Kryefaqja / OPINION / Berati, atje ku u thye me 1455-sen Skënderbeu

Berati, atje ku u thye me 1455-sen Skënderbeu

Nga Ilirjan Gjika

Pak histori

Qyteti 2400 vjeçar mbart një histori shumë interesante dhe të bukur. Arkeologët mendojnë se ai banohet pa ndërprerje qysh nga periudha parahistorike. Ndërkohë që historografia gjermane përcakton se qyteti u themelua nga Gjenerali Maqedonas Antipatri në vitin 321 Pk.

I quajtur me emrin e tij Antipatrea ai njihet si qendër e Koinonit të Dasaretëve, një fisi të njohur Ilir që herë pas here ishte shndërruar në arenë luftërash dhe përplasjesh midis shteteve antike. Autori antik i cili e përmend për herë të parë Antipatrean është Polibi në vitin 216 pk. (Polibius, V.108.2 cituar në Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, fq.59).

Disa vite më vonë pikërisht në vitin 200 autori Romak Tit Livi (Livius, XXXI, 27. Po aty fq.107) përshkruan në shkrimet e tij se qyteti u shndërrua në shesh luftimi midis Romakëve dhe Maqedonasve. Periudha Romake di të kalojë pa regjistruar ndonjë ngjarje të rëndësishme. Vetëm në mesin e shekullit të V të Perandori Bizantin Teodos II kreu punime rindërtimi dhe fortifikimi në të, të cilat u vazhduan nga motra e tij Perandoresha Pulkeria. Do të jetë pikërisht kjo e fundit që në vitin 453 do ta pagëzojë qytetin me emrin e ri PULKEROPOLIS. Me këtë emërtim Berati përmendet edhe në udhërrëfyesin e Hieroklit (Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, fq.453) si një ndër nëntë qytetet kryesore të provincës bizantine të Epirit të Ri. Një shekull me vonë do të përmendet nga Prokopi i Cezaresë. (po aty, fq.435) si një ndër 48 ndërtimet e Perandorit Justinian në Epirin e Ri. PulkeroPolis, Berati do të quhet deri në shekullin e IX. Gjatë pushtimit Bullgar (860-1018) ai do të shnderrohet në njërën prej qëndrave të pushtetit të kësaj Perandorie në Shqipëri. Veçoria kryesore e administrimit bullgar ishte shndërrimi i emrave të vendeve, nga emrat e vjetër në emra sllavë. Ndër të parët që patën këtë fat ishte edhe qyteti në fjalë i cili u quajt Belgrad (qytet i bardhë). Me këtë emër ai përmendet për herë të parë në letrën që Papa Mikeli VIII i dërgoi mbretit bullgar Borisit më vonë Berati (ACTA ET DIPLOMATA, DOC 55). Me largimin e “ dhimshëm” të bullgarëve në vitin 1018 qyteti iu rikthye përsëri Bizantit. Ndërsa një shekull më vonë ju bashkangjit territoreve të Despotatit të Artës. Do të ishte pikërisht kreu i parë i këtij shteti Despoti Mikel I, i cili do të parapëlqente atë si rezistencë të re të tij. (Histori e popullit shqiptar, Tiranë 2003, fq.233 ). Në kështjellën e Beratit ai do të gjej vdekjen në një natë të errët të vitit 1216 kur vrastare e komplotistëve të drejtuar nga, vëllai Teodori do t’i japë fund jetës së tij.

Më vonë Berati do të kalojë një sërë pushtimesh ku do të përmendim ato të Napolit, të Mbretit Serb Stefan Dushanit dhe Perandorisë Osmane. Ndërkohë që diku rreth vitit 1350 ky qytet do të kthehet në qëndër të principatës shqiptare të Muzakajve ishte Princi Andrea II-të që ia mori Beratin me forcën e amëve komandantit Serb Jovan Komnen Asenit, kunatit të perandorit Serb Stefan Dushanit. Pas një dominimi afro 70 vjeçar familja Muzaka do të detyrohet t’ia dorëzojë Beratin përballë fuqisë osmane në vitin 1417. Periudha e sundimit osman do të jetë një ndër më të gjatat për vetë qytetin duke i dhënë atij formën e emrit të sotëm Berat dhe karakteristikat e botës së Orientit.

Kalaja

Një nga monumentet më të bukur, më të mëdha dhe më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës shqiptare është padyshim kalaja e Beratit. Me formën e saj të spikatur në trajtë trekëndëshi ajo ngrihet mbi një kodër të lartë 187 m, e cila ndodhet në bregun e djathtë të lumit Osum, duke dominuar luginën e tij (Hëna Spahiu, Qyteti Iliro Arbëror i Beratit. Tiranë 1990, fq. 9-11). Në të kaluarën siguria e kësaj kështjelle ka qënë maksimale, sepse projektuesit e saj e ndërtuan pikërisht në këtë kodër ku ana jugore bie thikë mbi Osum, anët lindore dhe perëndimore kanë pjerrësi të madhe ndërsa në anën veriore kodra ulet ëmbël drejt qafës së Biftës, duke siguruar komunikimin.

Muret kanë një perimetër prej 1400 m brinja lindore e këtij trekëndëshi është e gjatë 620 m ndërsa dy tjerat janë të barabarta dhe janë të gjata 410 m (Berati, Historiadhe arkitektura Tiranë 1988, fq. 34). Ndryshe nga kështjellat e tjera kalaja e Beratit ka qenë e pajisur me 24 kulla të cilat emërtohen sot me emrin turk TABJE së bashku me muret ato i përkasin periudhave të ndryshme të ndërtimit që nisin qysh nga shekulli IV Pk dhe përfundojnë gjatë kohës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës (1813-1821). Brenda sipërfaqes prej 9.6 ha të kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënojë, Sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur fusha e madhe etj. Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborrit të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh, bacesh dhe shtëpi banimi të cilat përbëjnë lagjen e quajtur kala.

Gjithsej ky monument ka katër porta komunikimi. Njëra prej tyre dhe pikërisht ajo që paraqet më shumë interes për shkak të elementeve përbërës të saj është ato e anës juglindore. Pasi kalon në të futesh në një oborr të fortifikuar, ku përpara të del një portë e dytë pikërisht në murin ballor të saj, në anën e djathtë të një harku (Apollon Baçe, qyteti i fortifikuar i Beratit, Monumentet 2, 1971, fq.43-63), ndodhet një monogram me tulla të kuqe që i përket ndërtimeve bizantine të vitit 1204. I ndërtuar ashtu si i gjithë kompleksi mbrojtës nga Despoti i Epirit Mihal I Porta me monogramin në formë kryqi me inicialet M.K. edhe sot ruan po këtë emër “Porta e Mihal Komnenit”.

Rrethimet

E gjithë periudha e Mesjetës u karakterizua si kohë luftërash e cila u shoqërua me dhunë të vazhdueshme. Gjatë saj njerëzit detyroheshin të përgatiteshin për luftë në çdo kohë. Për t’u mbrojtur nga sulmet e huaja ndërtoheshin fortifikime dhe kështjella të cilat ngriheshin në vende strategjike dhe pajiseshin me mure të forta për t’u mbrojtur me lehtësi. Një fortifikim të tillë kishte edhe kështjella e Beratit e cila gjatë jetës së saj kaloi shumë rrethime nga të cilat mund të përmendim disa .

Sipas autorit antik Tit Livit në luftërat Romako-Maqedonase të vitit 200 Pk. ushtria romake rrethoi Antipatrean “Konsulli Romak Sulpici dërgoi kundër Antipatreas Legatin e tij, Luc Apustin i cili i vrau banorët nga 16 vjeç e lart, e lëshoi ushtrinë për plaçkë, i prishi muret dhe i vuri zjarr qytetit”, kalimet nga duart e një pushtuesi në duart e një tjetri nuk lanë gjurmë të dhunshe mbi Beratin gjatë shekujve të mesjetës së hershme. Ndërkohë që vetëm në verën e vitit 1280 qyteti njohu rrethimin nga anzhuinët e mbretërisë së Napolit. “Çështja që Karli kishte më tepër përzemër ishte rrethimi i Beratit”. (ACTA ALBANIE, I.431). Trupat anzhuine arritën në 8000 veta të cilët ishin këmbësorë, harkëtarë, balistarë etj. Ata përdorën kundër Beratit katapulta dhe makina gurëhedhëse duke përdorur kundër mbrojtësve edhe “zjarrin grek” të përdorur më parë gjatë mbrojtjes së Kostandinopojës nga Arabët.

Ndonëse Anzhuinët ishin të shumtë, të armatosur më së miri dhe të rreshtuar më së miri në mënyrë të përsosur (PAHYMERES VEP. I. N.32) ata morën vetëm pas gjashtë muaj rrethimi lagjet e jashtme të qytetit. Fortifikimi shumë i fuqishëm i Beratit i mundësoi garnizionit Bizantin dhe qytetarëve që ta mbronin me sukses për 10 muaj rrethim atë. Kapja rob gjatë një ndeshje e komandantit anzhuin (kapitenit dhe Vikorit të shqipërisë, Durrësit, Vlorës, Butrintit dhe Korfuzit) Hugo De Suli solli humbjen e Anzhuinëve duke i siguruar fitoren Bizantinëve, kronistët e të cilëve e quajtën betejën e Beratit të shkëlqyer.

Ndërsa një tjetër rrethim ishte ai i vitit 1356 kur pasardhësi i Car Stefan Dushanit, Uroshi sulmoi Beratin. Një dokument i kohës diptiku (ungjilli) i Manastirit të Shën Gjergjit e përshkruan kështu këtë ngjarje (grup autorësh Berati, historia dhe arkitektura. Fq.27)… “Kur serbët pushtuan Beratin, plaçkisnin dhe varnin nga të dyja anët e rrugës jashtë kalasë, por shpëtoi e gjithë kalaja”, të cilën serbët nuk arritën dot ta pushtojnë. Një tjetër rrethim që Berati e përballoi me sukses ishte ai i vitit 1438. Nga kryengritja e vitit 1433-1435 Teodor Muzaka i riu ia mori qytetin e Beratit turqve dhe ringriti Principatën e Muzakajve. Pikërisht në vitin 1438 ai u rrethua në kështjellën e Beratit nga osmanët. Rrethimi zgjati shtatë muaj ku qyteti u godit për herë të parë më artileri. Pasi nuk e mori dot Beratin Komandanti turk Turhan Pasha bëri një masakër në Myzeqe duke ngritur një piramidë me koka të prera.

Traktati i Gaetës

Sipas traktatit të Gaetës nënshkruar midis Skënderbeut dhe Mbretit Alfons V-të i Napolit (Grup autorësh, Cështje të historisë së shtetit dhe së drejtës, Tirane 1997, fq.48) të nëshkruar në Gaeta (Napoli) në 26 Mars 1451, Alfonsi e merrte nën mbrojte Skënderbeun dhe banorët e tjerë shqiptarë farefis dhe vasal të tij dhe detyrohej t’i jepte ndihmë ushtarake dhe financiare për vazhdimin e luftës kundër Turqisë. Alfonsi (po aty. Fq.49) merrte përsipër jo vetëm mbrojtjen e Skënderbeut por edhe çlirimin me forca të përbashkëta të tokave shqiptare të pushtuara nga turqit si: qytete, kështjella, krahina. Për territoret që do të cliroheshin prej osmanëve Alfonsi i V-të do të vendoste se cilat do ti mbante për ti administruar vetë dhë për pjësët e tjera që do tua jepte Skënderbeut dhe zotërinjve të tjerë.

Si qyteti i parë për t’u çliruar nga operacioni i përbashkët shqiptaro-napolitan, u caktua Berati i cili kishte jo vetëm rëndësi strategjike dhe ekonomike, por ishte dhe avantazhi kryesor i pozicioneve turke me shqipërinë e Jugut.

Beteja e Beratit

Berati ishte qendra e Principatës së Teodor Koron Muzakës pjesëmarrës dhe aleat i Skënderbeut në Lidhjen e Lezhës. Teodori e rikrijoi Principatën me kryengritjen çlirimtare të vitit 1443, pot e humbi në vitin 1450. Teodori i plakur dhe i sëmurë i kërkoi ndihmë Skënderbeut që në emër të Lidhjes të merrte në mbrojtje Beratin. Skënderbeu dërgoi për këtë qëllim kapiten Pal Maneshin më 800 ushtarë. Turqit e shfrytëzuan këtë rast dhe me tradhti pushtuan qytetin që sapo ishte marrë në dorëzim nga rojet shqiptare. Pal Maneshin e kapën rob ndërsa Teodorin plak e ngritën nga shtrati ku lëngonte dhe e varën. Me ripushtimin e Beratit turqit penguin shtrirjen e Luftës çlirimtare drejt jugut të Shqipërisë. Ndërkohë sulmi për marrjen e Beratit nga Aleanca Shqiptaro-Napolitane nisi në korrik të vitit 1455. 15.000 njerëz nga të cilët 8000 kalorës dhe 7000 këmbësorë rrethuan qytetin (M. Barleti, Historia e Skënderbeut. Tiranë 1983, fq.423) rrethuan kështjellën sëbashku me ta ishin edhe 500 ushtarë Napolitanë (Histori e Popullit Shqiptar, Tirane 2003, fq.419), të cilët ishin përgjithësisht artilerë të cilët vendosën për bombardimin e mureve tarmentat (topat) ose siç i quan Barleti “Përdredhoret”.

Garnizoni turk përbëhej prej 1000 ushtarësh të cilët “Kur panë se muret po tronditeshin nga përdredhoret e ngritura dhe se qyteti po mbetej në shumë vende i zhveshur” hynë në bisedime me sulmuesitdhe kërkuan një armëpushim 1 mujor kërkesë që u pranua për 15 ditë (Histori e Popullit Shqiptar, fq.419). Pasi përfundoi marrëveshjen me komandantin turk të kështjellës Gjergj Kastrioti marri masat e duhura për t’u sinjalizuar nga ndonjë sulm të mundshëm turk, urdhëroi që 4000 vetë së bashku me topat të mbanin të rrethuar Beratin. Ndërsa pjesën tjetër të ushtrisë nën drejtimin e Muzakës së Angjelinës dhe Tanush Topisë e zhvendosi në fushë buzë Osumit. Kjo gjë u bë për të shlodhur ushtarët nga vapa derisa të vinte dita e caktuar e dorëzimit të qytetit.

Ndërkohë sultan Mehmeti i II-të i cili e konsideronte Beratin si një pikë të rëndësishme strategjike që do t’i trondiste pozitat turke në shqipëri dërgoi drejt tij 40 000 kalorës të përzgjedhur nga fushë-kosova ku kishte vendosur rezidencën (Histori e Popullit Shqiptar, po aty). Në krye të saj ai vendosi tre ish drejtues të Sanxhakut shqiptar si: Isa Bej Evrenozin, Hamza Beun dhe Sebali Pashën. Nga fushë kosova me një shpejtësi të madhe këta trupa kaluan në Kaçanik, luginën eVardarit, Nemanastis, fushën e Korcës, Voskopojë, Guri i prerë, Dobrenjë, Qafa e Dardhës, Vodicë, Berat. (I. Adami. Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri. Tiranë 1983, fq. 63-64), kalimi i osmanëve në rrugë dytësore dhe moslajmërimi për këtë sulm i rojës malore mundësoi ofensivën surprizë të turqve. Pasditen e 26 Korrikut kur trupat shqiptare pushonin të qetë buzë Osumit u sulmuan dhe u masaskruan ashtu të “zhveshur” dhe pa armë nga osmanët. Ndërhyrja e Skënderbeut dhe e Gjergj Arianitit ishte e pa vlerë sepse gjithçka kishte përfunduar atje buzë Osumit, ujërat e të cilit “u skuqën” nga gjaku i 5000 ushtarëve të vrarë. I gjithë kampi me të gjithë rezervat, topat, armët dhe mjetet e rrethimit u bënë pre e turqve, të cilët as vetë nuk e menduan një fitore kaq të shpejtë dhe të papritur. Pasi përfundoi lufta (ose beteja e fituar me lehtësi prej turqve) trupat turke u ngjitën në kështjellë. Pasi forcuan garnizonin dhe bënë meremetimin e mureve të kështjellës ato u larguan drejt Stambollit duke marrë me vete ngadhnjimin e fitores.

Çmitizimi i Heroit

Historiani Austriak Falmerajer (Elementi shqiptar në Greqi, Tiranë 2003, fq.259) për betejën e Beratit në analizën që i bën asaj shprehet se, “masat paraprake të marra nga Skënderbeu ishin llogaritur me bindjen se në qytet kishte një masë të madhe me frymë antiturke e cila përballë epërsisë së shqiptarëve do t’i hapte portat e qytetit. Ndryshe nga shumë historianë, sidomos nga ato shqiptarë, të cilët përpiqen të gjejnë tek Skënderbeu vetëm anët më të mira të gjenealitetit të tij, Falmerajeri nxjerr këtu “gabimet” e Skënderbeut, të cilave mund t’i “faturohet” disfata në Betejën e Beratit. Plani i sulmit ishte përpunuar me pak seriozitet (po aty, fq. 259) saqë Skënderbeu në vend që të vazhdonte sulmin në të ëarën e hapur në mure, ndoqi këshillën e komandantëve të tij, për ndërprerjen e sulmit me qëllim që t’u jepte turqve dy javë afat për dorëzim, kështu shqiptarët hoqën dorë nga rregullat e disiplinës (po aty, fq. 260) dhe të shkujdesur filluan të prisnin afatin e dorëzimit. Ndërkohë dhe vetë Skënderbeu nuk besonte se Sulltani do të ndërmerrte një sulm kundër tij. Ishte pakujdesia e Skënderbeut thekson Falmerajeri, mendjemadhësia dhe shkujdesja të cilat i sollën prapësi heroit që nuk ishte mundur kurrë. Pa marrë paralajmërim ose komunikim nga zbuluesit, pa u njoftuar nga rojat kufitare turqit u shfaqën në befasi të plotë. Duke shpërthyer në kamp kalorësit turq i gjetën shqiptarët në gjumë, duke lozur zare, duke u freskuar në ujërat e Osumit dhe ashtu të pambrojtur i grinë në një masakër të vërtetë. Skënderbeu, Heroi i Europës, nuk mund ta ndalte dot tmerrin dhe shkatërrimin dhe megjithë ndërhyrjen energjike edhe ai u përfshi nga vala e arratisjes së përgjithshme.

Ndërsa nga ana tjetër Sebali Pasha gjenerali turk i pari që mundi Skënderbeun ishte kthyer në “luanin” e ditës (po aty). Fajin e fatit të zi të Beratit duhet ta mbante krejt i vetëm Skënderbeu, i cili në këtë ditë fatale ai nuk qe më një nxënës i artit luftarak por një shembull tipik i të metave të pafalshme.

Në vend të mbylljes

Humbja në Berat ishte e rëndë. Moralisht ajo ishte humbja më e madhe që pësuan shqiptarët gjatë luftës 25 vjeçare shqiptaro-turke. Goditjen më të rëndë e mori ushtria e cila humbi 5000 trupa, thuajse bërthamën e saj. Pasojat e mëvonshme ishin të rënda sepse u shoqëruan në tradhti feudale, nga humbja e Aleancës me Napolin, rilindja e konflikteve të vazhdueshme me Venedikun dhe vazhdimi i sulmeve të fuqishme osmane. Ndërkohë që Perëndimi mendoi se shqiptarë kishin humbur dhe se Skënderbeu tashmë kishte mbetur i vetëm kundër turqve. Ndërkohë u deshën vetëm 7 muaj që Skënderbeu të ngadhnjente përsëri mbi turqit. Kësaj radhe në betejën e Oranikut shqiptarët masakruan në mënyrë mizore 10 000 turq. Ky ishte shpagimi për të vrarët në Berat. Ky sukses shkruante Falmerajeri “Kishte qetësuar dhe fshirë nga shpirtrat e shqiptarëve tashmë të zbutur me kalimin e kohës turpin e Beratit.

Check Also

“Bravo Notis, arrite të bindësh një tufë alabakësh…”, gazetari shfryn ndaj koncertit të nazistit

Ardhja e këngëtarit nazist grek Notis Sfakianakis mbrëmjen e djeshme në Shqipëri dhe koncerti i …

Leave a Reply