Kryefaqja / PERSONALITETE / PUSHKA E BRAHIM BAJRAM NOKSHIQIT NË QAFË TË ÇAKORRIT

PUSHKA E BRAHIM BAJRAM NOKSHIQIT NË QAFË TË ÇAKORRIT

Luftëtar kombëtar nga Plavë-Gucia, dekorue nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me dekretin nr. 547, më 3 qershor 1993 me Urdhërin “Për Veprimtari Patriotike” të Klasit të Dytë.

1.

Dy kushërinjtë mekulas, Brahimi e Rexha, nga stani në Vraçel tue u djerg për në Nokshiq, në kapërcim të Qafës së Çakorrit, pak pa e trupue pyllin e Janicës, bien në pritën e pabesë të shkijeve nga Radenjava e Velikës.

Krisi pushka në pritë. Jehoi vendi përrreth.

Njani nga dy shkijet velikas, prej nga prita e zezë mbrapa gurit, e qëllojnë trimin Rexhë Mekuli, i cili dha shpirt me armë në dorë dhe prej gjakut në gojë nuk mujti me shqiptue veç një fjalë të vetme: “Amanet…”.

Ndoshta amaneti i tij ishin Nokshiqi në Ultinën e Limit apo hakmarrja ndaj atyne shkijeve gjakatare. Sidoqoftë, për të dyja amanetet e mundshme të djalit të mixhës së tij, të shokut të tij të ngushtë, ka luftue deri në fund të jetës trimi i maleve shqiptare, Brahim Bajram Nokshiqi.

2.

Në pritën e pabesisë velikase Brahim Bajram Nokshiqi e mori një plagë në trup dhe u shtri përtokë si i vdekun. Vetrrokulliset përgjatë shpatit të Jenicës. Bie në një gropë, pas një lisi.

Në ato minuta del shkjau nga pozicioni i pritës pas një guri të lmuet për me pa nëse Brahimi jeton apo ka vdek nga plumbat, mirëpo ky trim i flaktë, ndonëse i plagosun, po rrinte në gatishmëri shenjtare. E shkreh armën drejt e në gjoks të shkjaut velikas, të

cilin e përcjell pa frymë për në botën tjetër.

Shkjau tjetër e pa shokun e vet që ra përmbys pa pikë shpirti, prandaj e nxori bomben e ta gjuajti në drejtim të Brahim Bajram Nokshiqit. Fatmirësisht, lisi i madh parapritë natyrore dhe gropa e thellë mburojë e rastit, e pshtuan pa e damtue fizikisht, pa ia marrë jetën.

Bomba shpërtheu zhurmshëm dhe ban tymnajë të madhe përrreth. Shkjau velikas, i sigurtë në vetvete se e ka vrarë trimin shqiptar të derës së Bajram Hysit të Nokshiqit, e la pozicionin e tij strategjik.

Trimi Brahim Bajrami nga gropa pranë lisit, përmes tymnajës së pluhurtë, e vrojtonte shkjaun velikas dhe kur i doli në shteg e në thep të pushkës e qëlloi për vdekje.

3.

Luftëtari i lirisë kombëtare, Brahim Bajram Nokshiqi, me plagën e lidhun në pozicionin luftarak, mbasi maturon se nuk ka shkije të tjerë në atë pritë të përgjakshme, çohet në kambë e vijaecë nëpër vendin e betejës.

Rexhë Mekuli kishte mbetë me fytyrë nga dielli, me shallin e bardhë, gojë, musteqe e mjekër të përgjakun, me armë të shtërngueme fort sa menxi me ia hjek prej dore. Brahimi ia puthi ballin kushërinit trim, shokut të tij të zemrës e armëve, ia rregulloi trupin e pajetë pranë rrugës së kalit, në një roginë me barë mali.

Dy shkijeve të vdekuna iu shkoi pranë, i ktheu për së mbari sipas zakonit të luftëtarëve shqiptarë dhe ua mori armët.

Niset rrugës për në bjeshkën e Vraçevës.

4.

Kur ngjitet në Qafë të Çakorrit e theu një degë lisi dushkajë dhe tek një çufërr në skej të rrugës i mshefi ato tri pushkë e një pjesë të madhe të municionit të tyne.

Fuqitë e trupit nisin me lanë trimin e betejës, sepse kishte derdhë gjak. Ende plaga e lidhun me shaminë e bardhë të kokës i kullonte gjak. Ai ecte si një legjendar.

Në Qafë të Vraçellës nuk mujti me shkue ma andej. Me pushkën e vet qiti tri herë në ajër si sinjal kushtrimi për bjeshkën e vendlindjes së tij, për trimat e vllaznive nokshiqase që kishin dalë për verim.

5.

Mashkujt nokshiqas, të gjendun asokohe në bjeshkë, shpejtojnë për në Qafë të Vraçevës dhe aty e gjejnë Brahim Bajramin të plagosun, të shtrimë përtokë nga humbja e gjakut dhe ecja e sforcueme.

-Shkoni rrugës për Nokshiq. Aty, në afri të Qafës së Çakorrit, ka mbetë Rexhë Mekuli… Në rrugë do të gjeni një degë lisi, e aty afër i kam lanë tri pushkë: njana e Rexhë Mekulit, dy të tjerat janë të dy shkijeve të Velikës… – iu tha Brahim Bajrami nokshiqasve të vet.

Luftëtarin Rexhë Mekuli e varrosin në Qafë të Vraçevës me të gjitha nderimet që i takojnë një trimi që jep jetën për kombin shqiptar.

Nokshiqasit iu çojnë fjalë në Velikë për dy shkijet e vrame në Qafë të Çakorrit, të cilët vijnë e i marrin për t’i varrosë në fshatin e tyne, që dikur ishte e banueme nga shqiptarë etnikë.

Mashkuj kelmendas të Nokshiqit, me fizikë të fortë, e marrin Brahim Bajramin e plagosun dhe e çojnë me vig në Haxhaj (Kuqishtë) e prej aty, me një makinë e përcjellin drejt e në qytetin e lashtë e të ri të Pejës. Qëndroi dy muaj në spital. Pas shërimit e marrin me kali deri në Nokshiq, në vendin ku lindi e u rrit si luftëtar i lirisë kombëtare shqiptare.

Ramiz LUSHAJ

Check Also

Atdhetari i pavdekshëm shqiptar Abdyl Frashëri: Epiri është dhe do të mbetet gjithmonë shqiptar

Atdhetari dhe Diplomati i Shquar I pavdekshem i popullit shqiptar Abdyl Frashëri, i drejton redaksisë …

Leave a Reply