Kryefaqja / KULTURË / Konica: Shqiptarët duhet të shërohen nga dashuria për individin

Konica: Shqiptarët duhet të shërohen nga dashuria për individin

Rubrika “Faik Konica, histori dhe aktualitet” me shkrimet e pabotuara të kolosit të letrave shqipe

Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve

Në rolin e edukuesit të kombit për një Rilindje të vërtetë, dje dhe sot, e për mot, Faik Konica e ka fjalën përherë të urtë, të artë, bindëse, argumentuese, me gjykim sintetik e analitik dhe forcë aforistike. Di mbi të gjitha ç’do të thotë koniunkturë, në rrafsh politik e shoqëror, pa ndryshuar objektivat madhore të luftës propagandistike me pallën e pendës. Dhe, për të shmangur copëtimin e mëtejshëm të trojeve të lashta të kombit shqiptar në fundshekullin XIX, si dhe një luftë ndoshta të gjatë e të egër të shqiptarëve me perandorinë osmane dhe fqinjët grabitqarë, por sidomos, për të gatitur kushtet për një gjendje të re të Shqipërisë, lypsej të përfitohej, në një çast të caktuar, nga një sistem autonomie për vendin, kur shtrohej nevoja e stërvitjes së vazhdueshme mendore të popullit shqiptar për zgjim kombëtar dhe emancipim shoqëror, e çeljes në numër të madh të shkollave shqipe në mbarë vendin, e ngritjes së një administrate shqiptare të përgatitur e me përvojë, dhe për më tepër nevoja e financave të shtetit të ri shqiptar të ardhshëm, mbi një bazë të shëndoshë ekonomike, politike e shoqërore. Autonomia e Shqipërisë, si fazë paraprake e përgatitore drejt pavarësisë, kur kombi rrezikohej me asimilim e zhdukje (lakmia dhe egërsia greke, serbe, bullgare, malazeze, maqedone, nga njëra anë, dhe orekset e Austro-Hungarisë e Italisë, nga ana tjetër – kishin arritur kulmin), do ulte njëfarësoj tensionet në rivalitetet e ashpra për ndërhyrje në “punët” e Shqipërisë apo, siç e quanin analistët e huaj, në “çështjen shqiptare”.

Por, nuk është thjesht kjo, në plan të jashtëm, që e shqetëson Konicën në atë fundshekull të trazuar. Hallin më të madh ai e ka në plan të brendshëm, tek vetë shqiptarët që si përherë, historikisht, kanë dhënë e japin provën më të zezë e vëllavrasëse të klanizmit, bajraktarizmit, përçarjes, mosmarrëveshjes, egocentrizmit dhe dhunës në krejt format e veta. Dhe të mos harrojmë në këtë rast klithjen e tij nga shpirti i dëshpëruar: “Ejani në vete, o shqiptarë!” Tek e shpallte açik e prerë: “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët!” Përndryshe, po të mos qe kështu, s’ka si shpjegohet që ne, lumëmadhët, mbetëm përherë të fundit në Europë!

Dhe mjaft të shohësh dje dhe sot, arenën e Kuvendit shqiptar për t’u bindur që, në seancat e tij s’kemi të bëjmë thjesht me një show politik të nivelit të ulët mazhorancë-minorancë (injorancë), ku lulëzon krekosja, kapadaillëku, sharja, fyerja, akuza, kundër-akuza, klithjet, ulërimat populiste, batuta me “ta ngula!” e me “ta futa!”, ironia dhe buzëqeshjet e hidhta hithër, që janë bërë aq demode e pështirosin gjithçka. Përtej këtij spektakli të urryer parlamentist, ku debati shndërrohet në “parla-parla e gri sallatë!”, si gratë e përdala në shesh të sherrit, shohim përherë e më shumë një opozitë destruktive, me gjuhë urrejtjeje dhe egërsi kasapi, me një mision të vetëm caktuar vetes: të përmbysë, të shkatërrojë, të asgjësojë me tërë mjetet, nga shpifja te tritoli. Si me atë urën ajrore të Zogut të Zi, që u bë e u ç’bë hi me paratë e taksapaguesit të thjeshtë, duke bërë theror edhe një pensionist të shkretë! Albanus Albano lupissimus – shqiptari për shqiptarin është ujk e shkuar ujkut! – thotë Konica për këtë egërsi të shfrenuar mesjetare, me gjuhë gjarpri e gjuhë nepërke, me helm në gojë e helm në bisht, mjaft që të fshihen se s’bën gjurmët e krimit të grupeve klienteliste oligarkike kurdisur në prapaskenë nga politikanë të inkriminuar. Dhe ligji vazhdon e bën sehir kur kurrkujt s’i hyri gjemb në këmbë dhe krimi e korrupsioni ka goditur në zemër demokracinë shqiptare ende në shpërgënj.

Sot, në Kuvendin e Shqipërisë, ku reformat dhe ligjet evropiane premtojnë perspektiva të reja zhvillimi, do duhej t’i bëhej një vend i nderuar ikonës së “Farëhedhësit” të David Selenicasit, Simbol i Punës, i Lulëzimit të Shqipërisë, i Farës së përjetshme “Mbillni, që të korrni”, siç thoshte Konica te Albania e tij, do duhej pra, vetë ky simbol i shenjtë i së ardhmes shqiptare. Sherri mbjell veç sherr, dhe korr sherr e prapambetje, teksa Puna mbjell e sjell zhvillim e lulëzim. Andaj, më shumë se kurrë, përpara pasqyrës së krisur e thyer Greqi, lypset sot, për vendin tonë të sprovuar e mbijetuar, një strategji e tërë zhvillimi ekonomik (pa koncesione e shitje pronash shtetërore), një zhvillim i shpejtë i industrisë, sidomos asaj përpunuese e minerare me teknologji të përparuar, lypset rentabilitet në tërë degët e jetës ekonomiko-shoqërore, me një strukturë e infrastrukturë moderne, nga turizmi i kontrolluar, gjer te nafta shqiptare e rentabilizuar, gjer te burimet energjetike, dhe mbi të gjitha, pa ato firma famëkeqe përfituesish oligarkë e politikanë që kanë ngrënë gjer më sot me luare gargantueske, kur mbi krye, Ligji u rri varur, si shpatë e Damokleut dhe ulërijnë atëherë gjithë poterë, kush e kush më shumë, në kuvend e sheshe, për t’u mbrojtur sadopak me “strategjinë e forcës së egër dhe armën e dredhisë”, goditur nga Konica që më 1897.
Por le të shijojmë më mirë Konicën tonë me tre shkrime radhazi të tij: një në formë përralle satirike për “vëllazërinë shqiptare” gjer tutje në “qiejt e parajsës” Misir (Egjipt), një tjetër për “barometrin shqiptar të përparimit” dhe shkrimin e fillimit, që zë vendin e nderit, për shtatë aforizmat e tij, dhe konkretisht:
– Mendja e dobët dhe dredhia nuk kanë kufi;

– Kohën e kemi shumë të çmuar që të vemi e ta harxhojmë duke u dhënë leksione njerëzve kokëtrashë e batakçinj;

– Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete;

– Instinkti dhe gjykimi i Kombit do t’i përcaktonin këtij rrugën më të përshtatshme për interesat e veta ditën kur do e shihte veten të formuar e të ndriçuar;

– Ata që duan t’i ngopnin shqiptarët me llafe boshe, kur shtrohet nevoja e zhvillimit intelektual të tyre, nuk bëjnë gjë tjetër veçse japin provën më të qartë të armiqësisë ndaj shqiptarëve;

– Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik.

– Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë./ Monet Maneshi.

***
Programi ynë
Nga Faik Konica

Shumë herë kemi shpjeguar, në pjesën shqipe të kësaj reviste, shkaqet që na shtynë të ndryshojmë qëndrimin, në fillim luftarak, të Albania-s. Disa individë, për të cilët s’kemi dhe aq vlerësim, duke e kuptuar shumë keq shqipen, pandehin se na vënë në siklet kur vazhdojnë të na pyesin (dhe këtë e bënë edhe kohët e fundit), përse ne nuk po botojmë më sulme kundër Turqisë. Sigurisht, mendja e dobët dhe dredhia nuk kanë kufi; dhe kohën e kemi shumë të çmuar që të vemi e ta harxhojmë duke u dhënë leksione njerëzve kokëtrashë e batakçinj. Megjithatë, ja ku po përmbledhim këtu, në formë shpjegimi përfundimtar – të mbështetura mbi përvojën, faktet, si dhe mbi dashurinë tonë për dheun shqiptar – parimet që na bashkojnë ne, gjithë bashkëpunëtorët e revistës sonë, në të njëjtën përpjekje, me të njëjtat mjete dhe drejt të njëjtit qëllim. Dhe kemi shpresën që individët që na kërkojnë llogari, do të kenë dashamirësinë të diskutojnë pikë për pikë këto parime mbi të cilat mbështeten tërë mendimet dhe shkrimet tona, – dhe të mos na detyrojnë që, në vend të gjuhës sonë filozofike, t’u drejtohemi me përgjigje të tërthorta, me një gjuhë shumë më të pakëndshme për ta, në formë polemikash shtypi apo pamfletesh.
1.– Non datur saltus in natura (Bacon). (Në Natyrë, nuk ka kapërcime).
– Natur non facit saltus (Linné). (Natyra nuk bën kapërcime).
2. – Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete. Nëse populli shqiptar është në rrugë rilindjeje, – dhe ne e besojmë me gjithë zemër – këtë rilindje, ne do ta shpejtojmë jo me anë deklamimesh, por me një përpjekje këmbëngulëse për të zhvilluar fuqishëm mendjet.
3. – Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi. Gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë temperamentit të tij. Ata që duan të ndihmojnë për përparimin e një vendi si i yni nëpërmjet penës, nuk kanë pse t’u thonë të tjerëve: “Ngrihuni dhe luftoni!”, nëse nuk duan të marrin mbi vete këtë përgjigje të drejtë: “Po ju, ç’prisni, hë pra?”
4. – Mendojmë, dhe e kemi thënë shumë herë, se gjendja më e favorshme për Shqipërinë na duket se është sovraniteti i Sulltanit, me administratë të reformuar, përmirësuar, më të drejtë dhe më të zgjuar. Po edhe sikur ne të gabonim, doemos që instinkti dhe gjykimi i kombit do t’i përcaktonin këtij rrugën më të përshtatshme për interesat e veta ditën kur do e shihte veten të formuar e të ndriçuar.
5. – Ata që duan t’i ngopnin shqiptarët me llafe boshe, kur shtrohet nevoja e zhvillimit intelektual të tyre, nuk bëjnë gjë tjetër veçse japin provën më të qartë të armiqësisë ndaj shqiptarëve. Sepse ajo padije e pareshtur e shqiptarëve do të lehtësonte në mënyrë të veçantë synime të tilla të këqija; në të kundërt, të tjerët janë pa dyshim miqtë e vërtetë të popullit shqiptar që i urojnë këtij populli dobitë e shkollave kombëtare dhe të arsimimit.
6. – Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik.
7. – Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve. Me vdekjen e Kara Mahmud pashë Shkodrës, u shuan si avull tërë shpresat e shokëve të tij të luftës: ngaqë ata nuk ishin të mbërthyer pas një ideje, por pas Kara Mahmudit. Historia e Shqipërisë, fund e krye është e mbushur me prova të tilla të përngjashme. Parimi i fundit i programit tonë është pra ky: Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari, qoftë edhe vetë Pirroja – por ta duan sepse ajo është Shqipëria e tyre.
Ja cilat janë parimet mbi të cilat mbështetet veprimi i përbashkët i bashkëpunëtorëve të kësaj reviste.
Janë parime të menduara gjatë, të diskutuara gjatë, dhe që këndej do shpërthejë, nëse do ndiqen nga afër, një jetë e re për shqiptarët.

Ja pse ecim në rrugën që i kemi caktuar vetes me krenarinë e pacenueshme të njerëzve që janë të sigurt se e ardhmja do t’u japë të drejtë.
Albania 16, 15-31 korrik 1898.


Përktheu nga frëngjishtja M. Maneshi.
***

Vëllazëria e shqiptarëve
Nga Faik Konica
Dy miqve tanë ua pat ënda të udhëtojnë për të kërkuar

“Vëllazërinë”. “Mendim i çuditshëm”, do thoni ndofta; vërtet, po ashtu ka ngjajtur puna. U nisën pra, dhe vanë fshat më fshat, qytet më qytet, dhe Vëllazërinë nuk e gjetën. Kapërcyen lumenj e rrëkeja, çanë këmbët nëpër fusha e brigje, por më kot, Vëllazëria s’u duk; thirrën, britën, pyetën, shkruajtën: kot, kot, kot. Nisën të humbasin shpresë që ta gjejnë, kur u ra ndër mend të dalin jashtë Shqipërisë dhe të venë – në qe nevoja – të rrotullojnë tërë dhenë për me gjetë Vëllazërinë e Albanëve. Me nga një shkop në dorë, ecën shtatë vjet, shtatë ditë dhe shtatë orë kur arritën anës detit dhe ndenjën për t’u shlodhë; ahere, u doli një njeri me një sy e u tha: “Fort mirë e di se ç’kërkoni. Më vjen keq se vratë këmbët së ecuri; andaj dua t’ju shpie atje ku gjendet Vëllazëria juaj”. Si tha këto fjalë, të dy miqtë i zuri një gjumë i rëndë dhe kur u zgjuan, u gjetën në Misir, te një qytet që quhet Vaste. Njeriu me një sy u dëftoi një shtëpi, u tha: “Këtu është Vëllazëria e shqiptarëve”, dhe më s’u duk nga vate.
Hynë brenda dhe panë në një fron të lartë një burrë që fjalonte: “Ne do ta shpëtojmë Shqipërinë, mos u tundni vendit fare! Europës do t’i vijë keq për ne, andaj s’duhet të nxitohemi. Në qoftë nevojë për të ndihur, thesaret tona presin me grykë hapur”. Dhe fjalëtorit i dilnin shkëndija nga sytë, dhe shtatë yje i ndrisnin rreth e rrotull kokës, dhe nëntë engjëj, me të artat kordha në duar i këndonin himnin e lavdit dhe njerëzia e lumtonin. Të dy miqtë tanë qëndruan në prag të derës, edhe të habitur gjer në fund të shpirtit, ranë mbi gjunjë duke pëshpëritur: “Te Vëllazëria e shqiptarëve të Misirit është mbretëria e qiellit për Shqipërinë”.
***
Programi ynë
Kur del një (gazetë) e përkohshme, një ditore, a kur ngrihet një shoqëri, është zakon të dilet me një program. Kjo methudhë (metodë) nuk është fare shkencishte: në ndodhçin, të themi, pas ca kohe, ca gjëra që nuk diheshin – e as që mund të diheshin më parë -, ditorja dhe shoqëria janë të shtrënguara të këmbejnë (ndryshojnë) programin.
Andaj ne, duke hequr (vuajtur) nga pikëpamja shkencore, s’kemi ende program. E ditur është, dhe puna e ka dëftuar e do ta dëftojë gjithnjë, që qëllimi dhe dëshira jonë janë përparimi i vërtetë, dhe e vërteta, e mira e shqiptarëve. Po si të bëhet ky përparim? Si të arrihet ajo më e mira, qysh të punojmë, qysh të përpiqemi, ku t’i hedhim sytë? Të gjitha ato që përbëjnë një program, nuk i dimë ende. Sot për sot, puna që kemi zënë është si një barometër që ka për të na dëftuar mirëfilli gjendjen e kombit shqiptar. Kur të mësojmë mirë, me prova në dorë se ç’mund të bëjë kombi shqiptar, kur të peshojmë fuqinë e tij, ahere kemi për të shfaqur një program i cili do të jetë me të vërtetë i shëndoshë, sepse do të jetë i ngritur në bazë të të gjitha rregullave të shkencës bashkëkohore.
Shpresojmë se gjithë shqiptarët mëmëdhe-dëshërimtarë do të mblidhen rreth e rrotull flamurit tonë.
Albania n° 6, 30 shtator 1897.


Solli në shqipen e sotme dhe përgatiti për botim: M. Maneshi.

Check Also

Vështrim libri: “E VËRTETA BËN ARMIQ” të autorit Xhemil Zeqiri

Shkruan: Avdi Ibrahimi Publicistika opinioniste e Xhemilit, sjell një risi autoriale ku shkrihet ngjarja politiko-historike …

Leave a Reply