Kryefaqja / OPINION / Kohë të këqia për demokracinë

Kohë të këqia për demokracinë

Në të gjithë botën liria e mendimit është e kufizuar. Ka më shumë zgjedhje jo korrekte dhe etja për pushtet e populistëve po shtohet. Në këtë përfundim arrin një studim i fundit i Fondacionit Bertelsmann.

Nga Deutsche Welle

Sipas një studimi, në vendet në zhvillim dhe në vendet në ekspansion ekonomik gjendja e demokracisë ka rënë në nivelin më të ulët që prej dymbëdhjetë vjetësh. Gjithnjë e më shumë ata që qeverisin i sabotojnë instancat e kontrollit, për të ruajtur pushtetin e tyre dhe një sistem të vetëpasurimit. Njëkohësisht protesta kundër pabarazisë sociale, korrupsionit dhe keqmenaxhimit po rritet, rezulton në një analizë dyvjeçare të Fondacionit Bertelsmann. Ky fondacion hulumton rregullisht që prej vitit 2004 në të ashtuquajturin “indeks të transformimit” zhvillimet politike dhe ekonomike në 129 shtete në zhvillim dhe në ekspansion.

Edhe në demokraci qeveriset shpesh me dorë të fortë

Një rezultat frikësues i këtij viti: në gjithnjë e më shumë shtete demokratike ka kufizime të lirisë për njerëzit. Gjithsej janë 40 qeveri, midis tyre janë edhe disa në shtete të demokracive të avancuara që në dy vitet e fundit e cënuan demokracinë. Në 50 shtete u kufizuan liritë politike. Për sfidat e ekonomisë botërore pushtetmbajtësit gjejnë përgjigje të pamjaftueshme dhe shpesh i kalojnë ato në kurriz të shtresave me të ardhura të pakta të popullit. Një numër i madh qeverish, thanë studiuesit, nuk gjejnë receta kundër konflikteve sociale, etnike dhe fetare në rritje – pjesërisht  edhe i ushqejnë këto tensione.

Jo dialog, jo kompromise

Një arsye thelbësore për rezultatet e këqia sipas studiuesve të Bertelsmannit është mungesa e aftësisë dhe vetëdijësimit të shumë qeverive për të reaguar ndaj konflikteve brenda shoqërisë me dialog dhe të prirur ndaj konsensusit. Gatishmëria e qeverive për qetësimin e konflikteve, sipas indeksit ka rënë në 58 shtete që në vitin 2006. Kjo vlen veçanërisht për qeveri autoritare si Hungaria ose Turqia, të cilat kanë ardhur vetë në pushtet nga protesta qytetare dhe polarizimi. “Por në plan afatgjatë, sundimi me anë të detyrimit në vend të dialogut çon në një rrugë qorre”, thotë për këtë Aart De Geus, kryetar i kryesisë së Fondacionit Bertelsmann.

Zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik dhe social autorët e shohin si njërin nga pengesat më të mëdha për zhvillimin në drejtim të demokracisë dhe të zhvillimit demokratik dhe ekonomik të qendrueshëm. Në 72 vende në zhvillim dhe në ekspansion sundojnë varfëria masive dhe pabarazia e madhe sociale. Në të gjithë botën gjithnjë e më shumë njerëz jetojnë jo vetëm në regjime të pabarabarta, por edhe represive. Aktualisht janë 3,3 miliardë njerëz që qeverisen në mënyrë autokratike, aq sa kurrë më parë që prej nisjes së studimit.

Check Also

Greqia braktis në heshtje bisedimet me Shqipërinë, pritet vetoja greke në qershor

Nga Arben Llalla Në fund të muajt mars, Greqia braktisi në heshtje bisedimet me Shqipërinë …

Leave a Reply