Kryefaqja / KULTURË / Vetmia

Vetmia

RESHAT BADALLAJ-ZHURIANI

 

Në majë të bjeshkës ku toka është më afër qiellit

E yjet duken sikur i prekë me dorë

Atje jam shtrirë, në barin e pashkelur dhe shikoj.

Shikoj hënën e verdhë e të lodhur.

Atje mendoj të prehem një ditë.

Varri im nën hijen e një peme ku bilbili të këndoj

Këngën e shkruar ; epitaf mbi gurin pa emër:

« Këtij shtegtari të degdisur i këndoj;

I këndoj natyrës, kombit, flamurit.

I këndoj të parëve; etërve në lashtësi. »

Qielli do derdh shi atje, do t´i lag degët 

E do ngrijnë pemët në Veri.

E dielli do pyes; “Në ç’vend e paska bërë varrin ky i humbur ?I”.

Atje, ku gjethet jeshile nuk vdesin në dimer dhe as në verë…

 

I ulur me kokë në libër

lexoj poetët dhe shkrimtarët e Rilindjes, 

shikoj yjet në qiellin e kthjellët si

uji bilur dhe flas me ta.

Nuk dua të dëgjoj të lehurat e qenve me dy këmbë

që i ndjekin bishtdredhurat nëpër shtëpi publike!!!

Dua të jem i vetëm,i shtrirë në blerina të bjeshkëve të thella,

të dëgjoj zërin e bilbilave, të ndiej aromën e luleve

në Pranverë.

Vetem hënën ta kem dëshmitar të përvuajtjes sime

Deshmitare për çka kam parë në këtë jetë.

Buzëqeshjen ma ndali djali, nëna e motra,

Kur korbi i vdekjes hyri brenda…

E unë këngën e trishtimit dua të këndoj

Vetëm, në vetmi nën hënë

E ti thyej telat e lahutës

 

Nuk dua të sillen rrotull meje lakejte,hijenat,çakejt…

Lugetërit nuk i duroj dot,

Ata të sillen varreve dhe të plaçkisin

Ata të vdekurit nëpër varre të qetë nuk i lënë.

Patërdi bëjnë nën çatire, duke përplasur kusi e tepsia.

Nuk i dua keta shpirtkatila!

Ndaj, dua të jem vetëm. 

Në shpirt e dua vetem një yll të Jugut,

Eh, nuk e di pse?

Herë del në qiellin e hapur, e herë humbet

nga retë e dendura të Çamërisë!!!

Atje më pushoft shpirti një ditë,

Në prehrin e saj të më bëjë lisi hijë…

Me rrënjët e lëshuara thellë.

 

 

Reshat Badallaj,fror 2017

Rreth Shqipëria e Bashkuar

Check Also

18 SUGJERIME, AFORIZMA DHE MAKSIMA

Zeqir DURAKU 1. E VËRTETA e ka vlerën e pakrahasueshme vetëm sepse AJO nuk është …