Kryefaqja / LAJME / SHBA i dhuron Forcave të Armatosura Shqiptare pjesën e dytë të paketës së mjeteve të blinduara

SHBA i dhuron Forcave të Armatosura Shqiptare pjesën e dytë të paketës së mjeteve të blinduara

Në ambientet e Komandës Tokësore, në Zall-Herr, u organizua sot paradite një ceremoni e veçantë me rastin e dhurimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të pjesës së dytë të paketës së mjeteve të blinduara të tipit High Mobility Multipurpose Wheeled Vehicle (HMMWV) (HMMWV), për Forcat e Armatosura Shqiptare.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë znj. Olta Xhaçka, ambasadori i SHBA në vendin tonë shkëlqesia e tij z. Donald Lu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Nazmi Cahani, komandantët e Forcës Ajrore, Detare, KDS dhe Komandës së Mbështetjes, drejtorë drejtorish nga MM dhe SHPFA etj.
Ambasadori i SHBA z. Donald Lu duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoni ndër të tjera tha: “…ushtarët dhe marinarët shqiptarë, janë heronj të vërtetë. Kjo nuk ka qenë kurrë më e qartë se javën e kaluar, kur marinarët shqiptarë të anijes “Oriku” shpëtuan jetën e qindra emigrantëve sirianë. …si aleatët tuaj në NATO, ne jemi të krenarë të shohim ministren tuaj të re të Mbrojtjes dhe shefin tuaj të Shtabit të investojnë në drejtim të Forcave të Armatosura. Për herë të parë që nga viti 2009, kur Shqipëria u anëtarësua në NATO, po shohim një rritje të madhe në buxhetin e mbrojtjes…”. Ambasadori Lu nuk la pa prekur gjithashtu edhe përparimin e ndjeshëm që po bëhet edhe në dy fusha të tjera të mbrojtjes dhe sigurisë siç është futja në përdorim nga FARSH e teknologjisë më të avancuar të kohës siç janë edhe robotët për shkatërrimin e eksplozivëve, apo pajisjet e Mbrojtjes nga Armët e Dëmtimit në Masë. 
Më tej në fjalën e tij, ambasadori Lu u shpreh se po shikohen edhe fusha të tjera si ajo e trajnimit të personelit të FARSH, ku një numër jo i vogël ushtarakësh shqiptarë, janë trajnuar dhe po trajnohen në akademitë ushtarake amerikane, duke përmendur një sërë shembujsh konkret liderësh ushtarakë shqiptarë të trajnuar në SHBA; si shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Nazmi Cahani, komandanti i Forcës Ajrore gjeneral brigade Vladimir Avdija për ta përmbyllur me trajnimin më të fundit të toger Saimir Cukas efektiv i bBatalionit të Forcave Speciale të Forcës Tokësore.
Në përshëndetjen e saj, ministrja e Mbrojtjes znj. Xhaçka, pasi ka falënderuar ambasadorin Lu dhe gjithë të pranishmit në këtë ceremoni, theksoi mbështetjen e pakufishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë në rrugën e gjatë, por të suksesshme të Forcave të Armatosura të RSH, drejt një force ushtarake tërësisht profesionale dhe të denjë të Aleancës. “…nuk dua të bëj një ekspoze të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me SHBA, por thjesht dua të nënvizoj faktin se këto marrëdhënie, tashmë kanë hyrë në një fazë të re dhe më cilësore si dhe njëkohësisht të shpreh mirënjohjen time personale si dhe të burrave dhe grave nën uniformë, për këtë ndihmë të pakursyer. Asistenca e SHBA për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ka qenë e shtrirë në kohë dhe ka përfshirë shumë fusha, por unë do të veçoja asistencën në trajnimin e burimeve njerëzore, si investimi më i madh që është bërë në Forcat e Armatosura. Mund të kemi sisteme armatimi dhe pajisje nga më modernet, por pa kapitalin njerëzor ky investim do të ishte i mangët”.
Gjithashtu, ministrja Xhaçka, duke iu referuar rreth 740 kurseve institucionale dhe funksionale të ofruara nga SHBA si dhe 280 kurseve të tilla në Qendrën Marshall, që prej 1993, ku breza të tërë ushtarakësh kanë studiuar, u shpreh se: ”Ne jemi mirënjohës dhe krenarë që shumë prej liderëve kryesorë ushtarakë të Forcave tona të Armatosura, ashtu si edhe ju përmendët, kanë kryer me sukses studimet në këto auditorë dhe aktualisht drejtojnë me sukses dhe profesionalizëm strukturat tona ushtarake…”
Ceremonia ka përfunduar me ekspozimin dhe demonstrimin për të pranishmit të mjeteve në përdorim nga efektivat e Kompanisë Armëve të Dëmtimit në Masë të Forcës Tokësore (MADM), 
Pjesa II e paketës së mjeteve të blinduara tip HUMVEE, të ardhur ditën e sotme janë pjesë e paketës prej 248 mjetesh të tilla të blinduara dhuratë e qeverisë amerikane për FARSH, paketë kjo e cila pritet të kompletohet brenda vitit 2019.

Check Also

Skandaloze: Ilir Meta vizitë në Shkup. Përdhoset flamuri kombëtar

Kryetari i Shqiperisë, Ilir Meta sot do të vijë për vizitë në Maqedoni ku do …

Leave a Reply