Kryefaqja / INTERVISTA / Veliu: Sot ka ardhë koha e shqiptarëve të bashkuar, të cilët nuk njohin kufijtë e imponuar

Veliu: Sot ka ardhë koha e shqiptarëve të bashkuar, të cilët nuk njohin kufijtë e imponuar

Në një intervistë të dhënë për KosovaGraf kryetari i LSHB-së Tahir Veliu ka folur për themelimin e lëvizjes, financimin dhe promovimin e saj në trojet shqiptare.Po ashtu ai ka folur edhe për arrestimet që janë bërë nga autoritetet greke, pasi që sipas tij autoriteteve greke po iu pengon misioni i kësaj lëvizje. 

Më poshtë është intervista që KosovaGraf e ka realizuar me z. Tahir Veliun.

Gazeta KosovaGraf: Nga rrjedhi ideja që ju t’a formoni një lëvizje të tillë?

Tahir Veliu: Në vitin 1999 kam themeluar portali informativ, i cili ka pasur dhe ka mision informimin e drejtë të opinionit dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare. Pra, që nga viti 1999, por edhe më herët natyrisht, ideja për Shqipëri të Bashkuar më ka përcjellur gjatë gjithë kohës. Ndërsa, ideja e themelimit të një lëvizje kombëtare sikurse Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar erdh si domosdoshmëri e kohës për organizimin e shqiptarëve në nivel kombëtar, pavarësisht kufijve që na ndajnë.

Gazeta KosovaGraf : Sa ishte e vështirë për të themeluar lëvizjen dhe po ashtu për t’a bërë platformen për Shqipëri të Bashkuar?

Tahir Veliu: Sigurisht, që themelimi i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar dhe pregaditja e “Platformës për Shqipëri të Bashkuar” nuk ka qenë e lehtë, por vizioni largëpamës dhe vendosshmëria jonë për jetësimin e Shqipërisë së Bashkuar i kalon gjithë kufijtë. Këtu dua ta ceki, një thënie të Faik Konicës “Nëse jemi të bashkuar, e pamundura bëhet e mundur – nëse jemi të ndarë e mundura bëhet e pamundur.”

Gazeta KosovaGraf : A mund të na tregoni diç rreth buxhetit të lëvizjes, si arrin ajo t’i siguroj paratë, sepse juve ju shohim nëpër shumë vende të ndryshme ku ka shqiptarë?

Tahir Veliu: Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar dallon shumë nga lëvizjet, organizatat dhe partitë e mëhershme, të cilat janë angazhuar për bashkim kombëtar. Ne si LSHB, e ndjekim rrugën e vetë-sakrificës, pra vetëfinancohemi. Hasan Prishtina shkriu tërë pasurinë, për të bërë Shqipërinë-SHQIPËRI. Hasan Prishtina edhe sot e kësaj ditë mbetet një ndër personalitetet më të ndritura të Lëvizjes Kombëtare, prandaj Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar do të ecë në hapat e tij. Arkitekti i Shqipërisë Etnike, Hasan Prishtinës, rrjedh nga trungu familjar i familjes Veliu, i cili ishte një strateg dhe politikan i pashëmbullt, i sakrificës, ideolog i shquar, udhëheqës i kryengritjeve për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Gazeta KosovaGraf : A jeni takuar ndonjëherë me krerët më të lartë të shtetit të Shqipërisë apo Kosovës. Nëse jeni takuar çfarë komentesh japin ata rreth lëvizjes?

Tahir Veliu: Jo, nuk jemi takuar me krerët e dy shteteve shqiptare. Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar vlerëson se klasa politike shqiptare është hutuar në luftën e tyre për pushtet, tmerrësisht e çorientuar, totalisht servile, padyshim kriminale dhe anti-kombëtare, atëherë përball kësaj gjendje shqiptarët kanë vetëm një zgjidhje; riorganizimin e tyre rreth Lëvizjës për Shqipëri të Bashkuar, orientimin e drejtë për jetësimin e aktit juridik të 28 Nëntorit të vitit 1912.

Gazeta KosovaGraf : Sa keni arritur të depërtoni me lëvizjen në trojet shqiptare?

Tahir Veliu: Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar është ndryshe nga partitë politike, që janë të organizuara në bazë të kufijve të imponuar. LSHB si subjekt kombëtar, dallon nga të gjitha subjektet tjera, pikërisht se organizimi i saj ka përfshirë tërë shqiptarët pa dallim feje, ideje, krahine, pikëpamjeje politike dhe shtrese shoqërore, të cilët i bashkon aspirata natyrale për çlirim dhe bashkim kombëtar. Një vit pas themelimit, LSHB ka shtrirje në çdo pjesë të Shqipërisë së Bashkuar dhe në diasporë, madje LSHB ka arritur që në gjirin e saj të ketë edhe Arbëreshë nga Italia, Argjentia dhe koloni të tjera të hershme shqiptare.

Gazeta KosovaGraf : Kohëve të fundit po jeni cak i mediave greke, po iu pengon projekti për Shqipëri të Bashkuar?

Tahir Veliu: Qysh në fillimit të vitit 2016 dhe në vazhdimësi une dhe LSHB kemi qenë cak i sulmeve të mediave greke. Fillimisht, kanë filluar shkrimet që njoftonin rreth themelimit të LSHB-së, për të vazhduar me shkrime të tjera që flisnin për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar dhe Listës për Shqipëri Natyrale, pastaj kam zhvilluar disa intervista për televizione dhe gazeta greke, ku kam shprehur qartë pikat e Programit Politik të LSHB-së dhe të Platformës për Shqipëri të Bashkuar. Natyrisht vendosshmëria jonë me veprime konkrete në terren ka ndikuar jashtëzakonisht, që emri im dhe i LSHB-së të jetë prezent në mediat e tyre. Përveç, shkrimeve thuajse ditore, disa prej mediave ekstremiste greke kanë bërë thirrje që të më kapin me këmb e duar të lidhura, madje disa kanë vënë një çmim të madh për kokën time. Kërcënime ditore marrë edhe përmes telefonit dhe faqes zyrtare në Facebook por pavarësisht kërcënimeve me jetë, une dhe LSHB nuk dorëzohemi kurrë.

Gazeta KosovaGraf : Me sa informata kemi, ju jeni arrestuar nga autoritetet greke, arsyeja e arrestimit dhe si janë sjellur ata me ju?

Tahir Veliu: LSHB, pas themelimit në Prishtinë, ka mbajtur takime promovuese edhe në kryeqendrat e tjera të Shqipërisë së Bashkuar, si në Tiranë dhe Shkup. Më 7 Gusht radhën e kishte Presheva dhe po atë ditë jam shpallur “non grata” (i padëshirueshëm nga Serbia, ashtu sikurse më 13 Gusht ishte paraparë takimi në Janinë, kështu që atë ditë, jam arrestuar nga autoritetet greke, të cilët më kanë mbajtur nën arrest për mbi tri orë dhe pastaj më kanë shpallur non grata. Sjellja e tyre ka qenë, njejtë sikurse sjellja e autoritetëve serbe, një sjellje që i takon mesjetës dhe nuk ka të bëjë asgjë me kohët moderne. Mjerisht, kjo është Greqia, një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe i NATO-s që ende zbaton një politikë gjenocidiste mesjetare. Arrestimi im në Kakavijë ka qenë ndjekje politike, duke pasur parasysh se më parë, kam vizituar shumë pjesë të Çamërisë dhe nuk kam pasur problem në kufirin paligjshëm midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Gazeta KosovaGraf : Si e komentoni sjelljen e kryetarit të Durrësit ndaj Kosovarëve, megjithatë ju keni reagur duke thënë ” Për inat të UDB-shave sivjet pushimet në Durrës, po e perkrahni një sjellje të tillë?

Tahir Veliu: Tendencat vjetore për “luftë” të ftoftë ndër-shqiptare janë të dështuara. Injorantët e paguara nga Serbia dhe shtetet tjera armike sot po qesin shkëlmat e tyre të fundit, sepse u dhëmb fakti se sot ka ardhë koha e shqiptarëve të bashkuar, të cilët nuk njohin kufijtë e imponuar. Këta injorantë, do ta marrin përgjigjen e merituar së shpejti, kur Kosova ta ketë një Kushtetutë demokratike dhe të vendos vetë për bashkimin me Shqipërinë, ndryshe nuk mundët të mbijetoi nga ndikimi serb në të gjitha sferat e jetës. Pavarësia e Kosovës kompletohet përfundimisht kur Kosova të bashkohet më Shqipërinë, dhe rrjedhimisht i hap rrugë zgjidhjës përfundimtare të çështjes kombëtare shqiptare.

Gazeta KosovaGraf :Para disa muajsh nje grup i caktuar ka shpallur pavarësinë e Camërisë, si e vleresoni këtë veprim të tyre?

Tahir Veliu: Zgjidhja e drejtë e çështjes çame është premisë themelor për lirinë e vërtetë të shtetit grek, vetëm atëherë mund të flitet për paqe të qëndrueshme dhe fqinjësi të mirë, midis Shqipërisë dhe Greqisë. Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar përshëndet dhe përkrahë të gjitha zhvillimet pozitive, që ndikojnë pozitivisht në procesin e bashkimit të trojeve shqiptare, në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar – Shqipëri të Bashkuar. Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar angazhohet që shteti shqiptar të ngre padi në Gjykatën Ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë për gjenocid ndaj popullit shqiptar të Çamërisë në përiudhen nga viti 1913-1945. Kërkesat e LSHB-së janë tepër të qarta dhe në përputhje të plotë me konventat ndërkombëtare. Këto janë pikat e shkëputura nga Platforma për Shqipëri të Bashkuar: Rikthimi i popullsisë shqiptare në Çamëri, njohja e shtetësisë së dyfishtë, rikthimi i pronave dhe Kompensimi për përdorimin në mënyrë të paligjshëm të pronave, njohja e gjenocidit ndaj çamëve, organizimi i pushtetit dhe administratës në gjuhën shqipe, si gjuhë zyrtare, hapja dhe financimi i shkollimit në gjuhën shqipe, të të gjitha niveleve, dhe parapërgatitja e terrenit për statusin përfundimtar, mbi parimet e vetëvendosjes dhe të drejtës për dekolonizim. Poashtu, shteti i përbashkët shqiptar, përmes Fondit për Zonat e Rrezikuara duhet të stimulojë rikthimin në identitet dhe origjinë të shqiptarëve ortodoksë në Çamëri, të cilët janë të shumtë në trevën e Prevezës dhe Filatit.

Gazeta KosovaGraf : A mendoni se do t’i bashkoni trojet shqiptare pa gjakderdhje të reja ?

Tahir Veliu: Platforma për Shqipëri të Bashkuar parasheh përdorimin e të gjitha metodave dhe mjeteve demokratike për realizimin e aspiratës kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar. Të gjitha mjetet dhe metodat për çlirim dhe bashkim kombëtar janë demokratike dhe të ligjshme, përfshirë edhe kryengritjen sipas normave dhe konventave ndërkombëtare, të cilat me plotë të drejtë njohin legjitimitetin e luftës së popujve që janë nën zgjedhën koloniale, me qëllim të ushtrimit të së drejtës së vetëvendosjes dhe të pavarësisë. KosovaGraf.info

Check Also

Veliu: Tërheqja e njohjes nga Surinami është jolegjitime, që shpërfill të drejtën ndërkombëtare

Në të drejtën ndërkombëtare njohja e një shteti është një akt politik; nuk ka asnjë …