Kryefaqja / PERSONALITETE / Ismet Jashari-Komandant Kumanova!

Ismet Jashari-Komandant Kumanova!

Në mesin e luftëtarëve të lirisë së Kosovës është shquar edhe Ismet Jashar Jashari, njëri ndër luftëtarët dhe komandantët më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai lindi në fshatin Orizare të Kumanovës më 16 prill të vitit 1967. Ishte i biri i Jashar Jasharit e i nënë Nuries. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa në vitin 1982 u regjistrua në Gjimnazin e Kumanovës.
Të dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Xhemajli dhe Murati, ishin arrestuar dhe dënuar nga regjimi aktual i kohës, për shkak të përkrahjes së kërkesave të shqiptarëve në Kosovë, të shprehura në demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981. Për shkak të këtyre qëndrimeve politike të familjes së tij, të cilat ishin në kundërshtim me politikën e shtetit të asaj kohe, drejtoria e shkollës së mesme në Kumanovë, Ismetin e largoi nga shkolla. Pas përjashtimit nga kjo shkollë, Ismeti arriti ta vazhdojë shkollimin në Gjimnazin e Preshevës.
Ka qenë nxënës i zellshëm dhe ka shfaqur interesim të veçantë për t’u pajisur me dituri. Derisa ishte nxënës, atij i bie në dorë shtypi ilegal i kohës. Në këtë kohë ai inkuadrohet edhe në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.
Pasi konstaton se po përcillej nga inspektorët e UDB-së, Ismeti largohet nga vendlindja, me ç’rast vendoset në Zvicër. Atje, vazhdon veprimtarinë atdhetare, në kushte dhe rrethana të reja.
Asokohe ishte në kontakt të vazhdueshëm me vëllezërit, Muratin e Xhemajlin, si dhe me shumë shokë të tyre, të cilët zhvillonin aktivitet propagandues çlirimtar.
Ismeti i takon brezit militant atdhetar, i cili kurdoherë veproi në mbështetje të alternativës për t’iu kundërvënë me forcë pushtuesit. Ai, së bashkime bashkëmendimtarët nuk reshti veprimtarinë e tij atdhetare në krijimin e kushteve për luftë të armatosur kundër pushtuesit të viseve të Shqipërisë Etnike.
Ismeti ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Menjëherë pas epopesë së Prekazit, më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, militanti i përkushtuar i luftës çlirimtare Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë. Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin, Fatmir Limajn, Haxhi Shalën e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.
Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari caktohet me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të ushtrisë çlirimtare.
Ismeti vendoset në shtëpinë Zejnullah Mazrekut në fshatin Gariq. Gjatë kësaj kohe atij i bashkohet edhe i biri i Zenjullahut, Nuhiu, i cili nuk do t’ i ndahet për asnjë çast deri në rënie.
Në mars të vitit 1998, Ismet Jashari, së bashku me Fatmir Limajn, Haxhi Shalën, Sadik Shalën e të tjerë, formojnë njësitin ushtarak “Çeliku”, me bazë në Kleçkë. Komanda e parë e këtij njësiti ishte në shtëpinë e Hafir Manit. Për shkak tç konspiracionit, Ismetin, bashkëluftëtarët e thërrisnin me emrin “Kumanova”
Në prill të vitit 1998, Ismet Jashari ndodhej me detyrë ushtarake në Dukagjin. Me rastin e kthimit nga atje në Kleçkë, Ismeti bie në pritë të forcave serbe te vendi i quajtur “Guri i zi”, në mes të fshatrave Volljakë e Çupevë të Klinës. Me atë rast ai plagoset në të dy këmbët.
Me rastin e zënies së Grykës legjendare të Llapushnikut më 9 maj të vitit 1998, Ishmet Jashari, ende pa u shëruar sa duhet, merr pjesë aktive në barrikadimin e kësaj gryke, e cila u bë beden i pathyeshëm për forcat armike deri më 27 korrik të po atij viti.
Pas zënies së asaj pike tejet të rëndësishme strategjike, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij iu afrohet pikate të tjera po aq me rëndësi, në Qafë të Duhlës dhe në Grykë të Carralevës.
Në periudhën kohore prej fillimit të majit e deri në mbarim të gushtit të vitit 1998, Ismet Jashari – “Kumanova”, Fatmir Limaj, komandant “Çeliku”, Haxhi Shala, i njohur si komandant “Topi”, Shukri Buja, i njohur si komandant “Sokoli” e shumë luftëtarë të tjerë të dalluar, kanë përforcuar të gjitha pikat ushtarake në pjesën jugore të Drenicës, prej Llapushnikut e deri në Qafë të Duhlës, prej Arllatit e deri në Bllacë dhe prej Komoranit e deri ne Blinajë.
Me 17 qershor të vitit 1998, tri ditë pas luftimeve në Grykë të Carralevës, Ismeti me bashkëluftëtarët kundërsulmon forcat ushtarake jugosllave, të cilat bënin përpjekje për të depërtuar në drejtim të Luzhnicës.
Në këtë rast forcat armike prapakthehen në pozicionet e tyre në Qafë të Duflës, ndërsa komandant “Kumanova” përforcon pikën ushtarake të Luzhnicës, e cila ishte bërë pikë e pathyeshme e luftëtarëve të UÇK-së.
Në fund të qershorit të vitit 1998, komandant “Kumanova” arrin ti fortifikojë pikat e tij ushtarake në Carralevë, në Zborcë, në Blinajë, në Fushticë, në Terpezë, në Bllacë e kudo në territoret e vëna nën kontrollin e UÇK-së në jug të Drenicës dhe në Llapushë.
Asokohe, Malisheva, në njëfarë mënyre ishte bërë kryeqendër zonave të liratë UÇK-së, si dhe zona me e mobilizuar e luftës.
Në gusht të vitit 1998, Ismet Jashari përforcon edhe disa pozicione përgjatë relacioni rrugor Carralevë-Duhël. Ai në bashkëveprim me luftëtarin Jetullah Çarri, i njohur si komandant “Guri”, sulmon njësitet serbe në disa pika strategjike, siç ishin “Shtëpia e Pylltarit”, pastaj pikën te “Ura e Sahitit” e deri në hyrje të fshatit Belinc. Në ofensivën serbe të 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998, në Grykë të Llapushnikut dhe në fshatin Zborc afër Grykës së Carralevës, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij, si: Imer Alushani, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Ali Zogaj, Habib Zogaj e shumë të tjerë, ka luftuar heroikisht në mbrojtje të pozicioneve ushtarake të UÇK-së.
Emri i komandant “Kumanovës” asokohe ishte bërë burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë jo vetëm në Drenicë e Llapushë, por në mbarë Kosovën. Fakti se për çlirimin e Kosovës luftonin edhe trimat nga Kumanova e nga Tetova, përforconte moralin e ushtarëve dhe të popullatës, e cila, për të mbijetuar sulet e granatave të armikut, kishte gjetur strehë në pyje e në gryka malesh.
Më 23 gusht të vitit 1998, pasi ushtria armike kishte ndërmarrë të gjithat masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizon rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës.
Atë ditë forcat serbe kishin granatuar me të gjitha llojet e armëve të rënda të artilerisë pozicionet e komandant “Kumanovës”, i cili printe në ballë të kundërsulmit mbi forcat armike. Në mbrojtje të pozicioneve ishin rreshtuar luftëtarët më të dëshmuar, meqë pika ku armiku bënte përpjekje për të depërtuar në drejtim të Kleçkës ishte me shumë rëndësi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtën kohë, forcat serbe kishin sulmuar edhe në drejtim të Tërpezës, të Bllacës e të pikave të tjera përreth Kleçkës.
Më 24 gusht 1998, forcat armike kishin shtuar rrezen e sulmit duke sulmuar me topa të kalibrave të mëdhenj dhe me raketa tokë-tokë.
Pika ushtarake në Bajrak nuk po binte, edhe pse bunkerët po digjeshin flakë. Në mbrëmje, luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte, mirëpo, luftëtarët militantë, Gani Kastrati dhe Afrim Buëaj nuk kishin arritur të tërhiqeshin.
Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari, komandant Kumanova. Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj.
Në dhjetor të viti 1998, bashkëluftëtarët e komandant “Kumanovës” ndërmarrin një aksion në afërsi të fshatit Shirokë të Therandës, nga ku arrijnë ti tërheqin trupat e pesë dëshmorëve, të cilët i varrosin me nderime ushtarake, në Kleçkë. Këta trupa, forcat armike i kishin dërguar në Shirok, në përpjekje për tua humbur gjurmët.
Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova.
Dëshmori Ismet Jashari ka lënë pas shoqen e jetës, Habiben, dhe vajzat Marigonën, Monikën, Donikën, Margaritën dhe Artanën. Rrugën e Ismetit e vazhdoi vëllai i tij i madh, Xhemajli, i cili gjatë luftës çlirimtare në ish-RJM ka kryer detyrën e shefit të mobilizimit në brigadën 113 “Ismet Jashari – Kumanova”, që ka vepruar në rrethinën e Likovës deri në mbarim të luftës.
Për ta nderuar dhe përjetësuar veprën heroike të komandant “Kumanovës” bashkëluftëtarët e tij ia kanë ndërtuar shtatoren, e cila është vendosur në vendin e caktuar në Prizren, afër Shtëpisë-Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Autoritet politike të asaj kohe, në Prizren, Eqrem Kryeziu dhe Qamil Buzhala, zyrtarë të lartë LDK-së në Prizren, për një kohë nuk kishin lejuar vendosjen e shtatoreve të Ismet Jasharit dhe Xhevat Berishës. Vetëm pas demonstratave gjithë popullore që janë zhvilluar në Prizren në fund të gushtit të vitit 2001, shtatoret e këtyre dy dëshmorëve janë vendosur atje ku edhe qëndrojnë në përjetësi. Vendosja e shtatoreve të Ismet Jashari dhe Xhevat Berishës, u bë pas disa demonstrimeve e reagimeve popullata shqiptare nga të gjitha viset e vendit. Ata iu kishin drejtuar instancave më të larta vendore e ndërkombëtare të Kosovës dhe u kishin dorëzuar një peticion të nënshkruar prej 41 mijë qytetarësh, të cilët kanë kërkuar që të lejohet vendosja e shtatores së komandant “Kumanovës” në bazamentin e parapërgatitur.
Në nderim dhe respekt të heroizmit të treguar për çlirimin e Kosovës, pas rënies së tij, Brigada 121 e Zonës Operative të Pashtrikut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mori emrin “Ismet Jashari – Kumanova”. Për ta nderuar emrin e tij, më vonë, në verë të vitit 2001, edhe brigada 113 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila ka vepruar në zonon e Kumanovës, ka marrë emrin “Ismet Jashari”
Emrin e Komandant “Kumanovës” e ka mbartur me pietet edhe Brigada 313 e TMK-së, e Zonës së Parë të Mbrojtjes, në Malishevë.
 

Check Also

Ajnshtajni’ shqiptar/ 5-vjeçari pranohet nga shoqata botërore e gjenive

Vogëlushi që shikoni në foto është një gjeni. Një gjeni i cili tanimë është pranuar …