Kryefaqja / OPINION / Shenjtëria e tokës dhe detit të Shqipërisë! Nga Anton Lulgjuraj

Shenjtëria e tokës dhe detit të Shqipërisë! Nga Anton Lulgjuraj

Shenjtëria e tokës dhe detit të Shqipërisë

Historia është mësuesja e jetës. Nëse nuk do mësojmë nga ajo, çdo herë do gjendemi përballë sfidave që nuk do dijmë t’u japim zgjidhjen e duhur. Nëse një nxënës nuk bën detyrat që ia ngarkon mësuesi, ai do mbetet pa dituri. Rrjedhimisht do të jetë pa të ardhme. Nëse Shqipëria e re, nuk mëson nga përvojat e Shqipërisë së vjetër, mund të mbetemi pa të ardhme.

E fillova me këto fjali, për të vazhduar më në detaje se çfarë po ndodhë realisht me mardhënjet ndërmjet dy vendeve fqinje Shqipërisë dhe Greqisë që së bashku vijnë nga antikiteti dhe do vazhdojnë gjatë në krah të njëri – tjetrit me një vijë të hollë ndarëse ndërmjet tyre. Këto që do shkruaj këtu, janë thjeshtë mendimet e mia, të bazuara mbi studimet dhe specializimin që unë kam bërë për të drejtën ndërkombëtar.

Çështja e varrezave?

Nuk dua të përsëris historikun e këtij problemi të ngritur nga shteti grek, por dua të ndalem tek akti final në pika të shkurtra.

Greqia në vitin 1973 ka kërkuar zyrtarisht për herë të parë varrezat greke në Shqipëri. Shqipëria nuk e pranoi, por i mundësoi që Greqia të merrte mbetjet trupore të ushtarëve grek. Pastaj, Greqia kërkoi që në mungesë të varrezave të ndërtohet një Memorial. Qëndrimi i Shqipërisë vazhdonte të ishte refuzues deri në vitin 1989. Pas viteve 90-ta qëndrimi i Tiranës zyrtare do të ndryshonte, por pa qenë unik në qeveritë që do pasonin njëra-tjtrën.

Në vitin 2009, qeveria e Berishës bjen dakord që të ndërtohen 2 varreza greke në Shqipëri, gjegjësisht në Këlcyrë dhe në Bularat. Qeveria Rama po zbaton protokollin e firmosur të asaj kohe nga qeveria paraardhëse!

Konluzion:

Nuk ka asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare që mund të imponojë ndërtimin e varrezave të ushtarëve të ndonjë shteti në një shtet të caktuar. Rrjedhimisht, Shqipëria nuk kishte asnjë detyrim për të ndërtuar varrezat e ushtarëve grek. Pse pikërisht të pranohen 2 varreza? Pse pikërisht në atë pjesë që e quajnë “rripi i Vorio – Epirit”? Pse nuk ndërtohet një memorial sikurse ekziston për ushtarët gjerman, britanik, francez etj?

Kjo ndodhë kur në tryezën e bisedimeve ulen persona që nuk kanë asnjë lidhje me ABC-në e negociatave ndërkombëtare. Për të mos thënë, se ka edhe nga ata që për ndonjë interes personal mund të lëshojnë pe në dëm të interesit të shtetit që përfaqësojnë!

Do të ndërtohen dy varreza të ushtarëve grek. Po a do të ndërtohen varreza për çamët e shfarosur nga Gjenerali monarko-fashist Napoleon Zervas???

Është normale që mardhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë të jenë në nivele lakmuese, por në këtë raport duhet të përfitojnë të dy palët.

Thuhet se “Ligji i luftës” do të shfuqizohet me një akt të veçantë nga Qeveria greke. Së parit, Shqipërisë nuk i takon të firmos asnjë akt në lidhje me këtë çështje, që me anë të së cilës për të shfuqizuar këtë Ligj, Shqipërisë ti kërkohet si favor të ndërtojë varrezat. Ky Ligj është në fuqi dhe i takon Qeverisë greke ta shfuqizojë pa kërkuar asgjë në favor për shfuqizimin e këtij Ligji.

De jure ndoshta po shfuqizohet “Ligji i Luftës” i Greqisë, por mos harroni, de facto po mbetemi në luftë kur për gjatë gjithë vijës së ashtu quajtur, nga qarqe të caktuara greke, si vija e “Vorio-Epirit”, po ndërtohen varre ushtarësh! Kush mund të garantojë që pas “100 vjetësh”, nuk do kërkohet shtrirja e sovranitetit të Greqisë në këtë pjesë territori?! Këtë duhet ta mendojnë mirë ai grupi i “ekspertëve” që është caktuar nga Tirana zyrtare për bisedime.

Po të isha unë në vendin e tyre, këtë marrëveshje do e quaja nul dhe do filloja negociatat nga e para, sepse do e barazoja me “Marrëveshjen” e vitit 2009 për çështjen e ujërave detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Në këtë mënyrë nuk do pranoja ndërtimin e varreve, por ndihmën absolute për zhvarrimin e ushtarëve dhe ndërtimin e një memoriali për të rënët.

Çështja e kufirit detar?

Në të drejtën ndërkombëtare caktimi i gjërësisë së ujrave territoriale të një shteti është e drejtë diskrecionare e tij, por brenda limiteve dhe sipas kushteve të Konventës Montego Bay të vitit 1982. Konventa ka përcaktuar që shtetet që nuk kanë shtete të tjera përballë ose që i kanë minimalisht 24 milje larg vijave bazë, e caktojnë gjërësinë e ujrave territorial deri në 12 milje.

Greqia e ka patur 6 milje detare e tani deklaron se e ka 12 milje gjërësinë e ujrave territoriale. Nëse ka raste ku nuk pengohet nga ujrat territoriale të Shqipërisë, atëherë ka të drejt absolute që ta bëje këtë gjë. Këtë shtrirje nuk mund ta bëjë në ujrat ndërmjet Korfuzit dhe Sarandës ku gjërësia është shumë herë më e vogël se 24 milje detare. Në këto raste, kur gjërësia ndërmjet brigjeve të Shqipërisë dhe Greqisë është më e vogël se 24 milje detare, atëherë duhet të caktohet me marrëveshje ndërmjet këtyre shteteve, sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare për të drejtën e detit që janë: parimi i ekuidistancës dhe parimi i ekitesë.

Në raste që Qeveria aktuale e Shqipërisë, nuk i ka parasysh këto përmasa dhe institute të së drejtës ndërkombëtare, vendi mund të përballet me një humbje të parikuperueshme për një periudhë të pacaktuar.

Në këtë situatë, inkurajoj çdo individ që ka njohuri të thelluara në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe mardhënieve ndërkombëtare që mos të heshtë deri në zbardhjen e së vërtetës për këto çështje jetike për Shqipërinë e sotme.

Msc. Anton Lulgjuraj

Tiranë, 31.01.2018

Check Also

Greqia braktis në heshtje bisedimet me Shqipërinë, pritet vetoja greke në qershor

Nga Arben Llalla Në fund të muajt mars, Greqia braktisi në heshtje bisedimet me Shqipërinë …

Leave a Reply