Kryefaqja / OPINION / GREQIA, SHTETI QË LINDI NGA VËLLAVRASJA

GREQIA, SHTETI QË LINDI NGA VËLLAVRASJA

Sot para 197 vjetsh, më 25 mars 1821, nisi në More një rebelim lokal, ku gjitha palët ndërluftuese – qofshin kristianë a muslimanë – ishin shqipfolës.

Fraksione të ndryshme rebelësh kristianë u mbështetën nga Rusia, Britania dhe Franca, ndërsa sulltani osman bëri thirrje për xhihad dhe pruri vullnetarë që nga Bosnja e Kosova, e deri nga Magrebi arab. Omer bej Vrioni nga Berati u shqua si komandant mizor i forcave otomane, ndërsa Marko Bocari suljot si komandant njësoj mizor i rebelëve. Rebelimi u kthye në luftë civile ndërfetare, burra me armë nga dy palët kryen mizori e krime lufte të llahtarshme kundër grave, fëmijëve, e pleqve të pambrojtur.

Dekada më vonë, ky pështjellim i përzishëm i gjakut dhe tmerrit do të glorifikohej me eufemizmin ”Elliniki Epanastasi”, në përkthim: ”Kryengritja greke”.

Kur ra pluhuri i batërdisë dhe masakrave, pushteti i perandorisë osmane në Epir, në More dhe në Egje kish marrë fund. Në ato treva nisi pastrimi etnik i muslimanëve, e aty u sajua shteti i ri kristian, Greqia. Kryeqytet i saj u shpall Athina, e cila më 1821 kish patur 73 përqind të popullsisë shqipfolëse, kristianë e muslimanë.

Për të kuptuar arsyet e urrejtjes ndërfetare dhe rebelimit do kujtuar se perandoria osmane ishte teokraci, e cila kish diskriminuar dhe abuzuar rregullisht jomuslimanët ndër shekuj. Këta ishin quajtur me përbuzje kafirë, qafirë, kaurrë, pra të pafe.

Dëshmia e një muslimani para gjyqit vlente sa e dy ”kaurrëve”. Këta me pak përjashtime ishin të përjashtuar nga një sërë profesionesh, nga administrata, nga ushtria etj. Jomuslimanët duhej të mbanin veshje identifikuese, nuk lejohej të mbanin armë mes muslimanësh, të shkonin kaluar ditên e pazarit, të banonin në një lagje me muslimanë, etj.

Perandoria ndërhynte edhe në jetën private e dashurore të qytetarëve, jomuslimanët e kishin të ndaluar të marrin grua muslimane. Klasa e privilegjuar fetare dhe sociale e shoqerise, një herrevolk cifligarësh, bejlerësh e agallarësh lokalë, mirrnin shërbëtorë rajanë jonuslimane, mbi të cilat kryheshin rregullisht abuzime të rënda. Sidomos gratë dhe vajzat e ”kaurrëve” ishin jashtëzakonisht të eksponuara.

Themelimi i Greqisë rivendikoi kristianët e Epirit, Moresê dhe Egjeut, por shkaktoi dëbim të muslimanëve, të turqishtfolësve të Maqedonisë greke dhe të shqipfolësve, midis tyre dhe atë të camëve, që u dëbuan në Turqi e në Shqipëri. Dënimi i tyre ishte i verbër, u dëbuan dhe vegjëli që s’kish patur dorë në krimet e bejlerëve dhe agallarëve.

Vëllavrasja e viteve 1820 e theksoi identitetin fetar të qytetarit në Ballkan. Shqipfolësit kristianë arvanitët u bënë gurthemel i Greqisë dhe janë dhe sot elita ushtarake e politike e krahut të djathtë nacionalist grek. Njëherit pasardhësit e shqipfolësve nga Junani që ikën në Turqi u bënë gurthemel i nacionalizmit turk dhe janë sot elitë ushtarake dhe politike e krahut të djathtë nacionalist turk.

”Feja e Shkyptarit ashtë Shkyptaria” është parolla që i dha fund vëllavrasjes shqiptare. Deri atëhere, shqipfolësit kishin ekzistuar me qindra shekuj në Ballkan, por – me pak përjashtime – kishin shërbyer si qilim i perandorive, e si kurban për themele shtetesh të fqinjve, si në Greqi, por edhe në Turqi, e në Mal të Zi. Ndërsa pas Rilindjes e këtej, për pak më shumë se 100 vjet, këta breza që fe të shqiptarit bënë shqiptarinë sajuan jo një, po dy shtete shqiptare, në Ballkan.

Për ne shqiptarët e shek. XXI, të gatuar nga brumi rilindas sekularist e mbifetar, tragjedia e shqipfolësve shërben si paralajmërim kobzi se ku mund të na shpien pasionet fetare, nëse ato forcohen së tepërmi.

Elliniki Epanastasi për ne nuk është kryengritje greke. Po vëllavrasje – fratricid – ndërfetar i stërgjyshërve tanë, të qorruar sysh e mendjesh nga feja.

Check Also

“Bravo Notis, arrite të bindësh një tufë alabakësh…”, gazetari shfryn ndaj koncertit të nazistit

Ardhja e këngëtarit nazist grek Notis Sfakianakis mbrëmjen e djeshme në Shqipëri dhe koncerti i …

Leave a Reply