Kryefaqja / INTERVISTA / Veliu: Qeveritë shqiptare kanë afat deri më 28 Nëntor për bashkim kombëtar!

Veliu: Qeveritë shqiptare kanë afat deri më 28 Nëntor për bashkim kombëtar!

Për Tahir Veliun Shqipëria e Bashkuar do të bëhet, madje për t’i dhënë një shtytje këtij procesi u themelua edhe Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar, të cilën ai e udhëheq.

Kreu i LSHB-së në një intervistë për Kp ka thënë se qysh nga viti 1999 janë përkushtuar në jetësimin e ëndrrës së kahershme të shqiptarëve për bashkim në një shtet të bashkuar.

Për këtë ai tha se fillimisht ka formuar portalin e parë informativ ‘Shqipëria e Bashkuar’, që ka funksionuar si portal i pavarur dhe i ka përkrahur të gjitha organizatat kombëtare që e kanë pasur për synim çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare ndërsa tash thotë t’i jenë afruar realizimit të këtij projekti.

I pyetur nëse jetësimi i projektit të LSHB-së për bashkimin e shqiptarëve do të ndikonte në raportin e Kosovës dhe Shqipërisë me ndërkombëtarët, Tahiri u shpreh i bindur se përkundër reagimeve që mund të vijnë, ndërkombëtarët do të mbështesin këtë proces.

Tahiri: Bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm është në përputhje me të gjitha konventat ndërkombëtare

“Bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm kombëtar është një proces në përputhje me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe njëkohësisht është në përputhje edhe me integrimet evropiane. Kështu që reagime natyrisht se do të ketë, por duke e kuptuar procesin e bashkimit të Shqipërisë, atëherë natyrisht se do të kemi përkrahje edhe nga jashtë. Bashkimi i Shqipërisë është në përputhje edhe me interesat strategjike të shteteve të SHBA-ve, kështu që është një proces që do të realizohet”, theksoi ai.

E për të jetësuar këtë projekt, Tahiri tha se tashmë kanë dorëzuar kërkesën e tyre për njësimin demokratik të Kosovës dhe Shqipërisë, të dy qeverive të shteteve përkatëse, përderisa theksoi se 28 nëntori i vitit 2018 është afati i fundit që LSHB u ka dhënë atyre për bashkim kombëtar.

Veliu: Nëse qeveritë hezitojnë për Shqipërinë e Bashkuar, do të veprojmë ne

“Organizimi i referendumit i takon Republikës të Shqipërisë, e cila e ka në Kushtetutën e saj aspiratën e kombit shqiptar për bashkim kombëtar. Ne i kemi dorëzuar dy kërkesa Republikës të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kërkesën për njësimin demokratik  të dy shteteve dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm, si pjesë e procesit demokratik për një Shqipëri të Bashkuar. Ne nuk do të presim pafundësisht nga dy shtetet tona, nëse këta hezitojnë në realizimin e kësaj kërkese, atëherë ne do të marrim hapa të tjerë të mëvonshëm për jetësimin e këtij procesi”, potencoi ai.

Për mbledhjet e dy qeverive, Tahiri tha se ato po zhvillohen vetëm sa për të bërë fotografi, pasi që deri më tash ato nuk kanë dhënë ndonjë rezultat. Ndërsa edhe të arriturat e deritanishme ai i quajti vetëm lehtësime, përderisa tha se shqiptarët kërkojnë rrënimin e kufirit.

Veliu: Ne nuk kërkojmë lehtësime, ne kërkojmë rrënimin e atij kufiri

“Momentalisht politika si në Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe në Republikën e Kosovës përdorë mjaft terma demagogjik kinse për bashkimin e shqiptarëve në BE, por rrjedhimisht nuk mund të ketë Bashkim Evropian pa bashkim të shqiptarëve në një shtet kombëtar. Edhe lehtësimet rreth kufirit të cilat ata i kanë paraqitur prej 1 janar 2018, ato janë vetëm lehtësime. Ne nuk kërkojmë lehtësime, ne kërkojmë rrënimin e atij kufiri. Nëse politika dështon në rrënimin e këtij kufiri, atëherë shqiptarët e bashkuar do ta rrënojnë këtë kufi. LSHB është e gatshme të përballet edhe me këtë sfidë”, tha ai.

Ndërkaq, Tahiri ka shpalosur edhe idenë për pajisjen e të gjithë shqiptarëve me pasaportë të Republikës së Shqipërisë. Sipas tij, ky është një projekt afatgjatë i cili do të krijojë fonde për modernizimin e ushtrisë shqiptare.

Veliu: Fondet e mbledhura nga dhënia e pasaportave janë garantues të Shqipërisë së madhe

“Çfarë kemi paraqitë ne, është një mundësi e re për ta kontrolluar hapësirën tonë ajrore, pa pasur nevojë për ndërhyrje nga jashtë. Ideja është shumë e thjeshtë. Çdo shqiptar, sipas kombësisë, të ketë të drejt të pajiset me pasaportë të Shqipërisë, duke bërë një pagesë prej 1 mijë e 50 euro. 50 euro janë për shpenzime në administratë dhe 1 mijë euro janë fonde që kalojnë në fondin për modernizimin e forcave të armatosura. Dhe kështu nëse marrim një shifër prej 100 mijë aplikimeve, atëherë ne e krijojmë një fond për forca të armatosura, i cili është 100 milionë. Me ato 100 milionë mund të blesh aeroplanë luftarak të cilët janë të gatshëm për të mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë, e njëkohësisht do të jenë edhe garantues për jetësimin e Shqipërisë së Bashkuar”, tha ai.

Tahiri tha se asnjëherë nuk do të lodhen si Lëvizje së kërkuari të drejtat e plota të shqiptarëve, ndërsa shtoi se LSHB është shtrirë në të gjitha trojet shqiptare dhe se është kundërshtari i parë dhe i vetëm i organizata terroriste greke “Agimi i artë” në Greqi.

Ndryshe, Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar bashkëpunon me organizata të tjera, si “Lista për Shqipëri Natyrale” dhe shoqatën “Çamëria” në Kosovë.

Check Also

Nderimi i të rënëve të luftës Italo-Greke ndan shqiptarët

Historianët dhe ekspertët e trashëgimisë dhe politikave vendore mbeten të ndarë mbi marrëveshjen midis Tiranës …

Leave a Reply