Kryefaqja / OPINION / KRYEMATI, VATËR E QYTEZAVE TË HERSHME DHE E REZISTENCËS SHQIPTARE

KRYEMATI, VATËR E QYTEZAVE TË HERSHME DHE E REZISTENCËS SHQIPTARE

 Aqif YMERI, Klos

 

Kjo trevë ka patur banime të hershme që nga neoliti.

 

Toponimia shumë e pasur e kësaj treve ka tërhequr vemendjen e studiuesve të shumtë, të cilët kanë ndeshur në disa vende me gjurma banimi të hershëm të quajtura “Gjyteza”. Rrënoja të këtyre vendbanimeve gjenden kudo mbi kodra apo maja, mbrojtja e të cilave ndikohet mjaft edhe nga relievi e natyra, si ato të “Gjytezës së Xibrrit”, “Gjytetit në Fushat”, “Gjyteza në Klos”, “Gjyteti i Aleksandrit në Kurdari”, “Gjyteza në Kurqelaj”, “Kodra e Gjytetit në Dom”, “Kalaja e Petralbës”, “Kalaja e Cerujës” etj.

 

Popullsia ilire në këtë trevë mundi të rezistojë e të ruhet pa u asimiluar, si nga pushtimi i gjatë romak, ashtu edhe nga dyndjet e popujve të tjerë. Historiografia jonë dëshmon se popullsia ilire e Pirustëve, Penestëve, Liburnëve, Labeatëve etj, filloi të integrohet në një popullsi të re Albanët, që përmenden në shekullin e II. Studiuesit gjermanë të kësaj periudhe nxjerrin përfundimin se : “Në kohën e vonë romake dhe në atë të parë bizantine do të shohim se në krahinën e Matit ndodhën integrime të fuqishme midis fiseve ilire dhe shkrirje midis tyre drejt një fenomeni të vetëm Arbënor”. Në këtë aspekt shumë gjurmues gjermanë e shohin luginën e Matit “si një vend ku nuk u futën ardhacakët nga jashtë e kështu Mati mbeti i pastër. … Kjo krahinë duhet të kundrohet si hapësirë jetësore e shqiptarëve të hershëm pa përzierje e pa trazime “.

 

Profesor Dhimitër Shuteriqi është shprehur: “Ka mendime që qendra e Arbërit të jetë Xibrri ose Guri i Bardhë, apo ndonjë vend malor i luginës së Matit, ku ka patur edhe vende të fortifikuara që njihen prej asaj kohe, siç është kalaja e Xibrrit, e Darsit apo e Gurit të Bardhë”.

 

Tipike e vendbanimeve të hershme është Qyteza e Xibrrit në Kryemate, e cila ndodhet mbi lartësinë e malit të Darsit (Splaj), në kuotën e 963 m mbi nivelin e detit, e harkuar nga një kurorë kreshtash të pakalueshme. E vetmja rrugë që të çon në qytezë është ajo që degëzohet prej udhës “Shkalleja e Keçe” me drejtim për në kala. Në rrënojat e qytezës gjenden mbeturina muresh, themelesh, fragmente qeramike, enësh, monedha, eshtra etj.Në jug të qytezës vazhdojnë rrënojat me formacionin që sot mban emrin “Kalaja e Epër”. Kjo pjesë e vendbanimit duket se nuk ka qenë e fortifikuar, mbasi është e mbrojtur nga natyra. Poshtë, më në jug, shtrihet “Sheshi i Kalasë” i rrethuar me mure të thata prej gëlqereje që i kanë shërbyer mbrojtjes së vendit, ku shtriheshin banesat sipër në taracina. Muri është i thatë me gurë të bardhë gëlqerorë, me formë të zakonshme nga jashtë e nga brenda me pjerrësi në ulje, sipas relievit dhe me 2-3m gjërësi. Qyteza e Xibrrit, së cilës si mjet fortifikimi i ka shërbyer kalaja, formonte në kompleks një vendbanim të mbrojtur të popullsisë së luginës në Kryemate. Lashtësia e Qytezës duket që nga muret e formuara me masa shkëmbore pa gëlqere (mure ciklopike), gjurmë të tilla të gjetura në vendin tonë të identifikuara me kohën para pushtimit romak, periudhës së parë të kohës së hekurit. Pjesë të tjera të mureve kanë të njëjtat karakteristika, veçse gurët aty këtu janë të gdhendur, gjë që dëshmon për rindërtime të mëvonshme. Në teknikën e punimit të gjetjeve të shumta spikasin elementë të kulturës ilire. Midis gjetjeve, figuron një drahme argjendi të Apollonisë me emrin ∑ΩKPTH∑ NIKΩNO∑ , dy bronxe të Dyrrahut të tipit Zeus-Trikambes, që dëshmojnë se Qyteza ka patur marrëdhënie ekonomike me Dyrrahun e Apoloninë, sidomos në shek. IV-II p.l.k. Gjetjet dëshmojnë se kjo qytezë ka pësuar rrënime e rindërtime të herë pas hershme.

 

Nisur nga lista e rindërtimeve që përcakton Prokopi i Cezaresë të bëra në Epirin e Ri nga Perandori Justiniani, ndeshim fortesën “Ketron” . Fshati Ketë, sot është përballë kësaj qyteze, por gojëdhëna shprehet sikur Keta ka qenë katundi më i madh me 600 shtëpi. Rrënojat e qytezës që cituam, natyrshëm të çojnë në përfundimin se ato duhet t’i përkasin fortesës “Ketron” që shënon Prokopi i Cezaresë.

 

Në vitet 1261-1266 në mbishkrimin e kishës së Rubikut, përmendet “Kapiteni Arbëve të Cmimbrit” dmth Andrea Vrana (“capt Arban Cmibri id e Andrea Vrana”) nga ky mbishkrim del se Andrea Vrana kryeqendrën e tij e kishte në Cmibri dmth në Xibrrin e sotëm, mbasi vendësit fjalën Xibër e shqiptonin Xipër, që do të thotë sipër, lart mbi ne, ku deri në ditët tona fjala “sipër” kishte si variant “cipër” duke shpënë te “Cmibri” i mbishkrimit. Qyteza gjendet sipër fshatrave të luginës së Kryemates dhe emërtimi saj është i lidhur me këtë fakt. Gojëdhëna shprehet se Kalaja e Xibrrit ka qenë Kalaja e Kastriotëve dhe” kur mbylleshin portat e saj të hekurta, krisma e tyre ndihej në Benë (Bejnë)”.

 

Pas rrënimit të Kalasë Ilire të Xibrrit, me lindjen e principatave feudale shqiptare, shek. XIII-XIV, u ndërtua Kalaja e Petralbës. Në popull kjo kala quhet kalaja e Skënderbeut. Në majën e dytë mbi Lezedër edhe sot janë të shumta fragmentet e mureve të kalasë. Këtu terreni është shumë i thepisur dhe me shpate të pakalueshme. Janë të dukshme në një gjatësi prej 50 m dhe gjërësi afro 15 m punimet me karakter fortifikues. Lartësia në përputhje me terrenin ka qenë e mbrojtur me mure rrethues. Në anën lindore, ku ka qenë edhe porta e kalasë fragmentet e mureve janë të shumta. Banorët e Fushatit, edhe sot Kalanë e Petralbës, e quajnë “Maja e Qytetes”. Ekzistenca e dy palë mureve paralel në fortesë, dëshmon për rrënim e rindërtim të saj, që vërtetohet nga prania e tjegullave të përdorura si lëndë ndërtimi në cepin jugor të murit rrethues të fortesës. Qeramika e mbledhur në truallin e kalasë nga studiuesit tanë tregon për një kohë të gjatë jete të kalasë, që nga periudha e vonë antike, deri në mesjetën e mesme.Gjurmët e zbuluara jashtë kalasë, nga një hapësirë e gjërë periferike e saj, pa ndërprerje deri në “Majën e Qytetes”, janë dëshmi e qartë e një vazhdimësie jete intensive. Të shumta janë rrënojat dhe gjetjet arkeoligjike që nga Vërrithi, përtej Urës së Vashës mbi Mat e Qafë-Dervenit, në vazhdimësi në dy anët e Rrugës së Arbërit, drejt kalasë e më tej në njërën anë nga “Murgatei” e në anën tjetër nga istikamet e shkrepave e “Majës së Kunorës” dhe vijuar nga ”Dyqanet e Venedikasve”, “Lugu i Arrave”, “Majkisha” e “Kodra e Pazarit” , duke zbritur buzë Lezedrës nga “Denxhet e Barutit” (Dingat e Barutit) dhe përtej Lezedrës me “Shkozëkishën”, “Hushpatën”, “Lugun e Qerreve” , “Kodërfarkën” etj. Kjo jetë intensive në një hapësirë të gjërë të “Qytezës së Petralbës” i përket popullsisë së një treve të tërë që dëshmohet qartë edhe nga toponimia, si “Ara e Sulxhetës”, “Arnjet e Allës”, “Bregju i Almetës”, “Fush’ e Rrahit t’Algjokës”, “Shkrepi i Lacit”, “Zabeli i Lacit”, “Rrëza e Laskës”, “Përroi i Kaçelit”, “Brinja e Mehme Dalliut”, “Ara Kuke” (“Ara e Kukës”) etj, që u përkasin fiseve në fshatra të ndryshëm jashtë Fushatit. Pra, “Qyteza e Petralbës” nuk përfshinte vetëm popullsinë e “Fushatit”, por të një treve të tërë të zotëruar nga Kastriotët. Që Petralba ishte rezidencë e familjes së Kastriotëve dhe prapavijë e ushtrisë së Skënderbeut, e dëshmon qartë edhe Barleti kur shprehet: “…Skënderbeu pasi la ushtrinë që mbeti (dmth pas forcave ushtarake që morën me vete purpuratët dhe të ndonjë numri ushtarësh që mund të kishte marrë me vete Skënderbeu) në kujdes të Moisiut, për më se tri ditë u ndodh në Krujë për punë të ndryshme, sidomos për të sjellë nga Petralba gruan dhe fëmijët”.

 

 “…Prandaj e shpërndau mbledhjen e ushtrinë dhe i la të gjithë të lirë të ktheheshin në shtëpi, ndërsa ai vetë, bashkë me Hamzën dhe me pak kalorës, shkoi në Petralbë. Atje ai kishte lënë të shoqen që në fillim të verës, gjë që e bëri pastaj gjatë gjithë kohës së mbretërisë, me qëllim që verën dhe vjeshtën të qëndronte atje për prehje, kurse kohën tjetër në Krujë, me përjashtim të rasteve kur vinte Mehmeti apo ndonjë mizëri tjetër me ushtarë. Atëherë ai, i shqetësuar nga rreziku i madh që kishte përpara dhe tërë hall për mbretërinë, e shpinte atë bashkë me gjithë familjen dhe me plaçkën më të çmuar në Kolhinium, qytet bregdetar i venedikasve, apo në qytete të tjera më të largëta.

 

Rrëzë kështjellës ishte një fushë me një bukuri të veçantë, si nga hijeshia e vetë natyrës dhe e vendit, si nga punimi plot kujdes i banorëve, sa që s’i mungonin as pemët, as hardhitë, as frutat, asgjë nga ato që begatojnë dhe zbukurojnë tokën. Atje, zonja, bashkë me familjen dhe me vargje të pambaruara vajzash e me shërbime mbretërore, sipas zakonit, e kalonte atë pjesë të vitit.

 

Rreth e rrotull, nga çdo anë e fushës ishin pyje të paafrueshme dhe ngushtica luftëtarësh për ruajtjen e saj. Dhe vetë qytetin e kishte pajisur si jo më mirë me burra, armë dhe ushqime për çdo rast”. (M. Barleti: Histori e Skënderbeut, botimi i tretë, Tiranë 1982, fq.391-392).

 

Për pozitën strategjike të Qytezës së Petralbës Barleti dëshmon:

 

“Duke vazhduar drejt rrugën, arritëm në Petralbë, e cila është larg nga Petrela 30 mijë hapa, nga Kruja po 30 mijë, ndërsa Petrela nga Kruja 25 mijë hapa. Ky është një qytet në Mat, i ndërtuar mu në majë të një mali të vogël, por që s’i trembet, megjithëkëtë, përveç urisë, asnjë fuqie armiku. Veç kësaj, lumi i Matit, që rrjedh rrëzë malit, duket se i shton këtij vendi jo më pak bukurinë se sa fuqinë mbrojtëse dhe dobinë. Sapo ushtria zuri vend e nguli çadrat nën muret, erdhën disa të dërguar nga ata të qytetit te Skënderbeu dhe i bënë me dëshirën e vet dorëzimin e qytetit” . (M. Barleti: Histori e Skënderbeut, botimi i tretë, Tiranë 1982, fq.98-99)

 

Për fuqinë e Petralbës në ushtrinë e Skënderbeut Barleti shkruan:

 

 “…Por Skënderbeu pasi arriti në kamp, i cili ishte vendosur në një vend, që quhet Petralbë, 15000 hapa larg armikut, ku kishte 8000 kalorës dhe 4000 këmbësorë nga më trimat, po armatosej e po bëhej gati për t’u nisur kundër armikut”.

 

Skënderbeu kishte besueshmëri e siguri në Qytezën e Petralbës, ndaj edhe në raste konflikesh ai bënte kujdes për të siguruar pengjet në kështjellën e Petralbës. Për këtë Barleti shprehet:

 

 “…mbajti vetëm dy burra, më bujarët, Andrenë dhe Vulkathanin, si një farë pengu për besëlidhjen e ardhshme dhe si një farë sigurie të paqenë kundër egërsisë shkodrane. Për këta ai dha urdhër që të mbaheshin me roje në kështjellën e Petralbës, por në një mënyrë sa më bujare dhe sa më mirë”.

 

Në Qytezën e Petralbës, Skënderbeu ngriti për herë të parë dingat e barutit. Numri i dingave më vonë në Kryemat arriti në 19. Baruti i këtyre dingave është përdorur gjërësisht në trojet shqiptare e përtej tyre nga luftëtarët e lirisë. Edhe në botimin e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, “Etnografia shqiptare”, nr. 16, faqe 224 (botim i vitit 1989), duke iu referuar studimeve të arkeologut dhe etnografit Dilaver Kurti, lexojmë:

 

 “Këto punishte kanë qenë vendosur në Kryemat, rrëzë kalasë së Skënderbeut, Petralbës …”

 

Qytezës së Petralbës, kësaj qyteze të Kastriotëve, i përkasin edhe rrënjët e lëvruesit të parë të vjershërimit në gjuhën shqipe, Budit të madh i cili jo vetëm shkroi librat e para në shqip për të zgjuar ndjenjën kombëtare e rritur dashurinë për gjuhën shqipe, duke u lartësuar si figurë e shquar e letërsisë sonë të vjetër, por njëherësh ai qe organizator dhe aktivist i shquar i lëvizjes çlirimtare kundër pushtuesit otoman. Në veçanti duhet të theksojmë se në vitin 1618, flamurin e përfaqësimit dhe të paraqitjes së nevojave për kryengritje e mori Pjetër Budi, i cili u mundua gjithashtu të siguronte përkrahje në Romë me armatime e ndihma të tjera ushtarake. Mbytja e Pjetër Budit në dhjetor të vitit 1622 në Drin, në atë kohë kur ishte ipeshkv i Sapës dhe Sardanjës, nuk mund të jetë kurrsesi rastësi. Ai po kalonte Drinin me trap vetë i pesti dhe nuk kishte si të mbytej vetëm ai, që ishte kryesori dhe shoqëruesit që e shoqëronin për ta mbrojtur të shpëtonin. Budi në një takim në ipeshkëvinë e vet ku kishin nënshkruar priftërinjtë e tre dioqezave Shkodër, Sapë e Lezhë, duke u betuar që të mos pranonin ipeshkvij të kombësive të huaja, bëri që ai përveç pushtuesve turq, të fitonte edhe urrejtjen e klerit katolik joshqiptar.

 

Rezistenca e Kryemates, bashkë me prodhimin e barutit ka vazhduar pa ndërprerje deri në shekullin e XX. Janë të njohura kuvendet te Lisi i Patllit në Suç dhe organizimet në luftë si kundër pushtuesve turq, ashtu edhe më vonë kundër atyre serbë, malazezë etj. Është për tu theksuar se asnjëherë serbët nuk mundën të kapërcejnë pritat e Kryemates për të depërtuar në Mat. Edhe gjatë luftës antifashiste, në Kryemat u formuan dy çeta antifashiste të Matit:

 

E para, më 18 korrik të vitit 1942, në shtëpinë e patriotit Hysen Buzhiqi në Klos u formua Çeta antifashiste e Matit, një nga çetat më të vjetra të Shqipërisë.

 

Në fundqershorin e vitit 1943, në shtëpinë e patriotit Sen Lezi në Gurrë të Vogël, në prani të 80 luftëtarëve dhe të një mase populli , u shpall krijimi i çetës së dytë antifashiste vullnetare të Matit. Në këtë çetë morën pjesë luftëtarë matjanë nga të gjithë fshatrat e Matit, si dhe një numër luftëtarësh nga çeta e parë e Matit, si nevojë për të sjellë në këtë çetë përvojë nga veprimtaria njëvjeçare e së parës. Më 15 gusht 1944, në fushën e Suçit, u përurua “Batalioni i Matit”.

 

Luftëtarët kryematas, të inkuadruar në formacionet e luftëtarëve matjanë e më tej të gjithë Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare dhanë kontributin e tyre të vyer për çlirimin e vendit.

 

Kryemati mbeti në histori si një vatër e qytezave të hershme dhe e rezistencës shqiptare.

 

Check Also

LE TEMPS (MAJ, 1939) : APELI I MBRETIT ZOG DREJTUAR SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË LIDHJES SË KOMBEVE

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Nëntor 2017 Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar të enjten …

Leave a Reply