Kryefaqja / OPINION / KOÇO DANAJ: DEKLARATA E BE SINJAL PËR TË KËRKUAR BASHKIMIN E TROJEVE, GREQISË I KANË VDEKUR TË GJITHË “KUAJT E TROJËS”, S’NA TREMB ME LIGJIN E LUFTËS

KOÇO DANAJ: DEKLARATA E BE SINJAL PËR TË KËRKUAR BASHKIMIN E TROJEVE, GREQISË I KANË VDEKUR TË GJITHË “KUAJT E TROJËS”, S’NA TREMB ME LIGJIN E LUFTËS

Koço Danaj, në një intervistë për gazetën “Sot”, thekson se njohja e çështjes çame nga Bashkimi Evropian është një ogur i mirë që tregon se, më në fund shqiptarët po fillojnë të përfitojnë të drejtat që u janë mohuar padrejtësisht.
Danaj e konsideron një sukses kombëtar, por thotë se tashmë mbetet të shihet se si shteti dhe qeveria shqiptare do të jenë apo jo të afta ta shfrytëzojnë këtë vëmendje që ka fituar kombi shqiptar në sytë e Evropës. Sipas Danajt kjo mund të jetë pikënisja e një shtytje të madhe kombëtare.
Ai thotë se Greqia ndodhet përballë një situate të rëndë, ndikuar edhe nga deklarata e Erdogan, deklarata të cilat e kanë detyruar Athinën zyrtare të ngrejë jo pak tonin e zërit ndaj komisionarit Johhanes Hahn.
Danaj insiston se duke parë rrethanat, është momenti më i mirë që Shqipëria të marrë trojet që i janë grabitur padrejtësisht dhe t’u kthehet kufijve të vitit 1913.
Lidhur me faktin që Greqia ende nuk e ka anuluar ligjin e luftës me Shqipërinë, Koço Danaj thotë se ai i ligj tashmë është i vdekur, por ka mbetur pa varrosur dhe se është një ligj që nuk tremb më as laraskat dhe jo më shqiptarët.
Lidhur me komentet e ambasadores greke në lidhje me çështjen e kufijve detarë, Danaj thotë se deklaratat e saj kurrsesi nuk duhen marrë seriozisht dhe se është e re në profesion.
-Bashkimi Europian nëpërmjet komisionarit Johhanes Hahn ka njohur pak ditë më parë çështjen çame. Si e shihni ju këtë fakt dhe çdo të thotë kjo për Shqipërinë?
Në tërësi kemi të bëjmë me një evolucion pozitiv të çështjes çame. Por nuk mendoj se është problemi tek njohja e kësaj çështjeje, problemi është që për herë të parë Bashkimi Evropian, pra një anëtar i Komisionit Evropian si Johhanes Hahn, përmendi çështjen çame. Ky është një sukses shumë i madh i çështjes kombëtare shqiptare.
Pra, përmbledh shqiptarët anë e mbanë, pasi vazhdimisht ata kanë luftuar për të drejtat e tyre që u janë mohuar padrejtësisht. Pra, natyrisht që është një sukses kombëtar. Tani problemi qëndron tek shteti shqiptar, tek qeveria shqiptare.
Se sa të aftë do të jenë ata që ta shfrytëzojnë këtë “vëmendje” të çështjes çame në favor të interesit të çështjes kombëtare. Për ta përdorur thjesht si propagandë apo për të përdorur si pikënisje për një shtytje të madhe kombëtare.
Sepse nuk është problemi vetëm nga njohje e BE, që është një element i ri. Kemi edhe një problem tjetër që është përsëri po kaq i rëndësishëm dhe që ka të bëjë me marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë.
Është çështja e kërkesës së Turqisë për rishikimin e marrëveshjes së Lozanës së vitit 1923, nga e cila marrëveshje kanë lindur shumë diskutime. Pra, shikoni ka një presion, nga njëra anë Bashkimi Evropian dhe nga ana tjetër Ankaraja.
Dhe për këto arsye Athina është aq shumë e shqetësuar dhe normalisht kaq e hutuar, pasi nuk e ka pritur të ndodhet para një situate të tillë që është krijuar.
-Athina vijon të këmbëngulë se nuk e njeh këtë çështje dhe ka reaguar shumë ashpër ndaj eurokomisionerit Hahn. Si i shihni reagimet e Greqisë? 
Ka një problem. Mbas deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Greqisë, kemi edhe mbledhjen që bëri Cipras të Këshillit të Sigurisë. Pra, kjo mbledhje ka të bëjë me të dyja çështjet që ceka më lart.
Pra, me përmendjen nga komisionari Hahn i çështjes çame dhe deklaratës së Koçijançic që vuri theksin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve e përbashkëta, të diskutohej për këto probleme.
Pra, që mbajti një qëndrim të ashpër duke kërkuar zbatimin e diskutimin e marrëveshjes së Lozanës. Pikërisht për këto arsye, të cilat i erdhën si rrufe në qiellin e hapur, Ministria e Jashtme greke u detyrua të reagonte në mënyrë aq të ashpër.
Por gjithmonë nuk ka gjetur argumente, nuk është puna se Athina nuk ka patur ndonjëherë argumente në lidhje me çështjen çame. Ajo ka pasur gjithmonë një propagandë, ka pasur gjithmonë një mbështetje.
Këtë herë e ka parë veten shumë ngushtë. Deklarata e Erdoganit dhe marrëveshja e Lozanës, e ka vendosur Greqinë në një pozitë shumë të vështirë që nuk ka nga të lëvizë.
-Duke parë të gjitha zhvillimet e fundit, edhe atë që po ndodh në raportet e Athinës me fqinjët e tjerë, a mendoni se ka ardhur koha që Shqipëria të marr territoret e grabitura nga grekët? 
Absolutisht mendoj se është momenti më i përshtatshëm. Duhet që gjithë opinioni publik shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe kudo ku ka shqiptarë, në Kosovë, në Malin e Zi dhe në Maqedoni, duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm për një gjë.
Të gjithë këto zëra të botës t’i mëshojnë kësaj teze. Por njëkohësisht, aleatët më kryesorë të Serbisë, që janë rusët, për interesat e tyre janë të gatshëm të bëjnë një lëshim për Kosovën.
Por njëkohësisht, edhe në deklaratën e pak ditëve më parë e Ivica Dadiç, e cila i bëri një jehonë të madhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Vlen të pamendet këtu edhe Noel Malkomk, një mbështetës i shtetit shqiptar.
Unë mendoj se të gjitha këto rrethana janë parashenja që opinionit ndërkombëtar nuk i duket ndonjë çudi nëse politikanët shqiptarë nesër mund të ngrihen edhe të kërkojnë bashkimin e trojeve shqiptare, natyrisht në rrugë paqësore.
Tashmë topi i kësaj politike është në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup dhe kudo që ka shqiptarë. Greqisë i kanë “vdekur” të gjithë “Kuajt e Trojës”.
– Pak ditë më parë mediat greke shkruanin se me reformën në drejtësi Shqipëria mund të kërkojë Shqipërinë e Madhe, kur mendoni se do të ndodhë një gjë e tillë?
Mendoj se në këtë pikë politikanët grekë duhet të jenë shumë të qetë. Tirana nuk ka asnjë arsye pse të kërkojë Shqipërinë e Madhe sepse Shqipëria e Madhe është një apelacion nazifashist. Ne njohim vetëm kufijtë e saj natyrorë.
Tirana zyrtare ka vetëm një rrugë; të kërkojë aktin e ndarjes së kufijve të vitit 1912 dhe kufijtë e këtij akti juridik dhe të kërkojë kufijtë e saj natyrorë, Preshevë-Prevezë e deri në Shkup, kjo është Shqipëria natyrale.
Shqiptarët nuk duhet të kenë as ndrojtje, as frikë që të thonë se edhe kjo që u shpall më 28 nëntor është pak. Sepse realisht kufijtë e Shqipërisë natyrore janë më tutje Durrës-Shkup Preshevë –Prevezës. Por Tirana duhet të bëjë këtë gjë kërkojë aktin e Ismail Qemalit të vitit 1912.
-Ku konsiston platforma juaj për Shqipërinë Natyrale?
Në fakt nocioni që unë kam përdorur ka qenë Shqipëri Natyrale dhe ajo konsiston në të gjitha argumentet që dhashë më lart. D.m.th të kthehen kufijtë natyralë të Shqipërisë para vitit 1913, kjo është baza e projektit.
Sigurisht që ka kontradikta, por mendoj se tashmë ka ardhur koha që çdo mosmarrëveshje të zgjidhet me dialog, pra me mirëkuptimin e të gjitha palëve. Hajde ulemi në tavolinë. Shtrojmë përpara argumentet dhe arrijmë në një dakordësi që të jetë e pranueshme nga të gjitha palët.
Kush ka më shumë argumente le të marrë atë që i takon, kush nuk ka argumente le të tërhiqet. Kjo është arsyeja që qeveria greke nuk pranon të ulet në tavolinë dhe të diskutojë në lidhje me këtë çështje. E njëjta gjë edhe për qëndrimin e Vuçiç, i cili nuk është asgjë tjetër veçse një Millosheviç i ri me një kostum Versaçe.
E përsëris Shqipëri Natyrale do të thotë, Shqipëria të jetë në kufijtë e saj natyrorë, të cilën e shpallën zyrtarisht, me akt juridik ata 40 burra në Kuvendin e Vlorës, më 28 Nëntor 1912. Vetë përbërja e qeverisë së Vlorës, ku përfshiheshin gjithë përfaqësuesit e trojeve shqiptare, të Shqipërisë Natyrale, është domethënëse e shprehëse e aktit juridik të Pavarësisë së Shqipërisë së Madhe.
Dhe këtë akt juridik të Nëntorit 1912 nuk është çështja që Fuqitë e Mëdha e diskutuan dhe e hodhën poshtë. Përkundrazi. Nuk e mori fare parasysh, nuk e injoroi. Ne kërkojmë një të drejtë, si çdo komb tjetër.
Hajdeni, të ulemi e ta diskutojmë. Nëse ky akt juridik, ju, bashkësia ndërkombëtare, nëse keni dokumente, le ta hidhni poshtë dhe ne le të pranojmë këtë Shqipëri artificiale që është sot. Por, nëse argumentet janë në favorin tonë, atëherë, do të na jepni ne, shqiptarëve të drejtë. Sot jemi në një kohë tjetër e flasim me forcën e së drejtës, forcën e argumenteve. Për forcën e fakteve.
Ndaj bashkësia ndërkombëtare duhet ta lejojë Shqipërinë Natyrale, dhe ta ketë të qartë, që vetëm kjo Shqipëri Natyrale e qetëson dhe e stabilizon paqen në Ballkan. Pra hajde ulemi dhe ku janë kufijtë të Shqipërisë Natyrore. Në Preshevë? Jo janë në Nish. Pra ne kërkojmë vetëm këtë, ku jetojnë shqiptarët në shumicë pikërisht aty janë trojet e Shqipërisë Natyrore.
-Pavarësisht deklaratave të Athinës se do punohet për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis dy vendeve, vijon të jetë në fuqi ligji i luftës. A është kërcënim ky ligj për Shqipërinë Natyrale?
Ligji i luftës që Greqia e ka ende në fuqi me Shqipërinë, unë tani nuk e quaj më diçka paradoksale, por diçka idiote. Në Shqipëri mund të jetë një ligj që as laraskat nuk tremb më.
Përkundrazi, tregon nivelin e politikës së Athinës. Pra, politika greke që mbahet si një politikë Europiane, progresiste që kërkon ndonjëherë t’u japë mend edhe të tjerëve. Sot akoma në vitin 2016, minimumi duhej ta kishte anuluar.
Pra, është e qartë se bëhet fjalë për një ligj që ka vdekur, por problemi është se akoma nuk është varrosur dhe që tregon se Greqia është akoma me mendësinë e vitit 1940. Më shumë i bën dëm vetë Greqisë se sa Shqipërisë. Shqipëria nuk trembet aspak nga ligjet e luftës së Greqisë. Për këtë nuk ka asnjë dyshim.
-Ambasadorja e Greqisë në vendin tonë, Eleni Surani, pak javë më parë bëri një deklaratë të fortë duke thënë se Greqia e konsideron të mbyllur çështjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Cili është komenti juaj në lidhje me qëndrimin e saj?
Mendoj se deklarata e saj kurrsesi nuk duhet të merret seriozisht. Ajo është e re, nuk ka eksperiencë dhe në këtë kuadër mendoj se nuk ja vlen fare që të merresh me të. Me kalimin e kohës ajo do të mësojë më shumë nga diplomacia.
Dua të theksoj edhe një herë se e gjithë çështja është që brenda një mijë e një halleve që ka Shqipëria, kombi shqiptar në tërësi është në një moment ngritjeje, ndërsa nuk mund të them të njëjtën gjë për grekët.
Duket qartë tashmë që shtetit grek, unë nuk ja dua të keqen, por është në një rënie të lirë dhe nuk dihet se ku do të përfundojë. Gjithsesi unë uroj që të mos përfundojë shumë keq.
Intervistues: Bujar Muçaku /infoshqip.com

Rreth Shqipëria e Bashkuar

Check Also

Ç’DO HERË NË KOHE TË ZGJEDJEVE VJEN EDHE PATRIOTIZMI NË SHPREHJE NGA LIDERSHIPI SHQIPTAR

Nga:Hysni Gashi Isa Mustafa:Qeveria nuk bëhet duke u varur nga Lista Serbe dhe, siç thot …