Kryefaqja / KULTURË / Shuhet Robert Elsie, amaneti: Dua të prehem në Shqipëri

Shuhet Robert Elsie, amaneti: Dua të prehem në Shqipëri

Shkrimtarja dhe poetja Flutura Açkla sjell lajmin e hidhur, atë të ndarjes nga jeta të albanologut të shquar Robert Elsie.
Njëherësh ajo i dërgon një letër Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe Kryeministrit, Edi Rama, për amanetin e tij: “Dua të prehem në Shqipëri”:
“Zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës,

Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.
Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kultur;en shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi. Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modes në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.
Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!”
Robert Elsie u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare.
Ai ishte një nga studiuesit e palodhur, i specializuar në letërsinë dhe folklorin shqiptar, një albanolog i shquar, kontributi i të cilit është mjaft i vyer.
Vdekja e tij është vërtet një humbje e madhe për albanologjinë.

Check Also

DERI DJE SYNOHEJ PËR MBROJTJEN E TËRËSISË SË TOKAVE SHQIPTARE, SOT DUHET TË SYNOHET BASHKIMI I POPULLIT TË NDARË

Isuf B.Bajrami Po jetojmë në një kohë historike kur vendoset për fatin e këtij trolli, …