Kryefaqja / OPINION / Edon Muhaxheri: Alfabeti i Veqilharxhit sot mund të përdoret për simbole kombëtare

Edon Muhaxheri: Alfabeti i Veqilharxhit sot mund të përdoret për simbole kombëtare

Edon Muhaxheri është student i cili vite më parë fitoi bursë nga programi Fullbright, ndërsa ekspozitën e ka hapur si pjesë e diplomimit në Maryland Institute College of Art.

Muhaxheri ka hapur ekspozitën, e cila i kushtohet Naum Veqilharxhit, ideatorit të Rilindjes Kombëtare dhe autorit të Abetares së parë Shqipe.

“Unë e kam një pasion të veçantë për kulturën shqiptare. Gjatë hulumtimit për temën e diplomës kisha dëshirë me lidhë punën time me automatë dhe kulturën shqiptare. E sfidova veten me nderimin e një prej automatoneve më të komplikuara, atë që shkruan” tregon më shumë detaje vetë Edon Muhaxheri, për KultPlus.

Shkolla ku ai diplomon me projektin shqiptar është shkolla më e vjetër e artit në Amerikë. Studimet e tij janë fokusuar në dizajnimin dhe punimin e lodrave mekanike të njohura si Automatone. Këto “lodra”, mekanike kanë qenë prezente gjatë pjesës më të madhe të historisë, ndërsa kulmi i krijimit të tyre është arritur në vitet 1700-1800 nga orëpunuesit evropianë.

Ai tregon se gjatë hulumtimit, e vërejti se Naum Veqilharxhi e ka dizajnuar një alfabet të veçantë, ndërsa pasi u konsultua me linguistë të ndryshëm, Edoni kuptoi se ai alfabet kishte humbur. Me një kërkim të thjeshtë online, ai thotë se gjeti pamje sado të mangëta të një alfabeti të ndryshëm prej atij latin, grek ose arab.

Edoni më pas e siguroi një kopje të origjinalit të botimit të parë të Ëvetarit të vitit 1844.

“U mahnita me kreativitetin e Naum Veqilharxhit. U shokova me faktin që askush nuk flet për këtë pasuri kombëtare. Fillova punën për identifikimin e shkronjave origjinale shqipe dhe zbërthimin e tyre në elemente tipografike – thjeshtëzimin deri në realizimin e tij përmes lëvizjeve më të thjeshta të dorës” tregon Muhaxheri.

Tregimi i tij është mbresëlënës, pasionant për një djalë të ri që me ngulje dhe dedikim dëshiron të deshifrojë e të ruajë diçka nga e kaluara shqiptare.

“Më pas e digjitalizova shkrimin e Naumit dhe krijova familje fontesh moderne, që Vithkuqi (sic e quan Naumi alfabetin e tij, sipas fshatit nga vjen) të mund të përdoren për rekreacion edhe sot” tregon Edoni.

Ai thotë se e kupton që ky alfabet sot nuk mund të futet në përdorim në gjuhën shqipe por gjithsesi padyshim paraqet një pjesë të trashëgimisë kulturore shqiptare, dhe duhet të ndriçohet e shfrytëzohet tutje qoftë edhe vetëm për botën e dizajnit, ndoshta edhe për simbole kombëtare.

Ai planifikon ta botojë edhe librin, muajin tjetër, ku do të paraqitet hulumtimi i detajuar i një historie të shkurtër të ngjarjeve që sollën deri te tentativat për krijimin e një Alfabeti origjinal shqip.

“Aty e kam përshkruar udhën e shkronjave greke, romake, sllave dhe krijimin e Alfabetit Shqiptar. Studimi në vete rikonfirmon përmes akteve historike se ilirët dhe shqiptarët janë popull i njëjtë, që në kohë të ndryshme u quajtën ndryshe nga popujt përreth. Në ndërkohë punimet për automatonin që shkruan janë në fazën finale” tregon Muhaxheri.

Një version më i madh i ekspozitës do të hapet në Washington në fund të muajit, me një automaton funksion, për të tërhequr edhe më shumë vëmendjen e galerive të artit botëror ndaj kulturës shqiptare./kultplus.com/

Check Also

Zhurma e gjeopolitikës së vjetër emocionale

Selim Ibrahimi Komisioni Evropian (KE) i dha dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë. Këto dy vende …

Leave a Reply