Kryefaqja / LSHB / Veliu: Tërheqja e njohjes nga Surinami është jolegjitime, që shpërfill të drejtën ndërkombëtare

Veliu: Tërheqja e njohjes nga Surinami është jolegjitime, që shpërfill të drejtën ndërkombëtare

Në të drejtën ndërkombëtare njohja e një shteti është një akt politik; nuk ka asnjë detyrim në të drejtën ndërkombëtare për të njohur një shtet, as të drejtë që sanksionon se një shtet detyrimisht duhet të njihet nga një shtet tjetër. Por, ka një të drejtë ndërkombëtare, e cila e ndalon tërheqjen e njohjes së bërë më herët.

Ekzistenca e shteteve ishte një çështje e faktit, Bashkimi Europian, në deklaratën kryesore të Komitetit Badinter, ndjek Konventën e Montevideo-it në përkufizimin e tij të një shteti: duke pasur një territor, një popullsi dhe një autoritet politik. Ndërkohë që njohja nga shtetet e tjera është thjesht deklarative dhe jo një faktor përcaktues i shtetësisë. Konventa e Montevideo mbi të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve është një traktat i nënshkruar në Montevideo, Uruguaj, më 26 dhjetor 1933, e cila u bë funksionale më 26 dhjetor 1934. Ajo u regjistrua në Serinë e Traktatit të Lidhjes së Kombeve më 8 janar 1936 dhe është obligative për të gjitha subjektet (shtetet) e së drejtës ndërkombëtare. Sipas nenit 6 të Konventës së Montevideos: “Njohja e një shteti, thjesht nënkupton që shteti i cili e bënë njohjen, e pranon subjektivitetin e shtetit tjetër me të gjitha të drejtat dhe detyrat e përcaktuara me të drejtën ndërkombëtare. Njohja është e pakushtëzuar dhe e parevokueshme”.

Kësisoj, tërheqja e njohjes nga Surinami dhe ndonjë shteti tjetër, që e ka njohur Republikën e Kosovës është jolegjitime dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare nuk parasheh një mundësi të tillë, përkundrazi e ndalon një veprim të tillë.

Një shtet ka mundësi të mos e njoh fare një shtet të ri, ose t’i ndërpres marrëdhëniet diplomatike me shtetin tjetër që e ka njohur më parë, pra të mos ketë kontakt zyrtar me të, por nuk ka mundësi ligjore ta tërheq (revokoj) njohjen e bërë më herët, prandaj “tërheqja” e djeshme e njohjes nga Surinami është jolegjitime, që shpërfill të drejtën ndërkombëtare.

Tahir Veliu

Kryetar i Lëvizjës për Shqipëri të Bashkuar

Check Also

LE TEMPS (MAJ, 1939) : APELI I MBRETIT ZOG DREJTUAR SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË LIDHJES SË KOMBEVE

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Nëntor 2017 Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar të enjten …

Leave a Reply