Kryefaqja / KULTURË / Thënie të Faik Konicës për Shqipërinë dhe shqiptarët

Thënie të Faik Konicës për Shqipërinë dhe shqiptarët

Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri!
Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).
Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).
Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).
Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).
Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).
Faik Konica 2
Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).
Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).
Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).
Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).
Për një vend si Shqipëria, rrethuar nga armiq, një luftë civile e zgjatur mund të jetë shumë e rrezikshme. (Vepra 3, f. 347).
Zjarri në vatër është aq i shenjtë, sa një nga betimet më të zakonshme ndër shqiptarët është: për këtë zjarr. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri,f. 391).
Shqiptari ka në shpirt të tij një frymë arti të vërtetë. Kjo frymë shfaqet në ngjyrat që ky popull ka zgjedhur për të veshurit e tij dhe për të zbukuruar shtëpitë ku rron. Këto ngjyra janë e zeza dhe e bardha. Oscar Wilde gjykon se bashkimi i ngjyrës së bardhë me të zezën është një shenjë shijeje fisnike. (Vepra 2, f. 68).
Kombi [iliro-shqiptar] i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat. (Vepra 2, f. 70).
Levantinët janë një sëmundje, një koqe me qelb, që ka dalë në cipën e Shqipërisë. Mund të thuhet pa frikë gabimi se ideali që ata përpiqen të arrijnë është ideali i berberëve të Stambollit. (Vepra 2, f. 71).
Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur: të këqyrur nga të huajt si një popull i rëndë, i ashpër, por fisnik, për të cilin një anglez ka thënë se është një popull plot “tragic dignity”, shqiptarët sot janë bërë qeshja e botës:. Pyetja është: Kush e ka fajin që zbritëm nga tragjedia në operetë?
Pas mendjes sime, fajin më të madh e kanë levantinët. (Vepra 2, f 78).
Faik Konica 3
Ç’ka Italia që vlen të merret? Makaronat dhe kamorren, hiçgjë tjetër. Për makaronat, s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; kamorren e kemi marrë dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë. (Vepra 2, f. 111).
Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje. Do të kërkonte shumë kohë të shpjegohej përse Shqipëria nuk e ka fituar lirinë më herët. Akte të trimërisë e të devotshmërisë, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund ta bënin të dukej i rremë pretendimi im për mungesën e idealizmit. Por besnikëria e verbër ndaj traditave të ngulitura dhe kanuni qibar për nderin janë pothuaj akte mekanike, që nuk nënkuptojnë se dikush e rrezikon jetën për një ideal të zgjedhur lirisht. (Vepra 2, 237).
Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare. (Vepra 2, f. 241).
Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdo qoftë në kundërshtim me vullnetin e vet. (Vepra 2, f. 279).
Kemi këtu një fytyrë fare të jashtëzakonshme: Ahmed beu më duket i shënuar nga Fati që të lozë rolin më të madh në histori të Shqipërisë. Ai djalë i ri, në mes të zjarrit e të luftës, e të tradhtive, e të rreziqeve pa numër, arrin në pak vjet e sipër ta bashkojë Shqipërinë, ta vërë nën fuqinë rregullonjëse të Kanunit, të shtrëngojë tërë armët e të zërë parmendën, dhe sot i ri, rri në Fronin e Skënderbeut. (Vepra 2, f 40).
E përbuz mbretin Zog për këto arsye: asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë, ose qoftë edhe patriotizëm të pagdhendur, por të ndershëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep një rëndësi groteske çikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si komb me njëfarë dinjiteti tragjik; ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”. (Vepra 2, f 325).
Faik Konica 4
Ahmed Zogolli, malok analfabet, pa ndonjë frymë idealizme, kish zgjedhur për pasqyrë dhe shembull të tij Esad Pashën, të cilin e imitonte jo vetëm në intrigat e jashtme e të brendshme, por gjer në mënyrën e ecjes dhe të foljes. E imitonte veçan në punën e ryshfeteve. Dhe siç Esadi, në një kohë, merrte nga Italia, nga Serbia dhe nga Greqia, – ashtu dhe Ahmed Zogolli u përpoq të marrë nga tri ato mbretëri përnjëherësh. (Vepra 3, f. 312).

Check Also

DERI DJE SYNOHEJ PËR MBROJTJEN E TËRËSISË SË TOKAVE SHQIPTARE, SOT DUHET TË SYNOHET BASHKIMI I POPULLIT TË NDARË

Isuf B.Bajrami Po jetojmë në një kohë historike kur vendoset për fatin e këtij trolli, …

Leave a Reply