Kryefaqja / PERSONALITETE / Kush ishte prijësi i madh arbëror që bëri emër në fundshekullin e XV dhe pse flitet kaq pak për të?

Kush ishte prijësi i madh arbëror që bëri emër në fundshekullin e XV dhe pse flitet kaq pak për të?

NGA Marin MEMA

Ai është një ndër ata luftëtarë që historiografia shqiptare i ka shpluhurosur shumë pak për të mos thënë aspak. Veç disa autorëve që kanë shkruar për arvanitët dhe fatin e tyre, të tjerët e kanë anashkaluar ekzistencën e Krokodil Kladhës. Ky prijës i famshëm i shekullit të XV ishte pinjoll i një dere të madhe arbërore nga Himara e fort të pabindur në marrëdhënien me osmanët. Krokodil Kladha mendohet se lindi në vitin 1425 dhe u rrit si një luftëtar e prijës i njohur i arbërorëve të Peloponezit. Thuajse të gjitha kryengritjet e mëdha deri në fund të këtij shekulli u udhëhoqën pikërisht nga Kladha.Në të gjitha burimet siç janë dokumentat veneciane, ai konsiderohet si një drejtues i palëkundur që jo më kot u kthye në makthin e hordhive osmane që kërkonin të kontrollonin me çdo kusht të gjitha këto hapesira në Greqinë e sotme. Kladha në 1463 – 1464 është në krye të betejavenë krahinën historike të Spartës, e në vitet pasuese edhe në ato të Koronit, Manit, Naflpios e me radhë. Edhe atëherë kur Venecianët dhe Osmanët firmosën një traktat paqeje në 1479 – 1480, i vetmi që nuk pranoi të nënshtrohej ishte Kladha. Arbërori nga Himara nuk u josh as nga ofertat e vetë venecianëve të cilët i ofruan prona e të holla që ky i fundit të mos cënonte paqen, por ti hapte rrugë osmanëve.

Oferta ju bënë të gjithë bashkëluftëtarëve të Kladhës që vinin nga familje të cilave edhe sot mund t’u gjesh mbiemrin në trojet shqiptare siç ishin ato Bua, Bohali, Buziqi, Basta, Meksi, Koroveshi, Lala e mjaft të tjerë. Një pjesë u larguan, por Kladha jo. Rebelimet e tij thyen trupat osmane në disa zona edhe pse kjo nuk u interesonte aspak venecianëve, që prioritet kishin traktatin e paqes dhe vijimin pa shqetësime të tregëtisë kaq të rëndësishme për ta. Në 1479 Kladha udhëhoqi kryengritjen në zonën e Manit në Peloponez apo More siç e quajnë edhe sot arbëreshët duke i shkaktuar humbjen trupave osmane, ashtu siç bëri edhe në qytetin e Koronit, Megalonit, Itilonit e disa kala mjaft të rëndësishme për kohën.Edhe pse venecianët në bashkëpunim me osmanët i ndaluan familjen duke ja burgosur, Kladha refuzoi të tërhiqej. Megjithatë vënia nën morsën e dy fuqive ndër më të mëdhatë e kohës i izoloi jo pak luftëtarët. Qëndresa në Peloponez konsiderohet si një ndër më të përgjakshmet e historisë së kësaj krahine që diku në vitin 1481 u shua ballë mijëra ushtarëve osman. Kladha u largua, duke zgjedhur të rikthehej në trojet e stërgjyshërve të tij në Himarë. Prijësi u vendos krah pinjollit të Kastriotëve, Gjonit, djalit të Skënderbeut . Trupat arbërore arritën fitore të jashtëzakonshme duke marrë nën kontroll Himarën, e më pas kalanë e Sopotit, apo të Borshit siç identifikohet sot. Të njëjtat humbje pësuan osmanët edhe në qafën e Llogarasë siç shkruan në veprën e tij “Arvanitët” autori Irakli Koçollari.

Diku mes viteve 1482 – 1483 Kladha raportohet të jetë rikthyer në More ku u përpoq sërisht të riaktivizonte kryengritjet antiosmane. Përgjatë këtyre viteve dokumentat thonë se ai u end mes fitoreve dhe udhëtimeve të gjata në zona të tjera arbërore ku u kthye në inisiator të lëvizjeve të ndryshme. Pikërisht në një prej këtyre misioneve luftarake ai u rrethua në Himarë ku pas një bêteje të ashpër u zu i gjallë nga ushtria osmane. Sipas dokumentave Krokodil Kladha u egzekutua e më pas trupi i tij u copezua për të dhënë shembullin se ky do të ishte fati i çdo luftëtari që do të përpiqej sërisht të realizonte kryengritje antiosmane. Të njëjtin fat pati e gjithë kryengritja në Arbëri ku të mbetur pa mbështetje pavarësisht fitoreve të mëdha fillestare trupat e Gjon Kastriotit nw vitin 1484 u detyruan të lëshojnë territoret e çliruara. E gjithë kjo ndodhi në kushtet kur edhe i vetmi aleat Mbretëria e Napolit bëri marrëveshje me Osmanët, duke e lënë të gjithë peshën e betejave tek arbërorët.Sigurisht kjo është një histori e përmbledhur e një himarioti të madh siç ishte Krokodil Kladha, i cili në çdo dokument venecian apo osman qoftë, por edhe i mbretërisë së Napolit, paraqitej thjesht e vetëm ashtu siç ishte arbëror, e asgjë tjetër./JOQ.al

Check Also

Edmond Hysni Hoxha (10.10.1975 – 31.1.1997)

Edmond Hoxha ka lindur më 10 tetor 1975 në Junik të komunës së Deçanit. Familja …

Leave a Reply