Kryefaqja / OPINION / GJURMË QYTETËRIMI TË LASHTË NË BALLOSH

GJURMË QYTETËRIMI TË LASHTË NË BALLOSH

Artan Kurti, Burrel 

Balloshi është lagje e fshatit Fshat në trevën e Klosit. Kufizohet në veri me Darsin, në lindje prek bregun e majtë të lumit Mat, në perëndim zgjatet deri në shpatet e malit të Darsit dhe në jug ndahet me pjesën tjetër të Fshatit nga ujrat e Lezedrës, të cilët rrjedhin që nga gurra e Gurit të Bardhë, nëpër Shkallë, në kanionin e Lezedrës poshtë kështjellës së Kastriotëve, Petralbës dhe derdhen në lumin e Matit. Është një lagje kodrinore, ashtu si dhe Fshati, me reliev të valëzuar e me pak livadhe dhe ara. E rëndësihme të theksohet është se kjo lagje ndodhet pikërisht poshtë kalasë ilire, e quajtur nga banorët rreth saj, Gjyteza e Xibrit. 

 

Qëllimi nuk është të përshkuajmë gjeografinë e kësaj lagjeje, por gjurmët e qytetërimit që hasëm, bashkë me historianin Rakip Lasku dhe studjuesin Aqif Ymeri, gjatë një ekspedite në këtë zonë për të mbledhur të dhëna për trevën e Klosit, qendër kryesore tregtare e Kryemates dhe gjithë Matit. 

 

Për të shkuar në lagjen Ballosh kaluam me automjetin tonë mbi lumin Mat në urën e varur, rreth 50 m të gjatë, që ndodhet afër vendit ku para shumë vitesh ishte ura e gurtë me disa harqe, e tipit venecian, e cila i dha emrin tregut të Klosit-Pazari i Urës. (Ura sipas të dhënave të mbledhura nga D. Kurti, është ndërtuar dhe rindërtuar disa herë, për shkak të prishjes që i bëhej nga ujrat e rrëmbyeshëm të Matit. Ura më e vjetër e ndërtuar këtu ka të dhëna të ketë qenë e gjatë 150 m dhe më e vona, në vitet ‘20-’30 të shekullit të kaluar, rreth 60 m. Gjurmët e këmbëve të saj kanë arritur deri në mesin e viteve ’70 të shekullit të kaluar.) 

 

Duke u ngjitur arritëm në krye të lagjes, aty ku është kulla e familjes Neziri. Gjatë bisedës me Canin, rreth të tetëdhjetave dhe të birin, Ibrahimin, mësuam se mbi lartësinë e shtëpisë së tyre, në vendin e quajtur Hurdhat, sipërfaqe prej 6 500 m2, gjatë punimeve për krijimin e një rezervuari kishin dalë blloqe, gurë shtufi kuadratikë dhe sende të tjera, si fragmente qeramike dhe një gur me forma “të çuditshme”. 

 

Duke shkuar te vendi, ku ishin gjetur objektet, vumë re se në relievin e pjerrët që të çon drejt Qafës së Qerrit kishte herë pas here mure mbajtës me gurë me forma dhe madhësi të çrregullta, pa llaç, të cilët krijonin tarraca me sipërfaqe të ndryshme disa dynymshe. Kjo zonë e ndodhur nën majën, ku ngrihet kalaja ilire e Xibrit, në rrëpirën e quajtur Lugu i Qerreve, e përshkon dhe njëri nga segmentet e Rrugës së Arbërit, i cili vinte nga Qafë-Murriza, kalonte Qafë-Shkallènë dhe zbriste nëpër lagjen Ballosh drejt urës së Pazarit të Urës. 

 

Ibrahimi na flet për vendet përreth, kodrat e mbushura me varre të vjetër: Kodër Mèle dhe Vorret e Kaurrit, na tregon segmente të kalldrëmit të Rrugës së Arbërit që gjendeshin aty pranë, për “Shkambin e Kuq”, majëkodrën e quajtur “Te Kaliba” dhe më lart “Fushë Shpatën”, na tregon një peshore qeramike, në formë piramide me një vrimë afër majës, e cila shërbente për ta varur. (Objekti është i njëjtë me atë të përshkruar nga D. Kurti, Kala e Qyteza në Mat, Emathia Nr. 2, f. 3). Më pas nga një shkurre ai rrokullisi gurin me forma “të çuditshme”, që dhe për çudinë tonë ishte një kapitel kolone i gdhendur në shtuf rënor. Kapiteli ishte me forma gjeometrike, i përbërë nga baza e sipërme, një paralelopiped me përmasa 49 cm x 49 cm dhe lartësi 9 cm. Poshtë saj ngushtohej në formën e trungut të një koni, baza e sipërme 49 cm, baza e poshtme 37 cm dhe lartësia 9 cm. Në vazhdim zgjatej një pjesë e trupit të kapitelit 8 cm, me diametër 37 cm, që duket se ka qenë sa trashësia e shtyllës së kolonës. Kapiteli është gdhendur në një bllok shtufi. Nga frakturat e lëna duket se pjesët e mëdha janë hequr me gdhendje, ndërsa pjesa konike, që është tepër e rregullt dhe pjesa e trupit të kolonës, duket se janë punuar me tornim dhe këtë na e provojnë dy vraga në fund të pjesës konike, të cilat kanë thellim të njëjtë dhe janë paralele midis tyre.

 

Fragmentet e qeramikës dhe kapiteli i gjetur këtu, mbase mund të na shtyjnë të mendojmë se janë rrokullisur nga ujrat e shiut, shpateve të malit të Darsit, në majë të të cilit në lartësinë 960 m ndodhet kalaja ilire e Xibrit. Por kur ndeshemi me muret mbajtës, taracimet, që ata krijojnë, toponiminë e shumtë të kësaj zone dhe segmenti i Rrugës së Arbërit që kalon këtu, i cili është pranuar nga studjuesit se ka funksionuar qysh në periudhat antike, na bën të besojmë se të gjitha këta ndodhen në një vend që dëshmon gjurmë jete. Në rrëpirën ku u gjet kapiteli, siç tregojnë banorët, nuk kanë dalë fragmente të tjerë, gjë që tregon se ai është rrokullisur, por jo më shumë se njëzet metra, nga buza e sheshit Hurdhat. Sipërfaqja e rezervuarit të hapur është rreth 1 500 m2 dhe gjatë spostimit të dherave me fadromë është parë një vatër ku ka qenë ndezur zjarr. Aty dukeshin thëngjijtë dhe forma e një kungulli, nga ato që përdoren, si enë për të mbajtur ujë. Pak më sipër, në buzë të rezervuarit të sotëm, banorët kanë vërejtur se gjatë spostimit të dherave tronditej një siprfaqe e madhe, në të cilën nuk kanë ndërhyrë. Kjo na le të shpresojmë se objekte të tjerë janë nën dhé dhe të hamendësojmë se mbase kemi të bëjmë me një ndërtesë që mund të ketë shërbyer në të njëjtën kohë me kalanë ilire të Xibrit, gjurmët e së cilës i përkasin periudhës para pushtimit romak, gjatë kohës së lulëzimit ilirian, rreth shekullit VI para lindjes së Krishtit dhe, sipas objekteve të gjetura, rindërtimi i fundit i saj është bërë në shekullin VI pas lindjes së Krishtit. (Dilaver Kurti, “Kala e qyteza në Mat”, Emathia Nr. 2 2007, fq. 1-5) 

 

Për nga tipologjia kapiteli i gjetur i përket arkitekturës dorike. Ndërtimin e parë të stilit dorik historianët e datojnë në vitin 540 para lindjes së Krishtit, kohë kur është ndërtuar tempulli i kushtuar Apollonit, në Korint të Greqisë. Tempulli i stilit dorik ndërtohej i ngritur mbi një bazament me tri shkallë dhe kolona që përbëheshin kryesisht prej shtyllës dhe kapitelit mbi të cilët vendoseshin arkitrarët dhe ballet me kornizimet përkatëse. (Pierluigi De Vecchi, Elda Cerchiari, “Kohët e Artit” Vëllimi I, Nga Parahistoria te Mesjeta, botuar nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Tiranë. fq. 40).

 

Kolonat e këtyre tempujve janë prej mermeri dhe me ulluqe vertikale, ndërsa kapiteli i gjetur në lagjen Ballosh të Fshatit është prej shtufi. Duke iu referuar ndërtimeve të tjera të ngjashme të stilit dorik, ngjan më shumë me kapitelet e tempujve etruskë, që shpesh ndërtoheshin me meteriale që shkatërroheshin lehtë, si baltë e pjekur, tulla prej balte të pjekur, dru dhe gurë. Kolonat ndërtoheshin prej shtufi me trung të lëmuar (Po aty, fq. 106). Pavarësisht nga stili arkitektonik, kapiteli është prodhuar në vend, pasi vendi përreth, përveç masivëve të mëdhenj gëlqerorë, në pjesët e ulëta ka dhe shkëmbenj me përbërje shtufi rënor. Kapiteli i gjetur përkon me ata të përdorur në tempullin dorik, ku dhe dy vragat që përshkuam më lart, janë në përbërje si elementë dekorativë. 

 

Në vendin e gërmuar nga banorët për krijimin e rezervuarit kanë dalë dhe disa blloqe shtufi-kuadratikë, poligonalë, të cilët mendojmë se janë përdorur si elementë konstruktivë ndërtimi për shkallët ose për arkitrarët. Te njëri prej tyre vumë re një thellim që mund të ketë shërbyer për tu lidhur me gurin pranë duke derdhur në të metal me temperaturë të ulët shkrirjeje, metal me rrahje, apo kllapa druri.

 

Gjetja e kapitelit, gurët kuadratikë, dëshmitë se aty pranë kishte tronditje masive të dheut, si dhe sistemimi në taraca i sipërfaqeve disa dynymëshe me mure mbajtës, na shtyn të mendojmë se kemi të bëjmë me gjurmë të një qytetërimi dhe konkretisht me elementë të një objekti kulti. Duke pasur parasysh mënyrën e ndërtimit të vendbanimeve të periudhës dorike, akropoli ndërtohej në pikën më të lartë të qytetit. Kështu, nëse ky vend është banuar gjatë lulëzimit të jetës në qytezën e Xibrit, tempulli duhet të ishte lart në majë të malit të Darsit, brenda mureve rrethues të qytezës, në pikën më të lartë të saj, në vendin e quajtur “Kalaja e Epër”.(D. Kurti, Kala e qyteza në Mat, revista “Emathia” Nr. 2, fq. 4). Por, ndoshta me pushimin e jetës në këtë qytezë edhe mund të jenë transportuar në vendin më poshtë për tu përdorur për të njëjtin qëllim. 

 

Nëse vendi që përshkruam, objektet e gjetura aty dhe dëshmitë plotësuese të banorëve përkojnë me një vendbanim, është rasti që mund të hapet një temë për specialistët e fushës së arkeologjisë dhe monumenteve të kulturës, me qëllim që të zbulojnë dhe përcaktojnë nëse ky vend, me gjurmë qytetërimi, ka funksionuar në periudhën e lulëzimit të jetës në kalanë ilire të Xibrit, shekulli VI para lindjes së Krishtit deri në shekullin VI pas lindjes së Krishtit, apo pas saj.

 

 

Shkrimi është publikuar për herë të parë më 22 janar 2010 në revistën prestigjoze matjane « Emathia ».

 

https://www.facebook.com/notes/revista-emathia-mat/gjurm%C3%AB-qytet%C3%ABrimi-t%C3%AB-lasht%C3%AB-n%C3%AB-ballosh/274814791168

 

Check Also

LE TEMPS (MAJ, 1939) : APELI I MBRETIT ZOG DREJTUAR SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË LIDHJES SË KOMBEVE

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Nëntor 2017 Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar të enjten …

Leave a Reply