Kryefaqja / PERSONALITETE / GURAKUQI, HEROI I RILINDJES KOMBËTARE

GURAKUQI, HEROI I RILINDJES KOMBËTARE

Luigj Gurakuqi do të ishte një nga ideologët dhe rilindasit më të mëdhenj shqiptarë. Do të lindë në Shkodër në vitin 1879. Shkodra ishte djepi i dijes dhe në këtë qytet të bukur ai do të marrë mësimet e para. Më pas do të vazhdojë studimet në Shën Korone në Kalabri, ku pati për mësues një njeri shumë të veçantë, të madhin Jeronim De Rada.
Vazhdoi më pas në Napoli studimet për shkencat e natyrës.
Tek Luigji do të shkriheshin dijet e mëdha që kishte me idetë patriotike. Dhe të gjitha këto do t’i vinte në shërbim të popullit dhe atdheut.
Që në rini të tij do të botojë artikuj të ndryshëm dhe vjersha të gjitha me pseudonimin Jakin Shkodra dhe Lekë Gruda. Por jo vetëm me penë do të japë kontributin e tij të madh për atdheun. Do të shquhet në kryengritjet e Veriut në vitet 1911-1912. Do të marrë pjesë në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë në 1912-ën.
Ishte ndër nismëtarët e Komisijes letrare të vitit 1917 dhe do të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet politike të shtetit të ri dhe ndryshimeve politike në vend.
Në vitin 1921 emërohet ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Hasan Prishtinës dhe do të ishte udhëheqësi i opozitës “Ora e maleve” në Shkodër. Më 1924 zgjidhet si ministër i financave në qeverinë e Fan Nolit. Do të vritet në 1925 nga njerëzit e Zogut.
Gurakuqi ka një vepër të jashtëzakonshme publicistike por do të njihet dhe si poet.
Poezitë e tij të para janë të lidhura me vendlindjen. Të tilla janë:” z. Gegë Postrippës”, (Të përgjegjun). “Dallëndysha u kthye” (Gegë Postrippës). Në to poeti fikson fatin e rëndë të Shqipërisë. Kujton robërinë, varfërinë, përçarjen, fatkeqësinë e shumëfishuar kombëtare. Këto vjersha shprehin edhe synimin e poetit , që me këngë t’zgjoj të rinjët dhe t’i mobilizoj ata në mbrojtje të atdheut.
Në disa poezi tjera siç janë: “Shqipja e burrit”(Aquila Pyrri), “Dita 29 Tetor 1900”, “Kangë”, “Qindresa” etj. Gurakuqi trajton motivin patriotik.
Vjersha “Shqipja e burrit”, e cila është një tingëllimë e botuar më 1902, me pseodonimin Jakin Shkodra. Kjo lirikë , simbolikisht shpreh orën e Pirros, emrin dhe famën e tij. Ajo sugjeron fluturimin e shqipes (Pirros) mbi Korçë, sheh mësonjëtorën, shkollën, në Shkodër ndjen zjarrin e djelmënisë. Në Sofje gjen shqiptarët duke punuar për çështjen e atdheut. Në Bukuresht sheh se si kultivohej gjuha shqipe. Brodhi edhe nëpër kolonitë e tjera shqiptare, dhe kudo gjeti bashkombas të preokupuar me çështjen kombëtare. Vjersha përfundon me vargjet:
“Kah ishte nisun e i ra Burrit n’gji
Tue thanun :”Gëzohu! për ne vaji mbaroi”.
Te vjersha “Dita 29 Tetor 1900”, poeti do t’i këndojë figures së Gjin Bua Shpatës, dragoit të gjithë Toskërisë. Autori në një anë përshkruan luftrat e këtij heroi, në anën tjetër shpreh dhembjen e thellë për vdekjen e tij. Atmosfera epike e vjershës ngjan me atë të këngëve popullore:
“Dridhej toka, vrant ish moti,
Larg kah bregu deti ushtonte;
Mbi nend t’onë shprazte rrfe Zoti,
Kali i Gjinit n’t’zi turfllote;
Kur u ndi gjama e ushtris;
Diq dragoni i gjith Tosknis!”.
Autori, pastaj, i thërret hapësirat e largëta, viset ku ai kishte luftuar, që të mbajnë zi për të. Heroi i vdekur , edhe shekuj më pas do të anëkohet për ndryshimet, që ka pësuar qenia kombëtare. Ajo sikur nuk ka dalur as sot, nga ajo botë lashtësie. E ka braktisur vetevetën dhe ka harruar gjakun e të parëve.
Vjersha “Kangë”, është një ode e njohur e poetit. Në këtë poezi, autori i qaset në një mënyrë të vaçantë figurës së Skënderbeut, ku me një intonim epik , të përafërt me atë të këngëve popullore, sygjeron rishfaqjen e heroit edhe pas vdekjes :
“Zana e malit ulë te bregu ,
Nisi e këndoi një kangë arbënore,
Kur qe varri i Skanderbegu,
…………………………….
T’randën rrasë, përjashtë flakroi,
Si prej shpellës , kur del drangoi.”
Pamja e këtillë të kujton baladën ,” Konstandini dhe Doruntina”, që sugjeron pengun jetësor, të cilin se ka tretur as vdekja. Heroi hedhë sytë rrotull atdheut:
“Mbi shkretinat t’asaj Zoje,
Një here n’za kaq vorfnuemun…”
Vargjet e këtilla, permes kontrastit, shprehin varfërinë e madhe të vendit. Shprehin pasojat e robërisë së gjatë në botën e qenies kombëtare. Në krijimtarinë poetike të Gurakuqit gjejmë edhe dy lirika subjektive: “Shpis s’ime” dhe “Tufë lulesh”, që është një kujtim i të dashurve. Tingëllima “Shpisë s’ime”, është botuar në “Albania” të Faik Konicës më 1905 dhe i kushtohet Hil Mosit. Shtëpia për poetin e mërguar është një kënd intim i kujtimeve. Eshtë malli i pashuar për vatrën dhe njerëzit e saj. Poeti ndonëse në dhe të huaj , nuk shkëputet dot nga atdheu, vendlindja ku e ka nisur jetën dhe e ka kaluar fëmijërinë. Ndërsa në vjershën “Tufë lulesh” ka një shtrirje të dhembjes së djaloshit, që vajton te varri i motrës, është dhënë me një numërim si te këngët (Vajet) popullore:
Poezia “Zogëza e zezë”, është një lirikë erotike. Në të shprehet brengosja e poetit për dashurin e tij të mospërfillur. Përkundër dashurisë së madhe, vajza nis e largohet. Vazhdon harrimi si mospërfillje, si humbje shpirtërore. Dashuria humb vetëveten dhe hapësiren reale të saj.
“Shoqet e moçme, e në vetmi do t’mbetesh
Deri që toka , t’shueme,
Mos t’mbledhë n’paqë t’pa mbarume!”
E gjithë kjo do të duket si një hapësirë e rrënuar moshe, rinie, jete e përjetësie, në të cilën qenia memece e saj, do të vazhdojë pa këngë, pa dashuri jete dhe e penduar brenda amëshimit shpirtëror.
Vjersha “Qindresa”, i kushtohet Gegë Postripës. Ajo botohet në “Albania” të Faik Konicës më 1904, me pseudonimin Lekë Gruda. Kjo poezi është ndër më të realizuarat të këtij poeti. Në vargjet e saja të pare fiksohet konstatimi poetik, se gëzimet ndodhin në rini, derisa zemrën nuk e kan shtrënguar vuajtjet e jetës. Ndërsa vargjet në vazhdim janë të një fantazie jete , që nuk njeh caqe të realitetit. Bota romantike e poetit shumë shpejt fillon të tërhiqet, ku ëndrrat nisin e zhduken , treten në mënxyrat e kohës. Poeti fillon ta sheh ndryshe realitetin , ndryshe i duket jeta, iluzionet tani janë zhdukur:
“Oh jeta përnjëmend me rrena e vaj
Plot qenka n’kët botë t’lashtë!
U shuaka teper shpejt lakmimi i saj
Si zjarri i bam me kashtë.”
Poeti aludon te ajo shoqëri dhe te morali i saj, pse e bëri jetën të këtillë. Ndërsa në tri strofat e fundit të vjershës, të cilat nuk figurojnë në disa botime, poeti sërish i kthehet subjektit të përkushtimit, lirikut Filip Shiroka, për ta përfunduar, që deri në realizimin e plotë të qenies kombëtare të mos pushojë lufta:
“T’qindrojmë pra, or Gegë, t’luftojmë për ket qëllim
Me zell sikur ne’i parë:
Armët doret mos t’i hjekim deri n’marim,
T’diftojmë se jemi shqypetarë.”
Vjershat e Luigj Gurakuqit për fëmijë- Vjershat e Gurakuqit për të vegjlit janë të pakta, dhe u botuan për here të pare në vitin 1905, në “Këndimet e para për msojtoret filltare të Shqypnis”, u ribotuan më vonë, më 1940 në përmbledhjen “Vjersha”. Ato përbëhen nga 14 vjersha, prej të cilave katër janë përkthyer ose përshtatur nga gjuhë të huaja. Temat e këtyre vjershave lidhen me shkollën dhe janë të njëjta me ato të rilindasve të tjerë. Me vjershat mbi natyrën; “Prandvera”,”Vera”, “”Vjeshta”, “Dimni”, “Stinët e motmotit” etj. Vjershat tjera të shkruara me temë morale janë; “I tretuni”, “Luftari tue dekë”, “Fëmija prekës”, dhe “Rrenacaku”, përshkruajnë sjelljet e të vegjëlve.
Veçoritë stilistike dhe gjuhësore- Gurakuqi, përveç si poet sprovohet edhe në sferat tjera të jetës shoqërore e kulturore. Ai në krijimet poetike trajtoi tema të ndryshme të kohës, dhe sikur shënoi fundin e poezisë së Rilindjes. Trajtoi lloje të ndryshme të poezisë, strofës dhe vargut. I kushtoi rëndësi, sidomos, formës klasike, dhe brenda saj futi përmbajtje aktuale. Edhe Gurakuqi, si ndonjë poet tjetër i kohës, pati fatin e ngutjes jetësore e kreative, për të ndihmuar çështjen e atdheut dhe të qenies kombëtare, prandaj poezia e tij ndonjëherë mbeti e tillë e palatuar, siç shpërtheu nga shpirti i tij prej romantiku.

Check Also

Ilir Mazllom Soba (28.4.1971 – 18.10.1998)

Menjëherë pas krismave të para të lirisë në Prekaz e Gllogjan në mars të vitit …

Leave a Reply