Kryefaqja / HISTORI / Si dontë të ndryshonte Kuvendi flamurin kombëtar (dhe ndërhyrja e Kristo Frashërit për të ndalur këtë marrëzi)

Si dontë të ndryshonte Kuvendi flamurin kombëtar (dhe ndërhyrja e Kristo Frashërit për të ndalur këtë marrëzi)

Pas rënies së komunizmit, me ndryshimet e shumta, në fillim të viteve ’90 u kërkua edhe ndryshimi i flamurit kombëtar.

Sipas studiuesit Aurel Plasari, ndërhyrja e historianit Kristo Frashëri shmangu këtë marrëzi.
“Në vitet e para ’90, mes marrëzive të “politikës së re” për t’u marrë edhe me historinë, u bë edhe propozimi për të ndryshuar konfigurimin e shqiponjës së flamurit kombëtar me argumentin që shqiponja në të nuk duhej t’i kishte krahët “të hapur”, por “të mbyllur”, jo “horizontalë”, por “vertikalë” etj. dhe se konfigurimin ekzistues të saj e paskësh imponuar… Enver Hoxha. Fatmirësisht forcat politike ranë dakord që të thirrej për të dhënë mendimin e tij si historian i specialitetit edhe Kristo Frashëri. Më 1992 ai paraqiti në Kuvendin e Shqipërisë një varg argumentesh historike, juridike dhe politike, të shoqëruara me ilustrimet dhe burimet dokumentare, kundër propozimit për ndryshimin e konfigurimit të shqiponjës në flamurin kombëtar. Argumentet e paraqitura prej tij përmblidhen si vijon:
Flamuri kombëtar me shqiponjë dykrenore me krahë të hapur nuk ishte caktuar nga Enver Hoxha më 1946, por nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 1912, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare, nga Preveza deri në Mitrovicë. Si rrjedhim flamurin kombëtar mund ta ndryshonte një tjetër kuvend mbarëkombëtar. Kuvendi i Shqipërisë kishte të drejtë të caktonte vetëm flamurin e Republikës së Shqipërisë, i cili nuk do të ishte flamuri kombëtar, por vetëm flamuri i shtetit shqiptar.
Kështu shqiptarët do të kishin dy flamurë. Shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi nuk mund të hiqnin dorë nga flamuri kombëtar, i cili njihej si flamuri i Skënderbeut, për të përdorur flamurin e Republikës së Shqipërisë. Do të ndodhte kështu një përçarje midis pjesëtarëve të kombit shqiptar. Argument tjetër: me flamurin që ishte në përdorim shqiptarët kishin zhvilluar deri atëherë luftërat e tyre çlirimtare kundër zgjedhës osmane, veprimtarinë e qeverisë së Ismail Qemalit, luftën çlirimtare të Vlorës, Kongresin patriotik të Lushnjës.
Atë flamur kishte Shqipëria në kohën e monarkisë së mbretit Zog. Me atë flamur kishin luftuar jo vetëm partizanët, por edhe çetat balliste e legaliste. Me atë flamur zhvilloheshin demonstratat në Kosovë kundër zgjedhës serbe etj. Dhe argumenti i fundit: me ndryshimin e flamurit do të krijohej në rrafshin ndërkombëtar përshtypja se shqiptarët e ndryshojnë flamurin sa herë ndryshojnë regjimin, gjë që nuk e bëri as Enver Hoxha, i cili pretendonte se me fitoren e Luftës Nacionalçlirimtare dhe vendosjen e “pushtetit popullor” fillonte një epokë e re në historinë e Shqipërisë.
Në përfundim Kuvendi i Shqipërisë nuk e miratoi propozimin për ndryshimin e shqiponjës në flamurin kombëtar”, shkruan Plasari.
/gazetatema.net/

Check Also

Skënderaj u emërua në nderim të kryeheroit të shqiptarëve. Ja si u kundërshtuan propozimet serbe dhe turke

Në 75 vjetorin e emërtimit të qytetit të Skenderajt, qe si ide ishte 126 vite …

Leave a Reply