Kryefaqja / INTERVISTA / “Sy për sy e dhëmbë për dhëmbë”, Idrizi: Ta harrojnë negociimin e heqjes së emrit “Çamëri”. Kërkojmë statusin e minoritetit etnik

“Sy për sy e dhëmbë për dhëmbë”, Idrizi: Ta harrojnë negociimin e heqjes së emrit “Çamëri”. Kërkojmë statusin e minoritetit etnik

Në një intervistë për “Standard”, kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi foli për bisedimet mes palës greke dhe shqiptare për problematikat e mbartura në kohë, ku theksin e vuri tek Çështja Çame. I pyetur për atë se çfarë është Çështja Çame në vetvete, Idrizi e nisi përgjigjen e tij me një fjali të thjeshtë: “Çështja Çame është Çështja Kombëtare Shqiptare”. Sipas Idrizit, ajo çfarë kërkojnë aktualisht shqiptarët e Çamërisë nuk është rikthimi i kufijve politikë, por rikthimin në shtëpitë e tyre, si dhe njohjen e minoritetit etnik shqiptar në Greqi. Ndërsa për takimet “informale” mes dy ministrave të jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë, si dhe për deklaratën e Ministrit të Jashtëm grek për “Marrëveshjen e Detit” dhe për “Çështjen Çame”, kreu i PDIU tha se Greqia “ta harrojë” heqjen e përdorimit të emrit “Çamëri”, ndërsa për detin theksoi se të dyja palët kanë udhërrëfyes dhe detyrim leximin e Gjykatës Kushtetuese, por shprehu edhe skepticizmin lidhur me kontradiktat e krijuara në deklaratat e dy homologëve. Më tej, i pyetur për deklaratën “kërcënuese” të presidentit të shtetit fqinj, kreu i Partisë Çame i mëshoi faktit se presidenti duhet t’i dojë e t’i respektojë çamët, pasi ato përbëjnë një minoritet dhe minoritetet duhen respektuar e trajtuar me të drejta të barabarta. Ndërkohë, teksa u pyet për atë se çfarë do të bëjë PDIU dhe si do të reagojë nëse vazhdojnë deklarata të tilla dhe nëse shteti shqiptar nuk reagon, ai tha se partia dhe mbështetësit e saj do ecin me një hap të përbashkët “sy për sy e dhëmb për dhëmb”. Padyshim, jashtë vëmendjes nuk mund të mbetej edhe një pyetje për situatën e krijuar në vend nga debatet e vazhdueshme për “Sistemin e Ri të Drejtësisë”.

Çështja Çame është kthyer në debat të fortë ditët fundit, duke marrë shkas edhe nga bisedimet informale mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ju keni folur, mbështetur dhe trajtuar gjithmonë këtë çështje. Çfarë është Çështja Çame në vetvete? Cili është aspekti politik, territorial dhe social i saj?

Çështja Çame është Çështja Kombëtare Shqiptare. Me këtë fjali mund ta shpjegojmë gjithë problematikën e saj. E nisur si nje spastrim i paster etnik i planifikuar që në vitin 1913 kur Çamëria u aneksua nga Greqia , dhe i përfunduar në zgrip të Luftës së Dytë Botërore. Ajo që ka ngjarë, ku janë therur gra, fëmijë, pleq, njerëz të pambrojtur në shtëpitë e tyre, ku është zhvendosur një popullsi e tërë, e cila shënoi të paktën 3000 të vdekur, quhet me plot gojën genocid. Mospranimi i kësaj gjëme të kryer botërisht nga nazistët e formacionit ushtarak të Napoleon Zervës është sërish genocid që ushtrohet ndaj një popullsie që nuk lejohet të hyjë në pronat e veta, të ndërtojë varret për të rënët, të marrë ndjesën, në mënyrë që të ndodhë procesi i pajtimit. Pa procesin e pajtimit nuk do të ketë marrëdhënie të mira e të qëndrueshme me shtetin Grek që ne nuk e bëjmë fajtor për atë që ka ndodhur në kontekstin e kohës, por që me qëndrimet e tij po mbron në mënyrë të paarsyeshme spastrimin etnik. E aq më shumë vazhdon të shkelë në mënyrë të përsëritur të drejtat e njeriut të pasardhësve të atyre që u dëbuan. Ne, shqiptarët e Çamërisë sot nuk kërkojmë ndryshimin e kufinjve politikë, por duam të rikthehemi në shtëpitë tona dhe të rimarrim statusin e minoritetit etnik shqiptar në Greqi. Kjo është një çështje, e cila po nuk u zgjidh, nuk do të lejojë kurrë zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe strategjike mes Shqipërisë dhe Greqisë, por dhe qetësinë e Ballkanit, prandaj është Çështje Kombëtare Shqiptare.

Cili është mendimi juaj, referuar dy takimeve informale mes dy ministrave të jashtëm Bushati e Kotzias, lidhur me bisedimet për çështjet e cilësuara si “të nxehta” mes dy vendeve?

Me thënë të drejtën nuk kam një mendim të kristalizuar, sepse mungon informacioni i burimit zyrtar shqiptar. Ministria e Jashtme dhe zoti Ditmir Bushati nuk po sqarojnë se çfarë kanë bërë me këto bisedime. E vetmja dritare informacioni është Athina, e cila nëse thotë të vërtetën, pa dyshim krijon shqetësim në tokën shqiptare. Unë sot mund të them se ta harrojnë që mund të negociojnë heqjen e përdorimit të emrit “Çamëri”. Këtu nuk të falim jo ne, çamët, por të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Nëse duan të negociojnë për detin, e kanë udhërrfyes e detyrim vendimin e Gjykatës Kushtetuese –por dhe gjithë Shqiptarët janë shumë të vëmendshëm për si dhe kush do jetë kjo marrëveshje. Nëse duan të negociojnë për Çështjen Çame, e vetmja palë që ka tagër të ulet në tryezë është Shoqata “Çamëria” dhe PDIU. Nuk e negocion dot një çështje , gur të rëndë, askush tjetër që ka njohuri të përcipëta dhe mund të pësojë disfatë prej dinakërisë karakteristike të palës tjetër.

Po lidhur me debatin e hapur pas deklaratave të ministrit Kotzias se Greqia ka rënë dakord me palën shqiptare se do përfitojë 12 milje det?

Kjo, pra është puna; e thotë Kotzias në Athinë, por asgjë Bushati në Tiranë. A duhet besuar greku apo të kënaqemi me lugën bosh të heshtjes së Ditmirit? Jam i prirur të besoj në përgjegjshmerinë dhe detyrimin kushtetues të palës shqiptare , dhe s’mund të ndodhë ndryshe, pasi do të ishte një shitje e pastër e interesave Kombëtare dhe do ketë pasoja të pariparueshme për ne dhe brezat që do vijnë.

Një ndër çështjet që është diskutuar sipas qeverisë shqiptare me palën greke ka qenë dhe ajo Çame. Ndërsa pala greke mohon ketë pjesë. E ndërsa Presidenti grek kërcënoi që nëse shqiptarët do ta shtrojnë për diskutim këtë çështje, nuk do mund të ecin para në rrugën e BE. Cili është qëndrimi i partisë suaj lidhur me këtë çështje?

Kemi bërë një deklaratë publike për këtë zhvillim. Kreu i shtetit të Greqisë ka një rol honorifik në skenën politike të atjeshme, pra është garant i Kushtetutës, por nuk ka vendimarrje politike që të na tregojë ne, shqiptarëve veton. Ai njeri me këto deklarata është krejtësisht jashtë dimensionit të Presidentit të Republikës mbi palët. Për të çamët duhet të ishin po aq të shtrenjtë sa dhe grekët, sepse do apo nuk do ai janë minoriteti etnik i vendit të tij, megjithëse Greqia këtë nuk e pranon. Gjithsesi, ne e kemi deklaruar, nëse na do përballë, përballë do të na ketë, por falë Zotit rruga jonë në Europë nuk kalon nga Athina apo Lindja, por Brukseli dhe Perëndimi.

Si do të reagoni, ç’masa do të merreni ju si përfaqësuesi kryesor i kësaj çështjeje, nëse reagimet do jenë të vazhdueshme nga pala greke dhe qeveria shqiptare nuk do ngrejë zërin sa duhet?

Unë jam kryetar i një partie, jam politikan. E njoh mirë diapazonin e gjerë që më japin mjetet demokratike. PDIU është prej kohësh në një dialog intensiv me votuesin e saj dhe patriotët e Shqipërisë, pavarësisht nga shijet politike të tyre, të majta apo të djathta. Mesazhi që na vjen nga njerëzit është i thjeshtë: sy për sy e dhëmbë për dhëmbë. Nuk dua t’i zhgënjej patriotët shqiptarë në këtë pikëvështrim.

Së fundmi, nuk mund të ketë mbetur jashtë vëmendjes suaj situata politike në vend. Ç’mendim dhe ç’qëndrim ka PDIU për debatet për reformën në drejtësi dhe arrestimet e fundit?  Po për Reformën e pritshme zgjedhore?

Ne e kemi votuar pa asnjë diskutim reformën në drejtësi dhe ishim mbështetësit e saj më të mëdhenj dhe më të artikuluar. Nuk jemi penduar për këtë dhe as na vjen keq që votuam me bindje të plotë atë reformë që na e kërkonin me aq ngulm partnerët tanë perëndimorë. Por, nuk do të na pëlqente që kjo reformë kaq e nevojshme dhe mbi të gjitha jetike për shoqërinë shqiptare, të kapet peng dhe të instrumentalizohet për interesa të ditës, sepse thelbi i saj është e ardhmja. Përsa i përket reformës zgjedhore kam frikë se do të mbetemi sërish tek kakofonia e këtyre viteve, sepse nuk shoh vullnet nga “dinosaurët” PD-PS për të lëvizur gjë. Këto parti, tashmë janë mësuar të bëjnë deputetë duke grabitur vota, por dhe mandate nëpërmjet defekteve që ka sistemi. PDIU është partia që mori 76 mije vota u rrit me 30 mijë vota dhe  dhe nuk mundi të marrë më shumë se tre mandate. Kur duhet te kishte 7 mandate sepse cdo mandate per PS, PD, LSI vlejti 11.200 vota .Mori në Tiranë aq vota sa kudo gjetkë do të dilnin dy  mandate, por nuk dërgoi asnjë deputet nga lista e Tiranës. A e dini përse? Sepse ky sistem garanton vetëm një gjë me ligj; pabarazinë në garë, kur përfituesit janë vetëm “dinosaurët”. Me këtë sistem jemi të dënuar të bëjmë koalicion, madje edhe kur nuk na pëlqen koalicioni. Prandaj, duhet reformë dhe sa më shpejt, por për fat të keq, kjo varet nga humori i këtyre që bëjnë dhe kohën e mirë dhe kohën e keqe në Shqipëri.

Check Also

Brokaj: Ka Himarë shqiptare. Ç’punë kanë grekët me Himarën, se çfarë prishet e ndreqet aty?

Mjafton një shkëndijë e vogël dhe bëhet një debat i madh. Pak ditë më parë …

Leave a Reply