Kryefaqja / KULTURË / AZEM DELIU – LETËR BABAIT

AZEM DELIU – LETËR BABAIT

I dashur baba,

…ndoshta nuk do të të shkruaja po të mos e dija këtë të vërtetë që ti s’e di, ose pse s’ke mundur, ose pse s’ke dashur ta dish. Sot u martua motra ime, bija jote, bija e huaj. Shkoi pa marrë trashëgëmi atje ku s’do të marrë pasuri. U lëndova, prandaj po të shkruaj. Dua të të kujtoj jetën e saj këtu ty që, ose nuk di ose nuk do ta kujtosh.

Lindi në një natë të ftohtë dimri, në një familje të ftohtë nga trishtimi dhe mbi të gjitha, nga një nënë që ndjente faj: kishte lindur vajzë, nuk guxonte të gëzohej.

Mua që isha djalë m’u drejtuan me shakanë e hidhur ”Gëzohu, s’të merr pasuri!”. Sepse djemve iu takonte pasuria, ndërsa vajzat i takonin pasurisë.

Unë ndërkaq linda në një natë të ngrohtë vere, në një familje të ngrohtë nga gëzimi, nga një nënë që ndjente krenari: kishte lindur djalë, nuk guxonte të mos gëzohej.

Më ke thënë që në lindjen time ke shtënë tri herë me pushkë. M’u kujtua tani, ngaqë në martesën e saj, ia vendose plumbin në pajë. Dhuratë për burrin.

Ngaqë djemve iu takonin plumbat, vajzat iu takonin plumbave. 

Nesër, kur ajo të rrihet nga burri i saj, ti nuk do t’i hidhërohesh atij, por asaj. ”Dajaku prej xheneti u dal” do të të përqeshin njerëzit. Ti do të ulësh kokën sepse turpi është te e dhunuara, jo te dhunuesi. Sepse ”e ka lyp”.

Sepse djemve iu takon e drejta për të rrahur, ndërsa vajzat i takojnë rrahjes.

I dashur baba, letra që po të lë është pasojë e faktit që nuk të flas dot drejt për këto gjëra. ”Cenoj nderin” dhe ty të formohet në sy ajo nervozë që s’ta duroj dot. 

Ne s’mund të diskutojmë për këtë krim, sepse diskutimi është për njerëzit e qetë, ndërkaq këtu, qetësia është krimi më i madh.

Shpresoj që kjo letër të të bindë të mos bësh ç’është e lehtë, por ç’është e drejtë. Dhe këtë, ti ose nuk di, ose nuk do ta dish.

Me dashuri,

Biri yt.

Rreth Shqipëria e Bashkuar

Check Also

Gjergj Fishta: Do ti shkrijmë kryqet tona dhe ti bajmë fishekë, ti mbrojmë vëllezërit muslimanë shqiptarë

Ishte koha kur Shqipëria po copëtohej në baza fetare! 100+ vjet më parë.At Gjergj Fishta …