Kryefaqja / OPINION / Mbi 170 emigrantë shqiptarë të vrarë në Greqi, shteti shqiptar hesht

Mbi 170 emigrantë shqiptarë të vrarë në Greqi, shteti shqiptar hesht

Shpëtim Zinxhiria
Shqipëria, me çdo kusht duhet t’i kërkojë Greqisë të fillojë hetimet mbi vrasjet e emigrantëve shqiptarë dhe më pas, për keqtrajtimet dhe torturat ndaj tyre… Është detyrë e shtetit shqiptar që të fillojë negociatat me shtetin fqinjë për të filluar hetimin e vrasjeve të 170 shtetasve shqiptar, vrasje që ende mbeten një enigmë për sa i përket mos fillimit të hetimit nga të dy vendet përkatëse. Vrasjet e shumta ndaj emigrantëve në Greqi përbëjnë një krim, që dikush duhet të mbaj përgjegjësi morale dhe ligjore, duke hedhur pyetjen se, a do të ketë kurajon shteti shqiptar, për t’i kërkuar vendit fqinjë hapjen dosjeve për hetimin e vrasjeve emigrantëve shqiptarë?…
Në pritje nga familjarët e viktimave mbetet se kur do të hapen dosjet e krimeve të kryera kundra emigrantëve shqiptarë, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me shkeljet e ligjeve në Greqi. Hapja e dosjeve dhe hetimi i tyre do të zbardhë të gjithë të vërtetën e këtyre vrasjeve, pasi këtë gjë e kërkon edhe dhimbja e familjeve shqiptare me pyetjen: përse u vranë?… Çudia më e madhe është se në Greqi deri më sot nuk është dënuar asnjë vrasës, përkundrazi janë duartrokitur në sallat e gjykatave ku janë ulur për t’u gjykuar. Por mbi të gjitha një fakt shqetësues është mungesa e shtetit shqiptar lidhur me këto vrasje, ku deri më sot nuk ka hetuar asnjë vrasje të tillë në shtetin fqinjë. Nga vitit 1991-2010 bëhet fjalë për vrasjet e 154 emigrantëve shqiptarë të pafajshëm të cilët nuk kanë pasur lidhje me krimin… Vrasjet përbëjnë krim, si dhe aq më tepër kur më 1993 është ndaluar në këtë vend dënimi me vdekje. Ndërsa deri më 2017 shifra përllogaritet në 170 shqiptarë. Deri më sot policia vendase ka vrarë 93 shqiptarë. Këto vrasje përbëjnë krime kundër njerëzimit dhe duhen të sillen para drejtësisë, po të kuptojmë dhimbjen e të afërme të tyre.
Po kush më mirë se të afërmit e viktimave e kupton këtë dhimbje? Mbi 154 emigrantë shqiptarë të pafajshëm janë vrarë në Greqi, nga të ashtuquajtura: “ shtëna aksidentale”, “rrethana të pashpjegueshme”, “patologjike”’, “vetëvrasje të pashpjegueshme” etj. Të gjitha këto vrasje në 20 vitet e fundit përbëjnë një enigmë pasi është lënë në heshtje nga shteti shqiptar, vrasje që nuk përfshin vdekje në shkëmbime zjarri me policinë, edhe pse në shumë raste me justifikimin si “mbrojtja legjitime”, emigrantët shqiptarët janë ekzekutuar qetësisht dhe jo rastësisht, por me vrasje të drejtpërdrejtë … Edhe pas vdekjes emigrantët shqiptarë janë kthyer qytetarë të kategorisë së dytë, ku askush nuk po merret me hetimet se si janë vrarë dhe kush i ka vrarë këta viktima, që ende mbahen si vdekje të fshehtë nga dy shtetet përkatës. Viti 1991, është fillimi i vrasjeve por edhe i regjistrimeve të krimeve të kryera ndaj shqiptarëve, 6 marsi i këtij viti është dita kur shtypi grek publikon për të parën herë vrasjet e emigrantëve në përgjithësi. Familjet e viktimave shqiptarë të vrarë nga policia greke dhe nga neonazistët, ende nuk kanë marrë zyrtarisht një përgjigje nga Athina zyrtare, lidhur me hetimet për këto vrasje. Familjarët shprehen se qeveria greke dhe ajo shqiptare të fillojnë hetimin për këtë çështje, pasi numri i emigrantëve të vrarë në tokën greke është mjaft i madh. Ky nuk është një problem që duhet lënë në heshtje nga autoritetet greke, por pritet edhe një nxitje dhe një bashkëpunim i dyanshëm edhe nga ana e Shqipërisë, për të dënuar dhe parandaluar aktet e mëtejshme.
Problemi është shumë i qartë! A do të ketë vullnetin politik qeveria greke për të nxjerrë para përgjegjësisë vrasësit? Si ka mundësi që të heshtet nga dy qeveritë kur për periudhën nëntor 1992- mars 1997, pra në 50 muaj të vriten 47 emigrantë, ku nga këta 45 ishin shqiptarë dhe 2 romë. Si mund të heshti shteti shqiptar po gjatë kësaj periudhë ka pasur rreth 141 sulme kundra emigrantëve, ku mekanizmi shtetëror (policia) ka kryer 86 sulme. Deri më 2010 llogariten rreth 154 vrasjeve makabre, ndërsa sot numri shkon ne rreth 170 të vrarë? Por nga ana tjetër Greqia ka një detyrim të qartë sipas të Drejtës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, për të marrë masa efektive për parandalimin e dhunës raciste dhe ksenofobike, krimet e kryera duhen hetuar nga drejtësia greke dhe autorët që kanë kryer këto vrasje duhet të dënohen publikisht, duke mos përjashtuar nëse autorët janë zyrtarët të shtetit (policia) apo jo. Lidhur me këto vrasje më 2003, Komiteti i Helsinkit në Greqi ka bërë një deklaratë se, Ambasada Shqiptare në Athinë nuk reflekton pasi mban qëndrimin e qeverisë shqiptare, që nuk interesohet kur abuzojnë në të tilla raste. Prandaj, nuk ka asnjë mundësi për të ushtruar presion mbi shtetin grek që të sillet si një shtet ligjor në çështje të tilla… Një fakt konkret është se në të gjitha vrasjet e kryera kundra emigrantëve, ambasada shqiptare nuk e ka ngritur asnjëherë zërin e saj, duke bërë një lojë të dyfishtë në një kohë kur mjaftohej vetëm me regjistrimin e viktimës dhe mos kryerjen deri në fund të verifikimit lidhur me vrasjen. Gjithashtu nga pikëpamja teorike ekzistojnë instrumente ligjore dhe udhëzimet në drejtim të policisë. Greqia, në përputhje me ligjin detyrues të BE-së, filloi në vitin 2008 për të ndryshuar Kodin Penal krijimit motivimi racist si rrethanë rënduese në dhënien e dënimit.
Penalizohen por nuk gjykohen
Në vitet 2000-2002 u penalizuan për vrasje vetëm pesë policë, po më në fund asnjë nga këta nuk u dënua. Duke ndjekur rrugën e ndjenjave antishqiptare, Greqia i ka mbushur burgjet e saj me emigrantë duke zënë vendin e parë për sa i përket numrit të dënuarve të huaj. Nuk është e rastit që drejtësia greke të mos ketë kurajon morale, për të dënuar asnjë nga vrasësit, të cilët deri më sot nuk u kanë kërkuar të falur familjeve të viktimave, por përkundrazi janë duartrokitur në sallat e gjykatave.
Policia, emigrantët fajtorë të krimit
Sipas sondazhit të fundit, policia greke, nuk mbetet mbrapa nga mekanizmi i drejtësisë, në ksenofobinë e saj ndaj emigrantëve. Edhe këto mekanizma, ashtu si dhe përqindja më e madhe e popullsisë vendase (95%) janë ksenofobë, e si pjesë përbërëse kanë të njëjtin mendim negativ. Ky mekanizëm ashtu si dhe ai i drejtësisë vënë para përgjegjësisë të huajt për rritjen e kriminalitetit, në një kohë kur faktet dhe shifrat flasin vetëm për 2-3 për qind. Sipas sondazheve 92 për qind e policëve, që u intervistuan, besojnë se ka rritje të kriminalitetit në këto 10 vitet e fundit. 57.5 për qind e tyre mendojnë se të huajt ndikojnë pak në rritjen e kriminalitetit. 35.9 për qind besojnë se të huajt mbajnë përgjegjësi për rritjen e kriminalitetit në Greqi. Ndërkaq 56.6 për qind e policëve besojnë se të huajt janë fajtorë më shumë se sa viktima të krimit. Ndërsa 40 për qind besojnë se të huajt janë viktima të krimit. Vdekja e emigrantit në Greqi, Pëllumb Marnikollaj në 3 gusht të vitit 2016 llogaritet si një nga vrasjet e 95 të ardhura nga policia. 29-vjeçarit shqiptar më 3 gusht 2016 humbi jetën në komisariatin e policisë “Kato Patisia” në Athinë, e pas analizave mjeko-ligjore rezultoi se kishte shenja dhune në trup. Ndërsa për shkak të dhunës deri ën racizëm mund të përmendim edhe emigrantin T.Dervishi, 36-vjeçar, babai i dy fëmijëve. Ai u qëllua për vdekje në gusht të vitit 2012, teksa po dilte nga shtëpia e tij në zonën “Agios Pantelimona” në rrugën “Seppolios” dhe “Pissistratou”, rreth 3 km larg qendrës së Athinës. Nga viti 2010 deri më sot janë vrarë edhe 16 të tjerë në mënyra të ndryshme, duke e çuar numrin në total 170 viktima. Vrasjet për të parën herë u publikuan më 1997 në takim mes një zëvendësministri me sindikalistët e rrethit të Greqisë.

Check Also

Gjergj Kastrioti dhe Adem Jashari

Shkruan : Brilant Gashi Kur shkruaj për këta dy heronj të mëdhenj , ndihem më …

Leave a Reply