Kryefaqja / PERSONALITETE / AGIMI I LIRISË!

AGIMI I LIRISË!

Përkujtim për luftëtarin e lirisë

AGIM QERKIN BAJRAMI (12 shkurt 1964 – 10 gusht 1998)

Të shkruash për njërëzit e përmasava të mëdha, të cilët me jetën dhe veprën e tyre bënë historinë dhe të cilët më vonë edhe vetë u bënë pjesë e historisë më të lavdishme të popullit shqiptarë është një detyrë e vështirë. Sado që mund të thuash e të shkruash për ta, gjithëherë duket se nuk ke bërë asgjë.

Para tyre nuk kishte asgjë më të ëmbël se Atdheu, siç do të thoshte filozofi i madh Grek Teokriti, prandaj edhe u flijuan për këtë dashuri aq të madhe dhe aq të vlefshme për ta.

Heronjtë e përmasave të tilla lindin vetëm atëherë kur popujt janë të robëruar dhe bëjnë përpjekje të vazhdueshme për çlirim nga pushtuesi.

Me të tilla përmasa heroike është e mbushur edhe tërë jeta dhe vepra e veprimtarit, patriotit dhe luftëtarit të lirisë, Agim Qerkin Bajrami, nga Stagova e Kaçanikut.

Agim Bajrami lindi me 12 shkurt 1964, në fshatin Stagovë të Kaçanikut.

Katër vjet e jetës së tij, Agimi jetoi në fshatin e lindjes, në Stagovë, për t’u shpërngulur me familje më 1968, në Kaçanikun legjendar.

Shkollën fillore dhe ate të mesme, dega e elektronikës Agimi i kreu në QM ,, Skenderbeu” në Kaçanik, për t’a vazhduar shkollën e lartë teknike në Ferizaj, por për shkak të kushteve të vështira ekonomike e kishte ndërprerë dhe ishte punësuar në organizatën punuese ,, 16 nëntori” në Han të Elezit, ku punoi vetëm disa muaj.

Si nxënës i shkollës së mesme, Agimi mori pjesë në demostratat e vitit 1981, ndërsa më vonë ai bie në kontakt me veprimtarë të LPRK-së dhe bëhet anëtarë dhe udhëheqës i kësaj lëvizjeje për Komunën e Kaçanikut.

Në vitin 1987, Agimi martohet me Zarije Zenunin nga fshati Duraj, e cila ishte mbesë e atdhetarit dhe luftëtarit të njohur në këto anë – Avdyl Zenuni – DURA.

Në qershor të viti 1988, Agimi detyrohet të shkojë në ushtrinë Jugosllave, në qytetin e Postonjës në Slloveni. Duke e njohur aktivitetin e tij në Kosovë, shërbimi sekret serb e ndiqte hap pas hapi. Ata e denojnë me 5 vjet burg. Shtatë muaj të këtij dënimi Agimi i vuajti në Lubjanë, ndërsa pjesën tjetër në Prishtinë, Gjurakoc dhe në Burgun e Dubravës, për t’u liruar nga burgu në nëntor të vitit 1991.

Pas daljes nga burgu, Agimi pa humbur kohë kontakton me shokët e LPRK-së në Kaçanik dhe më gjerë dhe bashkë me ta vazhdon aktivitetin e tij atdhetar.

Përveç në LPRK, Agimi ishte edhe anëtar i KMDLNJ-së, për Komunën e Kaçanikut dhe bashkë me udhëheqësit e LPRK-së për rajonin e Ferizajit dhe ata të Kaçanikut, punuan në dy drejtime. Ilegalisht, shumica prej tyre ishin anëtarë të LPRK-së dhe kryenin detyra e bënin aktivitet politik për organizatën, ndërsa për ti humbur gjurmë armikut mbuloheshin në kuadër të KMDLNJ –së.

Edhe pas daljes nga burgu, UDB-ja dhe bashkëpuntorët e saj në anën tjetër e kishin në shënjestër dhe e përcillnin hap pas hapi. Duke e parë rrezikun e riburgosjes Agimi, pasi konsultohet me shokë të LPRK-së, më 16 nëntor 1991, merr vendim që të largohet përkohësisht nga Kosova për të shkuar në Zvicër. Këtu, Agimi menjëherë aktivizohet në D.J.V.të LPRK-së dhe aktivitetin e tij ai e zhvillonte në Kantonin e Zurichut..

Pas formimit të njësitëve të para të UÇK-së më 1993 dhe fondit të saj ,,Vendlindja Thërret” gjithë aktiviteti i Agimit dhe shokëve të tij ishte vënë në shërbim të propagandimit të nevojës së luftës çlirimtare dhe të ndihmës së kësaj lufte me mjete financiare dhe logjistike.

Në vitin 1997, Agimi kishte kërkuar nga shokët e organizatës që të futet në Kosovë për të bërë organizimin e njësiteve të UÇK-së për rajonin e Kaçanikut dhe Ferizajt, por kërkesa e tij ishte miratuar vetëm pas rënies heroike të Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Më 6 mars, pas protestës së mbajtur në Zurich, ishte mbajtur mbledhje e sektorit te veçantë të LPK-së dhe ishte vendosur që të nisen për Kosovë veprimtarët më të mirë të saj në mesin e të cilëve edhe Agim Bajrami.

Me tu kthyer në Kosovë, fillimisht i tërë grupi për një kohë kishte qëndruar në Drenicë, prej ku ishin shpërndarë nëpër zonat e përgjegjësisë. Agimi, bashkë me Fatmir Limajn, Ismet Jasharin dhe Shukri Bujën, fillimisht kishin shkuar te Sadik Shala – Burgija, në Kleqkë, e pastaj kishte shkuar te Ahmet Mujota në Mollopolc të Shtimes dhe bashkë me Ahmet Mujotën shkojnë në fshatin Duraj të Kaçanikut.

Prej këtu, Agimi merr kontakt me shokët e tij të rinisë së hershmë dhe të veprimtarisë, si Osman Burrniku, Besim Ilazi, Ilaz Ceka, Brahim Dalloshi, Shefket e Haki Troni, Ejup Runeva, Besnik Begunca etj.

Bashkë me shokët e tij tani të organizuar, Agimi fillimisht vendos bazat e veprimtarisë ushtarake në Kaçanik, Duraj, Kovaqec, Glloboqicë, Soponicë, Dubravë, Kukaj, Kaçanik të vjetër, Runjevë dhe më vonë me ndihmën e Rufki Sumës edhe në Han të Elezit.

Më 18 korrik, Agimi organizon një grup luftëtarësh për ti dërguar për armatim në Shqipëri, të cilin e udhëhiqte Hysret Kyqyku, ndërsa në terren punonte vazhdimisht dhe zgjeronte me hapa të shpejtë numrin e ushtarëve nëpër të gjitha fshatrat dhe lagjet e Komunës së Kaçanikut.

Më 5 gusht 1998, Agimi nga Durajt niset me 25 ushtarë për tu dalur në ndihmë luftëtarëve të Ferrit në Jezerc. Këtu ushtarët e tij tregojnë besnikëri dhe trimëri të jashtëzakonshme duke shkëlqyer në të gjitha betejat që u zhvilluan në këtë kohë, në këtë qendër qëndrese të malësisë së Ferizajt.

Pasditen e vonë të 9 gushtit, Agimi bashkë me Xheladin Kurtajn dhe Besnik Beguncën, dy luftëtarë trima dhe besnikë, niset nga Jezerci për Kaçanik.

Sipas Xheladinit, Agimi ishte thirrur urgjent nga zëvendësi i tij, Qamil Ilazi dhe shokët tjerë, të cilët ende ishin duke vepruar në Kaçanik.

Rrugës, ndalen për të pushuar pak në shtëpinë dhe familjen e Xheladinit, por pas disa orësh, policia dhe ushtria serbe i kishte hetuar dhe i bënë një rrethim të hekurt.

Luftëtarët e lirisë, Agim Bajrami, Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca nuk ishin dorëzuar, por kishin filluar luftën e pa barabartë me forcat serbe.

Në orët e hershme të mëngjesit të 10 gushtit, para agimit, bien heroikisht duke lufutar, komandanti, Agim Bajrami dhe dy bashkëuftëtarët e tij, Besnik Begunca dhe Xheladin Kurtaj, ndërsa burgoset vëllau i Xheladinit – Danushi dhe kusheriri Fatmir Kurtaj.

Varrimi i tyre bëhet më 11 gusht në varrezat e fshatrave Duraj dhe Gabrricë ku morrën pjesë me qindra qytetarë nga Kaçaniku dhe më gjerë.

Pas rënies, brigada që ai e kishte themeluar merr emrin e tij, ndërsa pas përfundimit të luftës, rruga kryesore në Kaçanik, shkolla fillore në Stagovë, kazerma ushtarake dhe një rrugë në Prishtinë me krenari mbajnë emrin e këtij dëshmori të kombit.

Në vendin e tij të rënies është ngritur një lapidar në nderim të tre luftëtarëve të rënë, ndërsa shokët e tij ia kanë ngritur një bust në oborrin e shkollës në Stagovë, në fshatin e tij të lindjes.

Poashtu me iniciativë të shokëve dhe të bashkëveprimtarëve të tij, është ngritur përmendorja e tij në qendër të Kaçanikut.

Jeta dhe vepra e Agim Bajramit, këtij kolosi të madhë të lëvizjes ilegali për çlirim dhe bashkim kombëtar, nuk mund të zbehet dhe të harrohet. Ai me gjakun e tij u bë shembull se di duhet të luftohet dhe të vdiset për liri.

Lavdi jetës dhe veprësë së veprimtarit e luftëtarit të lirisë Agim Bajrami!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të Kombit!

12 shkurt 2015

Mr.sc. Metush Zenuni.

Check Also

Atdhetari i pavdekshëm shqiptar Abdyl Frashëri: Epiri është dhe do të mbetet gjithmonë shqiptar

Atdhetari dhe Diplomati i Shquar I pavdekshem i popullit shqiptar Abdyl Frashëri, i drejton redaksisë …

Leave a Reply