrikanën Ekumenike rreth Autoqefalisë, të cilat dështuan. Pas dështimit të qëllimeve të këtij komisioni, për t’i dhënë fuqi dialogut dhe mbështetje kanonike këtyre përpjekjeve ndërhyri Patrikana Ekumenike duke dërguar një episkop erudit dhe me autoritet, si Imzot Kristofor Kissi. Ai la Stambollin dhe erdhi në Shqipëri dhe po këtë vit (1923) u emërua Episkop i Beratit.
Së bashku me episkop Jerotheun, me origjinë nga Përmeti, i dërguar edhe ky më parë si Eksark nga Patrikana Ekumenike, më 21 nëntor 1923 hirotonisën në episkop atë Fan Nolin, në kishën e Shën Gjergjit në Korçë.
Në vitin 1929 tërhiqet në manastir, për të mos marrë pjesë në veprimet anti kanonike që po kryheshin. Pas dorëheqjes së Imzot Visarion Xhuvanit, më 29 maj 1936, Imzot Kristofori pranon të vihet në krye të atyre që donin që Autoqefalia e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë të njihej kanonikisht.
Më 12 prill 1937, Sinodi i Shenjtë i Patrikanës dekretonte njohjen e Kishës Autoqefale dhe po atë ditë, Tomosi Patriarkal i dorëzohej Imzot Kristofor Kissit. (Më 16 prill edhe Imzot Visarion Xhuvani kërkoi dhe mori faljen e Patrikanës dhe u tërhoq në Manastirin e Shën Joan Vladimirit).
Për shumë vjet në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Kristofori dha një kontribut tepër të madh për ruajtjen dhe zhvillimin e Orthodhoksisë në vendin tonë. Kështu, në vitin 1942 Kryepiskop Kristofor Kisi u thirr në Luogotenencë nga mëkëmbësi i ish-mbretit Viktor Emanuel i III, Jakomoni. Ai i bëri presion që në vendet episkopale, deri atëherë vakante, të emëroheshin në krye të hierarkisë orthodhokse të Shqipërisë episkopë unitë nga Kalabria, të cilët vareshin nga Papa, në përpjekje për ta kthyer gjithë Kishën tonë në unite. Këtë propozim Kryepiskopi Kristofor Kissi nuk e pranoi dhe thirri menjëherë teologun Ilia Banushi, që kishte mbaruar studimet teologjike në Beograd, i cili pranoi të hirotoniset, duke marrë emrin Irine dhe titullin Episkop i Apollonisë. Hirotonisja e tij Episkop u bë në manastirin e Shën Naunit në rrethin e Pogradecit, i cili në atë kohë ishte nën administrimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në hirotonisjen e tij morën pjesë Episkopi i Korçës Agathangjel dhe Mitrofor Atë Vasil Marku. Kështu shmangu një rrezik të madh për Kishën tonë, që donte t’ia impononte pushtuesi. Menjëherë pas çlirimit të vendit, regjimi komunist e mënjanoi Kryepiskop Kristofor Kissin nga Kryetar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sepse nuk mund ta toleronte autoritetin e tij në Komunitetin Orthodhoks dhe e izoloi në kishën e Shën Prokopit, ku qëndroi deri sa ndërroi jetë më, 17 qershor 1958, në rrethana të dyshimta.

Rreth Shqipëria e Bashkuar

Check Also

Pas 73 vitesh ringrihet flamuri shqiptar në Çamëri

Pas shumë vitesh është ringritur në Çamëri flamuri shqiptar. Në një vend ku shqiptarëve u …