Kryefaqja / OPINION / “Beteja e Kirit, 14-janar-1468”.

“Beteja e Kirit, 14-janar-1468”.

(Pjesë nga Libri që po pregatis për publikim në muajin mars-2018)).

*Viti i Ri 1468 e gjen Gjergj Kastriotin-Skënderbeu duke rekrutuar ushtarë me qëllim për të grumbulluar një ushtri shumë të madhe e cila ishte planifikuar që do të marshonte drejt kështjellës osmane të Elbasanit, qytet që duhej pushtuar përpara ardhjes së pranverës. Për masat që duheshin marrë në këtë drejtim, në fillim të muajit janar 1468, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu thirri në qytetin e Lezhës “Kuvendin e fisnikëve arbër”, ashtu siç kishte bërë 24 vite më parë, me dt.2-mars-1444, por gjithashtu, ai ftoi edhe delegatët e Republikës Veneciane për t’iu kërkuar një ndihmë shumë më të madhe nga ajo që kishte dhënë deri atëherë. “Pikërisht në këto rrethana, Skënderbeu la një pjesë të ushtarëve(në Lezhë) dhe pjesën tjetër e mori me vete dhe shkoi të inspektonte viset e tjera, të vendoste drejtësi dhe të shihte me sytë e vet se askush nuk qe keqtrajtuar”, shkruan Dhimitër Frangu, i cili e vazhdon rrëfimin e tij duke theksuar se; “Me të mbaruar këtë inspektim, shkoi në Lezhë për disa punë që kishin të bënin me marrëdhëniet midis shtetit të tij dhe Senatit të Venedikut si dhe të merrte një qytet të ri të quajtur Marne, të ndërtuar prej turqve(Dh.Frangu, fq.63)”. Edhe humanisti shkodran Marin Barleti përshkuan të njëjtat ngjarje duke konfirmuar dëshmitë e humanistit të lartpërmendur i cili e kishte shoqëruar Gjergj Kastriotin-Skënderbeu hap pas hapi. Marin Barleti thotë se; “Në kohën d.m.th., kur ai e kish shëtitur me kalë tërë krahinën për të shikuar ushtrinë dhe kish arritur më në fund në Lisos(Lezhë), per te thirrur atje ne mbledhje shoket dhe te konfederuarit, -sepse qytetin e Lisos, që i bindej pushtetit venedikas, Skënderbeu e donte me një mënyrë të veçantë, – e zunë një palë ethe të rënda(M.Barleti, fq.488)”. Dhimitër Frangu, miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë e Heroit tonë Kombëtar, thotë se; “Mirëpo ra i sëmurë nga një ethe e fortë, që e detyroi të rrinte shtrirë për një kohë të gjatë. Më në fund, duke ndjerë vdekjen fare pranë, thirri rreth vetes kapedanët dhe pati me ta një bisedë të gjatë. Ata u përlotën, tek e shihnin në atë gjëndje(Dh.Frangu, fq.63)”. Ne jemi me shumë fat që këto fragmente kaq të rëndësishme të Historisë së lavdishme të Popullit Shqiptar, na vijnë përmes shekujve të hedhura në letër nga pena e artë dhe realiste enjë figure të madhe historike, por e vlerësuar shumë pak ose aspak, siç është humanisti drishtian Dhimitër Frangu, i cili, i qëndroi pranë hyjnorit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu edhe në momentet e fundit përpara se ai të largohej nga kjo botë!. Eshtë një fakt i pakontestueshëm që çdo biograf tjetër i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, e ka marrë lëndën e parë pikërisht tek vepra e Dhimitër Frangut i cili është i vetmi autor që i ka përjetuar këto ngjarje dhe sidomos gjatë viteve të fundit të jetës së Kryezotit të Arbërisë. Prandaj, duke respektuar “Të vërtetën historike” është më se e denjë dhe e drejtë që të përcjell fjalët e fundit, amanetin dhe testamentin e hyjnorit Gjergj Kastriotit-Skënderbeu që është përjetësuar falë Dhimitër Frangut i cili bënte pjesë tek 3 njerëzit që ishin të pranishëm gjatë zhvillimit të këtij akti solemn dhe aq të dhimbshëm. Dhimitër Frangu shkruan se; “Më në fund Skënderbeu thirri të birin e vetëm dhe, në praninë e së ëmës së tij, zonjës Donikë, si dhe priftit(Dh.Frangu) i tha;…

*”Biri im i shtrenjtë, tashmë ti e kupton se ndjehem kaq i sëmurë e i rrënuar, sa jam i sigurtë se koha e ndarjes sime prej kësaj bote afroi, dhe, bashkë me të edhe çasti i përmbushjes së vullnetit të Perëndisë. Nga që je shumë i ri dhe ende jo i aftë për të mbrojtur shtetin tonë dhe, për arsye se armiku është shumë më i madh nga forca, kam vendosur ta lë atë nën mbrojtjen e Senatit të Venedikut, ashtu sikurse i dashuri vëllai dhe ati im i mirë, Pal Engjëlli, shpresa jonë, kryepeshkopi, të cilin unë e le qeveritar në këmbën time, më ka bindur. Veç kësaj, po të porosis, o biri im, që të këshillohesh gjithmonë me të, sepse, duke vepruar në këtë mënyrë, nuk ke për të gabuar as edhe një grimë, po të vlerësosh mençurinë dhe pervojen e tij të madhe. Kësisoj, unë nuk kam veçse të shpresoj shumë për ty dhe për tërë nënshtetasit e mi në rast se do të qeverisen prej tij, sepse jam i sigurtë se për hir të konsideratës që ka për mua, do të kujdesit për ju dhe tuajt, njëlloj si për birin e vet. Prandaj, pasi të mi keni mbyllur sytë dhe të më keni varrosur, shko në Apulje, te kështjellat dhe qytezat tona dhe qëndro atje, gjersa të vish në moshë e të ndjehesh i aftë për të qeverisur. Atëherë shko në Venedik dhe këshillohu vazhdimisht me Senatin, i cili do të ketë nën kujdes me shumë kënaqësi dhe do të të kthejë në fronin e zotërimeve tuaja. Po të lë porosi që tërë shtetasit e mi, të cilët i kam vlerësuar gjithmonë besnikë e të bindur, t’i trajtosh në atë mënyrë që të të duan më shumë sesa të të kenë frikën, gjë të cilën mund ta bësh fare lehtë nëse kupton se drejtësia duhet zbatuar ndershmërisht”!…

Skënderbeu ende nuk pati përfunduar plotësisht testamentin, kur një lajm prej qeveritarit të Shkodrës, që erdhi nëpërmjet një letre fort të rëndësishme, i thoshte se Dautbeu, një pasha turk, vinte nga Serbia në krye të 10.000 kalorësve dhe 5.000 këmbësorëve dhe, pasi kish kapërcyer një mal shumë të egër e të vështirë të quajtur Shirgj, që u përkiste venedikasve, qe drejtuar për te ai duke bërë shkatërrime të mëdha(Dh.Frangu, fq.63-64)”.

“Skënderbeu, kur e dëgjoi, edhe pse lëngonte nga sëmundja e rëndë në shtrat, megjithatë nuk mundi të shtypte apo të frenonte atë vrullin e vet të dikurshëm e të pamposhtur, ato ndjenja të gjalla dhe luftarake”, thotë Marin Barleti, i cili përshkruan këtë skenë epike ku Gjergj Kastrioti-Skënderbeu; “Duke u ngritur nga shtrati me gjymtyrët që i lëkundeshin e i dridheshin, po kërkonte armët dhe mburojën e vet dhe po jepte urdhër që t’i shilonin kalin. Kaq fort që vlonte në atë gjoks të zjarrtë, një zemër e zjarrtë(M.Barleti, fq.493)”.

Menjëherë sapo veshi uniformën ushtarake dhe ngjeshi armët, ai u bë gati që t’i hipte kalit por forcat e tradhëtuan dhe u detyrua që ta dërgonte ushtrinë pa të, duke i porositur që ata të vepronin sipas urdhërave që do t’u jepnin komandantët arbër, ku me siguri, Leka i III-të Dukagjini do të merrte komandën e përgjithëshme për të mbushur sadopak, atë zbrazëti të stërmadhe që krijonte mungesa e Kryezotit të Arbërisë!… Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i dërrmuar nga ethet, u premtoi, gjithashtu, se ditën tjetër do të nisej edhe ai për t’u bashkuar me ta kundër ushtrisë osmane të komanduar nga Dautbeu(sipas Dh.Frangut) ose Ahmetit(sipas M.Barletit). Të shumtë janë ata autorë dhe kronikanë të kohës që flasin mbi përkeqësimin e mëtejshëm të gjëndjes shëndetësore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Disa thonë se mjeku i padijshëm nuk e trajtoi në kohë në mënyrë që të frenonte përparimin e sëmundjes, disa thonë se mjeku ishte i paguar nga armiqtë dhe prandaj e rëndoi edhe më tepër duke i dhënë ilaçe ose helme dhe disa thonë se sëmundja ishte aq e rrezikshme saqë smund të bëhej dot asgjë, por sido që të ishte; Gjergj Kastrioti-Skënderbeu brenda pak ditësh, ai u sëmur për vdekje(Dom.Ndoc Nikaj,Historia e Shqypnis, Enti botues Gjergj Fishta 2015, fq.81)!. Ndërsa, për të saktësuar datën ekur u zhvillua Beteja e Kirit, na vijnë në ndihmë njoftimet e biografëve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe burimet arkivore italiane në Venecia dhe Milano, ku nënvizohet fakti se “Beteja e Kirit është zhvilluar 3 ditë përpara se Kryezoti i Arbërisë të kalonte në jetën e amshuar, pra i bie dt.14-janar-1468”. Por nga ana tjetër, është për t’u cuditur nga fakti se historianët nuk i kanë kushtuar aspak vëmendje kësaj ngjarje duke e anashkaluar ose duke mos e përmendur fare . Të vetmit që përcjellin detajet e zhvillimit të kësaj beteje janë Dhimitër Frangu, Marin Barleti dhe shumë më pak, italiani Giammaria Biemmi që i referohet veprës së Tivarasit(Antibarensis). Gjithashtu është me të vërtetë e pafalshme që edhe në Historiografinë Shqiptare, kjo betejë nuk trajtohet më gjerësisht por citohet vetëm shkarazi siç është edhe në rastin e botimit voluminoz “Historia e Popullit Shqiptar., Vol. I, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Toena. Tiranë, 2002. f. 392-456” ku përshkrimi i kësaj ngjarje historike kufizohet vetëm me tre rrjeshta; “Ndërkohë një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi viset e Shkodrës. Ushtria shqiptare u mobilizua menjëherë, u doli përpara forcave armike dhe korri fitore në betejën që u zhvillua pranë lumit të Kirit(?!). Këtë herë shqiptarët luftuan pa komandantin e tyre, Skënderbeun, i cili në atë kohë u sëmur”!.

Panoramën më të plotë e përcjell Dhimitër Frangu duke u bazuar tek dëshmitë e luftëtarëve arbër që morën pjesë në këtë betejë sepse asokohe Dhimitri, po i qëndronte pranë hyjnorit Gjergj Kastriotit-Skënderbeu i cili po përpëlitej në shtrat duke vrapuar me të shpejtë drejt botës tjetër!… Beteja e Kirit sipas humanistit Dhimitër Frangu;

*”Ushtarët morën urdhërin dhe u nisën sypërlotur drejt Shkodrës(pasi u përshëndetën me Gjergj Kastriotin e sëmurë rëndë) , duke iu afruar lumit Kir. Disa nga turqit që bënin roje në anën tjetër të lumit i vunë re dhe, krejt të shastisur prej ndodhjes së tyre atje, u bënë zë dhe i pyetën se ku ndodhej Skënderbeu. Arbërit iu përgjigjën se zoti i tyre ndodhej në Lezhë dhe se të nesërmen ai do të vinte të sulej kundër tyre. Atëherë turqit shkuan me vrap te komandanti i tyre, që rrinte në kampin e tij në territorin e Drivastit(Drishti) dhe i treguan se çfarë patën dëgjuar. I frikësuar në kulm Dautbeu u detyrua që gjithë atë natë të rrinte në formacion luftimi, kurse mëngjesin tjetër , nisi marshimin tutje, duke kapërcyer male, përmes shtigjeve e rrugëve të vështira tërë ditën e ditës, gjersa arriti në majën e një kodre. Natën që pasoi ra dëbore e madhe shoqëruar me stuhi, se qe muaji janar dhe bënte aq ftohtë sa një numër i madh turqish mjeranë, të frikësuar gjer në palcë, vdiqën brenda asaj nate. Të nesërmen, ata që mbetën gjallë, marshuan tutje, të mbërthyer prej frikës së papërshkruar. Ecnin dhe herë-herë kthenin kryet prapa të tmerruar se mos shihnin Skënderbeun të vinte duke i ndjekur, të vendosur se, posa ta shihnin, t’i binin në gjunjë e t’i dorëzoheshin, ashtu sikurse u mësua nga disa drivastas(drishtianë), të cilët i kishin ndeshur rrugës dhe i kishin vrarë e prerë, grabitur e keqtrajtuar aq tmerrësisht sa qenë fare të pakët ata(turq) që patën fatin të ktheheshin në vendin e tyre(Dh.Frangu, fq.64-65)”.

Ushtria osmane rezulton që fillimisht të jetë përballur me luftëtarët arbër që me dt.14-janar-1468 në Fushën e Shtojit(Shkodër) ku edhe ndodhej një pjesë e trupave osmane dhe pasi qëndruan zgjuar gjatë gjithë natës me rradhë të ngjeshura, e duke u dridhur nga frika, në shtabin e tyre qëndror i cili ndodhej pranë Drishtit; të nesërmen në mëngjes me dt.15-janar-1468, ata morën arratinë me shpresën që do t’i shpëtonin sulmit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Një pjesë prej tyre vdiqën nga i ftohti, disa të tjerë u vranë nga luftëtarët arbër por pjesa më e madhe u masakruan pa mëshirë gjatë arratisë nëpër luginat e thella malore dhe shtigjet e vështira të mbuluara me borë ku ranë pre e malësorëve të pamposhtur të Arbërisë së veriut(Dukagjin). Me dt.17-janar-1468, kur Heroi jonë Kombëtar ishte në grahmat e fundit, i sollën lajmin se ushtria osmane prej 15.000 vetash, ishte asgjësuar, por kjo fitore madhështore e humbi shkëlqimin e saj përballë hidhërimit të papërshkruar që pak çaste më vonë; do të shkatontengjarja më tragjike në Historinë e Popullit Shqiptar!. Pothuajse identik me përshkrimin e Dhimitër Frangut, është edhe versioni që përcjell Marin Barleti në lidhje me zhvillimin e Betejës së Kirit sepse ka të njëjtën përmbajtje. Beteja e Kirit sipas humanistit Marin Barleti;

*”(Gjergj Kastrioti) ra mbi shtrat(i sëmurë rëndë) dhe, pasi u kthye nga ushtarët, u tha këto fjalë; “Dilni, dilni, ushtarë, kundër armiqve dhe barbarëve, shkoni përpara meje, se po iu vij menjëherë nga pas”!… Disa kalorës prej këtyre dolën jashtë qytetit(Lezhë) dhe arritën në kampin e barbarëve, të cilët i kishin ngulur çadrat, pasi plaçkitën krahinë e Shkodrës, pranë një përroi të quajtur Klir(lumi Kir), afër qytetit të Shkodrës. Pikërisht, për të plaçkitur viset shkodrane, kishte ardhur me 15.000 kapedani Ahmet. Barbarët, kur i panë, duke kujtuar se atje ishte Skënderbeu, lanë pjesën më të madhe të plaçkës dhe në një rrëmujë të pafund e dridhmë, që i hyri gjithë kampit, morën gjatë natës arratinë dhe ua mbathën përmes vendesh të ashpër e gati të pakalueshëm. Pa ishte muaji janar dhe tokën të gjithën e kishin mbuluar borërat. Ndërsa kalonin përmes rrëpirave dhe majave të maleve, ata u shtypën nga sundimtarët dhe banorët e atyre vendeve, të cilët u shkaktuan një humbje të kërdishme dhe të përgjakshme. Dhe me të vërtetë, më të shumët u zunë; shumë u vranë; plaçkën të gjithë pothuaj e lanë(M.Barleti, fq.493)”.

*Një përshkrim të detajuar të Betejës së Kirit e ka bërë edhe Ipeshkëvi italian i Nocera, historiani, biografi, koleksionisti i madh dhe një figurë e shquar e Rilindjes Italiane, “Paolo Giovio(1483-1552)”, i cili është bazuar tek vepra e humanistit arbër Dhimitër Frangu.Beteja e Kirit sipas Paolo Giovio;

*Erdhi një lajm se gjenerali i sulltanit. Ahmet Pasha, kishte zbritur nga Serbia me 10.000 kalorës e 5.000 këmbësorë turq, duke kaluar një mal shumë të ashpër, i quajtur “Illugji”, që i përkiste Venedikut, e kishte mbërritë në vendin e këtij duke shkaktuar shumë dëme. Atëherë, Skanderbeu trim, duke marrë kurajo si zakonisht, ishte veshur dhe armatosur shpejt dhe po behëj gati që të jepte urdhër për marshim, por ndërkaq, sëmundja filloi ta mundojë aq fort sa që u detyrua t’u thotë ushtarëve, se kësaj here duhet të shkonin në Shkodër pa të e të zbatonin gjithçka që do të urdhëronte përfaqësuesi i nderuar i Venedikut, sepse ai i priste atë natë dhe tjetrën, për të sulmuar ushtrinë e Ahmet Pashës. Kur tha këto fjalë, luftëtarët trima u nisën duke lotuar dhe mbërritën në Shkodër, ku me urdhër të Guvernatorit të sipërpërmendur, po në atë ditë, marshuan deri te lumi Kir. Një pjesë e tuqve që ishin matanë lumit, kur dalluan njerëzit, e kuptuan se ishin të Skanderbeut, dhe të çuditur thirrnin ku gjendej Skanderbeu. Menjëherë morën përgjigje se ai gjendej në Lezhë e se të nesërmen do të vinte të luftonte kundër tyre. Turqit shkuan shpejt te Ahmet Pasha, që kishte zënë vend mbi Drisht, dhe i thanë ato që kishin marrë vesh prej ushtarëve shqiptarë. Prej këtij lajmi, Pashai me gjithë ushtrinë e tij, u tronditën dhe nga frika qëndruan zgjuar dhe roje gjithë natën. Të nesërmen në mëngjes herët, u dyndën duke kaluar nëpër shtigje të ashpra malore, sa që mezi arritën atë ditë në majë të malit. Pastaj gjithë natën kishte rënë borë e trazuar nga një erë shumë e ftohtë, sepse ishte muaji i Janarit, sa që pjesa më e madhe e atyre turqve të mjerë e të friksuar, kaluan nga jeta e tanishme në tjetrën. Ata që mbetën gjallë ditën tjetër, ikën krejt frikë duke u kthyer për të shikuar mbrapa mos Skanderbeu i sulmonte për t’i vrarë, pranda kishin rënë dakord mes tyre, sa të shihnin Skanderbeun; të gjunjëzoheshin para tij që t’i mëshironte, se sa ta kundërshtonin dhe të vriteshin të gjithë, e të bëheshin copa-copa, siç u kishin thënë Drishtianëve disa turq të kapur rob. Kështu për çdo vend që ata kalonin, i bënin fertele, i çvishnin, i rrihnin, sa që pak prej tyre u kthyen në shtëpitë e veta(Paolo Jovio, Tregim mbi jeten dhe veprat e Gjergj Kastriotit Skanderbeut, përkthyer nga italishtja e vjetër, paraqitë e komentume ngs Lek Pervizi, Bruksel 2006, fq.138-139)”.

*Gjithashtu, një përshkrim të shkurtër por mjaft ineteresant të kësaj ngjarje historike e ka bërë edhe “Murgu Anonim Rus” për identitetin e të cilit, dimë fare pak. Ai rezulton se ka qenë Igumen(kryemurg) i Manastirit mashkullor të Shën.Dafinës(Llavrovskij Manastir), njihet po ashtu dhe një e dhënë tepër kuptimplotë për personalitetin e tij si njeri i spikatur i kohës që ishte sepse Cari Ivani i Tmerrshëm(1530-1584) ia besoi pikërisht atij seleksionimin dhe sistemimin e dorëshkrimeve që gjendeshin të shpërndarë nëpër manastiret ruse, e të cilët u grumbulluan me urdhër të carit. Në lidhje me zhvillimin e Betejës së Kirit, Murgu Anonim Rus është i vetmi autor që njofton praninë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, që sipas tij, ai i ka mposhtur ethet e rënda duke i hipur kalit për të marshuar drejt Shkodrës dhe lumit Kir, pasi në fillim kishte dërguar ushtarët!. Kjo e dhënë e servirur nga Murgu Anonim Rus, normalisht që duhet marrë me rezervë sepse ai, kurresi nuk e gëzon kredibilitetin e humanistëve arbër e sidomos, kur përdorim metodën krahasuese me Dhimitër Frangun, libri i të cilit ka shërbyer si burimi kryesor i të dhënave për shumicën e biografëve të mëvonshëm të Heroit tonë Kombëtar, njëri ndër ta, edhe Marin Barleti. Murgu Anonim Rus thotë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu;

“Nuk e mbaroi porosinë e fundit që po i jepte të birit, kur mbërriti lajmi se turqit e sulmuan Shqipërinë, ndodheshin jo larg Shkodrës, qytet që ishte nën sundimin e Venedikut. Skënderbeu e dëgjoi lajmin, dhe, ndonëse i dridheshin duart e këmbët dhe i merreshin mendtë, nuk mundi të qëndronte shpërfillës, por urdhëroi t’i sillnin kalin. I nisi përpara njerëzit, kurse vetë kalëroi pas tyre. I mundi turqit duke i shkulur nga fushimi(Murgu Anonim Rus; Rrëfim për Skënderbeun-Princin Shqiptar, përktheu nga origjinali; Jorgji Doksani, Uegen, Tiranë 2015, fq.97-98)”.

Beteja e Kirit shënon edhe fundin e epopese se lavdishme te fitoreve te shkelqyera qe korri Gjergj Kastrioti-Skenderbeu per mbrojtjen e Atdheut dhe duke luftuar kunder fuqise ushtarake me te madhe te kohes; “Perandoria barbare Osmane”…

Nga; Paulin Zefi.

Check Also

“Bravo Notis, arrite të bindësh një tufë alabakësh…”, gazetari shfryn ndaj koncertit të nazistit

Ardhja e këngëtarit nazist grek Notis Sfakianakis mbrëmjen e djeshme në Shqipëri dhe koncerti i …

Leave a Reply