Kryefaqja / PERSONALITETE / Jashar Salihu (1953- 2000) një jetë në shërbim të kombit e atdheut

Jashar Salihu (1953- 2000) një jetë në shërbim të kombit e atdheut

Janë bërë 17 vjet nga vdekja e Jashar Salihut, veprimtarit dhe atdhetarit të përkushtuar të çështjes kombëtare shqiptare. Ai u lind në fshatin Batushë më 10 shkurt të vitit 1953. Shkollimin fillor e kreu në fshatin Molliq, ndërsa shkollën e mesme e mbaroi  në Gjakovë. Ka kryer Fakultetin Filozofik-dega e gjuhës angleze, në Prishtinë.

Prej viteve 70, në kohën kur studionte në Prishtinë Jashar Salihu ishte anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve Shqiptare në Jugosllavi. Ishte ndër anëtarët më aktiv të grupeve ilegale të asaj kohe që vepronte brenda organizatës ilegale të quajtur Komiteti për Deçan, në kuadër të lëvizjes së udhëhequr nga ideologu, veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare, Jusuf Gërvalla. Bashkë me vëllanë e tij Hajdarin, ishin dalluar për guximin e tyre politik që haptazi ju kundërviheshin qëndrimeve e veprimeve të udhëhequra nga ish-qendrat komuniste të organizuara përmes komiteteve komunale, që binin ndeshë me synimet dhe idealet e lëvizjes së mirëfilltë kombëtare për çlirim nga pushtimet sllave.

Vite më vonë vëllezërit Salihu, punuan në shkollën e mesme “Vëllezërit Frashëri” gjimnazi në Deçan.

Më 1 maj të vitit 1990, do ta drejtojë tubimin tek Verrat e Llukës, ku kishte më se 500 mijë të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare, ku do të arriheshin 106 pajtime; 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.    Në fund të këtij viti e arrestojnë dhe e torturojnë tmerrësisht, barbarisht. Por, asgjë nuk përfundon me kaq; ndjekja e tij do të vazhdojë edhe më tutje, në çdo hap, gjer aty sa ta detyrojnë të marrë rrugën e mërgimit. Veprimtaria e tij politike, në kuadër të ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës, vetëm se do të shënojë ngritje dhe do të marrë dimensione të reja, të shumanshme. Duke qenë paraprakisht në hierarkinë më të lartë drejtuese të saj, me nismën e tij në vitin 1993, do të formohet Fondi “Vendlindja thërret”, fond i cili fillim e mbarimin ka qenë në funksion të formimit të vetëfinancimit të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Që nga ky vit, pra që nga koha e themelimit, Jashar Salihu ka qenë kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”. Në sensibilizimin e opinionit perëndimor me të vërtetën për luftën e drejtë të Kosovës kundër forcave kriminale të Millosheviqit, roli i Jasharit është i pazëvendësueshëm, dhe, rrjedhimisht, po dëshmohej se jo rastësisht në kuadër të Drejtorisë Politike të UÇK- së. Ai ishte anëtar i Grupit për Marrëdhënie me Jashtë, ndërkaq që më vonë do të jetë përfaqësuesi i parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në Zvicër.”Shqiptarët e Kosovës janë evropianë dhe nuk kanë lidhje me vendet islamike. Ata janë të vendosur të luftojnë deri në fund”, i ka deklaruar Jashar Salihu gazetës amerikane “The Christian Science Monitor”, të datës 16 prill 1998, duke mbrojtur kështu dhe përhapur të vërtetën për shqiptarët dhe vlerat civilizuese perëndimore të luftës së UÇK- së, njëkohësisht duke demantuar propagandën antishqiptare të regjimit kriminal të Millosheviqit dhe satelitëve të tij. Vdiq më 16 dhjetor të vitit 2000, në spitalin kantonal të Araut të Zvicrës.

Jashar Salihu përkujtohet si njëri ndër atdhetarët dhe idealistët më të përkushtuar dhe më meritorë të çështjes kombëtare. Ai tërë jetën ia kishte kushtuar çlirimit të Kosovës, në përpjekje për çlirimin dhe bashkimin e viseve shqiptare në një shtet të vetëm…

Check Also

Fama e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut…

Nga Ilir Seci Më 17 Janar të vitit 1468, plot 549 vjet më parë, vdiq …

Leave a Reply