Kryefaqja / OPINION / Vija imagjinare e Epirit të Veriut, vijë gjaku, dhe rrafshimi të vendbanimeve shqiptare

Vija imagjinare e Epirit të Veriut, vijë gjaku, dhe rrafshimi të vendbanimeve shqiptare

Krahasim i dy hartave franceze ilustron shumë thjesht pretendimin genocidal grek mbi Shqipërinë e Jugut
Nga Mentor Nazarko 

    

Konica.al. Harta e vitit 1913, e shkallës 1:400.000, që gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Francës, është ilustrim i jashtëzakonshëm i një çështje të debatueshme në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe në ditët tona. Nëse dje ne e botuam në rubrikën Retro, një rubrikë e cila synon të riaktualizojë tema, personazhe, ngjarje të së shkuarës së afërt dhe të largët, sot ne duam ta komentojmë në rubrikën aktuale të komenteve.
Arsyeja është e thjeshtë. Harta e vjetër e 1913, e Ushtrisë franceze ilustron më së miri spastrimet etnike dhe genocidet e kryera në Ballkan gjatë gjithë shekullit të 20-të. Grabitje, djegie, vrasje masive, rrafshim të shumë fshatrave dhe vendbanimeve. Pastaj në ato zona të rrafshuara pretendohej territor mbi bazën e elementëve historikë, kulturorë dhe etnikë që krijoheshin me art. Kështu ka ndodhur në Çamëri, Greqinë e Veriut, Bosnjë, Kosovë. Kështu ndodhi dhe në Shqipërinë e Jugut.
Dhe sot, qarqe të caktuara greke, individë të caktuar të minoritetit grek e pretendojnë Shqipërinë e jugut, duke u mbështetur gjoja mbi një marrëveshje a protokoll të Korfuzit firmosur nga një gjoja qeveri shqiptare e vitit 1914 dhe e garantuar nga Fuqitë e Mëdha. Sipas këtyre pretendimeve u fiksua madje dhe njëlloj vije kufitare që ndante të ashtuquajturën krahinë autonome të Epirit të Veriut me pjesën tjetër të Shqipërisë. Kjo vijë njihet si Vija e Firences. Pra pretenduesit e konsiderojnë si në përputhje me të drejtën ndërkombëtare kërkesën e tyre për Shqipërinë e Jugut, temë të cilën e kemi trajtuar gjatë disa ditëve. Shikoni një hartë tjetër që i referohet të ashtuquajturit Epir të Veriut, hartë e vitit 1914. Këtu do e gjeni të ashtuquajturën Vijë të Firences.
Harta në fjalë, harta e vitit 1913 që ne botuam dje, titullohej : Epiri i Veriut, shkatërrimet në zonat e banuara nga grekët : Shqipëria e Jugut.
Si mund të kuptohet, këto shkatërrime, këto masakra ishin të përmasave kaq të mëdha sa meritonin harta të mirëfillta ushtarake. Pavarësisht se harta e vitit 1913 flet për shkatërrime shtëpish, djegie, afërmendsh shkatërruesit e shtëpive, djegësit e tyre, nuk kanë përdorur dorashka për banuesit e tyre.
Por nuk po shkojmë tek burime të tjera për të provuar masakrën.
Thjesht po bëjmë një përputhje hartash franceze të kohës, për të kuptuar më shumë.
Pra një vit më vonë, vija që lidh djegiet dhe shkatërrimet në hartën e 1913, shndërrohet në vijë ndarëse etnike në 1914.
E kjo vijë, Vija e Firences, si kuptohet nga harta që ne botuam dje, u përcaktua me gjak.
Në fakt për të kuptuar më mirë, krahasojini të dy hartat. Dhe kuptohet fare qartë se vija kufitare e Epirit të Veriut është përcaktuar nga masakrat. Ngjyra e kuqe ilustruese e djegieve dhe plaçkitjeve përputhet me vijën e Firences.
Dhe ka diçka tjetër shumë të rëndësishme, që ngjan si lapsus legjendash për hartat e ushtrisë franceze, si njëlloj shastisje ushtarakësh që kanë bërë hartat në fjalë.
Nëse këto zona ishin të banuara nga grekët, si pretendon harta e 1913:
Kush i vrau dhe masakroi grekët? Shqiptarët? Nuk njihet ndonjë masakër shqiptare mbi grekët në territorin tonë!
Grekët? Po pse do të masakronin grekët njeri tjetrin, nëse Epiri i Veriut ishte i banuar nga grekë?
Përgjigja është shumë e thjeshtë: Grekët spastruan shqiptarët për të përfituar territorin mbi të cilin nuk kishin kurrfarë të drejte historike, etnike, apo fetare.

Rreth Shqipëria e Bashkuar

Check Also

Pas 73 vitesh ringrihet flamuri shqiptar në Çamëri

Pas shumë vitesh është ringritur në Çamëri flamuri shqiptar. Në një vend ku shqiptarëve u …