Kryefaqja / OPINION / Kur MiG-ët luftarak të Shqipërisë shfarosnin çdo ‘mizë’ greke dhe jugosllave, që fluturonte në hapsirën ajrore shqiptare, operacionet më të suksesshme të Forcave Ajrore Shqiptare

Kur MiG-ët luftarak të Shqipërisë shfarosnin çdo ‘mizë’ greke dhe jugosllave, që fluturonte në hapsirën ajrore shqiptare, operacionet më të suksesshme të Forcave Ajrore Shqiptare

Forcat Ajrore Shqiptare u krijuan zyrtarisht, më 24 prill 1951 dhe janë një nga tre armët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Avionët e parë ishin avionë sovjetikë të prodhuar mbas Luftës së Dytë Botërore Yak-18 dhe fillimisht u dislokuan në Laprakë në periferi të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë. Pak vite më vonë, Forcat Ajrore Shqiptare do të pajiseshin edhe me avionë luftarakë reaktiv. Ndër avionët më të sofistikuar ishin ata të tipit MiG-15, MiG-17, MiG-19 dhe MiG-21. Ishte një periudhë lulëzimi, për Forcat Ajrore, pasi po zhvilloheshin me shpejtësi dhe për armikun ishte bërë tashmë e pamundur, të kërcënonte territorin shqiptar. Por antishqiptarëve nuk iu erdhi në vesh kjo gjë dhe mendonin se ishte e lehtë, të përpiqeshe të hyje në territorin shqiptar ‘pa u lagur’, por kur e provuan, u penduan në parajsë. Forcat Ajrore Shqiptare ndërmorën disa operacione luftarake ndaj kujdo, që arrinte të shkelte hapsirën ajrore shqiptare, madje duke u ndeshur edhe me avionë gjermanë dhe amerikanë, të cilët ishin kalimtarë nëpër Shqipëri. Operacionet e para luftarake të Forcave Ajrore (FASH) u ndërmorën nga regjimenti kundërajror “Ali Demi”. Në gusht të vitit 1948 njësitë KA goditën dhe rrëzuan një avion grek të tipit “Spitfire”, që kishte shkelur hapësirën ajrore shqiptare për mision spiunazhi. Avioni grek u shkatërrua dhe piloti u gjet i vdekur. Në gusht të vitit 1949, njësitë KA të po këtij regjimenti goditën dhe rrëzuan një avion tjetër grek, gjatë provokacioneve të gushtit. Avioni grek, i dëmtuar nga zjarri gjatë sulmeve të FASH, u detyrua të ulej në fushë ku u kap nga njësitë luftarake shqiptare. Piloti grek u kap dhe u burgos si rob lufte. 

Njësitë fluturuese të FASH panë aksionin e parë luftarak të tyre në vitin 1957. Pikërisht, më 23 dhjetor të 1957, një avion luftarak amerikan i tipit T-33 shkeli hapësiren ajrore shqiptare. Dy avionë të tipit MiG-15 u ngritën nga baza ajrore e Kuçovës, të pilotuar nga Anastas Ngjela dhe Mahmut Hysa. Avioni Amerikan u rrethua dhe u detyrua të ulet në pistën e pambaruar të aeroportit të Rinasit. Avioni u sekuestrua dhe piloti amerikan u kap rob. Piloti amerikan u lirua më 11 janar 1958, ndërsa avioni u vendos në muzeun e kështjellës së Gjirokastrës, ku ndodhet edhe sot. 

Më 31 dhjetor të 1957, vetëm disa ditë më vonë nga ky incident, një avion tjetër i huaj shkeli hapësirën ajrore Shqiptare. Ky ishte nje avion transporti i tipit DC-7 i Independent Air Travel që po fluturonte nga Gjermania drejt Singaporit. Dy avionë të tipit MiG-15 u lëshuan për ta kapur. Transportuesi u rrethua dhe u detyrua të ulej në aeroportin e Kuçovës.Të 5 pilotët dhe avioni civil u liruan më pas më 4 janar 1958 mbasi u vendos që ishte vetem nje gabim navigacioni. Më 31 dhjetor 1958, një avion tjetër i huaj u kap nga avionët reaktivë të bazës së Kuçovës. Ky ishte një C-54D “Skymaster” që përdorej nga CIA për të transportuar armë në Indonezi. Avioni u detyrua të ulej në bazën e Kuçovës, dhe më pas pilotët dhe avioni u liruan për t’u kthyer në Angli. Nje fitore e rendesishme kjo e FASH. 

Në 21 korrik 1967 një incident i rëndë ndodhi mbi hapësirën ajrore Shqiptare. Një avion jugosllav i tipit F-84 “Thunderjet”, i armatosur me raketa të padrejtuara dhe bomba, shkeli hapësirën ajrore të Shqipërisë në afërsi të Dibrës duke fluturuar në drejtimin Peshkopi-Martanesh-Tiranë. Avioni jugosllav me numër regjistrimi 11 ishte i dislokuar në aerodromin ushtarak të Zemunit, rreth 15–20 km në veri-perëndim të Beogradit. Avioni pilotohej nga Boidar Vojevic dhe detyra e tij ishte të fluturonte për në aerodromin ushtarak të Kumanovës, Maqedoni, ku do të merrte pjesë në stërvitje. Shërbimet e radarit nuk arritën të diktonin shkeljen e hapësirës ajrore të Shqipërisë, për shkak se avioni jugosllav fluturonte ulët duke ndjekur relievin. Avioni u diktua vetëm kur ai iu afrua bazës së Forcave Ajrore në Rinas. Pilotë të gatshëm ishin Koço Biku dhe Roland Sofroni. 3 avionë reaktivë të tipit MiG-19, të komanduar nga pilotët Koço Biku, Mahmut Hysa dhe Gëzdar Veipi, u ngriten nga baza ajrore e Rinasit për të interceptuar avionin jugosllav. Avioni jugosllav u rrethua dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Rinasit. Mbas uljes, piloti jugosllav deklaroi se ai kishte humbur orientimin gjatë fluturimit. Avioni dhe piloti u kthyen në Jugosllavi, mbas një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. 

Disa incidente dhe operacione luftarake të tjera u kryen mbi Shqipëri në vitet 60-70, për të cilët nuk dihet shumë. Në vitet 60, dy avionë të Forcave Ajrore Italiane të tipit F-84 “Thunderjet” u ulën në bazën ajrore të Rinasit në rrethana të panjohura (sipas një versioni tjetër, flitet vetem për një F-84 Italian që u ul në Rinas). Në vitet ’70, një avion i vogël civil grek u kap mbi Vlorë nga një MiG-15. Ai u detyrua të ulej në pistën ajrore të Vlorës, ku piloti, një shtetas grek, u arrestua.
Gjithashtu, në fund të viteve 70 një avion Shqiptar i tipit MiG-21F-13 gabimisht shkeli hapësirën ajrore jugosllave gjatë një stërvitjeje. Avioni Shqiptar, i pilotuar nga Luto Sadikaj, u kap nga 2 avionë jugosllavë të tipit MiG-21. Avioni Shqiptar u rrethua dhe u detyrua të ulej në një aerodrom në Kosovë. Por piloti Shqiptar, në momentin kur avioni bëri kontakt me pistën e aerodromit, e futi në forsazh avionin dhe u ngrit përsëri, duke lënë prapa dy avionët Jugosllavë që tashmë kishin hapur parashutat e frenimit. Luto Sadikaj iu drejtua Shqipërisë me shpejtësi të madhe dhe u kthye në atdhe. Fatkeqsisht, Sadikaj vdiq në një aksident me po të njëjtin avion, në vitin 1982. Që nga viti 1948, njësitë KA dhe ajrore të FASH kanë arritur 8-9 fitore kundër avionëve të huaj mbi hapësirën Shqiptare pa pësuar humbje. Ky fakt flet për aftesitë operacionale dhe gatishmërinë e lartë të pilotëve të FASH. 
Përgatiti: Xhildinho Ozuni

Check Also

Gjergj Kastrioti dhe Adem Jashari

Shkruan : Brilant Gashi Kur shkruaj për këta dy heronj të mëdhenj , ndihem më …

Leave a Reply