Kryefaqja / PERSONALITETE / Azem Bejtë Galica, një burrë i madh i kombit shqiptar

Azem Bejtë Galica, një burrë i madh i kombit shqiptar

Atdhetari Azem Bejtë Galica padyshim se përfaqëson njërin nga personalitetet më interesante dhe më komplekse të rezistencës shqiptare të viteve 1919-1924 në gjithë territorin e Kosovës. Ai ishte një nga prijësit më të rëndësishëm të kryengritjes së Kosovës të vitit 1919 dhe ishte një anëtar aktiv i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës. Për vite të tëra ai udhëhoqi një nga çetat më të rëndësishme, e cila shumë herë u përball me xhandarmërinë dhe ushtrinë serbe, duke dalë e pamposhtur. Por, në korrik të vitit 1924, ai u rrethua në Drenicë (Galicë) dhe gjatë një lufte të ashpër me forcat serbe, duke çarë rrethimin, u plagos rëndë dhe vdiq pak më vonë. Me vdekjen e tij, rezistenca humbi një nga prijësit më të rëndësishëm të saj. Për shumë dekada, varri i tij nuk u tregua. Sot, varri i Azemit ndodhet në fshatin e tij të lindjes, në Galicë të Vushtrrisë. Për gjenerata të tëra ai ishte një burim frymëzimi. Ishte një figurë me të cilën u morën historianët, rapsodët e artistët. Për të u bënë filma, u kënduan këngë. Rrëfehen tregim dhe janë shkruar shumë libra. Por, megjithatë, ende ka hapësirë për të studiuar personalitetin e këtij patrioti. Ndërsa, ajo çfarë duhet thënë dhe që pak thuhet, është se ai ishte një emancipues i femrës shqiptare dhe një njeri që deshi shkollimin.
Prijës i lëvizjes kaçake
Në një prononcim për “Kosova Sot”, historiani Lush Culaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, është shprehur se Azem Bejtë Galica është një nga prijësit më të njohur të Lëvizjes Kaçake në Kosovës. Kontributi i këtij patrioti, sipas Culajt, në lëvizjen kombëtare është jashtëzakonisht i madh. Ndërsa, ka thënë se personaliteti i tij në historiografinë shqiptare është trajtuar në një formë të kënaqshme, edhe pse, ka shtuar ai, gjithmonë mbeten për t’u thënë gjëra që nuk janë thënë. Historiani Culaj ka thënë se Azem Galica ishte një nga anëtarët më aktivë të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, dhe të gjitha direktivat, sugjerimet e tjera ai i merrte nga ky Komitet. Bile, ka thënë ai, edhe përpilimi Programit të vitit 1919 për kryengritjen e 1919-s në Kosovë, ku Azemi ishte ndër udhëheqësit kryesorë, është përpiluar nga KMKK në Shkodër. Culaj ka thënë se Galica ka punuar kryesisht me direktivat e Hasan Prishtinës, i cili ishte prijës ideor i Azem Bejtë Galicës. “Është për t’u veçuar, sepse për gjithçka Galica është konsultuar me Hasan Prishtinën dhe nga ky i fundit ka marrë udhëzimet për të vepruar”, ka thënë Culaj. Ai ka thënë se institucionet kanë thënë shumë për figurën e Bejtës, në konferenca të shumta shkencore e aktivitete të tjera, ku personaliteti i tij është trajtuar në forma të ndryshme.
Meritor për emancipimin e femrës shqiptare
Përveç kontributit në Lëvizjen Kombëtare, figura e Azem Galicës mbeti një frymëzim për gjenerata të ndryshme në epoka të ndryshme, deri në ditët e sotme. Profesor Bedri Tahiri, që ka bërë edhe një biografi për Azem Bejtë Galicën, ka thënë për “Kosova Sot” se figura e Galicës jeton madhërishëm në popullin e vet. Sipas Tahirit, edhe lufta e fundit Çlirimtare në Kosovë ishte frymëzim i drejtpërdrejtë i Azem Galicës. “Adem Jashari, betimin e parë e ka dhënë te varri i Azem Galicës, bashkë me Hamëz Jashari. Hamza, librin për Azem Galicën e mbante me vete. Kështu, përkundër përpjekjeve të pushtetit të atëhershëm pas Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë figurën e Azem Galicës nuk kanë mundur ta zhbëjnë kurrsesi. Ai jeton në zemrën e popullit, në arte etj”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se historiografia shqiptare deri vonë figurën e Azem Galicës nuk e ka trajtuar si duhet. Megjithatë, sipas tij, viteve të fundit janë botuar botime me vlerë për figurën e këtij patrioti, duke përmendur botimet që janë bërë deri më sot për heroin drenicas, duke veçuar librin e Mehmet Rukiqit, “Azem Galica në traditën popullore”, i cili ka sublimuar tërë punën krijuese për këtë burrë të madh të kombit. “Por, ajo pjesë që mendoj se i kemi mbetur borxh Azem Galicës, është emancipimi i femrës. Ai merret edhe si emancipues i hershëm i femrës shqiptare. Ai e ka pranuar Shotën të udhëheqë delegacione dhe të marrë pjesë në bisedime, si dhe të udhëheqë aksionet luftarake. Pra, ai ishte një njeri që ka dashur sa më shumë shkolla shqipe, që ka dashur emancipimin e femrës. Ishte një njeri përparimtar me kuptimin e plotë të fjalës”, ka thënë Tahiri. /Kosova Sot/

Check Also

MUJA DHE HALILI I DITËVE TONA…Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj-NATO

Pushteti nga ana shqiptare,në shtetin sllavo-maqedon, përbëhej nga partia e BDI-së e cila në gjirin …

Leave a Reply