Kryefaqja / INTERVISTA / Zaev: Gjuha shqipe do të flitet në Maqedoni, e garanton Kushtetuta

Zaev: Gjuha shqipe do të flitet në Maqedoni, e garanton Kushtetuta

Zaev: Gjuha shqipe do të flitet në Maqedoni, e garanton Kushtetuta
 Zaev: Gjuha shqipe do të flitet në Maqedoni, e garanton Kushtetuta

Publikuar: 16:17, 7 Maj, 2017

Qeveri të re do të ketë deri në fund të muajit, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili pret t’ia ndajë mandatin presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov për të formuar Qeverinë e Maqedonisë.
Zaev zotohet se Qeveria e re do të angazhohet për zbardhjen e plotë të ngjarjeve të Kumanovës, rastin Monstra, Brodecin etj, ku, siç thotë, në hetimin e këtyre rasteve do të përfshihet dhe faktori ndërkombëtar.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Zaev, jeni në pritje të marrjes së mandatit për të formuar Qeverinë e re të Maqedonisë. Cilët do të jenë hapat tuaj të parë si kryeministër dhe detyrimet apo prioritetet që do t`i vendosni?
Zoran Zaev: Interesi i qytetarëve, kuptohet. Ne paralajmëruam masa shumë të rëndësishme, disa prej të cilave, madje, janë të lidhura me afat. Shumë prindër, shumë mësimdhënës, shumë fëmijë, presin që ta ndërpresim testimin ekstern, për shkak se testimi është në fund të muajit maj, apo në fillim të qershorit, që ta kenë të qartë, për shkak se besoj që ndikon edhe nga aspekti psikologjik, edhe në tërë procesin arsimor në mbyllje të vitit shkollor.
Këtu është edhe ndërprerja e taksës radiodifuzive, kthimi i tarifës së lirë; nxjerrja e menjëhershme e Ligjit për media është shumë me rëndësi; masa të caktuara sociale, të cilat i premtuam e të cilat janë të mundshme pa kurrfarë ndryshimi në buxhet që të realizohen si zgjidhje ligjore; shumë zgjidhje të këtilla janë të përgatitura, ndërsa unë besoj se në fillim të qershorit, në fund të majit, do të merren vendimet e para.
Gjithsesi, një nga zgjidhjet e para ligjore, që duhet sjellë në Parlament është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, për shkak të prolongimit të zgjedhjeve lokale, besoj për në vjeshtë, por këtë e planifikojmë në pajtim me të gjitha partitë parlamentare.
Radio Evropa e Lirë: Nuk përmendni çështje që janë me interes për shqiptarët siç është zbardhja e ngjarjeve në Kumanovë, apo rastin Monstra… paralelisht do të punoni në këtë drejtim? Mund t’ua premtoni këtë qytetarëve?
Zoran Zaev: Unë premtova zgjidhje të shpejtë me përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në hetime të ngjarjeve të Kumanovës, Monstrën, Brodecin, rastin e Nikolla Mlladenovit, atë të Martin Neshkovskit dhe disa raste të tjera. Pse? Sepse nevoja për të vërtetën dhe drejtësinë, paraqet vërtetim për atë se jemi apo nuk jemi shtet.
Nëse mbetemi pa iu përgjigjur këtyre çështjeve, ato mbeten tabu në shoqërinë tonë, në atë rast në esencë ne konfirmojmë se nuk jemi shtet normal. Qytetarët kanë nevoja të ndryshme, familjet duan të dinë të vërtetën, familjarët e të vrarëve po edhe familjarët e të burgosurve, por e di se edhe familjet e përgjegjësve, etnitetet nuk duan të kenë mbi vete ndjesinë e keqe.
Të shumënduarshme janë nevojat rreh këtyre çështjeve. Prandaj, shteti i së drejtës duhet të garantojë pavarësinë gjatë vendimeve (gjyqësore), por edhe të vërtetën e përgjithshme për qytetarët. Vetëm në atë mënyrë do të përçojmë porosi për një pajtim të plotë, barazi dhe bashkarish të angazhohemi për perspektivat e këtij vendi të përbashkët, Republikën e Maqedonisë.
Radio Evropa e Lirë: Kur mund të pritet një zbardhje e tërësishme e këtyre rasteve, që prekin interesat e qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë?
Zoran Zaev: Paralelisht, do të angazhohemi për të gjitha këto çështje? Pse? Sepse duhet të mundësojmë të sundojë shteti i së drejtës. Ashtu siç do të kthehet shteti i së drejtës, Maqedonia e ka patjetër të ecë rrugës së integrimeve në BE dhe NATO. Por, njëkohësisht duhet të angazhohemi dhe në realizimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Radio Evropa e Lirë: Skenat e përgjakshme nga e enjtja e kaluar, sollën shqetësim te qytetarët. Pas këtyre ngjarjeve, nëse bëheni kryeministër, si do të jeni për të gjithë qytetarët? A është i mundur pajtimi në shoqëri?
Zoran Zaev: Gjithsesi se duhet të ndodhë pajtimi politik, pajtimi nacional, pajtimi ndëretnik, pajtim partiak, si të doni kuptojeni. Përmbi kokë na kanë dalë ndarjet e përçarjet. Shumë gjak i keq u lëshua në mesin e popullit tonë dhe nuk mund të presim perspektivë dhe të ardhme të mirë për Maqedoninë nëse kjo mbetet kështu.
Unë jam i krishterë ortodoks, besimtar dhe, ja, kështu do ta them – falja më e madhe në fenë time, e besoj se kjo kështu është edhe te feja islame, edhe tek ajo katolike, edhe te të gjitha fetë, është që t’ia falësh armikut. Ne kundërshtar kemi kundërshtarin politik, të tjerë nuk kemi. Kjo do të thotë se, absolutisht, secili do të shkojë në gjykatë dhe secili do të bartë përgjegjësi. Por, duhet mes nesh ta përcjellim porosinë e faljes, nëse duam të bashkëpunojmë.
Unë jam i vetëdijshëm se mandati im, duke e udhëhequr Qeverinë e re të Maqedonisë, do të jetë i suksesshëm nëse nuk lejoj që asnjëri të ketë shkak për bllokada të reja, për antagonizma të rinj. Sinqerisht, çdoherë përcjell porosi se do të na nevojitet bashkëpunim me opozitën – ne në shtëpi mund t’i duam fëmijët dhe familjen, por duhet të bashkëpunojmë për reformat, për jetën dhe bashkëjetesën, për shkak të qytetarëve, për shkak të Maqedonisë tonë të përbashkët.
Shpresoj për reforma në VMRO-DPMNE, për shkak se i tërë ky krim që ka dalë në pah dhe të cilin e panë qytetarët e Maqedonisë, është krim i dëshmuar – gjithçka çka ndodhi është me paramendim – për shkak se i nevojitet opozitë e fuqishme pushtetit të ri.
Jemi të bindur se vetëm nëpërmjet opozitës së fortë, pushteti i ri do të jetë i përgjegjshëm, llogaridhënës, transparent dhe krejtësisht i orientuar kah interesi i qytetarëve. Në rrethana të tilla, pajtimi është i domosdoshëm. Unë jam i gatshëm që t’ia zgjas dorën secilit, të ecim bashkë, të përbashkuar, se kështu do të na respektojnë edhe fqinjët, kështu do të na respektojë edhe bota.
Radio Evropa e Lirë: Kërkohen ndryshime drastike në institucione, për shkak se vlerësohet se ato janë të partizuara, por, nga ana tjetër, shumica kanë frikë nga ‘pastrimet’. Si do të silleni si pushtet?
Zoran Zaev: Kjo do të jetë një nga çështjet më të rënda, para së gjithash flas nga aspekti ekonomik. Edhe ashtu është rëndë, familjet… trokasin përmbarues, bankat paraqiten për çdo ditë, çdo kund…
Vallë, a është e logjikshme dhe etike të pushojmë nga puna njerëz? Nuk do të pushojmë njerëz nga puna! Me atë që kemi si kapacitet, do të përpiqemi që financiarisht t’i menaxhojmë gjërat, por absolutisht do të udhëhiqemi nga profesionalizmi – vendin e punës do ta humbë ndokush vetëm nëse nuk e kryen punën në mënyrë profesionale –nuk më intereson se cilës parti politike i takon.
Partia ime politike dhe unë, si individ, kemi për qëllim që të bartim përgjegjësi para qytetarëve dhe kjo do të jetë e mundur vetëm nëpërmjet profesionalizmit, kryerjes së autorizimeve publike në mënyrë serioze dhe të ndershme, apo të punës së zyrtarëve publik në administratën publike. Ndonjëherë ndoshta do të ndodhë zvogëlimi i administratës publike, por kjo do të jetë e mundur vetëm atëherë kur do të forcohet sektori privat. Ndoshta do ta absorbojë atë pjesë, të ofrojë rroga më të larta, motivim më të madh për përparim në jetë dhe karrierë, e të ngjashme. Kjo pres të ndodhë vetëm nëpërmjet rrugës natyrore.
Por, njëkohësisht, kjo është e mundur nëse shteti, atë që e ka si kapacitet, e angazhon. Kjo është ajo që shoh vazhdimisht si ekonomist – 400 milionë eurot që vidhen për çdo vit në Maqedoni, nëse drejtohen në mënyrë kualitative për mbështetje të biznesit, për zhvillim të infrastrukturës, për aspekte ekonomike, që do të thonë rritje ekonomike, e me këtë rritje mbarështuese dhe zhvillim të shtetit.
Radio Evropa e Lirë: A keni tashmë ndonjë pasqyrë për vendet e ministrave, si do t’i kishit ndarë me partnerët e ardhshëm të koalicionit?
Zoran Zaev: Ne nuk kemi biseduar për atë temë. Unë qe disa herë pohoj se folëm për pozicionet tona fillestare ndaj premtimeve të partive politike shqiptare para qytetarëve dhe dikastereve, dhe për pozicionet e tyre ndaj premtimeve tona. Ky është plani “Për jetë në Maqedoni”. Rendi është që ta presim mandatin. Gjatë tërë kohës e përsëris këtë fjali – pres që të marrim mandatin nga z.Gjorge Ivanov, që të hyjmë e të bisedojmë për dikasteret, në vetë ministrinë.
Unë di një gjë – më duhen njerëz kualitativ, njerëz te të cilët do të kenë besim qytetarët dhe të cilët janë të gatshëm që t’i përveshin mëngët dhe të punojnë në një mandat katërvjeçar për interesin e qytetarëve. Pres njerëz pozitivë edhe nga partia ime, edhe nga ky koalicion që jemi, por dhe nga partnerët e ardhshëm, nga partitë politike shqiptare, të cilët me të vërtetë janë të gatshëm që t’i hyjnë punës dhe të punojnë si trima për interesat e të gjithë qytetarëve dhe të Maqedonisë sonë.
Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, ende nuk keni arritur të bisedoni për emra, për pozicione të ministrave?
Zoran Zaev: Jemi larg. Ne nuk kemi biseduar as për dikasteret se kush ku do të marrë përgjegjësinë në ndarjen e dikastereve, e më pas, kuptohet, në mënyrë gjegjëse vijnë emrat ndaj kërkesave për dikasteret nga të gjitha anët, të cilat do të bisedohen, për shkak se nuk mund të kërkoni një dikaster e për të cilin të mos jepni asnjë emër serioz. Kështu që, njëra me tjetrën janë të ndërlidhura dhe kjo vijon pas marrjes së mandatit.
Kjo nuk do të thotë se Zaevi do të bisedojë 20 ditë që të kompozohet kabineti qeveritar. Unë pres që për 10, madje edhe më pak se 10 ditë, t’ia dalim që ta formojmë Qeverinë, të cilën do t’ia propozojmë Parlamentit.
Radio Evropa e Lirë: Nëse departizohet gjykata, a do të ketë nevojë për Prokurorinë Publike Speciale?
Zoran Zaev: Prokuroria Publike Speciale është formuar me konsensusin e të gjitha partive dhe të gjithë deputetëve në Parlament dhe ajo e ka qëllimin dhe nevojën e vet për funksionim, për ekzistim dhe për të mbaruar atë (punë) për të cilën është formuar.
Unë jam i bindur dhe dua që ajo ta kryejë punën për të cilën është formuar, që do të thotë të hulumtojë gjithçka çka është e lidhur dhe e cila del nga përgjimet jolegale.
Nëse ka dëshmi, le të procedojë hetime dhe akuza; nëse nuk ka, atëherë hetimet këtu mbarojnë. Kjo është ajo që pres, dhe njëkohësisht dhe në mënyrë paralele, patjetër do të duhet t’i hapim proceset rreth departizimit të gjyqësisë. Ne vërtetuam se nuk ka shtet juridik në Maqedoni. Gjithçka është e lidhur mes trupit ekzekutiv, me pushtetin ekzekutiv dhe forcat politike në shtet.
Premtuam dhe gjendjen e kemi të pastër në lidhje me këtë çështje – pezullim të gjyqësisë dhe të organeve të jurisprudencës dhe rizgjedhje të tyre, ku politikanët do t’i heqin duart e veta dhe ndikimin e tyre, që të sigurohen ekspertë në pajtim me praktikën më të mirë evropiane, ashtu siç është bërë në shumë vende, të cilat janë afër Bashkimit Evropian apo të cilat tashmë janë anëtare të Bashkimit Evropian.
Vetëm në këtë mënyrë politikanët do të shqiten (nga drejtësia), qytetarët do ta dinë se ka drejtësi, se do të punohet me të drejtë dhe se më askush nuk do të përgjigjet nëse është i pafajshëm. Secili që do ta shkelë ligjin, do të përgjigjet. Ligji do të vlejë për të gjithë njëlloj. E drejta dhe shteti juridik duhet të jenë imperativ, nëse duam të jemi vend me aspirata të plota për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Radio Evropa e Lirë: Shkurtimisht, kur mund ta presim numëratoren te Porta Maqedonia, ashtu siç premtuat, ku, siç thatë, do të rrotullohen paratë e vjedhura?
Zoran Zaev: Kjo është e ndërlidhur me pyetjen e kaluar – sa më shpejt që organet e ligjshme të marrin vendime të plotfuqishme, aq më shpejt do të vijë edhe numëratorja, për shkak se ligjet në Maqedoni ekzistojnë – konfiskimi i pasurisë është i lidhur me vërtetimin e fitimit të parave në mënyrë kriminele. Ligjet në Maqedoni edhe sot janë ashtu.
Unë pres vendime gjyqësore efikase, të ndershme dhe të pavarura, që kanë të bëjnë me mua, me LSDM-në, për të gjithë në Maqedoni, në pajtim me atë kur do të dëshmohet se ndokush ka vjedhur para, se në mënyrë joligjore ka arritur në kapital apo para, me ligj kjo konfiskohet. Në çastin kur do të bëhet kthimi në buxhet, do të paraqitet numëratorja te Porta triumfale.
Radio Evropa e Lirë: Kjo do të thotë se nuk ka marrëveshje për amnisti?
Zoran Zaev: Këtë e dinë edhe fëmijët e vegjël në Maqedoni se amnisti në Maqedoni nuk do të ketë për askënd për një shkak të thjeshtë – se këtë askush nuk mund ta garantojë. Gjithçka dihet. Nuk ka më fshehtësi në Maqedoni. Po të kishte qenë për amnisti, bisedime të fshehta, deri më tani do të harronim edhe për kriza politike, do të ndërronte edhe pushteti dhe do të ishte më ndryshe, por nuk do ta kishim drejtësinë dhe shtetin juridik.
Radio Evropa e Lirë: Kundërshtarët tuaj ju akuzojnë se qëllimi i fundit për ardhjen tuaj në pushtet praktikisht është ndryshimi i emrit. A jeni të përgatitur për bisedime për çështjen e emrit, me qëllim që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s?
Zoran Zaev: Unë jam i përgatitur që të flas me fqinjin tonë jugor, i cili ka problem me emrin tonë, e ky është raport shumë jo i drejtë i një fqinji ndaj Maqedonisë, por qëndrimi ynë është i qartë – vendimet do t’i marrim së bashku me opozitën, ndërsa do të jenë përfundimtare në referendum, ku do të votojnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë.
Radio Evropa e Lirë: A keni frikë për ndërhyrje më të madhe ruse në Maqedoni, që të pengohet integrimi maqedonas në strukturat euro-atlantike?
Zoran Zaev: Gjithmonë kam përcjellë porosi dhe sërish do t’i përsëris – unë dua bashkëpunim me të gjithë, përfshirë këtu edhe Federatën Ruse. Por, alternativë tjetër për Maqedoninë, përveç anëtare me të drejta të plota në NATO dhe në Bashkimin Evropian, nuk ka. Kjo është perspektiva e Maqedonisë. Por, dua të shoh më shumë prodhime bujqësore nga Maqedonia në Moskë, në Petersburg dhe gjithandej, ashtu siç dua të shoh gaz e naftë ruse këtu në Maqedoni. Nuk kemi problem me këtë gjë. Të bashkëpunojmë në sferën e kulturës, arsimit, sportit e të ngjashme, ashtu siç duhet të bashkëpunojnë dy vende mike, por edhe miqtë nga Rusia e dinë se gjithë Ballkani, ashtu edhe Maqedonia, vendin e ka – anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

https://www.evropaelire.org/a/28472693.html

Rreth Shqipëria e Bashkuar

Check Also

Intervistë e Tahir Veliut, kryetar i LSHB dhënë gazetës greke “Parapolitika”

Intervistuar nga Anthi VOULGARI Cili është kuptimi i “Shqipërisë së Madhe” për ju? Veliu: E …