Kryefaqja / Uncategorized / Dëshmia tronditëse: Mësuesit thirrën prindërit dhe i thanë të mos u flisnin shqip fëmijëve në shtëpi

Dëshmia tronditëse: Mësuesit thirrën prindërit dhe i thanë të mos u flisnin shqip fëmijëve në shtëpi

TIQERO, dikur quhej Bintikli dhe ndodhet 48 km në verilindje të qytetit Aleksandropoli dhe 4 km në perëndim të lumit Evro. 90% e banorëve të sotëm të saj janë me origjinë shqiptare. Me vëllezërit shqiptar nga Tiqeros më ka njohur miku im, i ndjeri Aristidh Kola i cili më dha numrin e telefonit të një shqiptari nga Tiqero, z.Kosta Kazaqit dhe kështu u ngrit një urë e re lidhje midis nesh.
Kosta Kazaqi është njëri nga mbledhësit e dokumenteve për shqiptarët e Tiqeros në prefekturën e Evros. Ai, më ka afruar materiale për jetën dhe kulturën e allvanosëve, ndër to përmendim një dorëshkrim të kishës së Tiqeros prej 85 faqesh ku flitet për historinë e Fan Nolit dhe familjes së tij.
Kosta Kazaqi gjithnjë më shprehte dëshirën për të vizituar Kosovën dhe me të qeshur për të gjetur një nuse që ta sjellë në Tiqero. Dëshira e tij për të vizituar Kosovën u realizua në Shtator të vitit 2004, kur me ftesë të Ministrisë së Kulturës së Kosovës një grup prej rreth 25 vetash,grekë me origjinë shqiptare – arvanitas dhe allvanos për një javë qëndruan për vizitë në Kosovë. Midis të ftuarve ishte edhe miku im Kosta Kazaqi i cili mbeti shumë i kënaqur nga pritja që iu bë në Prishtinë, Prizren, Skenderaj, etj.
Në 28 nëntor të vitit 1999, në festën e ditës së pavarësisë, organizuar nga Konsullata e Përgjithshme Shqiptare në qytetin e Selanikut, miku im Foto Malo më njohu me një greke që ishte nga Tiqeroja dhe e fliste gjuhën shqipe shumë pastër. Ajo më tha që ishte kushërira e Fan Nolit, quhej Maria Kutulidhi dhe mëma e saj ishte kushërirë e parë e Nolit. Që atëherë midis familjes time dhe familjes Kutulidhi u lidh një miqësi të cilën vazhdojmë ta ruajmë edhe sot. Maria më tregoi kujtimet e saja për fshatin Tiqero, për atë se si shqiptarët u shpërngulën nga Ibrik-Tepe dhe erdhën në Tiqero. Më foli për historitë e Fan Nolit që i kishte treguar mëma e saj.
Tiqeroja deri në vitin 1922 përbëhej nga banorë turq që fshatin e tyre e quanin Bintikli. Me përfundimin e luftës grekoturke të 1920-1922, u nënshkrua Marrëveshja e Lozanës dhe u bë shkëmbimi i popullsive midis Turqisë dhe Greqisë, por ky shkëmbim nuk u bë në aspektin kombëtar, por në aspektin fetar.
Pra, shkëmbim midis qytetarëve të fesë myslimane dhe të krishterë.
Kur erdhën në Greqi, shqiptarët ortodoksë të Turqisë nuk u njohën nga shteti grek si shqiptar, por si grekë. Pra, kësaj kategorie i përkasin grekët me origjinë shqiptare ose Allvanosët e Traki-Evros. Duhet të përmendim se pikërisht edhe Fan Noli ishte nga një fshat që banohej nga ortodoks shqiptar, por që i përkiste deri në vitin 1922 Turqisë dhe më vonë këta banorë braktisën fshatin e tyre Ibrik-Tepe që e quanin QYTEZA edhe u ngulën përfundimisht në Tiqero.
Në Ibrik-Tepe sipas burimeve historike ka patur më 1876, 3.550 banorë, më 1905, ndërsa sot banorët e Ibrik-Tepe që u ngulën në Tiqero janë rreth 2.500, ku 90% janë shqiptare dhe pak pondios dhe trakes.
Sipas Kosta Kazaqit në vitin 1954 fshati e mori emrin Tiqero. Më 1924 Kryeministri grek Elefterios Venizelos, bëri një ndalesë në fshat edhe që atëherë ka sjellë mbarësi. Kështu në vitin 1954 fshati u quajt Tiqero që në shqip do të thotë: Fatmirë, Fatmbarë. Në fillim të viteve 1980 Tiqero bashkë me fshatin tjetër Filaktu themeluan Komunën me emrin Tiqero që i përket Prefekturës së Evros. Sot ka rreth 4.100 banorë.
Po të shkosh për vizitë në Tiqero do të dëgjosh të moshuarit të bisedojnë midis tyre në gjuhën shqipe. Ata thonë se rrënjët e para i kanë nga Kolonja, Vithkuqi, Qafzezi, Qyteza,Voskopoja, Gostivishti etj., të ardhur rreth shek.XVI-XVIII në Trakin Lindore.
Sot në këtë komunë ekzistojnë dy mendime, njëri është mendimi i të vjetërve që duan të ruajnë prejardhjen e tyre shqiptare dhe e dyta janë të rinjtë që duan të jenë qytetarë të denjë të kombit grek. Historiani Evagjelos Gr. Avdhikos në librin e tij na sjellë fragmente nga bisedat që ka bërë me shqiptarët dhe grekët për problemet e tyre, rreth të ardhmes së gjuhës dhe kulturës shqiptare të tiqerasve.
Kristo Tepeli nga fshati Filaktu, thotë për banorët e Tiqeros: Tiqerasit etnologjika janë shqiptar. Kur unë mbarova gjimnazin, shumica këtu nuk dinin greqisht, ndërsa të gjithë ishin grek nga Thraqi Lindor, por flisnin shqip si në të gjithë Greqinë.
Teologos Haxhipemos, Tiqero: Dikur ne të gjithë ishim shqiptar.
Kurtidhis, Tiqero: Nuk thoshim që jemi shqiptar. Kjo është bërë nga politika e vendit. Kur shkova në shkollën fillore kishin thirrur prindërit e mi dhe u thanë që të mos flasin shqip përpara fëmijëve të tyre.
Th. Makris, Tiqero: Nuk më pëlqen të flasim edhe në shtëpi tani. Gruaja ime edhe pse është shqiptare, gjithnjë me fëmijët dhe mua fliste në greqisht. E bëja për fëmijët që duhet të vazhdonin shkollën.
Karaqi, Tiqero: Edhe pse nuk jam nga familje shqiptare, unë e flas dhe e kuptoj gjuhën e tyre. Sepse shokët e mi ishin shqiptar. Ato vite gjyshet nuk dinin (greqisht). I takonim gjyshet dhe i pyesnim çfarë bëni dhe na përgjigjeshin në shqip.
Petro Kolijoni, Tiqero: Të parën gjuhë mësova shqipen, greqishten e mësova në shkollë, sepse derisa hyra në shkollë nuk e dija, të gjithë flisnin shqip.
Mua nuk më intereson se çfarë feje ka tjetri. Unë di që, të gjithë këtu jemi shqiptarë dhe që jemi nga e njëjta farë, rrënjën e kemi nga Shqipëria. Herën e parë që shkova në Pogradec dhe Korçë njoha një shok dhe e pyeta: “kur ishe i vogël çfarë përrallash të tregonte gjyshja?”. Dhe e di ç‘më tha? Një përrallë që mua ma tregonte gjithmonë gjyshja ime dhe të dy çuditeshim, sesi në vende të ndryshme dhe pa pasur lidhje me njeri-tjetrin, dinim të njëjtat përralla. E përqafova dhe i thashë që jemi vëllezër dhe nga e njëjta farë.
(Reportazhi është realizuar nga historiani Arben Lalla)

Check Also

Aktivistë të LSHB-së vizituan At Nikolla Markun

Gjatë ditës së sotme, një grup atdhetarësh i prirë nga Koordinatori i Lëvizjes për Shqipëri …